Depresion gjigand dhe masiv, energji e tepërt destruktive, vetëvrasje dhe stres, tension i lartë emocional, por edhe shumë vetmi… Shumëkush mund t’i ketë konstatuar çdo ditë të jetës së vet përreth ose tek vetja, por Artan Fuga në këtë intervistë për « MAPO » bën për herë të parë një autopsi të imtësishme filozofike të këtyre fenomeve « të nëndheshme» , shpesh të mohuara ose të fshehura. Nëse në librin e tij më të fundit « Rrota e mundimit » këtë gjë e bën nëpërmjet metaforash dhe fabulash filozofike në formë esesh, në këtë intervistë analitike, filozofi shqiptar me « katedër » në Paris bën bilancin e agresivitetit në shoqërinë shqiptare me një sinqeritet që vetëm filozofët mund ta kenë. Sepse « filozofi ka vetëm një detyrim profesional, të gjejë të vërtetën e fshehur, atë që njerëzit e fshehin, të nxjerrë në dritë atë gënjeshtrën e madhe » : Atë të cilën filozofi ynë social e quan « eufemizëm » dhe që ne do ta kishim përkthyer për më thjeshtë në hipokrizi masive, ndërsa sërish sipas Fugës « Ne kemi hyrë në një krizë semantike, sepse fjalët nuk shprehin të vërtetën, por janë eufemike. Njeriu flet për gjëra sekondare vërtetësisht, se thelbet e çështjeve serioze i mbulon ».
Përtej këtij « ekrani të tymosur », filozofi na zbulon lakuriq përballë agresivitetit tonë social : «Shikoni nivelin e zhurmës në zonat urbane dhe do të kuptoni sesa agresivë jemi me njeri tjetrin. Shihni nivelin e ndotjeve. Shihni sesi pranë një dyqani ngrihet një i dytë dhe një i tretë që shet të njëjtat mallra.» Ndërsa përgjigjia e tij për pyetjen se përse kemi kaq shumë shenja të hapura agresiviteti është se shoqëria shqiptare, në ndryshim nga shoqëritë e sotme moderne, nuk i ka të përpunuara aq shumë manierat hipokrite të fshehjes së urretjes ndaj tjetrit. « Ne urrehemi sy më sy. Urrehemi me shikim të parë ». Pastaj, sipas tij kjo vjen ngaqë urrejtja sociale apo kundër kombeve të tjera ose lufta e klasave, për një kohë janë shmangur disi dhe kësisoj inati plas në nivel individual, pra si ai uji që shpërthen nga mijëra vrima të vogla. Energjinë shkatërruese të tjetrit filozofi ynë e gjen edhe në luftën e posterave të kandidatëve gjatë fushatave elektorale. Megjithëse energjia agresive nuk mund të shuhet pasi është pjesë e njeriut, filozofi sugjeron që « së paku një pjesë e saj, ajo që është me ekses, ajo që dikur derdhej nëpër burgje, aksione, luftë klasash, letra anonime, spiunllëqe, tortura, pra pjesa e tepërt, ajo që nuk ezaurohet dhe konsumohet tërësisht në shtretër bashkëshortorë, në motele, në mbledhje partie, duke shitur e fërkuar barkun prapa banakut të një dyqani, ajo që nuk shteron duke ngarë veturën, duke shtrënguar me dorë mbrokullën e timonit të saj dhe levën e marsheve, pra libidon automobilistike, le të shkojë në sporte, në shëtitje, eskursione, mbjellje pemësh, ndërtime, pra të jetë një energji destruktive ndërtuese »...
Titujt e librave zakonisht bëjnë udhëtim interesant në kërkim të thelbit. Si mbërritët deri tek titulli përfundimtar i librit që keni bërë gati për botim?
Titulli i librit është gjëja që më ka munduar më shumë pasi e kam shkruar atë. Në fillim kishte një emër tjetër që nuk po e them sepse kujtesa njerëzore është gjëja më e çuditshme në botë, mban mend zakonisht gjërat e gabuara, ato që krijojnë probleme dhe jo gjërat e sakta. Pra, kam frikë se po t’a thosha titullin e parë do të mbahej mend ai titull që në fakt u ndryshua. Keni parë se njerëzit ende flasin me lekë të vjetra ? Nuk e duan ndryshimin. Njerëzit që kujtojnë se nuk harrojnë asgjë, ka pas shkruar, një nga etërit e Kishës shumë shekuj më parë, janë harraqët më të mëdhenj, sepse ata harrojnë se edhe kanë harruar, prandaj iu duket sikur kujtojnë çdo gjë. Kujtesa njerëzore êshtê një mekanizêm qê të gabon. Imagjinoni ata që tregojnë ngjarje ku pretendojnë se kanë qenë dëshmitarë okularë, gjithë kohën gënjejnë padashje.
Përfundimisht libri u quajt Rrota e Mundimit, në këshillim dhe shkëmbime të frytshme mendimesh me drejtoren e botimeve « Dudaj dhe Universiteti Marin Barleti Press », zonjën Arlinda Dudaj. Në fakt është edhe një nga simbolet e librit. Është fjala për Rrotën ku gjatë Mesjetës ndëshkoheshin ata që dënoheshin se akuzoheshin se kishin bërë krime apo faje që drejtoheshin kundër ideologjisë së kohës. Të dënuarit që i detyronin të qendronin brenda kësaj rrote gjigande, e lëviznin vetë atë duke ecur brenda saj, pra ishte si një lloj perpetuum mobile e ndëshkimit që e riprodhonte veten nga vetja. Një inat që lëvizte vetveten. Por, ka edhe më shumë se kaq, sepse kjo rrotë gjigande e vënë në lëvizje diku brenda kështjellave në fakt shërbente edhe si një rrotë çikriku për të furnizuar kështjellat me ushqime që tërhiqeshin nga një litar që rrotullohej nga rrota në fjalë. Kjo quhet transformimi i energjisë së inatit në ndëshkim dhe nga ndëshkimi në punë, pra një lloj shndërrimi i inatit dhe i mundimit në faktor ekonomik. Unë i përkas asaj influence që pranon se mekanizmi më i thellë i shoqërisë njerëzore është pikërisht transformimi i psiqikes, sidomos energjisë së tepërt shkatërruese në punë. Hiqni punën dhe kjo energji destruktive do të drejtohet kundër njeriut ose kundër vetes duke shkaktuar vetëvrasje ose stres ose depresion gjigand dhe masiv.
Pse e gjetët agresivitetin kaq interesant filozofikisht?
Ndjeja prej kohësh se duhej të flisja për agresivitetin, për inatin, për ndjenjën e shkatërrimit, për instinktin e vdekjes që ushqen njeriu, e që Frojdi e quante në librat e tij me një fjalë të vjetër greke, Tanatos. Në fakt, kam qenë në këtë libër shumë i ndikuar nga psikanaliza. Individi njerëzor qysh në vitet e para të jetës vërtetohet se i u bindet normave dhe rregullave, tabuve që i vendos shoqëria që në fakt janë sa shtypëse për lirinë e tij natyrore, por edhe aq të domosdoshme për mbijetesën e tij. Njeriun në vegjëli e bën njeri ndalesa, jo – të që i imponojnë prindërit, autoriteti. Gjithë jetën pastaj njeriu e urren autoritetin sepse e shtyp duke i vënë ndalesa, por edhe e adhuron atë në një farë mënyre sepse i vendos rregull në botë. Në këtë mënyrë, njeriu është një fuçi shpërthyese revolte dhe inati, agresiviteti të errët, shpërthimi, por edhe dashurie. Këto janë instinkte që e shoqërojnë gjatë jetës.
Mirëpo institucionet e kohëve primitive dhe ato të sotmet, ideologjitë sunduese, kultura, njerzit në jetën e përditshme e fshehin agresivitetin e tyre, e mbulojnë, nuk e shfaqin, por amà e kanë të fshehur. Gjeni një njeri që të thotë se « Unë jam një tip agresiv » apo « Unë dua t’iu bëj keq njerëzve ». Vështirë se do t’a gjeni edhe një të vetëm. Por, atëhere unë pyes, po luftrat kush i bën, po dyert përse i mbyllni natën, po lekë, pra parà, përse përdor shoqëria, pse ka dënime dhe kërcënime për ndëshkime në punë, në rrugë, në shkolla, në familje, kudo ? Përse mbledhin pasuri njerëzit ? Përse kërkojnë të ngrihet rendimenti i punës fshehur nga konkurrenti ? Përse ka konkurrencë në treg ? A mund të kishte të tilla dukuri nëse njeriu, veç dashurisë, nuk do të ishte edhe agresiv, me inat dhe kërcënim për të tjerët ? Jo. Këto ndodhin sepse shoqëria ka nevojë sipas saj të shtypë dhe t’i bëjë ballë agresivitetit njerëzor, që ushqen edhe dashurinë.
Forma më e lartë e dashurisë, ajo seksuale, është njëkohësisht, dëshirë për të dominuar trupin dhe shpirtin e tjetrit, pra përmban një lloj agresiviteti latent të shfaqur në mijëra simptoma. Dashuria është e shoqëruar nga xhelozia që është një formë sintetike e urrejtjes dhe e dashurisë. Kush dashuron pa ndjenjën e posedimit të tjetrit që ndodh të shkojë deri në vrasje ?
Individi e fsheh dhe e zbut agresivitetin ndaj të tjerëve nëpërmjet moralit. Por, te ne morali ka pësuar një tërheqje, prandaj edhe shenjat e agresivitetit janë të mëdha. Agresiviteti patologjik shfaqet te fjalët që përpiqen t’a fshehin atë. Kështu ne jetojmë në një qytetërim gënjeshtar, hajde po e them në formë të zbutur, në një qytetërim eufemik, sepse njerëzit, çdo njeri, kërkon të mbulojë agresivitetin e fshehur karshi të tjerëve. Sistemi politik kështu funksionon që kur dy ose më shumë persona kandidojnë për të njejtin post. Askush nuk thotë : Le të fitojë tjetri !
Është e shkruar te njeriu për të qenë egoist, duke e fshehur atë. Thonë se i shërbejnë njerëzimit pa i kërkuar shkëmbime në të mira. Nuk është e vërtetë. Kërkojnë lavdinë. Askush nuk e bën të mirën fshehurazi, si hajdut, sikur fsheh ndonjë të keqe, sikurse kërkonte Jezusi. Hiqeni nga mendja. Edhe kur bëjnë dhurata të mëdha, i bëjnë për të treguar lavdinë, gjenerozitetin, pasurinë e tyre, për të të bërë të detyruar.
Pra, në këtë pikëpamje, njeriu është hipokrit, flet për gjëra sekondare vërtetësisht, se thelbet e çështjeve serioze i mbulon. Kemi hyrë në një krizë semantike sepse fjalët nuk shprehin të vërtetën, por janë eufemike. Këtë e quaj qytetërim eufemik. Themi për shembull se po montojmë një pompë uji në bodrumet e pallatit, në fakt kjo fsheh diçka tjetër që mund të thuhej më troç : Po bëjmë çmos për t’ia u marrë ujin atyre qenieve (qenieve thashë jo « qenve ») që banojnë te ai pallati tjetër.
Filozofi ka vetëm një detyrim profesional, të gjejë të vërtetën e fshehur, atë që njerëzit e fshehin, të nxjerrë në dritë atë gënjeshtrën e madhe.
Nga këndvështrimi filozofik, që është ndoshta më esenciali dhe më i thelluari bashkë me atë psikologjik, si duket shoqëria shqiptare? Më e justifikuar apo edhe më e deformuar se ç’e shohim ne nga sipërfaqja e përditshmërisë?
E deformuar në raport me çfarë ? Se të thuash se është e deformuar, kjo nënkupton se ka një model perfekt, një shoqëri etalon dhe pastaj të gjitha duhet të maten me të. Një iluzion tronditës. Vaj medet ata që jetojnë me këtë iluzion në kokë. Janë si ato vajzat e dikurshme adoleshente që kërkonin për t’u fejuar me djaloshin pa vese e perfekt. Shoqëria shqiptare është në jetën e përditshme më agresive sesa shoqëritë e tjera në kuptimin se ajo e shfaq urrejtjen ndaj tjetrit më hapur. Por, ajo është më e sinqertë në hipokrizinë e saj sesa shumë e shumë shoqëri të tjera ku hipokrizia ka bërë që shumë shfaqje latente agresiviteti të mbulohen me mijëra maniera.
Shikoni nivelin e zhurmës në zonat urbane dhe do të kuptoni sesa agresivë jemi me njeri tjetrin. Shihni nivelin e ndotjeve. Shihni sesi pranë një dyqani ngrihet një i dytë dhe një i tretë që shet të njejta mallra. Ekonomikisht kjo nuk do të ndodhte nëse individët nuk do të ishin agresivë të sinqertë kundër të tjerëve. Unë do të hap një dyqan – kjo shprehje është eufemike, e gënjeshtërt, e sinqertë do të ishte : Unë do t’i marr klientët këtij maskarait këtu pranë. Shikoni se çfarë i kemi bërë detit ? E ndyejmë çdo ditë duke e bërë tê papërdorshëm sepse hedhim atje fekalet tona, ose i filtrojmë pranë tij
Në lidhje me agresivitetin, ju mendoni se është i brendshëm apo social tek individi dhe pse ka kaq shumë shenja të hapura agresiviteti në shoqërinë shqiptare ?
Nuk e bëj më këtë ndarjen midis asaj që është brenda dhe asaj që ështê jashtê njeriut. Kush e provon se kjo ndarje ekziston. Nuk është veçse një iluzion që u imponua në kulturë atëhere kur humanistët për të luftuar kundër kishës thanë se trupin është i shtetit, kurse shpirti i Zotit. Pra, dallimi midis asaj që është brenda dhe asaj që është jashtë njeriut nuk përbën veçse një gjuhë politike e fabrikuar për qëllime pragmatike pushteti.
Unë mendoj se qenia njerëzore nuk mund të mos jetë agresive, pra të mos dojë të zotërojë botën, kafshët, sendet, njerëzit e tjerë, territoret, e kështu me rradhë. Pa këtë aspekt shoqëria nuk do të ekzistonte. Njeriu ka nevojë për njerëzit e tjerë në këtë sundim të botës, prandaj edhe socializohet.
Unë mendoj se sasia e energjisë tanatosiane, pra e inatit, është konstante në botë. Dhe këtu ka një korrelacion midis inatit individual dhe inatit kolektiv, pra social. Ka kohëra kur inati shfaqet si inat kolektiv, si inat social. Këtu ai drejtohet kundër shtetit, kundër diktatorit, kundër kombit tjetër, kundër një klase. Por, kur këto luftëra sociale përkohësisht zbehen, atëhere inati është si ai uji, që plas në një anë tjetër, si vullkani në erupsion.
Përgjigja ime ndaj pyetjes se përse kemi kaq shumë shenja të hapura agresiviteti është se së pari shoqëria shqiptare nuk i ka të përpunuara aq shumë manierat hipokrite të fshehjes së urrjetjes ndaj tjetrit. Ne urrehemi sy më sy. Urrehemi me shikim të parë. E dyta, sepse meqë urrejtja sociale apo kundër kombeve të tjera apo lufta e klasave për një kohë janë shmangur disi, atëhere inati plas në nivel individual, pra si ai uji që shpërthen nga mijëra vrima të vogla. Kështu meqë ideologjia e sotme nuk e strukturon dot inatin dhe agresivitetin nga pikëpamja sociale, atëhere, ai shfaqet në format e veta kaotike, individuale, në jetën e përditshme, si inat i nuses karshi vjehrrës, i vëllait kundër vëllait, i komshiut ndaj komshiut, i shoferit ndaj këmbësorit, i tifozit kundër tifozit. Merrini të gjithë këta, që tanimë nuk shkojnë nëpër zborre, në luftë, në aksion, në punë vullnetare, shtrijini në llogore largqoftë për nja katër a pesë vjetë dhe pasi të kthehen, për nja tridhjetë vjetë mesatarisht nuk do të kenë asnjë dëshirë për t’u zënë me njeri tjetrin, sepse inatin dhe energjinë tanatosiane do t’a kenë harxhuar kolektivisht.
Duket se letersia ju tërheq dhe i keni dhënë librit një formë mjaft të letrarizuar (por këtë ide kam krijuar edhe nga disa lexime të mëparshme tuajat) Mendoni që do të hidheni ndonjëherë plotësisht në kampin e letërsisë?
Unë nuk bëj letërsi dhe as kam për të bërë ndonjëherë. Unë bëj leteraturë. Në kuptimin modernist ka një ndryshim të madh si nata me ditën midis fjalës literaturë dhe fjalës letërsi, ndonëse letërsia sigurisht më tërheq pa masë. Kur thuhet se bëj literaturë kjo do të thotë se mua më duhet një stil që të komunikoj sa më lehtë me lexuesit dhe të them të vërteën pa hipokrizi në kushtet kur shoqëria nuk të lejon. Morali e pengon thënien e së vërtetës. Ne jetojmë në një shoqëri me stereotipe linguistike e frazeologjike që nuk janë të vërteta. I duhet ikur mesa mundet kësaj censure që të moralshme nuk quan veçse të gënjeshtrën.
Brenda një teksti përdor edhe stilin e esesë, edhe gjuhën filozofike, po mund edhe të tregoj kujtime, edhe të lëshoj veten në një imagjinatë aspak reale, edhe të shpik personazhe që nuk dihet sesi janë shfaqur në trurin tim, edhe të kthehem te citimet akademike, të analizoj mite, të interpretoj fenë, të bëj histori filozofie, edhe të përshkruaj duke rrëfyer të kundërtën e asaj që mendoj apo kam parë, pra të ndërtoj një tekst sa më polifonik.
Feja, shkenca, filozofia, matematika nuk janë fusha të ndara të botës, por janë gjuhë të ndryshme të njeriut për të shprehur të njejtën botë. Secila gjuhë ka superioritetet e veta dhe nuk mund t’a zëvendësojë të tjerat. Në këtë leteraturë që duket se i ngjason letërsisë, por që e konsideron letërsinë si një nëngjuhë të saj, shpesh ka imagjinata dhe situata e personazhe joreale, kontekste absurde, që në fakt duan të thonë shumë, e që gjuha eksplicite e filozofisë, gjuha e arsyeshme, logjika formale, nuk mund t’i thotë sepse po t’i thonë menjëherë çensurohen.
Në këtë libër, unë i kam thënë gjërat me nënkuptime, kam dashur të shpreh gjëra, të cilat nuk mund t’i them hapur sepse do të tërhiqja urrejtjen e njerëzve të tjerë. Ky është përdorimi i letërsisë nga leteratura. Është një formë shprehëse më e lartë se gjuha e shkencës dhe e mediave. Është një lloj gjuhe prej loloje, të cilin edhe mbreti e suportonte ndonëse e dinte se ai tallej me të. Unë nuk tallem me mbretin, por nuk dua t’i prish marrëdhëniet me komshinjtë, me kushurinjtë, me berberin tim të dashur, me ish shokët e klasës, me edukatoren e kopshtit, me Francesk Armadhin, me askënd se të gjithë i dua fort. Duke treguar një realitet imagjinar ku seicili e interpreton sipas vetes, është sikur gjithkushi të ketë pranuar t’a ketë shkruar vetë atë që lexon, pra s’ka përse mërzitet.
Sa i përket eseve dhe refleksioneve me natyrë filozofike, ndërsa në botën e sotme janë shkalla më e lartë e artikulimit, pse ka kaq pak të tilla në mediat dhe botimet shqiptare ku komentohen dhe analizohen vetëm kulisat e politikës ose shpesh gjithçka minimizohet në opinione të cekta apo replika të nxehta?
Gjuha publike te ne ka vështirësi artikulimi. Ajo ka mbetur e vjetër si një gjuhë arkaike që kuptohet vetëm nga arbëreshët dhe nuk ka pasur mundësi të rinovohet me konceptet e reja. Nga ana tjetër, politika e ka vështirë të artikulojë teorikisht sepse teori të mëdha do të thotë utopi të mëdha, do të thotë liri për të ndërtuar alternativa. Por, në kushtet e globalizmit kjo gjë nuk varet më nga aktorët lokalë. Gjuha e aktorëve politikë lokalë është bllokuar nga fakti se vendimmarrja nuk bëhet dot në plan lokal. Pastaj gjuha e eseve dhe e refleksioneve kërkon një shkollim special, të cilin kërkohet kohë dhe mund që t’a marrësh. Ne rrotullohemi në skizofreni te disa fjalë bazike si demokraci, shtet ligjor, inflancion, pushtet, parti, te drejta njeriu, por ne fakt kjo nuk eshte veçse gjuha e abecedesë së botës moderne. Po ku t’a gjemë atë gjuhën tjetër nëse librat janë mbyllur? Ndërkaq, politikanët si idole mediatike dhe masash nuk mund të përdorin, as që ju duhet, gjuha e lakuar sepse mitingjet dhe televizionet kërkojnë fjalë të shkurtra si shrapnel : prandaj gjithçka përfundon te gjuha e urrejtjes hipokrite që mbulon urrejtjen e vërtetë. Sipas Maltusit dhe dhjetra teoricienëve të tjerë me përvojë, ata grinden dhe urrehen sepse sikurse thuhet sot në shkencat kulturologjike, gjëja më e rrallë, më e pakët në botë, nuk është floriri, por pushteti. Vendet në Parlament janë vetëm 140, dhe për këtë shkak rivalët urrehen për vdekje. Por, për gjë tjetër, s’ka vend të mendohet se urrehen. Urrejtja e gjuhës politike është fallco sepse nuk është veçse një substitut, pra një zëvendësim i gjuhës racionale në kushtet kur kjo e fundit ose mungon, ose nuk ka vlerë për të komunikuar me publikun.
Konkretisht, do të mund të kishim bërë një skanim të shpejtë të figurave shqiptare më agresive? Atyre historike por edhe të skenës publike aktualisht, në lidhje me agresivitetin. Berisha, Rama, për shembull, ose duke u kthyer pas tek figurat e luftes apo te pavaresise...
Ndoshta nuk është rasti të flas për emra konkretë këtu. Do t’ju them vetëm një gjë. Kujtoni vetëm afishet që ngjisin nëpër mure kandidatët për deputetë dhe do të shihni atje një ego narcisike të paparë, një prirje për t’i injoruar të tjerët nga të cilët kërkohet vota, do të konstatoni një qendrim neglizhues ndaj qytetarit, të cilit i thuhet se do t’i shërbehet. Energjia shkatërruese e tjetrit shfaqet më mirë nëpër afishe, në formë figurative. Unë, Unë, Unë. Ndonjë ditë në prag fushate mund t’i komentojmë këto afishe. Unë kam votuar për dikë që në afishe koka i kishte dalë mbi ca re të bardha fluturake, një lloj ëngjëlli me krahë.
Më në fund, çfarë pasojash mendoni se ka shoqëria nga agresiviteti i theksuar dhe si “mjekohet” ai?
Shenjat dhe simptomat bashkë me shfaqjet e agresivitetit duhen treguar me gisht. Ky është qëllimi i librit tim që është ndërtuar në formë esesh shumë konkrete. Unë dua të kontribuoj në atë që lexuesi të bëhet i ndërgjegjshëm se është shumë agresiv dhe kur nuk e kupton këtë. Duhet që individi të mësohet t’a lexojë agresivitetin. Edhe kur një bisedues që flet me ty të prek në krah për të tërhequr vëmendjen – bëhet agresiv. Edhe kur një politikan rri vetëm në seancën e parë në një mbledhje dhe pastaj largohet – është agresiv me të tjerët. Edhe kur reklamat nderpresin filmin dhe transmetohen – kemi një agresivitet të paparë ndaj teleshikuesit. Edhe kur nuk hipotekojnë banesat që i kemi blerë rregullisht – na dhunojnë. Dhunë dhe agresivitet edhe atëhere kur dikush del në mbrojtje të dikujt pa ia kërkuar njeri. Edhe ku uji nuk na vjen, edhe kur dritat priten, edhe kur nuk respektojnë distancat midis ndërtimeve, edhe kur lënë për ibret kafshët e kopshtit zoologjik, edhe kur pretendojmë të japim leksione jashtë dëshirës së dëgjuesve, edhe kur …
Kuptohet se energjia agresive nuk mund të shuhet se ajo është pjesë e njeriut, hiqni atë dhe qytetërimi mbaron, por së paku një pjesë e saj, ajo që është me ekses, ajo që dikur derdhej nëpër burgje, aksione, luftë klasash, luftë kombesh, letra anonime, spiunllëqe, tortura, pjesa e tepërt, pra, ajo që nuk ezaurohet dhe konsumohet tërësisht në shtretër bashkëshortorë, në motele, në mbledhje partie, duke shitur e fërkuar barkun prapa banakut të një dyqani, ajo që nuk shteron duke ngarë veturën, duke shtrënguar me dorë mbrokullën e timonit të saj dhe levën e marsheve, pra libidon automobilistike, le të shkojë në sporte, në shëtitje, eskursione, mbjellje pemësh, ndërtime, pra të jetë një energji destruktive ndërtuese.
Belina Budini : Revista Mapo