Te rinjte presin pas dyerve por nuk kemi fonde ti punesojme

'Te rinjte presin pas dyerve, por nuk kemi fonde ti punesojme'

“Vallëzimi i ngjan valëve të detit. Kur janë të qeta të bëjnë të ëndërrosh dhe kur janë të shqetësuara dëshiron të fluturosh në krahët e ëndrrave që ndjell pamja e këtyre valëve... Dëshirat dhe qëllimet e mia gjithmonë kanë qenë për të afruar artin e kërcimit më ndryshe dhe më pranë zhvillimit të shijeve të shoqërisë, civilizimit dhe emancipimit, që ndodh këto kohë në shoqërinë botërore". Kështu e konceptonte profesor Panajot Kanaçi vallëzimin. Kjo pjesë është shkruar në vitin 1993 prej tij dhe është botuar në monografinë “Kështu e njoha unë Panajot Kanaçin” të Albert Jankut. Ansambli i Valleve dhe i Këngëve Popullore, me drejtues Rexhep Çelikun, do të prezantojë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit një koncert për të përkujtuar 90-vjetorin e lindjes së Panajot Kanaçit, më datë 25 shtator, ora 19.00 . Valltari Rexhep Çeliku tregon në një intervistë për gazetën “Shekulli” sesi në moshën 13-vjeçare, Kanaçi i ka hapur dyert për të qenë pjesë e ansamblit, e ka përgatitur për të qenë pjesë e grupit të valltarëve, e më pas drejtues në Ansamblin e Valleve dhe Këngëve Popullore.

Zoti Çeliku, aktualisht jeni duke punuar për koncertin që do të zhvillohet në nderim të koreografit Panajot Kanaçi. Cili është repertori që keni përzgjedhur për të prezantuar?

Aktualisht jemi duke punuar për përgatitjen e një koncerti me pjesët më të bukura të prezantuara nga profesor Kanaçi. Ai ka shumë pjesë, por jemi munduar që të zgjedhim më përfaqësueset për të gjitha trevat si: “Vallet e Luftëtarëve të Lirisë”, “Motive Çame”, “Motive Tiranase” etj.

Cilat janë pjesët që i keni më përzemër nga krijimtaria e tij?

Janë shumë pjesë,pasi në krijimtarinë e tij ai është marrë shumë me motivet e Veriut, Jugut, por dhe me të Shqipërisë së Mesme, pavarësisht se më tepër e kanë frymëzuar motivet Veriut. Vallet më të bukura të Panajotit janë perlat “Festa e madhe” dhe “Luftëtarët e lirisë”.

Çfarë kujtimesh ruani për ish-profesorin tuaj?

Ruaj shumë kujtime për të sepse këtë vend që e gëzoj sot si valltar, krijues, por dhe si drejtues i ansamblit e kam nisur në moshën14-vjeçare, pas kursit që kam bërë me profesor Panajotin. Në moshën 16-vjeçare kam filluar punë në ansambël. Janë gati 46 vjet nga të cilët 43 i kam bërë si ekzekutues dhe drejtues i këtij ansambli. Pas humbjes së profesor Kanaçit kam marrë në dorë drejtimin e ansamblit.

Nga bashkëpunimet që keni pasur me të, cilin do të veçonit?

Në periudhën e fundit ai krijoi numrin koreografik solistik, “Duetin e shqiponjave”. E nisëm si me shaka, por doli pastaj një nga numrat më të bukur që ekziston deri më sot. Ajo pjesë kishte një fabul që tregon sesi Shqipëria ndihmon Kosovën dhe të dyja bashkë mund të ngihen. Ai ishte shumë largpamës, prandaj dhe këtë numër koreografik e shikonte si një mundësi që Kosova dhe Shqipëria të ndërtojnë dhe fluturojnë së bashku në të ardhmen. Ishte shumë i afruar me ne si artistë të rinj, por dhe na vinte përballë një përgjegjësie pasi me vërejtjet që na bënte, falë tij vazhdojmë që të jemi në këtë proces pune. Përpos koncertit keni bërë dhe një kërkesë drejtuar President të Republikës, që profesor Panajot Kanaçit t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”... Meqenëse profesori ka 90-vjetorin e lindjes, ne si kolektiv i kemi propozuar presidentit dhe drejtorisë që t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”.

Nga 22 çifte aktualisht në ansambël punojnë 8 çifte. Sipas jush, çfarë mendoni se duhet bërë që ansambli të zhvillohet më tej?

Kjo varet nga buxheti që do të akordohet për ansamblin, pasi dhe pse diskutohet që të hapen vende pune, ne e shikojmë që një pjesë dërrmuese e rinisë janë të pa punë. Nuk duhet që të krijojmë gjendjen euforike se na duhen sa më shumë njerëz, por të zgjasim këmbët sa kemi jorganin.

Sa të interesuar janë të rinjtë për vallet dhe këngët popullore?

Të them të drejtën janë shumë që rrinë pas dyerve dhe duan që të jenë pjesë e ansamblit, por për fat të keq nuk kemi mundësi për t’i pasur pjesë të stafit, pasi nuk ka kush t’i paguaj. Aktualisht në ansambël jemi rreth 35 veta, nga 90 që kemi qenë dikur.

Zamir Këlliçi, përgjegjës i Arkivës së Operës

Një nga personat që përkujdeset për punën që ka bërë Panajot Kanaçi, është edhe përgjegjësi i i Arkivës së Operës, Zamir Këlliçi. Ai e cilëson profesor Panajotin si babanë e vallëzimit shqiptar, jo vetëm të koreografisë. “Në çdo arritje dhe sukses të solistëve dhe koreografëve shqiptarë është dora e Panajot Kanaçit. Ai ishte një erudit, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe një nga studentët e parë që mori një diplomë në Bashkimin Sovjetik. Për të janë shkruar disa libra si: libri i koreografit Ëngjëll Tërshana dhe një tjetër i Albert Jankut. Në arkivin e Teatrit të Operës ndodhen shumë dosje të tij dhe kjo është meritë e nipit të tij, Anastas Pavlit, i cili nuk e trajton më Panajotin si dajën e tij, por i si një figurë që i takon kombit shqiptar”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama