Studimi në fjalë është realizuar nga Universiteti i ‘Notre Dame’ në SHBA, dhe rezultatet janë botuar në revistën ‘Learning and Instruction’. Studiuesit përfshinë në eksperiment një grup vullnetarësh, të cilët i kanë drejtuar qëllimisht drejt konfuzionit duke u ofruar atyre informata dhe mendime kontradiktore. Një grup tjetër vullnetarësh, ndërkohë ka marrë informacione dhe mendime të sakta, në mënyrë që të shërbejnë si grup kontrolli.
Rezultati tregoi se personat që u vunë përballë njohurive kontradiktore ishin në gjendje që në fund të kuptonin më mirë idenë themelore. Edhe në testet e tjera pasuese doli në pah se personat që fillimisht ishin konfuzë, më vonë e patën më të lehtë që të seleksiononin gjithë informacionin e panevojshëm dhe të ruanin informacionin kryesor, duke arritur në këtë mënyrë në rezultate më të larta se sa pjesëmarrësit e tjerë, që nuk ishin çorientuar në fillim të eksperimentit.
“Ne kemi hetuar lidhjet që ekzistojnë mes emocioneve dhe të mësuarit për pothuajse një dekadë, – u shpreh njëri nga studiuesit, – dhe kemi arritur në përfundimin se në disa raste, konfuzioni mund të jetë i dobishëm për të mësuar, sepse ai mund të stimulojë studentët për ta parë materialin më në thellësi, në mënyrë që si përfundim t’i japin zgjidhje pasigurisë dhe të panjohurës.
Kjo gjendje është quajtur nga studiuesit ‘konfuzion produktiv’, pasi në fund e bën procesin e të mësuarit më produktiv. Por jo të gjithë janë në gjendje që këtë lloj konfuzioni ta kthejnë në produktiviteti. Sipas studiuesve, në përgjithësi, njerëzit që dinë të menaxhojnë si duhet ndjenjat e negativitetit dhe dështimit, kanë më tepër mundësi që të nxjerrin përfitime pozitive nga kjo mënyrë të nxëni.