Te paaftet - E bejme vete politiken tani

'Te paaftet' - E bejme vete politiken tani
“Madje, e quajmë veten të vonuar”. Afrim Jeshili, kryetar, zgjat me dorën e vetme programin e Partisë dhe shpjegon saktësisht dhe serioz qëllimin e saj. Partia e Personave me Aftësi të Kufizuar (P.P.A.K.), vërtetë s’ka të dytë në botë dhe, ndërsa shkruan me të majtën, sqaron se “ne u detyruam të shkojmë në këtë organizim, pasi zëri ynë është shumë i dobët para konfuzionit të politikës dhe shoqërisë shqiptare”. Ekonomisti, i mbetur me fatkeqësi prej çapkënllëqeve të fëmijërisë së tij, ka mbijetuar me vështirësi. Sot baba i tre fëmijëve ka luftuar, jo vetëm për jetesën e familjes së tij, por edhe për të ngritur vazhdimisht zërin e njerëzve si ai. Dhe, konkretizim i kësaj, ishte se më 13 shtator të vitit 2010, gjykata shqiptare e regjistroi formacionin më të ri politik të drejtuar prej tij.

Me një seli të thjeshtë në Rrugën “Muhamet Gjollesha”, ‘të paaftët’ kanë ngritur të gjithë strukturën e tyre politike: një simbol drejtkëndëshi me sfond me tre ngjyra kuq, zi, bardhë me karrocën e invalidit, që tek vula e tyre e kanë të bartur deri mbi shqiponjë. Kanë të gjithë dokumentacionin e rregullt të një partie, e cila në parimet kryesore funksionon nga poshtë lart, me kolegjialitetin, respektin e individit të saj dhe madje pranojnë në partinë e tyre çdo shqiptar që është mbi 18 vjeç dhe jo vetëm invalid. Kemi jetimët, pensionistët dhe të papunët, na thotë!!!

Realitete

Deri më tani, në mënyrë të vazhdueshme kërkesat e shoqatave të personave me aftësi të kufizuara janë shtrirë vetëm në planin ekonomik. Ndërsa kërkesat e tyre për integrim real të personave me aftësi të kufizuara kanë qenë shumë të zbehta, thonë burime të Ministrisë së Çështjeve Sociale. Ligji parashikon që një individ nga komuniteti i tyre duhet të jetë patjetër ndër 25 persona të punësuar qoftë në sektorin publik apo privat. Ky ligj që është në letër taksativ për subjektet dhe që ndih personat me aftësi te kufizuar të punojnë mbetet i pazbatuar...Ca më shumë akoma, kërkesat për rritjen e numrit dhe cilësisë së shërbimeve për këtë kategori (detyrim i institucioneve dhe pushtetit vendor) artikulohen fare pak nga shoqatat që mëtojnë mbrojtjen e tyre.

 Në Raportin e Monitorimit të përgatitur dhe botuar nga Fondacioni shqiptar për të Drejtat me Aftësi të Kufizuar, me ndihmën e BE-së janë marrë në pyetje anëtarë të këtij komuniteti dhe familjarët e tyre nga gjashtë rajone të vendit: Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë dhe Elbasan. Me të dhënat sasiore të pyetësorit të përpunuara me SPSS, në programin Excel, për studimin e një grupi temash dhe nëntemash doli se numri i personave të intervistuar që jetonin në varfëri ishte i lartë: gjysma e pjesëmarrësve (50%) e përshkruan gjendjen e tyre si të varfër dhe vetëm 24% (domethënë, një nga katër të anketuarit) e përshkruan gjendjen si të mirë apo shumë të mirë, thuhet në këtë raport. Shteti me ndihmën e tij, megjithëse shpërblimin e tyre e ka rritur në vitet e fundit, gati në 100%, duket se është e pamjaftueshme për ta. Sesa do t’i kushtojë tani dhe kjo strukturë e re, pakkush mund të thotë. Duket se nuk i kanë marrë ende aq seriozisht...

Vetë të vetëdijshëm

Në një farë mënyre, kjo gjendje e fundit, e shpreh më së miri gjendjen e sotme të tyre dhe neglizhenca e të gjithë organeve janë një nga burimet e pakënaqësisë së tyre të vazhdueshme. Agim Gjonçaj, një nga militantët e njohur të kësaj kategorie dhe një nga njerëzit kryesorë të PPAK, është fare i prerë: “Do të flisja shumë, por dua t’ju them ato që i shikoni të gjithë. S’ka banja në qytet; vendet e parkimit i zënë “të fortët” dhe askush nuk i gjobit; Pallatet e reja (këtu nuk i fusim ato të para ’90) i kanë kafazet e ashensorëve aq të ngushtë, sa është e pamundur për invalidin të qëndrojë me karrocë; Spitalet janë skandaloze, dhe nuk u ofrojnë as komoditetin më të vogël kategorive tona. Shumë invalidë janë vetëm dhe me paratë që marrin kujdestarët tanë s’motivohen të afrojnë as ujin tek koka. Është e paimagjinueshme që ky njeri të vi dhe të ketë një infermiere”. Një problem tjetër është qendra rezidenciale, kur ata mbesin të vetëm. Në modelet më të mira të vendeve të tjera ka shtëpi apostafat për ta me shërbime 24 orë. Por tek ne. Kjo duket ende e pamundur. E nëse do të pyeten dhe kategori të tjera, atëherë problemet do jenë edhe më të gjëra. Dy herë që janë ngritur pensionet e tyre, shumë prej tyre s’kanë përfituar dhe të shtosh se vazhdimisht mëtohet se nuk janë shpesh njerëzit e duhur që i marrin ilaçet, sipas tyre. Më e keqja akoma dhe ata që marrin ilaçe, thonë se këto janë të skaduara në më të shumtën e herës...

Partia

Këtë gamë të gjerë ka shfrytëzuar për idenë e tij, grupi organizativ. Janë rreth 114.000 invalidë në të gjithë vendin, që kërkojnë mbështetje dhe rreth 16,000 persona që u asistojnë, që organizatorët mendojnë se mund t’i bashkohen idesë së tyre. Paçka aftësisë dhe përvojës politike, ata kanë vendosur një moment t’i lenë zhgënjimet dhe të merren vetë me veten e tyre. Në fakt, duhet të ketë pësuar atë që kanë pësuar të gjithë shqiptarët, kur kanë dëgjuar politikanët e vendit: zhgënjimin. Edhe pse duhet të jenë njerëzit më të vëmendshëm ndaj politikanëve. Jo më shumë prej dëshirës sesa realitetit, që përballen. Realiteti është fakt dhe askush nuk mund t’i shmanget. Dhe, njerëzit me aftësi të kufizuar, jo vetëm që e dinë realitetin e tyre, por edhe nuk mund t’i shmangen më atyre që kanë përballë. E ky realitet në Shqipëri është i dhimbshëm për ta. “Ka një motivim në demokraci, ku shoqëria civile dhe sindikatat janë mbrojtëse të pavarësisë së sistemit. Në rastin e Shqipërisë, thotë Jeshili, kryetari i kësaj partie - ato janë të kapura nga shteti dhe ndaj ne vendosëm që të bënim diçka me këtë iniciativë politike”.

Spektri përfshirës i kësaj partie mëton të përmbledhë në një të afërme të shpejtë përveç të gjithë personave me aftësi të kufizuar, prindërit e tyre, por edhe pensionistët, të papunët, që sipas tyre do ta gjejnë veten në një program gjithëpërfshirës social, i cili ka si objektiv: arsimimin, punësimin, strehimin dhe kujdesin shëndetësor të garantuar. Si zakonisht, modeli kryesor janë vendet Nordike, Kanadaja, me një standard të lartë. “Ajo është për një solidaritet i shoqërisë shqiptare duke e rikuperuar atë si një zhvillim pozitiv për përmirësimin e standardeve të jetesës shqiptare. Programi, që përfaqëson një parti të qendrës ka referenca që nga prona, por edhe për formën e organizimit të shtetit, konform realiteteve evropiane.

Afrimi

Por, ky realitet i një partie të tillë nuk është asgjëkundi. Duket se institucionet shqiptare thjesht kanë vënë buzën në gaz dhe vetëm kaq. Në rrafshin e detyrimeve ndaj tyre, ministria pretendon se “për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar nga buxheti i shtetit, fondi është rritur nga 6 miliard lekë në vitin 2005, në 11,7 miliard lekë në vitin 2010, pra me 95%.” Një shifër që ende quhet fare e pamjaftueshme, ndërsa kërkesa politike bëhet e domosdoshme. Ndaj Afrimi, që kohët e fundit ka qenë vazhdimisht i kërkuar në struktura për të folur për idenë e tij, mendon se gjërat do të marrin drejtim tjetër: “Organizimi ynë ka një kryesi qendrore se nuk janë riafirmuar akoma strukturat, sepse dimë që me status ka kohë që të bëhet struktura nga poshtë lart dhe pastaj Kongresi. Deri nga viti tjetër do të punojmë kështu dhe do të futemi në zgjedhje lokale. Kemi filluar punët në njësitë bashkiake dhe vullnetarisht po mundohemi të identifikojmë njerëzit dhe ata që janë pranë tyre”, thekson z. Jeshili. Ky shtet është neoliberal dhe i ka kushtuar shtetit shumë papunësi dhe aspak mirëqenie sociale apo kujdesin e duhur, thonë ata. Ndaj gjithë ata që përfitojnë nga ligji 9355 apo që janë të lindur dhe të aksidentuar deri 21 vjeç, i presin në ndërmarrjen e tyre, e cila ka në pjesë të ideologjisë së tyre pjesën sociale...
...
Janë vetëm 9 anëtarë të kryesisë dhe kryesisht të organizatës së njerëzve me aftësi të kufizuar në Tiranë, që po e mbajnë këtë përpjekje. Ndërkohë partitë e mëdha që hëpërhë i shikojnë si të papërfillshme, duken se kanë marrë të dhënat e para. Ata vetë shpresojnë për aleanca të vogla. Gimit i duhet të ndërhyjë sërish në muhabet. 51-vjeçari është aksidentuar në ushtri dhe ngre zërin për këtë kategori, që sipas tij është e diskriminuar në shpërblesë dhe vetë brenda tyre. “Problemet tona janë të pafundme dhe na takon neve që t’i rregullojmë”, thekson ky personazh aq i njohur në Tiranë. Tashmë zaret janë hedhur dhe strukturave shqiptare mbase do fillojnë që t’u duhet të flasin edhe politikisht me personat me aftësi të kufizuar. Kurse, vetë Afrimi me Agimin, dy nga personazhet që e ngritën këtë parti, ende nuk e besojnë përmasën e vërtetë të punës së tyre dhe rezultatin e tyre. Të paktën, pak muaj nga zgjedhjet lokale, kur ata do shpresojnë se do plotësojnë një ëndërr të tyre, kur të kenë këshilltarët e tyre.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama