Paralel me kronikën e të atit, Aldo Terrusi ndërton historinë e nënës, Aurelia Posellit. Fija lidhëse është një miqësi e mbetur në tentativë midis gruas dhe Enver Hoxhës në vitet tridhjetë në Gjirokastër.
Shenjë e kësaj kohe dhe gjurmë e origjinës së fatit që pat në Shqipëri familja Poselli-Terrusi, është dhurata e Hoxhës për Aurelian, një album, “Les cent vues de Paris” që u dorëzua dje në një ceremoni zyrtare në Arkivin Qendror të Shtetit për në fondin “Enver Hoxha”.
Duke bërë aktin e dhurimit, Aldo Terrusi e quajti këtë libër, vetëm për paraqitjen fotografike të Parisit, diçka historike në vetvete. Me kopertinë të gjelbër, me gërma të stampuara në të artë, që sipas tij tregojnë se Enver Hoxha ka dashur që një gruaje të rafinuar t’i dhuronte diçka të ngjashme. Dedikimi që mban datën 21 gusht 1930, shkruar në frëngjisht, thotë: “Në kujtim të miqësisë, Enver Hoxha, student i mjekësisë në Gjirokastër.” “I qëndrojmë asaj që shkruhet këtu”, thotë Aldo Terrusi duke vënë buzën në gaz me këtë “student i mjekësisë”. “Nëna më thoshte që ai në njëfarë mënyre iu ishte dhënë leximeve në fushën e filozofisë së majtë. Pasojat e kësaj filozofie ju i dini vetë. Ky libër që na ka ndjekur përfaqëson kordonin ombilikal për familjen time.”
Historia tani po shkon drejt një zgjidhjeje pavarësisht rezultatit. Aldo Terrusi këmbëngul që të bëhen kërkime shkencore brenda kampit të Burrelit, ndërmjet rrethimit të parë dhe të dytë, ku deri më 1955 varroseshin të burgosurit. “Këtu ndodhet një qershi”, tregon ai me një hartë të thjeshtë të burgut të Burrelit, një nga tri burgjet kryesore për të dënuarit politikë në Shqipërinë e Hoxhës. “Qershia është bërë një objekt legjendë sepse njerëzit varroheshin aty rrotull. Legjenda thotë se kjo qershi rritej nga gjaku i burgosurve të varrosur.”
Para dy ditësh Aldo Terrusi ka marrë në Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë një dokument që provon, pa dhënë arsyet, vdekjen e Giuseppe Terrusi-t në burgun e Burrelit. Mungesa e kësaj dëshmie kishte penguar deri tani kërkimin e eshtrave sepse njerëzit i thoshin “ne nuk e dimë ku ka vdekur”.
“Unë mendoj që të bëhet një kërkim shkencor”, pohoi dje Terrusi në ceremoninë në Drejtorinë e Arkivit ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë në Tiranë. “Kur të behet ky kërkim shkencor atëherë edhe unë do ta kem shpirtin të qetë, sepse o gjenden o nuk gjenden eshtrat e tim eti por edhe të personave të tjera. Nëpërmjet analizave të ADN mund të zbulohet.”
Një bashkëvuajtës, Petriti Velaj i ka treguar se ai vetë personalisht e kishte varrosur Xhuzepen me një shtrojë pranë qershisë. “Por nuk është e thënë që kjo të jetë e vërtetë. Mund të ishte një vend çfarëdo brenda kampit ku mund të jetë varrosur im atë. Deri më 1955 këtu kanë vdekur dhe janë varrosur mjaft njerëz. Nëse për ndonjë motiv politik i kanë hequr kockat, gjurmë eshtrash duhet të kenë mbetur. Nëse gjenden, kjo do të përbënte një argument për të vërtetën. Nëse nga analizat e ADN, qoftë edhe një eshtër do të rezultonte e babait tim, për mua do të ishte maksimumi. Erdha deri këtu dhe nuk e prisja. Shpresoj që diçka tjetër të ndodhë. Ky udhëtim fantastik është diçka e mrekullueshme për mua.” Aldo Terrusi ka kryer takime në kryeministri sepse një vendim nga lart do të lejonte gërmimet në Burrel. Ai beson që verifikimi të bëhet këtë vit. Nëse nuk do të zgjidhë punë qeveria e Berishës do t’i drejtohet qeverisë italiane, sepse Terrusi mendon që “ky diskurs është shumë politik”.
Në mbyllje shprehu dëshirën që me shpenzimet e veta të vendosë dy pllaka përkujtimore: njërën pranë bankës së Vlorës ku Giuseppe Terrusi ka qenë drejtor dhe një pllakë në përkujtim të dajës, Giacomo Poselli, portier i kombëtares shqiptare më ’46-ën. “Nuk di a do të më lejojnë autoritet shqiptare. Ky është propozimi im.”
Drejtoresha e Arkivit të Shtetit Nevila Nika tha se dhurata e Aldo Terrusit që do të ruhet në fondin personal të Enver Hoxhës, bëhet pjesë e dëshmive të bashkëkombësve të tjerë italianë në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore. Ata që mbetën në Shqipëri, ata që pritën me ankth riatdhesimin e që dëshmohet nëpërmjet letrave të censuruara të padërguara kurrë. “Kjo është historia jonë e përbashkët”, tha Nika.
Tufa: Të angazhohet Task Force
Agron Tufa, drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, tha dje në AQSH se për të gjetur eshtrat në një mini-Aushvic siç është Burreli do të thotë të ndërmarrësh një kërkim sistematik në 100% të territorit. “Unë mendoj se kjo është gjë e mundshme dhe e realizueshme, jo vetëm për eshtrat e Terrusi-t por edhe për zbulimin e martirëve të tjerë të vdekur në atë burg shqiptar. Duke kërkuar kështu të mos ngatërrohemi në legjenda e gojëdhëna. Tufa sqaron se nëpërmjet një strukture shtetërore si Task Force e cila e ka për detyrë “le të dëshmojmë në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar vullnetin për zhvarrosjen e të pushkatuarve. Dhe le të shërbejë si pikënisje kjo përpjekje e palodhur e Aldo Terrusit për të zbuluar bilancin e trishtuar të këtyre njerëzve të pafat që ne të mund t’i nderojmë dhe të mund të qetësojmë kujtesën tonë morale”.
Nëse do të ndodhte ky hetim, do të përbënte iniciativën e parë zyrtare për gjetjen e eshtrave të viktimave të komunizmit, dhe kështu instituti do të përligjte pjesërisht ekzistencën e vet.
Kujtojmë se zhvarrimet që janë bërë deri tani kanë nisma të familjareve. Më 2004 u zbulua një varr masiv të ekzekutuarish në vitin 1945 në Tiranë. Më 2010 në Malin e Dajtit u gjetën eshtrat e 19 të pushkatuarve.
Për disa vjet familja Shehu bëri kërkime për gjetjen e eshtrave në një fshat të Lezhës së Fiqiret Shehut, gruaja e kryeministrit komunist Mehmet Shehut, dhe eshtrat e këtij të fundit u gjetën në vitet 2000 në afërsi të fshatit Ndroq.
Tufa është shprehur se Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit akoma nuk ka të dhëna të sakta për të huajt që janë dënuar, por ka fakte për fatin e grave të dënuara të cilat i janë nënshtruar një dhune të planifikuar “të turpshme”.
Instituti që Tufa drejton do të botojë në muajin nëntor librin e Terrusi-t “Kthimi në vendin e shqiponjave” (Botimet Besa 2011), ku autori iu rikthehet kujtimeve nga Shqipëria me qëllimin për të rindërtuar figurën e të atit. Botimi shqip përfshin dokumente, një dosje për Giuseppe Terrusi-n. “Në këtë mënryë i shprehim respekt të thellë kësaj familjeje që i kishte mundësitë për të qenë e lumtur por që me dashjen e diktatorëve u bë pjesë tragjedisë sonë kombëtare.”
Tufa bëri të ditur se ky libër hap kolanën e botimeve, studime të Institutit, për çka ka kontribuar edhe Arkivi i Shtetit. Seria quhet “Memozina” (muza e kujtesës së historisë).
Bio
Aldo Renato Terrusi, fizikan në pension, u lind në Vlorë më 1945, nga prindër italianë, Aurelia dhe Giuseppe Terrusi drejtor u Bankës së Vlorës. Për shkak të konfliktit italo-grek, Aurelia me familjen emigrante që ndodhej në Selanik, zhvendoset në Gjirokastër.
Ndërkohë Giuseppe Terrusi dërgohet nga ana e Kastelanetës, qyteti i tij i lindjes në Shqipëri si zëvendësdrejtor i Bankës Italiane në Gjirokastër rreth vitit 1930 e më pas drejtor i Bankës italo-shqiptare në Vlorë, filial i Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Giuseppe dhe Aurelia njihen dhe martohen shumë shpejt, më 1936. Lind djali i tyre Aldo më 1945. Në kohën e turbullt të pasluftës, me arrestimet dhe dënimet në masë të “armiqve të popullit”, burgoset dhe Giuseppe Terrusi “me urdhër të Enver Hoxhës”. Giacomo, vëllai i nënës Aurelia, ishte portier i Kombëtares shqiptare që fiton “Ballkaniadën” më 1946. Më 1949, pas shumë peripecish, familjet Poselli e Terrusi riatdhesohen. Giuseppe vdes në burgun e Burrelit më 1952.
I biri Aldo Renato Terrusi vjen bashkë me dajën në Shqipëri më 1993 të kërkojë eshtrat e të atit. Nga dëshmitë e bashkëvuajtëse Ëngjëll Kokoshi dhe Petrit Velaj, Aldo ndërton historinë e jetës së atit mbetur përgjithmonë në Shqipëri.
Arkivi i Enver Hoxhës
A ka dokumente qe tregojne krimet e Enver Hoxhes dhe qe e implikojne ate direkt me krimin?
Nese flasim per dokument arkivor, vete arkiva eshte e paeksploruar e gjitha. Filmimet e Enver Hoxhes dhe nje ditari i tij personal jane gjetur ne bodrumin e Arkivit Qendror te Shtetit, ku qendronin prej 20 vitesh dhe ishin te paskeduara. Sepse jane transferuar nga Arkivi i Komitetit Qendror, me aq dijeni sa kam une permes personave qe kane punuar personalisht ne arkivin e Enver Hoxhes, persona te tij te afert qe merreshin me shkrimin e veprave te Enver Hoxhes. Arkivi i Komitetit Qendror ka pasur nje fond te vecante, qe ishte fondi personal i Enver Hoxhes. Ky fond mund te prekej vetem me leje te posacme te Nexhmije Hoxhes. Ishte nje pjese e fondit ku mund te hynte vetem Ramiz Alija dhe Enver Hoxha. Ne kartele nuk figuron qe Ramiz Alia te jete treguar ndonjehere kurioz per te hyre brenda. Gjithsesi, mos prisni te kete dokumente qe do ta perfshijne Enver Hoxhen personalisht ne krime, ne eliminimin e njerezve. Mekanizmi i komunizmit shihet ne pergjithesi, nuk mund ta zbulosh me nje leter. Me vjen keq, por une jam i paafte qe te bej nje analize te diktatures, sepse ajo kerkon nje pergatitje shume me te gjere. Une kam bere nje publicistike historike, i ngjashem me ato qe shkruan Misha Gleni. Kam pasur nje diskutim me z. Lubonja, i cili me thoshte qe duhet te hyja me ne thellesi per te analizuar. Me vjen keq, por nuk e beja dot dhe nese do ta beja, do ta isha subjektiv.