Te rrisesh vetem nje femije

Të rrisësh vetëm një fëmijë
Ka të tjera, që pasi kanë marrë vesh lajmin e shtatzënisë, kanë vendosur ta çojnë deri në fund barrën, të bindura për faktin se nuk do ta kenë mbështetjen e babait të fëmijës. Femra, të cilat kishin në dispozicion të ardhura të mjaftueshme, por që s’kishin gjetur njeriun e duhur, i janë drejtuar fekondimit artificial.

Të gjitha këto nëna kanë kënaqësi të madhe të sjellin në jetë një fëmijë dhe të kujdesen për të, edhe pse vështirësitë janë të mëdha: shumë prej tyre vuajnë problemin financiar, vetminë dhe mospasjen e kohës së lirë. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, në vendet europiane nënat e divorcuara me një fëmijë përbëjnë mbi 11 për qind të popullsisë. Puna e nënës beqare është zanati më i vështirë në botë. Tensioni psikologjik që ndiejnë është i madh, kur shtohet pesha e përgjegjësisë, të cilën një nënë duhet ta përballojë e vetme. Ndonjëherë ka nga ato nëna që ndihmohen nga prindërit, motrat, vëllezërit dhe të afërmit, por ka të tjera që mbështeten vetëm te forcat e veta. Energjia që kërkohet është shumë e madhe. Të jesh nënë dhe të punosh në të njëjtën kohë është tepër e vështirë, edhe kur një grua ka burrin pranë. Gjërat që duhen bërë nuk përfundojnë kurrë.

Pas punës një nënë nuk di se çfarë të bëjë më parë: të shkojë në shtëpi apo të marrë fëmijën në shkollë, të bëjë pazarin, të shkojë në shtëpi që të ndihmojë fëmijën të bëjë detyrat, të gatuajë, të vendosë rrobat në lavatriçe për t’u larë, apo të pastrojë shtëpinë? Ajo e di se të gjitha punët presin atë, kështu që vendos të bëjë disa minuta pushim, duke bërë një banjë me ujë të nxehtë. Pas gjithë kësaj sforcoje, është normale të ndihet në ankth dhe e lodhur ose t’i duket sikur është e izoluar. Mikeshat beqare, ose ato që mund të mbështeten te një shok, të paktën bashkëpunues, sigurisht që kanë një jetë më të thjeshtë. E mira do të ishte që të kërkoni të ndërtoni një rrjet shpëtimi, me të tjera mama beqare, për të pasur ndihmë reciproke. Duhet të shihni me kujdes anën pozitive të gjendjes suaj familjare. Gjëja më e rëndësishme është të mos mbizotërojë dëshpërimi. Të gjesh një ekuilibër nuk është e lehtë, por jo e pamundur.

“Kur vajza jonë Eva ishte 15-muajshe, bashkëshorti im më la dhe iku jashtë shtetit me të dashurën e tij të re. Prindërit e mi jetojnë larg. Në atë periudhë ndihesha totalisht e pafuqishme për të përballuar e vetme jetën”, tregon Meri. E kush nuk do të kishte ndier të njëjtën gjë? “Për fat të mirë, sidomos gjatë periudhës së parë, më ndihmoi tezja e ish-bashkëshortit tim. Problemi më i madh pas parave, ishte menaxhimi i kohës dhe organizimi. Për këtë gjë vendosa ta ndërgjegjësoja dhe ta vija para përgjegjësisë vajzën time. Nuk kishte asgjë të veçantë: do t’i mësoja të vishej dhe të lahej vetë, të rregullonte krevatin, të bënte gati rrobat për ditën tjetër, të shtronte dhe të ngrinte tavolinën. Sot Eva ka mbushur gjashtë vjeçe dhe është ‘gruaja ime e vogël’”, tregon. Gabimi që bëjnë mamatë e vetmuara është pikërisht fakti që nuk e vënë veten asnjëherë në vendin e fëmijëve. Nëse keni krijuar bindjen se ekzistoni vetëm për fëmijën, sigurisht që kjo nuk është një mënyrë e drejtë të jetuari. Nuk do të ishte keq që njëherë në javë për disa orë t’ia besonit fëmijën një dadoje, një mikes suaj, apo gjyshes, ndërsa ju shkoni disa orë në palestër, apo bëni diçka tjetër për të hequr mendjen.

Një nga gabimet e shpeshta që bëjnë mamatë e vetmuara është mënyra e të qenët prepotente dhe shumë të pranishme në jetën e fëmijës: lërini fëmijët të bëjnë jetën e tyre, mos u bëni të bezdisshme. Përpiquni që edhe ju të viheni në kontakt me realitetin, mos u mbyllni si në guaskë. Kujtoni se fakti që fëmija juaj është duke u rritur vetëm nga një prind nuk do ta bëjë atë të mos ndihet i dëshiruar. Nëse divorci ose ndarja është e “freskët”, mos ia mohoni fëmijës prezencën e figurës atërore. Babai nuk do të jetë i përditshëm në familje, por ai vazhdon të jetë prindi i tij. Jo më pak i rëndësishëm është edhe kontributi në rritjen e fëmijës: një krizë financiare është gjëja e fundit nga e cila do të vuajnë. Nëse jeni një mama që keni zgjedhur të jetoni e ndarë, nuk duhet t’ia fshihni fëmijës. Duhet t’i flisni për babanë, madje do të ishte më mirë ta bënit ju se sa dikush tjetër përpara jush. Mos i ushqeni urrejtje për të atin.

Një tjetër gjë shumë e rëndësishme është të mos i lejoni fëmijët të bëhen tiranë. Jeni një skuadër, duhet të keni një bashkëpunim reciprok për të funksionuar më së miri gjërat. Nuk duhet të harroni se bëni një punë të dyfishtë: kjo është një sforco shumë e madhe. Mos u përpiqni të gjeni defekte te vetja dhe të ndiheni në faj: fëmijët mund ta kuptojnë këtë gjë dhe nuk është aspak mirë. Si të gjithë të tjerët edhe fëmijët tuaj kanë nevojë për stabilitet, një element ky shumë i rëndësishëm për një fëmijë që ka vetëm njërin nga prindërit. Ata kanë vërtet nevojë për një ambient të ngrohtë familjar (shtëpi, punë, miq...)




Artikujt e fundit


Reklama

Reklama