Unë ha, unë tres, unë asimiloj, unë metabolizoj. Por edhe unë jam i mërzitur, jam me stres e kështu me radhë... Unë është përemri personal i preferuar i homo sapiens-it. Por në këto dy vitet e fundit domethënia e përemrit unë duket sikur ka ndryshuar. Trupi i njeriut përbëhet nga 10 trilionë qeliza, por mikrobet që gjenden në të janë 100 trilionë. Pra çdo qelize “njerëzore” të trupit i korrespondojnë 10 mikrobe, të cilat gjenden brenda dhe mbi ne: baktere, viruse, fungi etj., që sot bashkërisht quhen “mikrobioma” njerëzore.
Njerëzore?
Është akoma më keq nëse mendojmë për gjenomën. Çdo qelizë e trupit të njeriut përmban gjithmonë të njëjtat gjene, rreth 30 mijë të tilla. Por mikrobioma, pra gjenoma e të gjitha mikrobeve që gjenden në trupin tonë, ka 100 herë më shumë. Vitin e kaluar studiuesit e EMBL (Laboratori Europian i Biologjisë Molekulare) të Heidelberg në Gjermani dhe ata të projektit europian “MetaHIT” (projekti europian i kërkimit që ka numëruar mikrobet në trupin e njeriut), i kanë numëruar duke hartuar katalogun e parë të këtyre pushtuesve tanë, që janë pothuajse 3,3 milionë gjene. Bonnie Bassler, biologe molekulare në Universitetin e Prinstonit, i përmbledh kështu këta numra: “Mendon se je njeri 10%, por në fakt je vetëm 1%. Unë mendoj se ti je 90% ose 99% bakter”.
Si bashkëvepron kjo turmë me qelizat e trupit? Çfarë udhëzimesh përmbajnë gjenet e këtyre organizmave? Mendohej se marrëdhënia mes nesh dhe atyre ishte “shok tryeze”, pra që uleshin në tavolinë me ne dhe hanin mbeturinat tona. Me pak fjalë nuk përfitonim as avantazhe dhe as dëme. Megjithatë edhe kjo bindje u vërtetua se ishte e gabuar: mikrobioma nuk jeton badihava, por kryen detyra të rëndësishme për zhvillimin e organizmit dhe shëndetin e saj.
Të panjohur
Ja pse studimi i mikrobiomës sot është shumë i rëndësishëm. “Duhet të kuptojmë se kush janë këto baktere, cilat janë dobitë dhe dëmet për të cilat janë përgjegjëse, për shembull obeziteti dhe sëmundjet; dhe cilët faktorë, siç është dieta, mund të ndikojnë”, thotë studiuesi Peer Bork. “Sot marrim antibiotikë, pra vrasim gjithçka, por shpeshherë kjo është një ndërhyrje e pavend. Duhet të kuptojmë se si t’i kurojmë infeksionet dhe sëmundjet në një mënyrë më të dobishme. Në të ardhmen, ndoshta, një analizë e feçes do të vlerësojë shëndetin dhe më pas do të kurohemi me mikrobe”.
Për të kuptuar se ç’lloj mikroorganizmash jetojnë në trupin e njeriut, Bork përdori “metagjenomikën”, mori kampionë lëkure, pështyme, feçe etj., nga i gjithë trupi dhe ndau të gjithë materialin gjenetik që përmbanin përveç ADN-së njerëzore. Pastaj u përpoq të gjente një nga një ndryshimet në bazën e të dhënave: në disa raste ishin të njohura, si ato të “Escherichia coli”, por shpesh ishin të panjohura: sipas llogaritjeve të studiuesve, vetëm në zorrë gjenden rreth 10 mijë lloje mikrobesh, për të cilat nuk dihet asgjë. Gjithashtu shumë pak gjëra dihen edhe për bakteret e njohura. Mendonim se bakteret ishin “shurdhmemecë”... Jemi gabuar rëndë: bëhet fjalë për një komunitet poliglot.
Gjuhë kimike
Bassler zbuloi se bakteret “flasin” mes tyre me të paktën dy gjuhë kimike: një esperanto (gjuhë artificiale ndërkombëtare) të përbashkët për të gjitha bakteret, e quajtur AI 2 dhe një gjuhë karakteristike e çdo lloji, AI 1. Sasia e “gjuhës kimike” e pranishme në ambient lejon çdo lloj bakteri të numërohet, të dijë se sa janë të tjerët dhe të koordinojë sjelljen e tyre.
Mikrobet punojnë në grup dhe kooperojnë për mirëqenien e përbashkët. Le të shohim se si. Nga pikëpamja bakteriale zorrët e njeriut nuk janë të përshtatshme për një vendbanim ideal: pH (pehashi) është i ulët (pra ambienti është acid), ka pak oksigjen dhe akoma më pak dritë. Për të mbijetuar, baktereve u është dashur të gjejnë ndonjë marifet. Trashëgimia gjenetike e disa individëve u ka lejuar atyre të prodhojnë përzierje të nevojshme për mbijetesën e të gjithë komunitetit. Mikrobiomat e pranishme te qeniet njerëzore janë më të ngjashme mes tyre nga ç’pritej: të gjitha duket sikur ndajnë një grup gjenesh, që mesa duket janë të nevojshme për të kryer funksione vendimtare. Gjithashtu Bork analizoi gjenet që përmbante feçja e tre individëve me prejardhje të ndryshme (një europiani, japonezi, amerikani). Pastaj te disa kampionë të tjerë ai zbuloi se në të gjithë botën “kokteji” i mikrobeve të zorrëve është vetëm tre. Këto lloj mikrobesh nuk janë të lidhura as me llojin e individit dhe as me kombësinë e tij. Studiuesit mendojnë për enterotipat njësoj si për ekosistemet: siç janë ekosistemet e pyllit, tundrës ose savanës, ashtu janë edhe 3 ekosisteme në zorrët e njeriut, të ndara nga përparësia e disa baktereve.
Territor i panjohur
Deri tani nuk i njohim saktësisht të gjitha detyrat dhe keqbërjet e mikrobiomës. Dimë vetëm që është e lidhur me disa forma të diabetit dhe obezitetit. Po ashtu dimë se disa substanca të prodhuara nga mikrobioma janë të nevojshme për mbijetesën e qelizave që veshin zorrët. Falë punëve të Leonardo Sechi, mikrobiolog i Universitetit të Sasarit, e dimë që “Map” mykobakteri paraqelizor, është i lidhur ngushtë me sëmundjen e “Crohn”-it, me diabetin rinor, tani edhe me sklerozën e shumëfishtë, një sëmundje autoimune e sistemit nervor qendror. Dimë se bakteret e zorrëve, përveç nervit X të kafkës (që lidh trurin me barkun) veprojnë edhe mbi sjelljen dhe biokiminë cerebrale që nga lindja: një terapi antibiotike e gabuar mund t’i bëjë nervozë. Një studiues tjetër, i quajtur John Cryan nga “Alimentary pharmabiotic centre” në Irlandë, ka treguar se një mikrobiomë e pasur me “Lactobacillus rhamnosus” rregullon balancën e stresit. Kjo gjë është vënë re te minjtë e laboratorit.
Probiotikët
Çfarë duhet të bëjmë për të parandaluar ankthin? Mos vallë duhet të marrim probiotikë për t’i bërë ballë këtij fenomeni? Nëse kjo gjë do të funksiononte te njeriu, atëherë do të duheshin sasi industriale. Nëse për të ndryshuar nivelin e stresit te minjtë e laboratorit (12-20 gramë pesha e secilit), Cryan u ka injektuar atyre çdo ditë për një muaj rresht një miliard “Cfu” (Colony forming unit: baktere të gjalla, të afta për të gjeneruar një koloni) “Lactobacillus rhamnosus”, te një i rritur, i cili peshon 70 kilogramë, do të nevojitej një sasi pesë mijë herë më e lartë.
Duke qenë se në një probiotik shumë të reklamuar gjenden 8-10 miliardë “Cfu” për të qenë efikas do të nevojiteshin 500 prodhime për më shumë se një muaj.
Ndoshta duhet ndryshuar dieta. Më 1 shtator të këtij viti, në “Sciencex-press”, Gary Wu dhe James Lewis pastroenterologë nga Universiteti i Pensilvanisë, bënë me dije se dy enterotipat e para janë të lidhur ngushtë me dietën afatgjatë: i pari është me origjinë shtazore, ndërsa i dyti me origjinë bimore. Të ndryshosh ushqimin për 24 orë natyrisht që do të vërehen ndryshime të vogla në florën e zorrëve, por për të kaluar nga një enterotip në tjetrin nevojiten ndryshime radikale, madje për një kohë të gjatë.
Dieta
“Mikrobioma i përshtatet dietës”, thotë një studiues tjetër. Shumë shpejt do të marrim vesh se cilat sëmundje lidhen me enterotipa të ndryshme. Diabeti, tumoret, obeziteti, sëmundjet kardiovaskulare lidhen me dietat me prejardhje shtazore (ku përfshihen mishi, vezët dhe prodhimet e qumështit) dhe shumë të varfra me ushqime bimore (frutat, zarzavatet, drithërat integrale).