“Gratë e Biblës”, ekspozohen në Galerinë Kombëtare të Arteve
Jorgaq Gogu ka përfytyruar imazhe femërore teksa lexonte Dhiatën e Re. Më pas, këto imazhe i ka hedhur në tablo për të krijuar një lexim ndryshe të librit të shenjtë. Dje në Galerinë Kombëtare të Arteve, artisti ka hapur ekspozitën “Gratë e Biblës” nën kurimin e Ylli Drishtit. Janë 17 tablo në teknikën vaj në kanavacë që vijnë përpara publikut si një cikël i frymëzuar nga personazhet femërore të Dhiatës së Re.
“Karakteristikë e tablove të piktorit Jorgaq Gogu janë zgjidhjet kompozicionale, ku spikasin figurat monumentale me lëvizje të fuqishme, me qëndrime ulur apo në këmbë. Në tablo figurat femërore dhe Krishti janë pikturuar në lëvizje të vazhdueshme e të vrullshme dhe me nota të fuqishme grafike. I nisur drejt realizimit estetik të tablove, Gogut gati nuk i intereson thellësia në tablo, por harmonia tonale, njollat e plota, figurat e padetajuara dhe anonime. Ai mban një qëndrim estetik dekorativ, ku figurat ndriçohen fuqishëm pjesërisht në pjesën e sipërme të tyre. Loja piktorike e piktorit, kompozimet monumentale në vendosjes figurative kanë evidentuar prirjen e penelatave të tij herë–herë të plota apo dhe të ndërthurura me penelata të vrullshme piktorike rreth tyre.”, tha kuratori Drishti.
Sipas tij, artisti preferon gamën e ngjyrave kryesisht të ngrohta e me dritë, që kalojnë nga gritë e qeta, okrat me dritë, të kafenjtat e plota dhe tonet e saj. Për vetë piktorin, kjo ekspozitë është e frymëzuar nga Bibla. “Krijimtaria ime ka qenë e larmishme dhe nuk e kisha menduar ndonjëherë të trajtoja në pikturë personazhet biblikë dhe sidomos femrën, por i nxitur edhe nga familja jam këtu me këtë cikël dhe me këtë ekspozitë. Është e vështirë në këtë periudhë të realizosh me ekspozita, por familja më inkurajoi të vazhdoj këtë punë. Ato janë piktura të zakonshme, por mesazhi i tyre i dedikohet gjithë shoqërisë, femrës, gruas dhe burrit. Këto tablo kërkojnë të përcjellin dashurinë, sakrificën, besimin te Zoti.
Unë mendoj që nëse ne e kthejmë pak më tepër mendjen dhe zemrën nga Zoti, besoj se e ardhmja do të jetë më e mirë për ne dhe për brezat që do të vijnë”, u shpreh piktori Jorgaq Gogu. Në shumë tablo ai ka preferuar përdorimin e tonaliteteve të nuancave të ngjyrës blu e të kuqe. Gradualisht të krijohet ideja se artistit Gogu i pëlqen të gdhendë si në reliev figurat e tij femërore – tashmë personazhe kryesorë në tablo. “Artisti mban një qëndrim artistik ndaj figurës së Krishtit dhe atyre femërore, duke evidentuar lakuriqësinë trupore të tyre, duke mbuluar vetëm pjesët intime dhe duke i dhënë përparësi gjestit, lëvizjeve të figurave si volume e plastikë. Përdorimi i penelatës së gjerë dhe prirja drejt një anonimati në figurat e njohura biblike, e zgjedhur enkas nga piktori ka krijuar një situatë piktorike moderne si trajtim dhe interesante si këndvështrim artistik”, theksoi Drishti. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 tetor 2015