Te rinjte nje ekspozite per dashurine

Te rinjte, nje ekspozite per dashurine
Krijimet artistike të të rinjve, frymëzuar nga dashuria, paqja, jeta, janë subjekt i një ekspozite që do të çelet të premten, ora 18:00 në Muzeun Historik Kombëtar. E titulluar “1 + 1: Jetë dhe Dashuri", kjo ekspozitë sjell së bashku njëmbëdhjetë muze nga gjashtë vende të Ballkanit, iniciuar nga fondacioni suedez “Trashëgimi kulturore pa kufij”. Ideja e një ekspozite me një tematikë të përbashkët ka lindur tre vjet më parë, kur punonjës të këtyre muzeve, duke u mbështetur në frymën e bashkëpunimit dhe pajtimit, vendosën të punojnë së bashku. Me këtë ekspozitë është mundësuar komunikimi përmes lidhjes në internet e 11 ekspozitave në 11 muze të kryeqyteteve dhe qyteteve kryesore ballkanike.

“Ne kemi punuar me artistë të rinj për të gjetur mënyra të reja për të shprehur një ndjenjë që është e vjetër sa njerëzimi. Ekspozita jonë është fokusuar tek punimet artistike të të rinjve dhe më pas për t’i nxitur njerëzit që të shprehin dhe shkruajnë ndjenjat e tyre të sotme”, - thotë Sali Kadria, një prej kuratorëve të ekspozitës, i cili së bashku me Enver Kushin, Fatmir Boshnjakun dhe Entela Kasemin janë kujdesur për organizimin e kësaj ekspozite. Në të njëjtin kuadër, kjo ekspozitë do të takojë më  26 mars në Muzeun Kombëtar, një grup specialistësh të 11 muzeve nga 6 vende të Ballkanit si dhe specialistë të muzeve dhe përfaqësues të medias nga Suedia.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama