Në ditët e sotme, fakti i një ndarjeje nuk përbën ndonjë lajm të veçantë. Ndarjet janë bërë thuajse një rutinë e zakonshme, e përditshme. Dhe ajo që të bën më shumë përshtypje është se ndarjet në martesat me një jetëgjatësi të madhe janë bërë diçka e shpeshtë kohët e fundit. Është e vështirë të kuptohet se si dy njerëz që kanë jetuar 20-30 vjet së bashku, të vendosin të ndahen. Por s'ke ç'bën. Pavarësisht nga arsyet, shkaqet që çojnë në një ndarje të tillë, tashmë është fakt i pakundërshtueshëm se numri i divorceve në martesat afatgjata rritet vazhdimisht, me ritme të çmendura. Ku do të shkojë vallë?!
Shkaqe që shtyjnë në ndarje
Të shumta janë arsyet që mund të shtyjnë një martesë afatgjatë në ndarje. Një prej tyre është rrënimi fizik i marrëdhënies, për shkak të kalimit të kohës. Kur vetë çifti nuk përpiqet ta rinovojë këtë marrëdhënie, natyrisht që do të vijë monotonia dhe më pas shkatërrimi. Mënyra me të cilën u ndërtua lidhja në të kaluarën përbën një arsye që mund të çojë në ndarje pas shumë vjetësh martese. Nuk ekzistonte gjithnjë në shoqëri liria për të zgjedhur shokun e jetës.
Shumë femra detyroheshin prej familjeve të tyre ose nga rrethanat e jetës, të martohen me një burrë të caktuar me të cilin bënin fëmijë dhe vazhdonin jetën me të mirat dhe të këqijat që mund të sillte një marrëdhënie e tillë. Në rastet më të shumta çifti jeton me të gjitha problemet që i paraqiten në jetë, dhe në çastin kur çlirohet nga detyrimet ndaj fëmijëve, d.m.th kur fëmijët kanë arritur moshën e pjekurisë, vendosin të ndahen, duke realizuar në këtë mënyrë qoftë edhe pas shumë viteve, dëshirat dhe ëndrrat që mbetën të shtypura për kaq kohë.
Një arsye mjaft e zakonshme që mund të çojë një martesë afatgjatë në ndarje i detyrohet ekzistencës së një personi të tretë, një të dashure ose një të dashuri. Sigurisht tradhtia në martesë dëshmon për problemet që ekzistojnë në martesë, si dhe mungesës së kënaqësisë së bashkëshortit ose të bashkëshortes. Kështu që nuk janë të pakta gratë dhe burrat që kanë tradhtuar njëri-tjetrin. Ndërsa ekziston edhe një kategori femrash që shkojnë deri në ndarje pa dashur ta pranojnë tradhtinë.
Një tjetër arsye tepër e thjeshtë për të cilën ndahen çiftet rëndon mbi vetë çiftin, me zgjedhjet e gabuara dhe sipërfaqësore që mund të bëjnë për shkak të një dashurie momentale si dhe tërheqjes seksuale të çastit. Është e vërtetë që kur dy njerëz dashurohen nuk gjykojnë me qartësi dhe kur pasion i bie gradualisht ndërgjegjësohen për situatat dhe problemet të cilat jua bëjnë të vështirë bashkëjetesën. Shumë njerëz pohojnë se duhet të ishin treguar më të kujdesshëm në zgjedhjen e shokut të jetës së tyre.
Pas njëzet vjet martese njerëzit i mendojnë dhe i gjykojnë situatat me gjakftohtësi. Kështu ata zbulojnë se një pjesë e madhe e jetës së tyre përbëhej nga gabime, mungesa dhe faje të cilat nuk ishin marrë në konsideratë. Është fakt se marrëdhëniet dashurore si dhe filozofia që fshihet pas tyre nuk mësohet në asnjë shkollë. Njerëzit i drejtohen njëri- tjetrit pa qenë në gjendje t'u vënë kufij gjërave. Një marrëdhënie dashurie është një organizëm i gjallë që nuk zhvillohet vetëm, ai ka nevojë për mbështetjen e të dy personave ose të dy bashkëshortëve. Dhe më në fund ajo që sjell fundin tek një lidhje është padituria dhe mungesa e të resë.