Te plagosur nga imazhi i kriminelit

Të plagosur nga imazhi i kriminelit
Jeton në Greqi, ka vite, por 29-vjeçarja vazhdon të shkollohet të Londër për teatër. Ajo shfrytëzon ku të mundet shanset që i jepen në teatër dhe në kinema.

Ornela është lindur më 19 qershor 1979 në Sarandë. Zhvendosjen në Greqi dhe zhvillimin e ngjarjeve në jetën e saj atje, ajo e tregon shkurt në intervistë.

Angazhohet me grupin e teatrit “Theatromixani” në dramën “Don Zhuani kthehet nga lufta” të Eden Fon Horvat, me regji të Vicky Georgiadou, në tragjedinë “Antigona” me regji të Tod Hespiritous, në filmin “Pengu” (2004) të regjisorit Konstantinos Giannaris dhe më pas me Angeliki Antonioun në filmin “Eduard”, të dy realizime mbi histori dramatike shqiptarësh emigrantë. Prandaj ftesa për të luajtur në një film grek ku nuk flitej për shqiptarin kriminel, si në rastin e “Korrigjimit”, iu duk një befasi.

Përkrah aktorit Yorgos Symeonidis, Ornela është gruaja dhe nëna e re që fati e pjek me një Odise dhe të tre së bashku, janë nën çatinë e hapur të botës të pastrehët e kohëve moderne të cilëve mundësia për të mbijetuar së toku, një dëshirë njerëzore, e painteres dhe jo e kushtueshme, nuk iu krijohet. Fitues i disa çmimeve në Festivalin Ndërkombëtar të Selanikut 2007, i shfaqur dhe në Berlinalen e këtij viti, “Korrigjimi” është pritur mirë nga kritika kudo ku është shfaqur. Protagoniste është një shqiptare, por trupa e aktorëve është mbajtur në këmbë nga të tjerë artistë profesionistë shqiptarë dhe amatorë si Sabina dhe Bujar Alimani, Eda Gemi, apo Armando Dauti dhe Gjergji Bega.

Ornela, urime për çmimin, jeni shpallur aktorja më e mirë, përse nuk mundët ta tërhiqnit vetë çmimin në Durrës?

Ju falenderoj dhe më vjen shumë keq që nuk munda ta tërhiqja vetë këtë çmim e të ndaja entusiazmin dhe gëzimin tim me ju. Jam duke vazhduar një master në Londër në lidhje me “Drama and movement therapy”, angazhim që nuk më lejoi të ndodhesha në Durrës më shumë se tri ditë.

Na tregoni si e morët rolin e protagonistes në filmin “Korrigjimi”?

Roli fillimisht i ishte dhënë një aktoreje greke. Unë jam takuar me regjisorin mbas një telefonate që kisha me Bujar Alimanin, i cili më tregoi me pak fjalë për filmin dhe se mund të gjendej ndonjë rol i vogël për mua. Fillimisht mendova, përsëri një histori me një “kriminel” shqiptar. Por më vonë u befasova me historinë e Thanos Anastopoulos-it. Më befasoi sinqeriteti i tij artistik dhe thellësia njerëzore që krijon në personazhe. Për mua ky rol ishte një rast shumë i veçantë sepse mu krijua mundësia që të shpreh në këtë mënyrë ato që kam jetuar, thithur e vëzhguar gjatë viteve që jetoja si emigrante.

Ndjeva një përgjegjësi të madhe për rolin. Një pjesë e madhe shqiptarësh që jetojnë në Greqi janë të plagosur nga imazhi i “kriminelit” që i kanë veshur shoqëria dhe përpiqen që të mohojnë prejardhjen e tyre. Kjo natyrisht krijon konflikt në vetevete dhe në identitet. Për mua bukuria e këtij filmi është dëshira e një njeriu që të tejkalojë konfliktet dhe të rritet për të hedhur hapin tjetër.

Vepra e dytë filmike e Thanos Anastopoulos-it është vlerësuar në disa festivale, por si ka qenë përvoja juaj me të?

Jam shumë e lumtur sepse më është dhënë rasti të punoj me një njeri tepër inteligjent dhe të talentuar si Thano. Përvoja ishte mëse pozitive dhe shumë konstruktive. Ndjeva një besim e liri të pakufizuar ndaj regjisorit saqë kishte momente kur nuk ishte nevoja të flisnim fare, thjesht ndiqnim instinktin.

Ku ka mbetur ora juaj shqiptare?

Ora Shqiptare vazhdon dhe punon shumë mirë! Vizitoj Shqipërinë shumë shpesh dhe nuk i kam ndërprerë kontaktet. Një pjesë e madhe e familjes sime jeton ende në Sarandë. Gjithashtu kur më jepet mundësia, ndjek TV dhe shtypin shqiptar. Për politikën nuk mund të flas shumë sepse është një fushë e cila nuk më tërheq por për artin shqiptar, më është dhënë mundësia që si trup organizator i “Javës së filmit shqiptar në Athinë”, vitin që kaloi, të njoh regjisorë të rinj dhe një krijimtari të mrekullueshme.

Cili është kujtimi më i hershëm që keni lënë në Shqipëri?

Ajo që nuk mund të harroj është deti i Sarandës. Kam lindur në Sarandë dhe kënaqësia ime më e madhe ka qenë rruga për në plazh me këmbë të zbathura në trotuarin e djegur nga dielli. Imazhi i Sarandës më ngroh zemrën. Kaq shumë e dashuroj sa me një të parë të saj jetoj një vit më shumë.

Po ju ecën mbarë në kinema, po vazhdoni të studioni teatë cilat janë ambiciet tuaja artistike?

Ambicia ime është të mundem që të dashuroj duke provokuar vetveten dhe bindjet e mia, por njëkohësisht duke mbajtur gjallë atë instinktin që na shtyn të dashurojmë e të krijomë “art”. Artin e shoh në të gjitha aspektet e jetës: në dhimbje, hidhërim, dashuri dhe lindje, etj.

Si e mendoni rolin që do donit të luanit në filmin e jetës?

Karriera ime tashmë ka filluar dhe kam përshtypjen se rolet e jetës nuk i zgjedh por të zgjedhin. Ajo që mundem unë të bëj si aktore, është që të zhvilloj dhe edukoj veglën time artistike e cila jam “Unë”. Edhe nëse roli i madh më zgjedh, mund dhe të dashurohemi.

Nga Shqipëria në Greqi, rrugë që gjithnjë iu rezervon zhgënjime shqiptarëve. Për ju cili ka qenë zhgënjimi më i madh?

Kur u vendosa në Athinë dhe u binda me kalimin e tre muajve të parë, se kthimi në Sarandë nuk ishte më temë ditësh apo javësh, por ndoshta vitesh.

Dhe duke e hedhur kokën mbrapa, çfarë do të ndryshonit?

Besoj se ajo që mund të ndryshojmë është e ardhmja. E kaluara ka mbaruar dhe ne vetëm mund të fantazojmë sikur po e ndryshojmë atë, por realiteti zhgënjen.

Ky përfundim nga jeta ju ka bërë të derdhni lotë, kur ka qenë hera e fundit?

Qysh në momentin që u binda se të qarët nuk është turp por as dobësi, përkundrazi, një pastrim shpirtëror dhe një fuqi. Unë i lejoj vetes të qaj kur e ndjej të nevojshme.

Na thoni një shaka.

“Two beers or not tëo beers?” Shakesbeer.



Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama