Te qash nuk eshte me turp

Të qash, nuk është më turp
Papritmas lotët në publik vërehen ngado. Shohim atletet e atletë të qajnë nga gëzimi apo hidhërimi në të gjitha kategoritë sportive, shihni pak Lojërat Olimpike në Kinë. Por cilat janë arsyet që nuk arrijmë t‘i përmbajmë lotët? Dhe cilët janë qaramanët më të mëdhenj?

E bëjmë kur skuadra jonë e zemrës mundet, kur ndahemi nga një njeri i afërt, apo kur i dhurojmë mirëseardhjen një pjesëtari të ri të familjes në këtë botë. Me fjalë të tjera, kur emocionet arrijnë kulmin. Mekanizmat psikologjikë të lotëve emocionalë janë ende çështje debati mes akademikëve, por ekziston një konsensus i përgjithshëm lidhur me faktin që ushtrojnë veprim lehtësues, duke qetësuar ndjenjat nga stresi, duke i dhënë të drejtë asaj shprehjeje që e kemi dëgjuar aq shpesh: "e qara të çliron".

Mund të ndihemi pas dënesave, por rrjedhja e lotëve të kripur interpretohet nga specialistët në mënyra të ndryshme, thotë doktoresh Gail Kinman, ekspert mbi këtë subjekt, njëherësh lektor në universitetin Bedfordshair. Lotët mund të jenë ngjitës, shpjegon. "Në Britani, diçka e tillë është vënë re gjatë funeralit të Ledi Dajanës, në vitin 1997. Aty vërejtëm atë fenomen që njihet si ngjitja e së qarës. Emocionet e të tjerëve të infektojnë, ashtu si mund të të infektojë gripi i tyre. Që nga ajo ditë, për njerëzit është bërë më e lehtë të qajnë në publik apo të tregojnë emocionet e skajshme".

Për femrat perëndimore, të qarit në çaste kur janë të ngarkuara me stres apo tensione është diçka e pranueshme (megjithëse një studim i kryer së fundmi tregon se të qarët në punë shpesh rezulton diçka e suksesshme). Por mbetet ende në fuqi ligji "djemtë nuk qajnë", edhe në kohët moderne, kur ndjenjat shfaqen më lehtësisht.

"Në rrethana të caktuara mund të vërehet si shenjë dobësie, veçanërisht mes meshkujve", pranon Kinman. "Mund të shohësh një tip të fortë, me trupin të mbuluar me tatuazhe, të qajë pasi skuadra e tij e zemrës ka fituar, por kjo kur është i vetëm. Gjërat janë krejt ndryshe kur gjendet përpallë shokëve të tij".

Burrave u është mësuar që nga kohët më të lashta se të qarët në publik është i papranueshëm. Disa mendojnë se është një mënyrë të sjelluri e përshtatur për t‘u aplikuar gjatë betejave. "Të qarit nuk është cilësi prej luftëtari", thotë Filip Hodson, ekspert i emocioneve mashkullore.

"Të tregohesh i dobët emocionalisht në fushën e betejës është gjëja e fundit që do dëshironte një luftëtar. Kur qan, të bien aftësitë mbrojtëse, vështrimi të mjegullohet. Stereotipi tradicional mashkullor është ai i luftëtarit gjithnjë në gatishmëri. Dhe ky lloj perceptimi nuk i përket veç Perëndimit - edhe në kulturat lindore shfaqja e dobësive shoqërohet me doza të mëdha turpi". Mesazhi është, djemtë duhet të forcohen për t‘u bërë të denjë të quhen burra. Por përse lotët lidhen me dobësinë? "Në të vërtetë e qara nuk është dobësi, është një sistem relaksues në organizmin njerëzor", thotë Hodson. "Për të qenë funksionalë, duhet të veprojmë konform emocioneve tona, jo ndesh me ta. Njeriu qan kur ka tension për të çliruar. Në rast se nuk e shfrytëzojmë këtë sistem nuk tregohemi shumë të zgjuar".

Përse filmat na bëjnë të qajmë?

"Lotët ndjellin lot, i kuptoj më së miri", shkruan Tenison te libri "Princesha" - disi me dinakëri, pasi e dinte shumë mirë atë ç‘donin të thoshin ata lot: folësi po fliste me nostalgji për "fushat e lumtura vjeshtore" dhe "ato ditë që nuk ekzistojnë më".

Sidoqoftë, Nostalgjia përdoret rregullisht në art si ngacmues emocional. Qajmë nëpër kinema, nëpër salla teatrosh, mbi libra, prekemi nga predikimet fetare, apo nga gëzimi, nga njerëz që nuk i njohim fare - por përse këta njerëz në rrethana të tilla na aktivizojnë gypat e lotëve?

Emocionet që kanë lidhje me pjesëtarët e tjerë të familjes janë ndoshta shkaktarët më të mirë të lotëve. Nuk njoh asnjë burrë, sado stoik qoftë, i cili nuk përlotet si të qe një vajzë e mitur në fund të filmit "Fëmijët e Hekurudhës", në çastin kur Xheni Aguter sheh përmes tymit babanë në stacionin e trenit dhe i therret, "Babi, babi im!". Pak producentë teatralë në histori kanë arritur të jenë më prekës se akti i fundit i "Mbretit Lir", kur monarku takon të bijën që e kish përzënë në pretekstin se nuk i shfaqte masën e duhur të dashurisë.

Nuk ndihem krenar për faktin që qaj si çupëlinë në fund të filmit "ET", kur alieni i çuditshëm përqafon gjashtëvjeçaren Gerti duke i thënë: "Kujdesu për veten". Vdekja dhe ndarja na bëjnë të qajnë pasi ngacmojnë frikat me të thella fëmijërore, ato të braktisjes dhe të vetmisë në pyllin e frikshëm. Bambi i "Walt Disney"-it është "lot-derdhësi" më i suksesshëm në këtë kuadër, duke i marrë vendin Nelit të Vogël te "Dyqani i vjetër i kurioziteteve", i cili në kohë të vet i zhyste shikuesit në dënesa pafund.

Por qajmë njësoj në çastin e kthimit apo të pendimit, pak rëndësi ka nëse kjo bëhet në një stacion treni apo në një qytet të vogël amerikan si Bedford Falls (Filmi "Jetë e mrekullueshme" i Frenk Kaprës)

Ç‘u ngjet trupave tanë kur qajmë?

I qari mendohet të jetë fenomen unikalisht njerëzor. Gjithnjë shfaqet përmes rrjedhjes së lotëve poshtë faqeve. Prodhohen në të gjitha rastet nga gjëndrat e lotëve që gjenden në sy, të cilat kanë detyrë mbrojtjen e sipërfaqes së jashtme (dhe mjaft delikate) të syve, kornean. Gjendrat e lotëve, të pozicionuara pas qepallave të secilit prej syve, sekreton një sasi konstante saline (lloj lëngu me bazë kripe) i cili përhapet nëpër sipërfaqen e syrit në të gjitha rastet kur mbyllim qepallat, duke i mbajtur të lagësht dhe të pastër. Pas lëshimit lëngu grumbullohet në cepin e brendshëm të syrit dhe rrjedh përmes disa kanalesh shumë të vegjël brenda hapësirës së hundës. Kur qajmë hedhim brenda në sy sasi të mëdha lëngu, i cili shpejt kalon në hundë përmes kanaleve të vegjël, duke bërë që të na rrjedhin edhe hundët.

Dënesat më të famshme

Siena Miler

Ndonjëherë është e vështirë të jesh grua. Javës që shkoi Siena Miler ndjeu sytë t‘i mbusheshin me lot teksa mbushte makinën me karburant në një stacion furnizimi të Kalifornisë. Paparacët dhe gazetarët e grumbulluar aty si me magji e bombarduan me pyetje lidhur me të dashurin e ri (i martuar) Baltazar Geti. Siena qe aq e tronditur, sa rendi në lokalin më të afërt dhe kërkoi të shoqërohej nga policia - megjithëse nuk bëri padi gjyqësore kundër asnjë prej paparacëve apo reporterëve.

Hilari Klinton

Është festa e saj dhe ajo mund të qajë në rast se e dëshiron këtë. E famshme për karakterin e fortë dukej se ishte kandidatja zyrtare e demokratëve deri në çastin e shfaqjes së Barak Obamës. Pas kësaj vinte sfida në Nju Hempshair, ku media e deklaronte të mundur. Atë ditë u ul në kafe me disa gra në Portsmuth. Kur njëra prej tyre e pyeti se si zgjohej në mëngjes pas humbjes, ndjeu vërtet se e gjithë ajo garë e kishte sfilitur. "Nuk është e lehtë", tha, me sytë e mbushur me lot.

