Te rikrijosh jeten tende

Të rikrijosh jetën tënde
Është i vetmi institucion i tillë në krejt Gjermaninë, ndërkohë që në vende të tjera si SHBA kjo degë, ku nxiten të ecin më tej njerëz që kanë dhuntinë e të shkuarit, është mjaft e përhapur.Treicheli ka ardhur në Shqipëri me rastin e botimit të romanit të tij "I humburi", në shqip nga Ardian Klosi. Mbrëmë ai mbajti një lexim në gjermanisht në ambasadën gjermane. Sot, në orën 18.00 në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, leximi do të jetë në shqip.


Pas tij do të shfaqet një nga filmat më të njohur gjermanë të viteve të fundit "Mrekullia e Bernës", i cili sjell për spektatorin atmosferën e viteve 50 në RFGJ, që është edhe koha e fëminisë së personazhit kryesor të librit."I humburi" tregon historinë e kërkimit të vëllait të humbur, të cilin prindërit, në arrati e sipër nga zona lindore drejt Perëndimit, të ndjekur nga makthi i vdekjes dhe përdhunimeve prej ushtarëve rusë të Ushtrisë së Kuqe, ia lënë në dorë një gruaje të panjohur.


Por më shumë se historinë e gjetjes ose të mosgjetjes së vëllait, libri tregon me një mjeshtëri të rrallë depërtuese trysninë që rëndon mbi botën e fëmijës, në një familje ku, siç ndodh në shumë e shumë familje, pak pyetet për këtë botë.
Romani është autobiografik në një masë të madhe.Për të mësuar më shumë për të vërtetat e shkrimtarit në përgjithësi, për jetën letrare në Gjermani dhe në veçanti për historinë e të "Humburit", zhvilluam dje me të këtë bisedë:


Zoti Treichel, përse keni filluar të shkruani?

Pyetjet me "përse" janë të liga. Në të vërtetë nuk duhet pyetur përse, pasi ato janë si pyetjet: përse jetoni?

Atëherë si keni filluar të shkruani?

E vështirë ta thuash. Vjen dikur një shtytje për të shkruar. Në të vërtetë njeriu nuk e kërkon të shkruarit, as motivet e veta nuk është se i njeh mirë. Po ja që ka njerëz që bëjnë muzikë, ose vrapojnë në maratona. Me sa duket të shkruarit është një proces ku njeriu mëson për veten, ose për motivin e ekzistencës së vet.Ndaj unë nuk e di pse shkruaj ose kur kam filluar, di vetëm që kam patur dëshirën të shkruaj. Sot kur shoh çfarë kam shkruar, e kuptoj që shoshitja e jetës sime ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ndoshta përgjigja është, shkruar që të rindërtoj historinë e jetës sime. Ky duket të jetë shkaku kryesor.

Njeriu kupton më shumë për veten kur shkruan. Varet edhe nga lloji i letërsisë, megjithatë shumica e shkrimtarëve të mirë shkruajnë për veten. Si përpjekje për të rindërtuar përvojën e jetës së tyre.Kjo mund të ketë arsye të ndryshme. Ndoshta njeriu ka ndaj vetes një distancë të madhe të cilën kërkon ta zvogëlojë, ndoshta ka ndjesinë se nuk po merr pjesë në jetë dhe përpiqet ta kapërcejë këtë, por janë ndoshta, natyrisht, edhe përvoja traumatike, edhe kjo është një arsye përse shkrimtari merret me veten dhe jetën e tij.

Në rastin tim është me siguri, të paktën për një pjesë, përpjekja për të rindërtuar një pjesë të jetës, historinë e fëminisë sime, e cila ka ndodhur prapa kurrizit tim.Kam filluar të shkruaj relativisht vonë, gjatë studimeve gjermanistike. Por kam qenë më parë një shkrimtar që s'shkruan. Ka shumë shkrimtarë që nuk shkruajnë, që i kanë në kokë historitë e tyre por nuk shkruajnë. Një nga arsyet që studiova gjermanistikë ishte që të kuptoja si shkruan njeriu.

Por natyrisht kjo nuk mësohet përmes analizës së letërsisë, që të kuptosh se si vjen nga të mosshkruarit te të shkruarit. Në studimet filologjike mund të mësosh e shumta si të shkruash literaturë sekondare, madje edhe këtë jo siç duhet, mëson vetëm se si të lexosh.

Kur shihni pas, mendoni se keni bërë mirë që keni shkruar?

"Dhe ishte bërë mirë" thuhet në Bibël. Nuk mund të ndihesh asnjëherë si Zoti pas ditës së shtatë, që të thuash: U bë mirë! Por po ta shohësh nga ana psikologjike, të bën mirë, gjen një qetësim të brendshëm kur e ke përfunduar së shkruari diçka. Ndjen sikur ke mbushur një vakuum që e kishe në vetvete përpara se të shkruaje. Por kjo përsëri nuk tregon gjithçka për cilësinë e veprës, për këtë s'vendos dot vetë njeriu. Mund të kesh e shumta ndjenjën e lehtësimit e të thuash: arrita ta bëj.Por se si do ta presë bota këtë vepër, kjo është krejt e hapur. Pra objektivisht nuk mund të thuash kurrë se diçka është e arritur. Mund të jetë e arritur për mua, por mund të ndodhë që gjithë të tjerët i kthejnë kurrizin, pra mbetesh vetëm me veprën tënde të arrirë.

Mund ta krahasosh me muzikën, kur themi se një pjesë është e bukur, na emocionon, na hedh në një botë tjetër?

E vërtetë. Në historinë e letërsisë ka shumë vepra të bukura. Madje aq shumë sa frikësohesh. Një autor i ri duhet të guxojë shumë që të fillojë të shkruajë. Duhet njëfarë deliri.


"I humburi" ka në qendër botën e një fëmije dhe zhvillimin e tij, shtypjen e jashtëzakonshme që rëndon mbi të për shkak të prindërve. Është ky fati i familjes në përgjithësi?

Dëshiroja të tregoja fatin konkret të një familjeje. Megjithatë tregues i një letërsie të arrirë është që ajo nuk tregon vetëm fatin e rastësishëm të një individi, por ka gjithmonë dhe një anë ekzemplare. Pra është më shumë se një jetë e vetme e izoluar, ose një familje e vetme e izoluar.

Kështu mendoj se libri nuk mbahet vetëm nga fakti politik, që një familje në vitin 1945 u detyrua të arratisej drejt Perëndimit, që humbi fëmijën gjatë kësaj arratie, porse që libri tregon gjithashtu historinë e izolimit dhe vetmisë së një fëmije brenda një familjeje. Pra ka dy të humbur: të humburin e vërtetë që e kërkon familja, dhe të humburin tjetër, unin tregues, i cili humbet brenda familjes.Kjo ka shkaqe të ndryshme. Njëri shkak është që prindërit janë të traumatizuar për arsye të humbjes së fëmijës të parë; por ka të bëjë edhe me sjelljet, me strukturat familjare të cilat prindërit as që mundet t'i kontrollojnë.

Kështu babai është, sikurse ishte edhe im atë, një tip i caktuar babai prej shekullit 20, njeri autoritar, patriarkal, që ka shumë pak komunikim me fëmijën, që përgjithësisht urdhëron, që do të zbatojë sistemin e tij të rregullave, përpiqet të strukturojë famijen e tij, shmang ndjenjat, afërsinë, sidomos afërsinë trupore. Mendoj pra se ky tip babai është përfaqësues për një epokë të caktuar.


Besoni në edukimin e fëmijëve nga prindërit, apo duhen lënë fëmijët krejt të lirë?

Vetë nuk kam fëmijë, çka lidhet patjetër me fëmininë time, pasi për mua fëminia ka qenë një gjendje e padëshirueshme, ndaj nuk kam dashur që t'ia ngarkoj një fëmije tjetër gjendjen time.Natyrisht nuk mund t'i lësh fëmijët krejt të lirë që të bëjnë ç'të duan, do të ishte gabim fatal, por duhet krijuar një lidhje mes prindërve dhe fëmijës që garanton zhvillimin e lirë të tij, por pa e lënë fëmijën vetëm. Kjo është mjeshtëria, që t'i krijosh të dyja, edhe lidhjen edhe autonominë. Që të arrihet kjo, duhet një shkallë e lartë vetëdijshmërie, edhe për fëmininë që ke patur vetë.

E dimë që gabimet zakonisht trashëgohen: një fëmijë që është keqpërdorur, priret të keqpërdorë dhe ai fëmijët e tij. Një fëmijë i poshtëruar, ndoshta do të poshtërojë të tjerët në të ardhmen. Ndaj ka shumë rëndësi që prindërit ta njohin vetveten dhe të mos e përdorin fëmijën si sipërfaqe projektimi apo si kontenier për konfliktet e tyre të pazgjidhura, sikundër ndodh shpesh.


Romani është në një masë të madhe autobiografik. Deri në ç'masë? Si e zbuluat atë që u kishte ndodhur prindërve tuaj?

Sa ç'është autobiografik romani, aq dhe nuk është. Autobiografik është motivi thelbësor: që unë kam një vëlla të humbur, të humbur gjatë arratisë, kur prindët ishin në rrezik jete dhe ia ngjeshën fëmijën në duar një të huaji e prej ati çasti ai humbi.

Pas kësaj ata i sollën në një kamp përqendrimi ne Poloni (versioni origjinal i artikullit permbante kamp perqendrimi polak. Korrigjuar per saktesim qe nuk ka pasur kampe perqendrimi polake, por ndoshta kampe perqendrimi naziste ne Poloni), kështu që nuk kishin asnjë mundësi ta gjenin më fëmijën në varganin e refugjatëve. Kaq traumatike ishte ngjarje për prindërit e mi, saqë ata asnjëherë nuk folën për të. Ekzistonte një fotografi e tij, por asgjë më shumë. Mua dhe vëllezërve që lindën më pas na thanë se keni patur një vëlla që vdiq urie gjatë arratisë.

Kështu e kam ditur deri në fillim të viteve 90. Vetëm pastaj, duke kërkuar në dokumentet që kishte lënë ime më, e kuptova që ky fëmijë nuk kishte vdekur urie por kishte humbur dhe që prindërit e mi e kishin kërkuar atë deri në vitet 70. Ekzistonte një fëmijë jetim, qysh në vitet 50, për të cilin prindërit ishin gati të sigurt se ai qe fëmija i tyre i humbur.Ai jetonte në një jetimore. E pastaj u përpoqën të dëshmonin që kështu ishte. Kam gjetur në dokumentet e nënës që janë bërë shumë analiza, të trupit, të gjakut, analiza antropometrike, për të dëshmuar ngjashmërinë gjenetike me fëmijën. Por nuk ia arritën asnjëherë.

Këtë e zbulova shumë vonë, pasi vdiq nëna më 1991, nga dokumentet që ajo la. Kurse babai kishte vdekur më 1964, e as ai kurrë nuk foli për këtë gjë. Pra gjithë kjo ekzistencë e prindërve të mi, që kishin kërkuar për dhjetëvjeçarë të tërë, kishte ndodhur prapa kurrizit tim dhe të vëllezërve të mi.Tek "I humburi" në njëfarë mënyre ia kam treguar vetes historinë se si ishin në të vërtetë prindërit e mi. Uni tregues i librit udhëton me prindërit e vet nëpër të gjitha këto stacione ku bëhen analizat.Pra përfytyrova se si do të kishte qenë sikur unë ta kisha ditur historinë e vërtetë e të kisha marrë pjesë në kërkime. Domethënë faktet janë autentike, historia është e vërtetë, vetëm se kërkimet janë bërë pa pjesëmarrjen e fëmijës.

Ju ndihmoi kjo gjë, u ndjetë i lehtësuar pasi e shkruat romanin?

Po, më ndihmoi. Në të vërtetë, kur i mora në dorë ato dokumente kaq shumë u tmerrova sa i lashë mënjanë dhe nuk i preka për dy vjet.Por më brente e më gërryente nga brenda gjithë kohën. Isha i shokuar që prindërit s'ma kishin treguar historinë që kishte diktuar jetën e tyre. Natyrisht, vura re pastaj që kishte diktuar edhe jetën time, atmosferën në familje, e cila përcaktohej në një masë të madhe nga kjo humbje e patreguar.

E unë atëherë nuk kisha asnjë fuqi të ndikoja mbi këto, isha thjesht një objekt i paditurisë. Pra e shkruara ka edhe këtë funksion, që të të ngrejë mbi jetën tënde, të të japë qetësinë e duhur.

Tani isha unë regjisori, tani mund ta vendosja unë se çfarë duhet të dija e çfarë jo, çfarë të tregoja e çfarë jo. Kështu që bëhesh, më mbas, zoti i historisë së jetës tënde. Duke qenë se shumica e gjërave na ndodh jashtë dëshirës sonë, e shkruara ndihmon që të çohesh mbi to e të gjykosh me qetësinë e duhur, të luash si të thuash rolin e Perëndisë me vetveten.

Natyrisht që mund ta luash keq, mund ta luash mirë, por në thelb ke mundësinë që ta rikrijosh në mënyrë fiktive jetën tënde. Një shpërblim për gjithë situatat ku të kanë hedhur jashtë vullnetit tënd.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama