Te vegjlit dhe parate

Te vegjlit dhe parate
Në këto kohë krize mund të jetë e nevojshme që prindërit të ndjekin ndonjë rregull për t’i mësuar fëmijët se si të ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me paranë. Përballë kërkesave të vazhdueshme për lodra, për prindërit bëhet gjithmonë e më e vështirë situata për t’u refuzuar. Por nga ana tjetër, edhe t’i kënaqësh gjithmonë është pothuajse e pamundur ekonomikisht. E vetmja rrugëdalje është edukimi i fëmijëve për t’i përdorur paratë në mënyrë sa më të përgjegjshme. Ky edukim mund të fillojë që në moshën 4- vjeçare. Ja se si i shpjegojnë psikologët teknikat e ndryshme që duhen ndjekur.

1. Nga vijnë paratë

Edhe pse janë të vegjël, shpjegojuni fëmijëve se gjithçka e ka një çmim. Fëmijët në këtë moshë janë të prirur të mendojnë se paratë vijnë nga “qielli”. Përballë kërkesave të vazhdueshme për lodra, është mirë t’u shpjegohet se nga vijnë paratë dhe për çfarë shërbejnë. U duhet thënë se prindërit punojnë shumë për të marrë ato para, që nuk janë të pafundme. Psikologët këshillojnë se u duhet thënë që çdo gjë e ka një çmim dhe se paratë para së gjithash shërbejnë për gjëra shumë të nevojshme si ushqime, veshje dhe pastaj kur është e mundur, mund të blihen edhe gjërat që mund të na argëtojnë si lodrat, ëmbëlsirat.

2. Tregojuni në mënyrë të thjeshtë rëndësinë e parave

Veprime të vogla si fikja e dritës kur nuk duhet, mosharxhimi i ujit dhe përfshirja e tyre tek pazaret e përditshme mund të shërbejnë për ta bërë fëmijën të kuptojë rëndësinë dhe të fitojë respektin përballë gjërave të ndryshme të jetës së përditshme. Shembulli i prindërve mund të jetë për ta një stimul për t’u sjellë në të njëjtën mënyrë.

3. Më shumë përgjegjësi

Rreth moshës 7-vjeçare, fëmijët duhet të edukohen për administrimin e parave. Ata nisin të bëjnë seleksionimet e para mbi atë që duhet të shpenzojnë ose jo, duke kursyer kështu edhe shuma të vogla parash. Kjo i shërben si një stimul i mirë për të kursyer dhe për të blerë në të ardhmen lodrën e dëshiruar.

5. Tregojuni për vështirësitë ekonomike

Komunikojini fëmijëve sa herë që jeni duke kaluar ndonjë vështirësi ekonomike në familje. Nëse po kaloni një moment të vështirë ekonomik, është më mirë të flisni hapur. Një gjuhë e thjeshtë dhe një ton shumë i sigurt mund të transmetojnë një ndjenjë qetësie, ndërsa heshtja shpesh çon drejt një klime të tensionuar në familje.

6. 11 vjeç mund të administrosh vetë kursimet

Hapja e një libreze apo e një llogarie në bankë mund të bëjë fëmijën të fitojë ndjenjën e kursimit, duke vendosur një ekuilibër mes kontrollit të parave dhe një momenti reflektimi mes dëshirës për të blerë dhe vetë procesit të blerjes.

7. Mësojini vlerën e gjërave

Rreth moshës 10-11 vjeç, fëmijët nisin të bëjnë krahasimet mes gjërave dhe kushteve ekonomike të miqve të tyre (përse shoqja ime mund të blejë gjithçka që dëshiron kurse unë më pak?). E rëndësishme është që në këtë periudhë t’u shpjegohet se ekzistojnë shumë lloje punësh dhe secila prej tyre ka një pagë të ndryshme. Për më tepër, vlera e një personi nuk lidhet me pasurinë materiale, por me cilësitë individuale.

8. Hapat drejt pavarësisë

Me adoleshencën hidhen hapat e parë drejt pavarësisë. Përballë kërkesave të vazhdueshme për para, është shumë e rëndësishme vendosja e limiteve. Në këtë kohë, duhet bërë një bilanc i shpenzimeve të tyre, duke i vënë në dispozicion një shumë të vogël për të plotësuar nevojat e përditshme. Bëjeni të ndihet përgjegjës për atë që bën, në të kundërt do të përballen me pasoja: duhet të presë në rast se i mbarojnë para kohe ato që prindërit i kanë caktuar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama