Pjesë të ndryshme të trupit njerëzor, të printuara në uniformën e spitalit, vijnë përmes imazheve fotografike të realizuara nga artistja amerikane Elizabeth M. Claffey
“Unë kam besim të madh te fotografia dhe natyra njerëzore. Unë besoj se një fotografi mund të trokasë edhe në pjesët më të mbrojtura të një personi, aty ku ai ka fshehur dobësitë e tij, të prishë barrierat dhe t’i tregojë atij rrugën për të kuptuar. Unë përpiqem të fokusoj me aparatin tim këtë moment, sepse këto janë momente që mund të zbulojnë të vërtetat e natyrës sonë”. Ky është thelbi i punëve të artistes amerikane Elizabeth M. Claffey, e cila këtë eksperiencë të saj e sjell për herë të parë edhe për publikun shqiptar në ekspozitën e parë personale në Galerinë Miza në Tiranë. “Kjo është një ekspozitë që ka si synim dialogun kulturor mes publikut, artistëve shqiptarë dhe personaliteteve të artit botëror”, – shprehet Olsion Lamaj, i galerisë Miza.
Ekspozita e artistes Elizabeth M. Claffey titullohet “Uniforma”. Ajo prezantohet para publikut shqiptar me dy punë “Uniformat e Spitalit”, që janë imazhe fotografike, dhe “Pritja”, punë video. Mjedisi ku artistja vendos idenë e saj janë ato të një spitali. Përmes këtyre punëve ajo përpiqet të hetojë eksperiencën e ftohtë dhe të ngurtë që individët përjetojnë brenda një spitali. “Uniformat e Spitalit”, siç thamë, përbëhet nga imazhe fotografike të individëve të panjohur, krejt anonimë, meshkuj dhe femra që shfaqen me pjesë të ndryshme trupi, të printuara në uniformën e spitalit. “Larmia e individëve të përfaqësuar në këtë seri sugjeron që ekspozimi ndaj sistemit mjekësor është një eksperiencë njësuese, e shkëputur nga çështjet gjinore dhe racore.
Falë procesit të transferimit fotografik të ushtruar në punim, imazhet e trupave shfaqen si të paqarta dhe të fragmentizuara. Ky rezultat, i çiftëzuar me mungesën e një koke apo të një fytyre, sugjeron se një faksimile e degraduar ose e dobësuar është gjithë çka mbetet nga vetja e mëparshme”, – shpjegon idenë e artistes kuratori i kësaj ekspozite, Ryan Mandell, edhe ky një artist që si element kryesor në punën e tij ka arkitekturën. E parë nga ky këndvështrim, për kuratorin Mandell “Uniformat e Spitalit”, me formalitetin e tyre të dukshëm, transparencën dhe pamjen e tyre, përbëjnë substrate të denja për këto imazhe, jo vetëm sepse uniforma menjëherë i bën referencë një mjedisi spitalor, por edhe sepse karakteristikat e tij ngjallin ndjenjën e lëndueshmërisë, të përkohshmërisë, dhe kalimtares. Uniformat e Elizabeth M. Claffey qëndrojnë të varura në një varëse teli të thjeshtë dhe sipas kuratorit Mandell, kjo vendosje thekson eksperiencën e këtyre qenieve njerëzore si fantazma dhe jo si qenie konkrete.
“Kjo tregon reduktimin e pacientit nga realiteti fizik në një koncept abstrakt”,- shprehet Mandell. Ndërsa tek videoja “Pritja”, vetë Elizabeth M. Claffey shfaqet e veshur me një këmishë spitalore. Ajo qëndron e ulur dhe duket në siklet në atë mjedis të sertë, siç fundja janë të gjitha mjediset spitalore. Ajo është një nga të shumtët njerëz që po pret mjekun të vijë. “Rreptësia pamore e kompozimit, pezullimi i figurës në qendër të kornizës dhe distancës nga kamera, gjatësia torturuese kohore dhe parehatia fizike, të gjitha shpien në ndjenja tjetërsimi, kontrolli dhe dobësie”, –shpjegon Mandell diçka që në fakt artistja e jep mjaft qartë në pamjet e saj.
Nëpërmjet imazhit, formës dhe mediumit, puna e Claffey-t artikulon marrëdhënien komplekse midis individit dhe vetes së tij fizike brenda këtij konteksti. Punët më të fundit të saj hulumtojnë marrëdhëniet mes praktikave mjekësore dhe përvojave jetësore. Nëpërmjet imazheve, rrëfimit personale dhe hulumtimeve krijuese tregon se si ndërveprimi individual me praktikat mjekësore dhe institucionet e saj mund të ketë ndikim në cilësinë e jetës së dikujt dhe se si ekzaminimi klinik mund të shkaktojë tek një person një vëmendje për ta parë trupin, dhe jo si një objekt të huaj.