Mbledhja e Nivelit të Lartë për Klimën, në Kopenhagë, pas dy vjet përgatitjesh dhe dy javë punimesh, u mbyll pa marrëveshje konkrete. Qëllimi i saj për t‘u vënë fre në njëfarë mënyre shkaqeve që po degradojnë klimën pati gati fatin e mbledhjeve të tjera të bëra për të njëjtin qëllim në vite të shkuara. Konferenca u mbyll me një paradë të përfaqësuesve politikë të niveleve më të larta nga pothuaj të gjitha vendet e botës, shumicën e të cilëve nuk e lidh dhe nuk e ka lidhur asgjë me problemet e klimës apo të mirëqenies së planetit, duke filluar prej atyre të shteteve të zhvilluara që janë shkaktare të ndryshimit të klimës e deri tek ata si të vendeve tona që e kanë për mburrje që shkojnë në një mbledhje të atillë vetëm për të treguar se i begenisin, për të njoftuar se me cilët të tjerë "të mëdhenj" do të flasin në të njëjtën ditë, me cilët "të mëdhenj" do të takohen, se cili tjetër "i madh" i kishte ftuar për të ngrënë drekat dhe darkat, se cilët "të mëdhenj" kanë ftuar për të vizituar vendet e tyre, se me cilët ‘të mëdhenj" do të dalin në fotografi.
Jashtë konferencës, qindra mijëra njerëz të thjeshtë, nga ata që vërtet kujdesen dhe shqetësohen për planetin, të grumbulluar po nga afro e gjithë bota, protestuan përditë dhe e turbulluan keqas qytetin paqësor e të qytetëruar të Kopenhagës për farsën politike dhe aspak humane që zhvillohej brenda sallës së konferencës dhe për vendimet formale e aspak efikase që dukej se do të merrte ajo. Edhe një herë populli i thjeshtë u tregua në nivel shumë më të lartë, shumë më i ndjeshëm dhe shumë më i sinqertë për fatet e përbashkëta të botës sesa politikanët e udhëheqësit e tij. Hugo Çavezi, në fjalën e tij, përmendi se jashtë konferencës njerëzit thoshin se në qoftë se klima do të kishte qenë një bankë parash, shtetet e mëdha do ta kishin shpëtuar atë.
Kur kam lexuar për herë të parë Biblën, më ka tronditur fillimi i saj, "Zanafilla": ndëshkimi që i bën Zoti njeriut për përpjekjen e tij për të ditur e për të njohur më shumë. Pyeta veten: ç‘vlerë ka ky libër që është kundër dijes, kundër njohjes, kundër përparimit? Në atë kohë isha i pasionuar vetëm pas shkencës e pas inxhinierisë dhe quaja me vlerë vetëm ato fusha të zhvillimit njerëzor që kishin lidhje me to. Sot po kuptoj se, në ka pjesë me vlerë të Biblës, është pikërisht ajo që, "mjerisht", kërkon t‘i vejë fre njohjes së njeriut. Njeriu është pajisur me inteligjencë dhe me aftësinë për të mësuar nga Krijuesi, por ai e keqpërdor atë aftësi, sepse nuk e lidh atë njëkohësisht edhe me aftësinë për zhvillimin proporcional moral dhe shpirtëror dhe, me mendjemadhësinë e tij shkon drejt shkatërrimit të vetes.
Nuk ka gjë më të rrezikshme se zhvillimi shkencor e intelektual i njeriut i shkëputur nga zhvillimi moral e shpirtëror i tij. Në kohën e sotme duket se po zhvillohet pikërisht kjo: bota po ecën me shpejtësi në fushën e dijeve, por ka mbetur shumë prapa në fushën morale dhe shpirtërore dhe kjo e rrezikon në mënyrë të plotë atë. Duke perifrazuar një shprehje të gjeneralit amerikan, Omar Bradley, mund të themi se bota e sotme ka gjigantë të atomit dhe të elektronikës dhe ka foshnje të moralit e të shpirtit.
Problemet që po i shkaktohen sot klimës dhe planetit në përgjithësi janë të lidhura drejtpërsëdrejti me problemet e zhvillimit industrial e teknologjik, me shtimin e popullsisë së planetit dhe, rrjedhimisht edhe me nevojën për të marrë sa më shumë nga pasuritë e planetit e për t‘i transformuar ato pasuri, me garën për supremaci ekonomike e ushtarake midis shteteve, pa e çarë kokën fare për pasojat që ka ai lloj zhvillimi, ajo nevojë për më shumë, dhe ajo garë.
Nuk është vetëm dyoksidi i karbonit problemi kryesor i botës për të cilin po bëhet zhurmë e madhe, janë arsenalet e armëve bërthamore një kërcënim, ndonëse latent, shumë herë më i madh, janë shumë shqetësuese një mori problemesh të tjera të keqsjelljes së njeriut ndaj natyrës që përbëjnë kërcënime të përditshme të jetës së planetit: janë shfrytëzimi mizor i pyjeve, ujërave, bimësisë, kafshëve të detit dhe të tokës, janë shtimi në përmasa të mëdha të mbetjeve teknologjike, të hedhurinave dhe të plehrave të cilat po shkretojnë pjesë të veçanta të planetit. Prishja e raporteve njeri-natyrë është gjithnjë me pasoja, është gjithnjë me humbje për të gjithë. Gandi thoshte: "Mund t‘i shfrytëzojmë dhuratat e natyrës, por në librin e llogarive të natyrës debitet gjithnjë barazohen me kreditet".
Problemet e klimës dhe mirëqenies së planetit, të cilat sot po bëhen gjithnjë e më shqetësuese, mendje të urta dhe largpamëse të njerëzimit i kanë trajtuar që nga thellësitë e shekujve e deri në kohët e vona dhe i kanë trajtuar ashtu siç duhet. Ato janë shqetësuar për mundësinë e keqtrajtimit të planetit nga njeriu për shkak të babëzisë së tij për t‘i rrëmbyer atij sa më shumë e gjithçka, shumë kohë para se planeti, përmes natyrës së tij, të jepte shenja se po kërcënohej vërtet nga njeriu dhe të hakmerrej me të. Sipas nivelit të kohës, ato i kanë dhënë natyrës mbrojtjeje edhe karakter filozofik apo fetar.
Pas përshkrimit të krijimit të botës dhe njeriut, në librin e parë të Moisiut, në Testamentin e Vjetër, në Biblën Hebraike, në pjesën e Zanafillës, theksohet se Krijuesi e instruktoi njeriun e parë që ta punonte tokën, ta zhvillonte atë dhe mjedisin në të cilin ai ishte vendosur, por edhe të kujdesesh dhe të mos e mbishfrytëzonte e keqshfrytëzonte atë. Drejtpërdrejt Krijuesi e paralajmëronte njeriun se do të ishte përgjegjës, në qoftë se nuk do të kishte parasysh rregullat e dhëna prej Tij. Judaizmi predikon se bota natyrore është krijuar për të mirën e njerëzimit dhe njerëzimi duhet të ushtrojë kujdes dhe vetëfrenim në shfrytëzimin e pasurive të saj.
Në Biblën Hebraike thuhet: "Gjashtë vjet do ta punosh tokën dhe do t‘i marrësh asaj prodhimin; por në vitin e shtatë do ta lesh të pushojë, do ta lesh djerr." Në vitin e shtatë toka do të kishte të shtunën e Zotit, pra vitin e pushimit. Për çifutët ky ligj është ende në fuqi dhe quhet ligji i shmitta-s. Ashtu sikundër njeriu duhet të punojë gjashtë ditë në javë dhe ditën e shtatë duhet të pushojë, edhe toka duhet të shfrytëzohet për gjashtë vjet dhe vitin e shtatë duhet lënë të pushojë. Tokës i jepet statusi i njeriut. Lënia e tokës për një vit pa u shfrytëzuar e forcon dhe e bën atë në vitet që vinë më pjellore. Ajo që humbet një vit, vjen si fitim i shumëfishuar më pas.
Historiani i njohur britanik, Arnold Toynbee, autori i dymbëdhjetë volumeve me titull "Një studim i historisë" ku përqendrohet në ngritjen dhe rënien e qytetërimeve e për të cilin punoi nga viti 1934 deri në vitin 1961, pra për 27 vjet rresht, i shqetësuar për degradimin e planetit dhe për fatin e njerëzimit që lidhet me atë degradim, thotë: "Pa përtëritje shpirtërore dhe pa politika globale të unifikuara, lakmia, e çliruar nga ligjet kufizuese tradicionale dhe nga vetëdija, do të sjellë vrasjen e njeriut përmes vrasjes së planetit".
Gandi vinte në rend të parë moralin dhe jo ekonominë, moral që shprehej edhe në mos dëmtimin e mjedisit; në lënien e tij, kur të ikim, ashtu siç e kemi gjetur, sepse ai nuk na përket vetëm neve sot, por i përket edhe brezave të ardhshme. Për Gandin, "Ky glob i vogël yni nuk është një lodër e së djeshmes." Globi duhet trajtuar me kujdes e me butësi, ai nuk duhet trajtuar mizorisht e me dhunë, ai nuk duhet trajtuar për të kënaqur me çdo kusht tekat tona. Mungesa e dhunës, sipas Gandit, nuk duhet të sundojë vetëm marrëdhëniet midis qenieve të gjalla, por edhe ato midis qenieve të gjalla dhe natyrës. Dhuna ndaj natyrës duhet përjashtuar krejtësisht, sepse pasojat e saj mbi të janë afatgjata dhe, në disa raste, të pariparueshme. Kjo ishte arsyeja që e detyronte Gandin të lutej: "Mos e dhëntë Zoti që India të kryejë industrializimin sipas mënyrës që përdor Perëndimi…Në qoftë se vendi ynë do të kryejë të njëjtin shfrytëzim të mjedisit ashtu siç bën Perëndimi, ai do ta shkretojë atë, ashtu siç do ta shkretonin karkalecat".
Mendimi i koncentruar i Gandit për bërjen e një jete normale, por pa teprime dhe njëkohësisht për të mundësuar ruajtjen e mjedisit, ruajtjen e planetit, ruajtjen e natyrës, shprehej në këtë mënyrë: "Toka ka aq sa për të plotësuar nevojat e të gjithëve, por jo aq sa për të kënaqur babëzinë e tyre," si dhe me idenë e tij të unitetit të botës, me idenë se bota është një, se dëmtimet e një pjese të saj, ndihen edhe në pjesë të tjera të saj.
Sipas Gandit, degradimi i natyrës është kryesisht pasojë e dëshirës dhe përpjekjes tonë për të pasur sa më shumë e për të konsumuar sa më shumë. Në qoftë se duam vërtet të mbrojmë natyrën, të mbrojmë planetin, mënyra më efikase në planin personal është të reduktojmë kërkesat për pasuri të tepërt dhe në planin shtetëror - të përjashtojmë shpenzimet në fusha të panevojshme për mirëqenien e njeriut, për shembull, në fushën ushtarake e cila disa vendeve u gllabëron afro gjysmën e të gjitha shpenzimeve të tjera.
Gandi nuk ka shkruar libra të posaçme për mbrojtjen e planetit, por në një bisedë që bën me nipin e tij trembëdhjetëvjeçar, me Arun Gandin, rreth 75 vjet më parë, ai tregon më shumë humanizëm, më shumë urtësi, më shumë realizëm, më shumë largpamësi e më shumë shqetësim, sesa të gjitha traktatet, vendimet e konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit të marra së bashku, më shumë sesa të gjithë ata që kanë shkruar dhe shkruajnë vëllime të tëra për këto probleme.
Arun Gandi, nipi i Gandit, kujton se një ditë, ndërkohë që po kthehej nga shkolla për në shtëpi, rrugës flaku një lapës të vogël gati të mbaruar. Ishte i sigurt se gjyshi, Gandi, do t‘i jepte një tjetër. Kur shkoi në shtëpi dhe i kërkoi gjyshit lapsin tjetër, ai e pyeti se ç‘e kishte bërë lapsin e parë dhe kur nipi i tha se, meqenëse ai laps ishte zvogëluar, e kishte hedhur. Gjyshi, pasi e qortoi, e urdhëroi të nisesh menjëherë e ta gjente lapsin ku e kishte hedhur dhe ta merrte e ta përdorte përsëri. Pasi nipi shkoi, e gjeti dhe u kthye në shtëpi, Gandi e mori pranë dhe, me dashuri, i tha: "Ulu këtu pranë meje dhe mëso dy gjëra. Së pari, shpërdorimi është një zakon i keq. Edhe bërja e një lapsi kërkon lëndë nga natyra dhe punë nga njeriu. Çdo shpërdorim është dhunë ndaj natyrës. Së dyti, në qoftë se ti sot hedh një lapës të vogël, nesër mund të hedhësh një gjë më të madhe, një gjë që mund t‘i duhet një tjetri. Ata që kanë me bollëk dhe nuk e kanë për gjë të shpenzojnë më shumë nga ç‘duhet, mund të grumbullojnë apo të shpërdorojnë shumë pasuri por, në këtë mënyrë, ata dhunojnë jo vetëm natyrën, duke i marrë asaj pasuritë e saj, por edhe të tjerët, të cilët i privojnë nga mundësia e pasjes. Çdo gjë duhet përdorur me kujdes, me kursim dhe krejtësisht, vetëm kështu mund t‘i ndajmë, ne të gjithë, barazisht pasuritë e tokës." Shumëkujt, ky veprim i Gandit mund t‘i duket një ekzagjerim, një ekstremizim i panevojshëm dhe i pajustifikueshëm, por vizionari gjithnjë shkon në ekstrem dhe, në atë mënyrë ai tregon rrugën nga duhet shkuar. Të tjerët duhet ta ndjekin e të shkojnë sa të munden më larg në atë rrugë.
Sipas këshillës së Gandit, duke kursyer dhe duke i shfrytëzuar sendet deri në fund, kemi menduar edhe për të tjerët, por edhe për planetin. Sipas kësaj fryme, e ardhmja e planetit, pra edhe e njerëzimit është parësore dhe orekset dhe tekat individuale janë dytësore.
Gandi e shihte njeriun dhe universin si të ndërlidhur e si të pleksur dhe e paralajmëronte botën për pasojat që mund të kishte "zhvillimi i madh" që injoronte baraspeshën e marrëdhënieve njeri-natyrë, baraspeshë që po të prishej, mund të sillte pasoja katastrofike për të ardhmen. Për Gandin, të mos shqetësoheshe për shëndetin e natyrës, do të thoshte të mos shqetësoheshe për shëndetin dhe mirëqenien e gjeneratave të ardhshme, për jetën e pasardhësve, do të thoshte të ushtroje një lloj dhunë ndaj tyre. Ai jo vetëm që e predikonte këtë filozofi, por jetonte në bazë të saj.
Vetë instinktet e njeriut për t‘u dukur e për të qenë ndryshe nga të tjerët, vetë prirjet e tij për mburrje, qoftë edhe me kotësira, e bëjnë atë të ngulmojë të ketë dhe të konsumojë shumë më shumë nga ç‘i duhet realisht. Pa e ulur atë përpjekje, pa kufizuar kërkesat dhe sidomos ato që kanë lidhje me mendësinë e kotësisë dhe të krenarisë së rreme, me mendësinë e të qenit në krye e për t‘u dalluar formalisht, nuk e kemi hedhur hapin e parë dhe më të rëndësishëm në mbrojtjen dhe ruajtjen e planetit dhe bashkë me të, edhe të vetes tonë dhe të pasardhësve tanë.
Shoqëria njerëzore duhet të rishikojë qëndrimin e saj ndaj natyrës nën frymën e të urtëve të botës dhe jo të të fortëve, të tregtarëve dhe të matrapazëve të saj, sepse, ndonëse është e vështirë për t‘u pranuar ajo frymë, dhe aq më shumë për t‘u zbatuar, është e vetmja mënyrë që mbron vërtet planetin dhe, bashkë me planetin, edhe njerëzimin.
Të gjithë duan që planeti të mbrohet, të gjithë flasin për këtë, madje disa luftojnë ashpër për të, por asnjë nuk është gati të bëjë atë që duhet, për të mbrojtur vërtet planetin: të kufizojë kërkesat e tij për pasuri dhe për konsum, pra, të sakrifikojë. Në qoftë se nuk ndryshojmë filozofinë e prodhimit dhe përdorimit, në qoftë se nuk ulim konsumin e panevojshëm, në qoftë se konsumojmë më shumë nga ç‘kemi nevojë, në qoftë se nuk konsumojmë deri në fund ato që kemi, mund të flasim sa të duam për mbrojtjen e planetit, mund edhe të përleshemi me ata që i akuzojmë se nuk po marrin masa për mbrojtjen e tij, por kemi bërë fare pak.
Është vështirë që një njeri i vetëm, me gjithë qëllimin e mirë që mund të ketë për të mbrojtur planetin dhe të ardhmen, të ndërmarrë veprime individuale dhe të japë kontribut të vlefshëm për këtë. Madje, edhe një shoqëri apo një shtet i tërë nuk mund të bëjë ndonjë gjë të rëndësishme në terma globale, edhe pse asnjë shtet nuk do që të ndërmarrë ndonjë veprim për të ulur konsumin, sepse ulje e konsumimit do të thotë ulje e fuqisë së tij. Mbrojtja e planetit është një detyrë e përbashkët dhe po u kuptua ajo si detyrë e përbashkët, bota do të kuptojë se ka edhe detyra të tjera që do të duhet t‘i zgjidhë bashkërisht. Ndër to, kryesorja është çështja e luftës dhe e paqes. Zëvendëspresidenti amerikan, Al Gor, kur mori çmimin "Nobel për Paqe" në vitin 2007, për kontributin e tij në propagandimin e ngutësisë së nevojës së mbrojtjes së planetit, tha: "Nevoja e përbashkët e mbrojtjes së planetit do t‘i hapë sytë botës dhe do ta bëjë atë të kuptojë se ka edhe detyra të tjera që duhet t‘i zgjidhë bashkërisht". Aluzioni është i qartë: lufta dhe paqja.
Në qoftë se veprimet e dëmshme të njeriut ndaj natyrës nuk ndryshojnë sot nga arsyeja, me siguri do të ndryshojnë nesër nga nevoja dhe teoritë e sotme të prodhimit dhe të konsumit që konsiderohen si shpëtuese dhe begatuese për njerëzimin, do të konsiderohen nesër si mëkatare. Natyra vetë, më mirë se çdo gjë tjetër, po e jep alarmin. Ajo po i thotë "jo" këtyre teorive dhe ne duhet ta kuptojmë dhe duhet t‘i përgjigjemi asaj. Por, natyra nuk jep vetëm alarm. Ajo edhe po ndëshkon dhe ndëshkimi i saj është i paapelueshëm. Ajo të ndëshkon njëlloj, sado herë e ngacmon dhe, ndonëse sot ajo po ndëshkon popuj të varfër, nesër do të ndëshkojë edhe popuj të pasur. Gandi thoshte: "Asnjë mëkat, asnjë thyerje e ligjit të natyrës, nuk shkon pa u ndëshkuar."