Margaret Theçer

Askush nuk e shpinte nëpër mend se Gruaja e Hekurt qe në gjendje të shfaqte emocione, por Margaret Theçer ofroi një anë të panjohur të karakterit në çastin kur vartësit iu kthyen kundër dhe e detyruan të hiqte dorë prej postit të Kryeministres në vitin 1990. Diti ta mbajë veten gjatë fjalimit me këtë rast, por teksa makinat largoheshin nga Pallati Bukingam, kamerat e kapën me sytë e mbushur me lot.

Shainad Okonor

Pranë fundit të këngës që e bëri të famshme ("Nothing Compares 2 U", asgjë nuk mund të krahasohet me ty), irlandezja me flokë të qethura zero derdh dy lot të mëdhenj. Videoja e këngës në të shumtën përbëhet nga plane të afërta të fytyrës së këngëtares dhe më pas këngëtarja shpjegoi se lotët qenë pasojë e prekjes nga teksti i këngës. Këngëtarja ka shpjeguar se ka pësuar abuzime nga ana e së ëmës gjatë fëmijërisë.

Pol Gaskoin

Fillimisht ngre sytë nga qielli, më pas buza e poshtme nis të dridhet dhe në fund lotët që rrëshqasin poshtë syve. Pavarësisht talentit të tij si futbollist, Pol Gaskoin më shumë do të kujtohet për reagimin ndaj atij kartoni të verdhë, të dhënë gjatë gjysmëfinaleve të Kampionatit Botëror të Futbollit, Italia ‘90, për shkak të të cilit nuk do merrte dot pjesë në finale, në rast se Anglia do të kualifikohej. Shumë nëna angleze e kanë fiksuar atë skenë në mendje me shumë simpati. Ndërkaq Kris Uodëll e humbi penalltinë, Anglia u skualifikua dhe "Gaza" u kthye ai që ishte.

Keni Uest

Duket se edhe këngëtarët e hip hopit janë qenie njerëzore. Keni Uest do ish falur nga të gjithë kur vendosi të anulonte turin evropian pas vdekjes të së ëmës në nëntorin e shkuar, për shkak të komplikacioneve pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Por këngëtari mblodhi forcat dhe e vazhdoi turin, por në çastin që u përpoq të këndonte një këngë dedikuar së ëmës në koncertin e Parisit, papritmas u këput nën peshën e dhimbjes. Për minuta të tëra qëndroi pa lëvizur me duart e mbështetura mbi kokë.

Riçard Nikson

Presidenti Riçard Nikson u dorëhoq pasi përfshirjes në skandalin uotergeitit, por tragjedia e vërtetë e vitit 1974 ndodhi jashtë kamerave. Në librin "ditët e fundit", të shkruar nga gazetarët protagonistë të skandalit, Bob Udard dhe Karl Bernshtein, tregohet se si Niksoni u takua me sekretarin e shtetit Henri Kisinger për t‘i thënë se do jepte dorëheqjen. I pirë dhe plot keqardhje për veten kishte nisur të qante. "Niksoni u ul në gjunjë", shkruhet në libër. "U përkul me këngët e ngjeshura në tapet dhe duke thirrur ‘Ç‘bëra? Çfarë ndodhi?‘".

Paris Hilton

E shkreta Paris Hilton. Jo vetëm që u kap dy herë në timon pasi patenta për drejtimin e makinës i qe hequr për ngasje në gjendje të pirë, por një gjykatës nuk përtoi as ta dërgonte [pas hekurave për këtë shkak. Qau për këtë, por jo aq shumë sa kur, pasi sherifi i kontest e kishte lejuar të dilte nga burgu pas tre ditësh nga nisja e dënimit, gjykatësi urdhëroi që ta kthenin përsëri brenda. Vajza protestoi, ulëriti, u çor, por mbi të gjitha qau. Dhe ç‘të qarë.

Hell Berri

Ah çmimet Oscar. Zor se ndonjë skenë tjetër ka parë aq shumë lot dhe aq sy të lyer bukur të fshihen me dorë. Në rast se do ekzistonte edhe ndonjë çmim tjetër për "fjalimin e pranimit më emocionues", aktorët duhet të lodheshin shumë për të fituar më shumë vota se Hell Berri. Aktorja dha me atë rast një spektakël që zor të harrohet dhe, edhe më zor akoma, të tejkalohet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama