Te rinjte mesojne te jene produktiv

Të rinjtë mësojnë të jenë produktiv


Junior Achivement është një aktivitet ndërkombëtar që synon të nxisë të rinjtë që që në bankat e shkollës të mësojnë të jenë produktiv dhe fitimprurës. Aktiviteti që ka nisur para disa vitesh në shumë vende europiane ka mbërritur edhe në Shqipëri. 21 shkolla të mesme konkuruan atje këtë vit dhe nxorrën fituese një grup të rinjsh të shkollës Çajupi. Ky grup ka ardhur në Berlin për të konkuruar në Junior Achivement europian midis 30 vendeve të tjera.

 

Në fundjavë në Berlin u zhvillua konkursi europian i Junior Achievement. Të rinj nga 30 vende europiane kanë ardhur të prezantojnë kompanitë e tyre ekonomike dhe të zgjedhin më të mirin. Mes tyre ndodhen për herë të parë edhe të rinjë nga Shqipëria. Kush janë ata?

- Unë jam Renaldo Ibro, Presidenti i Kompanisë
- Unë Olsi Saqe, Drejtor i marketingut
- Dhe unë jam Stiv Dervishi, Drejtor i financës.


Këta 17 vjeçarë janë nga Tirana, nxënës të shkollës Çajupi. Ata kanë ardhur me kompaninë e tyre Ares.

Olsi tregon si ka filluar aktiviteti i tyre:"Isha në klasë në orën e ekonomisë dhe mësuesja komunikoi se do të organizojmë një aktivitet në të cilin ne do krijojmë një kompani dhe do ta menaxhojmë atë. Një kompani e të gjithë nxënësve të shkollës. Atëherë duhej të zgjidheshin tre veta nga secila klasë. Unë kisha dëshirë sepse jam i apasionuar pas lëndës së ekonomisë dhe tregova gatishmërinë time."


Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift:  Stivi, Olsi dhe Renaldo duke treguar për kompaninë e tyre në Berlin
Nxënësit bënë votimin. Zgjodhën tre drejtues dhe gjashtë drejtori, presidentin e firmës, emrin e saj "Ares" sipas perëndisë së luftës. "Pastaj zgjodhëm produktin dhe tregun ku ne do ta shisnim këtë produkt," shton Stiv Dervishi.

Produkti i zgjedhur ishte prodhimi i fotografive të nxënësve të shkollës dhe shitja e tyre. Në bashkëpunim me një fotostudio profesionale në Tiranë u realizuan fotot e klasës, shitjet. "Në fillim bëmë një anketë me të cilën ju drejtuam nxënësve me pyetjet se a do ju pëlqente të kishin një fotografi aktuale të vetën dhe sa para mund të ofronin për të. Pas kësaj analize të tregut ne mundësuam fotografitë dhe pasi mbaroi procesi i prodhimit filluam t`i shisnim. Kishte shumë nxënës të interesuar që i blenë fotografitë tona. Pra në njëfarë mënyre ishim fitimprurës," tregon Olsi Saqe dhe shton krenar:" Ne jemi kompani fitimprurëse. Kemi dalë me profit neto 194 euro".

Të rinjtë vendosin që paratë t`i dhurojnë për bamirësi. Së bashku me organizata të tjera joqeveritare dhe të përkrahur nga personalitete politike të rinjtë mblodhën më shumë para dhe ja dhuruan ato "Shtëpisë së Kuqe" një institucion që kujdeset për fëmijët antikapatë në Shqipëri. "Më 1 qershor i dhuruam të gjitha, blemë një divan, një aparat fotografik, një magnetofon dhe komplet pjatash, lodra për fëmijët dhe një shumë parash për fëmijët," shpjegon Renaldo.

Më pas ata prezantuan projektin e tyre tek Junior Chivement në Tiranë dhe më 13 qershor morrën pjesë në konkursin kombëtar të juniorave me pjesëmarrës nga 21 shkolla të vendit.

"Mbasi fituam u morr vesh që do të vinim në konkursin në rang europian këtu, në Berlin dhe për një farë kohe  punuam për të kthyer informacionet dhe të gjitha dokumentat e kompanisë në anglisht, sipas kërkesave të jurisë këtu në Gjermani. Dhe tani jemi këtu ku jemi," thotë Stivi.

Këta tre të rinj shqiptar patën mundësi të këmbejnë këtu në Junior Achivement Europian përvojën e tyre me atë të të rinjve të vendeve të tjera. Ata nuk mendojnë se mund të fitojnë, sepse vlerësojnë se idetë e të rinjve të tjerë janë më atraktive. Megjithatë, thonë ata: "Kjo ishte një eksperiencë e madhe, që do të na ndihmojë edhe në të ardhmen të jemi më produktiv."


AnAida Cama  : Dw-World.de


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama