Te rinjte pine per te mos u rritur

Të rinjtë pinë për të mos u rritur
Dita e shënuar është e shtuna. Zakonisht rreth një tavoline mblidhen gjashtë, shtatë, ose tetë të rinj. E njëjta skenë përsëritet si në qytetet e mëdha, ashtu edhe në provinca. Në mes të tavolinës gjendet një shishe qelqi e madhe, brenda së cilës mund të ketë gjithçka: vodka, xhin, verë e bardhë ose e kuqe dhe kushedi se çfarë tjetër. Shishja mund të jetë e mbushur me një prej këtyre pijeve. Detyra e të rinjve është vetëm të pinë.

Kush ka thënë se adoleshentët nën moshën 16-vjeçare konsumojnë më pak alkool? Kjo është krejtësisht e gabuar. Pjesa më e madhe e lokaleve i zbatojnë me rigorozitet rregullat për të mos u shërbyer alkool adoleshentëve. Ndërsa një pakicë e vogël lokalesh mbyllin njërin sy kur bëhet fjalë për t‘u shërbyer alkool të rinjve. Gjithsesi adoleshentët e kanë gjetur një zgjidhje nëse nëpër bare nuk u lejohet të konsumojnë alkool. Por a dëshironi të dini se cila është tendenca e fundit? Tani dalin nga shtëpia me disa shishe të vogla në formë provëzash, të cilat përdoren për të bërë analiza gjaku, të mbushura me vodka, xhin dhe rum. Porosisin kokteje me lëngje frutash dhe më pas i hedhin brenda pijen alkoolike që kanë me vete.

Sipas një studimi të një Qendre Kombëtare Kërkimesh është vënë re se përqindja e studentëve që deklarojnë se janë dehur të paktën një herë në vit është 43 për qind; 35 për qind deklaron se është dehur muajin e fundit. Përmes të dhënave mësojmë se numri i adoleshentëve konsumatorë të rregullt të alkoolit vazhdon të rritet. Mosha që nisin pijen është 15 vjeç.

"Duhet të shqetësohemi më shumë për këtë problem", thekson një psikolog, i cili duket i shqetësuar për fenomenin që ka përfshirë të rinjtë. "Përveç kësaj tendence, është edhe një faktor tjetër relativisht i ri. Shumë adoleshentë nuk e frenojnë më veten nga e dehura e së shtunës mbrëma. Ndonjëherë pinë para se të shkojnë në shkollë, kur kthehen nga shkolla dhe gjatë pasdites. Më pas bien në gjumë të thellë. Në pjesën më të madhe të rasteve dalin pa u lagur nga kjo ngjarje, sepse prindërit nuk e kuptojnë".

"Gjithçka nisi te festat e vogla mes miqve, ku një ‘Coca-Cola‘ ose aranxhatë u zëvendësua me një birrë dhe gotë vere. Kur pija ndihesha më e çliruar, më pak e turpshme dhe më ‘llafazane‘. Më pëlqente kjo gjendje. Pas njëfarë kohe fillova të pyesja veten: E pse të pres deri të shtunën mbrëma?", tregon një 18-vjeçare. Kështu, dalëngadalë, birra filloi të mos e ngopte më. "Nisa të mbaja një shishe të vogël me uiski në xhepin e një xhupi, brenda dollapit të rrobave. Para se të shkoja në shkollë, ktheja një gllënjkë sa për të lagur fytin dhe për të marrë forca. Pastaj përtypja një çamçakëz për të larguar aromën e pakëndshme të alkoolit. Prindërit e mi nuk e kuptonin. Pija edhe gjatë pasdites kur dilja me miqtë, por edhe në mbrëmje kur kthehesha në shtëpi. Më pas bija menjëherë për të fjetur. Gjendja ime filloi të rëndohej. Mendoja se nuk do t‘ia dilja kurrë mbanë, por pastaj vendosa t‘i drejtohesha një psikologeje dhe falë ndihmesës, hoqa dorë nga alkooli".

"Qendra jonë përpiqet të ndërgjegjësojë të rinjtë mbi pasojat që sjell konsumimi i alkoolit, drogës, ‘mikroprostitucioni‘ dhe depresioni akut. Sigurisht mes këtyre faktorëve, alkooli ka pjesën më të rëndësishme", thotë Bernardi, drejtori i një qendre rehabilitimi. Nga 70 adoleshentët e kuruar në këtë qendër për probleme të cilat lidheshin me alkoolin, 43 janë vajza. "Herë vijnë të shoqëruara nga shoqet, e herë të tjera na telefonojnë nga urgjencat e spitaleve, ku paraqiten në gjendje të rëndë, pasi kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli". Po prindërit a janë në dijeni për veprimet e fëmijëve? "Ndodh shumë rrallë që të jenë vetë prindërit që i sjellin fëmijët te ne. Duket se ata nuk janë shumë të informuar mbi problemet që lidhen me alkoolin".

Zakonisht shumë prindër reagojnë duke e nënvlerësuar problemin: "Një e dehur? Ç‘mendoni se është? Edhe unë kur isha në moshën e djalit/vajzës sime…". "Është e vërtetë që alkooli ka ekzistuar gjithmonë, por bota, zakonet dhe kultura kanë ndryshuar", thotë një psikiatër dhe terapeut. "Në pjesën më të madhe të Europës mbizotëron moda dhe modeli tipik i vendeve anglosaksone, ose atyre të Lindjes. Të rinjtë dhe të rejat reagojnë ndaj alkoolit ndryshe nga ç‘bëhej 30 vite më parë. Porosisin kokteje dhe pinë pa hesap derisa humbasin krejtësisht vetëdijen".

Adoleshentët që pinë janë quajtur "social drinker": pinë nën shoqërinë e miqve dhe përziejnë gjithçka. Mbrëmja fillon herët me të ashtuquajturat "alcolpops", pijet alkoolike me shije frutash. Më pas vazhdohet me koktejet nga "Sex on the beach", te "Mojito", "Caipirinha" dhe "Chupito".

"Është e kotë të fshihemi, faji është i yni dhe i të rriturve", thotë një psikoterapeute. "Duhet bërë me këmbëngulje një fushatë e madhe kundër alkoolit, ashtu siç u bë edhe për duhanin. Sepse në vend që të ulet, numri adoleshentëve që konsumojnë alkool vazhdon të rritet. Duhen marrë masa të rrepta, si për shembull të ndalohet konsumimi i alkoolit nën moshën 16-vjeçare. Nuk e dimë se ç‘rezultate konkrete ka sjellë kjo gjë, por të paktën ka shërbyer për t‘i vënë frerë problemit, si dhe është folur gjerësisht për të. Nga ana tjetër, një problem madhor është edhe ai që ne përballemi çdo ditë me reklama të pijeve të reja alkoolike. Mjafton të shohësh një garë me motorë, shumë e ndjekur nga të rinjtë, për të parë pankarta ose sponsorizime të të gjitha të pijeve alkoolike".

"Adoleshentët e shohin të ardhmen jo si premtim, por si një kërcënim. Bëjnë një jetë pa pasione. Të rinjtë përfaqësojnë forcën maksimale të një shoqërie, por ç‘të ardhme do të kishim nëse nuk mbrojmë forcën tonë?", thotë psikologu dhe filozofi, Umberto Galimberti.

"Një natë shkova të merrja djalin në një disko, pasi kishte festuar ditëlindjen me klasën. E gjeta pothuajse pa ndjenja, të shtrirë poshtë një tavoline. Kush i kishte dhënë alkool atij dhe shokëve të klasës? Disa prej tyre e kaluan me të vjella dhe dhembje koke, të tjerë mund të kenë pasur probleme më të rënda. Por sa fëmijë të vegjël kanë përfunduar në koma për shkak të alkoolit?", tregon nëna e një 15-vjeçari.



Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama