Te pergezosh pa genjyer

Te pergezosh pa genjyer

Në këtë libër sa elitar, po aq dhe “fast-food”: portretizohen, 31 shkrimtarët e shekullit, me të cilët nuk është e lehtë të bisedohet, por, tepër komod për t’u marrë vesh. Ata flasin shqip, falë një shqiptareje, që, i shoqëron në biseda tërheqëse pa kurrfarë inferioriteti, e denjë për të mos u hutuar në universin e tyre, me plot të papritura, duke provokuar ndjesi të forta teksa shpalosin hapësirat e një shpirti ngadhënjyes.

Libri i Rudina Xhungës “Shkrimtarët e shekullit” nuk është nga ata që lexohet me një frymë, por i tillë që, duhet ta mbash frymën gjatë. Më shumë sesa të befason, të vë në mendime, duke riformatuar ide e koncepte. Ky libër nuk ka intervista politikanësh, sikurse ka ndodhur me kolegët e saj, ku, gjithkush, rrenën përpiqet ta bëjë të besueshme. Thënia e njohur se Cari nuk ka ç’i bën kont Tolstoit, por, shkrimtari ia trondit fronin perandorit, sikur të ndjek gjatë gjithë librit, me kuriozitetin, a e kanë shkrimtarët e sotëm këtë fuqi hyjnore? Por, nëse duam ta konkretizojmë këtë të vërtetë me shembuj nga realiteti shqiptar, zor se gjejmë ndonjë të ngjashëm.

 

Ndodh gjithmonë e njëjta gjë: Mbreti Zog çon në syrgjyn Fan Nolin apo Enver Hoxha të çojë për riedukim Ismail Kadarenë. Dihet që kokoroshët e politikës fryrjen e marrin prej brohoritmave të turmës (ku i gjen të gjithë, veç lexuesit), që, pasohet më pas nga fryrja e xhepave dhe të bulçive, duke u kthyer kështu protagonisti në përmasat e një kabaje, që njëherë e një kohë është quajtur: “naltmadhëni”. Dhe e gjitha kjo përmasë hormonale u merret për madhështi. Nëse kapove të politikës u ndodh të lexojnë këtë libër, ku realisht ndesh modelin e njeriut të madh, dimensionet reale të madhështisë, rrezikon që kollarja t’u duket një kapistër. Në këtë ballafaqim, nëse ndodh, madhështia me ojna-bojna u del kallp dhe, të shpërfytyruar, nisin spastrimet në parti nga intelektualët dhe mbushin administratën me brohoritës, duke mënjanuar me lezet, ata që u bëjnë hije. “Nuk ka gjë më të rrezikshme nga megalomania e njerëzve të vegjël”, shprehet Cvajku. Pikërisht, vogëlanët, u dashka të na thonë se sa e madhe është bota?!

 

Nxirru përpara gjigantin e Rodit, ta telendisin sikur të jetë një xhuxh. Ja si reagon Fabio Volo ndaj këtij soji megalomanësh: “Pushteti është proteza e të pafuqishmëve. Të gjithë njerëzit që nuk e jetojnë me të vërtetë jetën, por duan të bëjnë para, duan të kenë pushtet, kanë nevojë për këtë gjë për të qëndruar në këmbë, por për njeriun që e jeton plotësisht jetën e vet në ndjenja, në emocione, pushteti nuk ka kurrfarë interesi”. Gjithsesi, të famshmit e kanë të lehtë t’i injorojnë të pushtetshmit e pafuqishëm, por, sa e vështirë është përballja me ta në Shqipërinë tonë të vogël?! Ata e njohin zanatin e nënshtrimit më mirë nga ç’zotërojmë ne, artin e rebelimit. Në këtë sfidë midis intelektualit dhe pushtetarit, në botën e qytetëruar i dituri ka me vete fuqinë e opinionit publik, ndërsa te ne i padituri të telendis me vulgun dhe hienat e pushtetit, ku, së fundmi, më të zellshmit po tregohen opinionbërësit. Një sugjerim bëri Ismail Kadare në ngërçin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës të vitit 2011 dhe, të gjithë pamë se si iu turr lukunia e megalomanëve me “protezën e pushtetit”.

 

Në këtë libër sa elitar, po aq dhe “fast-food”: portretizohen, 31 shkrimtarët e shekullit, me të cilët nuk është e lehtë të bisedohet, por, tepër komod për t’u marrë vesh. Ata flasin shqip, falë një shqiptareje, që, i shoqëron në biseda tërheqëse pa kurrfarë inferioriteti, e denjë për të mos u hutuar në universin e tyre, me plot të papritura, duke provokuar ndjesi të forta teksa shpalosin hapësirat e një shpirti ngadhënjyes. Dihet që avionët e mëdhenj, nuk ulen në pista të vogla. Kësisoj ky libër ishte një provë e madhe për intervistuesen rrëmuese, Rudina Xhunga, e cila, duhet të përballonte ato vështirësi, që kanë alpinistët kur ngjiten në majën e Himalajeve. Dhe ajo ia doli me dinjitet.

 

Në raste të tilla, kthehesh dhe në një përfaqësuese e popullit tënd, një përgjegjësi që të tundon dhe, Rudina e ka kapërcyer në përputhshmëri me ambiciet e veta, që ndihen, pavarësisht se nuk i shfaq. Kam ndjekur me kuriozitet promovimin e këtij libri në auditorë shkollash, ku si përherë dhe këtu, shembullin e mirë e japin të rinjtë, kjo aradhë, që, Shqipëria e vjetër, është mësuar ta shkojë dëm. Në fakt, ky libër i rëndë, duhet lexuar atje, ku mendohet se është tempulli i ligjeve dhe i drejtësisë, mbushur me deputet gjithfarësoj, në godinat hijerënda të shtetit e të qeverisë, në studiot e VIP-ave, katedrave dhe presidiumeve për të kuptuar se “qoshja është aty ku ulet Çezari” dhe jo ku pozon “tutkuni i artë”. Prisja që për këtë libër të reagonte sëra e të mëdhenjve, meqë shembullin e dha i pari Edi Rama, por, nuk pipëtiu kush, pasi të drejtën për të matur madhësitë e kanë gjoja elitarët e sajuar, të cilët trukohen për interesa klienteliste. Vazhdon e njëjta histori e trishtë: ajo çka vjen për të mirën e të gjithëve, asnjëherë nuk është e mirëpritur. Ndasitë krahinore s’janë asgjë para ndasive të interesit të grupimeve klanore. Po u kujtoj “elitarëve” këtë sjellje të Salman Ruzhdisë: “Shpresoj që miqtë e mi të shkruajnë libra të mirë, sepse dua t’i lexoj. Është më e lehtë, kur shkruajnë libra të mirë, sepse mund t’i përgëzosh pa gënjyer”. f.101. Nëse do të jesh në harmoni me veten, t’i gëzohesh personalitetit tënd, ja tek e ke këshillën.

 

Shprehja “jam vetvetja” aq shumë e bërë bozë, gjen shpëtim duke përshëndetur suksesin e tjetrit pa gënjyer. Hipokrizia e mjediseve artistike e mediatike shpesh na ngjall krupën me përgëzimet bajate, ku dështimi i një peme të tharë, pa pikën e zorit vishet me lulka. “Gënjen si derr” mund t’i thuhet gjithsecilit prej nesh, kur lëshojmë bërjeqejfi ndaj kolegëve, dhe e kemi me hak që Çerçeja të na kthejë në derra, siç bëri me shokët e Odisesë. (“Nëse Kadareja sy më sy, ia ka mburrur “Dashurinë e Mimozës” N. Jorgaqit, dhe me vete “ka vënë duart në kokë”, kjo nuk është gjë që nuk ndodh edhe sot e gjithë ditën. Kushedi sa shokëve ne ua urojmë veprat, e sa ikin ata, mbledhim buzët. Sot kjo ndodh me mua, nesër ndodh me ty apo me atë tjetrin”, pohon Sadik Bejko. Kjo është dëshmia më e bukur, kur e vërteta pohohet prej një “mashtruesi” nga halli. Gjithsesi, e turpshme). Nëse do të shpëtosh nga ky batak, të jesh dinjitoz, pra, të përgëzosh pa gënjyer, bëj sikurse vepron Salman Ruzhdie, që reagon ndaj librave të mirë. Libri i Rudina Xhungës “Shkrimtarët e shekullit” është një i tillë, falë tyre dhe falë saj, po kush reagoi? Dëmet më të mëdha nuk vijnë prej “bërjeqejfit”, ato i sjell veçse komploti i heshtjes.

 

Ayn Rand te “Revolta e Atlasit” v.II, f.29 shprehet: “A e dini se cila është shenja që dallon njerëzit e kategorisë së dytë? Është hidhërimi, kur tjetri mbërrin një fitore”. Por ky hidhërim zë pikërisht ata që mbahen si “të parë vendi”, ata që trukojnë madhështitë e rreme, që në shenjtnin e tyre zënë vend në paçavra hierarkish të dalëboje. Ata që mbahen me të madh, sikurse thuhet dhe në vargjet popullore: “Mori Shkodër, mori mizore,/ Shumë na u duke dhe pak, na dole”. Poshtërimin e vetes e lejojmë, ndërsa lartësimit i bëjmë bisht. Dëgjojeni këshillën e Salman Ruzhdisë dhe, mos merrni inat se këtë mundësi po ua jep Rudina Xhunga. Libri i Rudina Xhungës të lejon ta përgëzosh pa e gënjyer. Enkas prita gjatë për të parë se si do të reagonin “të mëdhenjtë” kundrejt një libri më të famshëm, shumica nobelist, por më rezultoi që VIP-at të silleshin si “njerëz të kategorisë së dytë”. Prita se mos ndihej dhe shkrimtari shpotitës, Pëllumb Kulla, i cili, vite më parë ka bërë një shkrim revoltues kundër Rudina Xhungës, për gjoja një intervistë favorizuese ndaj Nexhmije Hoxhës, kur vetë ai, shkollën e ka nga Enver Hoxha. Gjithë ndjesitë e këtij libri dua t’i përmbledh në një letër që politikani republikan, amerikan, Autori, i famshëm për taktikat e tij të egra elektorale, të cituar prej Hilari Klinton, në librin e saj me kujtime “Historia e jetës sime”: “Shumë kohë para se të sëmuresha prej kancerit, ndieja se diçka lëvizte në shoqërinë amerikane.

 

Njerëzit e këtij vendi, njëlloj: republikanë dhe demokratë kishin idenë se diçka mungonte në jetën e tyre, diçka e rëndësishme… Asokohe nuk isha krejtësisht i sigurt se çfarë ishte kjo. Sëmundja më ndihmoi ta kuptoj se ajo që i mungonte shoqërisë amerikane ishte ajo që më mungonte mua brenda vetes: pak dhembshuri, ndjenja e vëllazërimit. Njeridashja. Në vitet tetëdhjetë flitej për të fituar: për të fituar pasuri, pushtet, prestigj. Unë fitova më shumë pasuri, pushtet dhe prestigj se shumëkush. Por, ju mund të fitoni gjithçka që doni dhe prapëseprapë të ndiheni bosh. Çfarë pushteti nuk do të kisha falur për pak më shumë kohë me familjen time! Çfarë çmimi nuk do të paguaja për të kaluar një mbrëmje me miqtë e mi! U desh kjo sëmundje vdekjeprurëse që të ballafaqohesha me këtë të vërtetë. Është një e vërtetë që vendi, i ngërthyer në darën e ambicieve të tij të pamëshirshme dhe të kalbëzimit moral, mund ta mësojë nga gjendja ime”. Nëse këto ndjenja mungojnë në jetën e përditshme, dhe nëse doni t’i bëni tuajat, shfrytëzojeni një prej mundësive, futuni në jetën e 31 shkrimtarëve të shekullit. Natyrisht, falë Rudina Xhungës, këtij personazhi mediatik, që, edhe pse përkëdhelet prej ekranit, nuk llastohet në të. Nëse ne i nderojmë librat, sikurse ndodh me shkrimtarin izraelit, Amos Oz, do të ishte krejt i panevojshëm altruizmi im: “Më pëlqen ta prek librin, ta fërkoj atë, ta ndiej. Gjëja e dytë që bëj është ta nuhas…

 

Çehovi ka aromë prej dollapi të vjetër ilaçesh”. Librat duhen përkëdhelur me mollëza dhe jo të gërvishten me thonj. Kush tjetër mund ta bëjë këtë veçse sëra e intelektualëve, që ankohen se nuk i respektojnë të tjerët, kur ndër vedi, japin shembullin më të keq, me një mizgunitet që sa vjen bëhet dhe më agresiv. Shfaqja më e shpifur e këtij soj megalomanësh, është ideja e fryrë, se nuk është e lehtë të përmbushësh shijet e tyre të rafinuara, duke krijuar idenë se atje ku lëçisin ata, nuk merr kushdo kënaqësi. Thua se ushqehen me nektar, sikurse perënditë greke në Olimp. Ndërsa mjetet e komunikimit shtohen, mundësia për të thënë të vërtetën, sikur zvogëlohet. Media rrezikon të tradhtojë qëllimin e vet. Më shumë se sa zbulon, ajo fsheh. Por, syri i 31 shkrimtarëve të shekullit depërton thellë e më thellë dhe ti kupton se i ke më afër vetes të largëtit, ndërsa të barabartët shtojnë dallimet me makutëri. Nëse shqiptarët duhet të dinë se ç’ndodh me ta, duhet të dëgjojnë Roberto Savianon.

 

Nëse palestinezët duhet të ndihen të vlerësuar, duhet të lexojnë shkrimtarët izraelitë. Dhe të gjitha këto i mëson nga ky libër i populluar prej të mëdhenjve të natyrshëm. Po afishoj me këtë rast, moralin mediatik të Orhan Pamuk dhe, krahasoheni me VIP-at tanë televizivë: “Unë zgjedh drejtësinë dhe mirësinë përpara dinakërisë”. Këtë bindje e  dëshmoi së fundi dhe kur u radhit në anën e demonstruesve në protestat e fundit antiqeveritare. Si do të ndihen para këtij deklarimi të O. Pamukut opinionistët tanë, teksa stërhollojnë dhe sofistikojnë argumentet trillues, duke bërë avokaturën e djallit? Shoh shumë syresh që ngazëllehen në ekrane teksa tentojnë, që me dhelpëritë e tyre, të na e hedhin. Është për t’u habitur që një vend, i cili ankohet për morinë e madhe të spiunëve, nuk ka gazetari investiguese?! Nobelisti turk godet ashpër dhe pa ekuivok: “Nuk i dua njerëzit, që, nuk kanë asnjë vlerë njerëzore, edhe pse ata mund të jenë të zgjuar”. f.62 Ndërsa shkrimtarja ruso-amerikane, Ayn Rand, te “Revolta e Atlasit” do shpërthente dhe më keq: “Ti je një kafshë, që lëpin zgjedhën!” Sa më shumë shprehje të tilla shpotitëse të gjej, aq më shumë sqarohet mendimi pse ky libër pati jehonë poshtë dhe kaloi pothuajse në heshtje lart. Rudina Xhunga jep modelin e gazetares e të shkrimtares, e cila, nuk i përdor ngjarjet për të vënë veten në qendër të tyre, por e përdor veten që ngjarjet të shkojnë te shikuesi, sikundër janë. Ajo ka qëndrim dhe jo anim, e tunduar prej drejtësisë dhe e joshur prej mirësisë.

Amos Oz shprehet: “Dy fëmijë të të njëjtit baba të keq dhe të dhunshëm nuk e duan njëri-tjetrin. Secili prej tyre shikon te tjetri shëmbëlltyrën e babait”. Nëse ndodh kështu me babanë biologjik, që, të ka bërë kokën: merreni me mend se si dreqosen gjërat me “atin shpirtëror”! Se sa e vërtetë është kjo, shikoni politikanët tanë, se si e akuzojnë njëri-tjetrin për trashëgiminë e Enverit. Mendimi bëhet dhe më i plotë, nëse citojmë nga libri i Salaman Ruzhdisë “Joseph Anton”, ku flitet për luftën midis guerilësve dhe qeveritarëve në Nikaragua: “Ata që po luftonin me njëri-tjetrin kishin qenë shokë shkolle, ishin të gjithë pjesëtarë të së njëjtës elitë dhe e njihnin njëri-tjetrin dhëmbë e dhëmballë”. Ja pse jeta private është aq e pranishme në luftën politike shqiptare. Veç ngjyrës së siglave partiake, për t’u dalluar në ring, ata nuk janë gjë tjetër veçse sivëllezër, që, nuk e duan vëllazërimin tonë. Si është e mundur, që në kushte aq favorizuese për një popull, siç është kultura e bashkëjetesës fetare, ndasia politike acarohet gjer në antagonizëm?! Shkaku duhet kërkuar te megalomania e njerëzve të vegjël, “naltmadhënitë”, që vishen me një pushtet të pamerituar. Në vargmalet e 31 shkrimtarëve të shekullit, i gjen hapësirat fushore më shumë se gjetkë, falë natyrës së shtruar të gazetares R. Xhunga, e cila çfarë lë mangët si gazetare e plotëson si shkrimtare. Nga intervistat e Roberto Savianos bëjmë një kthim në kohë, shkojmë te libri i Konicës “Doktor Gjilpëra”, për të dhënë një shembull se ç’ndodh, kur një të famshmi i bën shoqëri një elitar prej vërteti: “Zoti doktor, duhet të ju them një gjë me rëndësi.

 

Shqipëria në këta dhjetë vjetët e fundit, shyqyr Zotit, ka mësuar shumë nga fqinjët, veçan nga Italia. Ç’ka Italia, që ia vlen të merret? Makaronat dhe Kamorrën, hiç gjë tjetër. Për makaronat s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; Kamorrën e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë”. “Konica”f.290 Po politika, si është sjellë me Konicën dje dhe Savianon sot? Në këtë rast, komenti im është i panevojshëm. Megjithëse në Bibël thuhet se e para është fjala dhe Konica na këshillon, që, kur s’kemi ndonjë gjë për të thënë më e mira është të heshtim, vetvetiu lind pyetja: A e bëjnë shkrimtarët më të mirë këtë botë? Dhe libri i Rudinës a solli ndonjë çikë paqe në Shqipërinë e acaruar? Rudina Xhunga: Mund të kihet frikë nga fjalët? Roberto Saviano: Vetëm nëse dëgjohen. Nga kush pritet të dëgjohen? Kur Rama luftonte për të marrë kreun e partisë, ankohej gjithandej se në PS, nuk ka vesh të dëgjojnë. Vrasja me helm në vesh, sikurse i ngjau mbretit Dunkan, ndoshta e ka zanafillën te veshi i pushtetarit, që rri përherë i ngrehur nga spiunët. Të gjithë e dimë se sa dëme bëhen me një fjalë në vesh. Gjithsesi, ata që vrasin me fjalën janë shtuar si shumë, ndërsa ata që të prekin me të, po pakësohen. Për shkak të fjalës që të fut frikën, Roberto Saviano ruhet si askush tjetër në këtë botë. Po kështu dhe Salman Ruzhdie. Mund të përdorim si ngushëllim fjalët e Robindranat Tagorës në romanin e tij “Gora”: “Në qoftë se në këtë botë ka dy-tre njerëz të mirë, atëherë bukur shumë! Pra, le të mbeten të tjerët, ashtu siç janë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama