Kështu që Ministria e kulturës duhet të hartojë një strategji afatshkurtër në këtë drejtim: Të investojë në një televizion kombëtar për realizimin e disa programeve trajnuese për hajdutët e këtyre pasurive, që ata mos të përdorin sqeparin p.sh, por daltat, ose, sipas një plani të Ministrisë për privatizimin e tyre, të informojë hajdutët se cilat objekte janë në listën e vjedhjeve dhe cilat jo, ose cilat duhet të vidhen nga hajdutët e kategorisë së tretë dhe cilat nga ata të kategorisë së parë.
Në këto programe mund të jepen dhe të dhëna për vlerën e tyre dhe tregun ku duhet të shiten. Kështu dhe hajduti fiton dhe shteti realizon politiken e privatizimit dhe indirekt i ruan këto vlera të rralla të kulturës sonë. Më vonë, kur shteti të forcohet dhe ndërgjegjësohet, ne mund t’i huazojmë ato për t’i publikuar në muzetë tona disa ditë, si u bë më shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut, apo mesharin e Gjon Buzukut.
Në këto raste vërtet shteti pagoi disa qindra mijë Euro, por kjo do të ndodhë vetëm një herë në 50 ose 100 vjet, në përvjetorët e plotë të pavarësisë, ndërsa fitimi për qeverinë tonë do të jetë shumë i madh se do të kursejë miliona Euro që i duhen për ruajtjen, mirëmbajtjen si dhe për të përballuar luftën dashakeqëse të shoqërisë civile. Kujtoni Dean e Butrintit. Sikur më 1997-n, ajo të ishte në muzeun e Butrintit, me siguri do të ishte vjedhur nga ndonjë hajdut i patrajnuar dhe mendoni sikur të kishte përdorur dhe ai sqeparin. Kujtoni mesharin e Gjon buzukut, përkrenaren e Skënderbeut e shumë të tjera që kanë shpëtuar pikërisht nga hajdutët e trajnuar dhe të ndërgjegjësuar.
Po monumentet e mëdha të kulturës, si ndërtesat, kalatë e të tjerat si këto, që nuk i vjedh dot një hajdut i vetëm, si mund të shpëtojnë? Për këto zgjidhja do të ishte si metoda e ruajtjes së mozaikëve, të mbulohen me dhe, me shtresa të mëdha dheu ashtu si i ka mbrojtur koha për mijëra vjet. Ka qenë gabim i madh gërmimi dhe zbulimi i tyre për shoqërinë tonë që nuk është përgatitur për t’i vlerësuar dhe ruajtur ato. Në këtë mënyrë Ministria e Kulturës mund të realizojë pa problem dhe privatizimin e truallit sipër tyre duke ua dhënë biznesmenëve për hotele dhe motele. Pas 200-300 vjetëve, kur kombi ynë të jetë qytetëruar dhe të ketë nevojë të mësojë rrënjët e tij, ato do të dalin në dritë aq të ruajtura sa i kemi sot dhe jo si mund të katandisen nëse i lëmë mbi tokë në duart e hajduteve të pakulturuar. Mos mendoni se ky propozim është për shaka.