Te vertetat e hebrenjve ne Shqiperi

Të vërtetat e hebrenjve në Shqipëri
 Falë dokumenteve të identifikuara nga autori i librit, punës kërkuese të kryer prej tij dhe dëshmive të siguruara, ky studim provon se Shqipëria ishte në atë periudhë i vetmi shtet europian që kishte hapur dyert zyrtarisht për mijëra hebrenj të shtetësive të ndryshme. Megjithëse dhe pavarësisht se ajo vetë ndërroi tri herë regjim brenda kësaj kohe, duke kaluar nga një sistem politik në një tjetër krejt të ndryshëm, nga mbretëria në "bashkim personal" me Italinë e Musolinit dhe prej këndej në regjencën me "pavarësi relative" të periudhës së Reich-ut, kur pjesa më e madhe e shteteve të tjera europiane ua kishin mbyllur hebrenjve çdo portë, shqiptarët i mirëpritën ata ngado që erdhën.

Edhe në periudhën komuniste nuk pati antisemitizëm. Nderim i merituar i është bërë për këtë popullsisë shqiptare, e cila, në shumicën e saj, i ka mbrojtur dhe fshehur hebrenjtë duke qenë vetë në një gjendje të vështirë, duke përballuar shumë rreziqe e pengesa, që nga mundësimi i ndërlikuar i hyrjes së tyre në vend, deri tek pranimi e mbrojtja pa dallim feje dhe, mbi të gjitha, pavarësisht se cili ishte opinioni politik i secilit prej tyre si mbrojtës i hebrenjve të vet. Kjo trashëgimi, që është ende vepruese, e dëshmuar prej shumë shekujsh në Shqipëri, tipike për këtë vend të vogël tradicional, meriton të theksohet, sepse pjesërisht për shkak të kësaj tradite dhe një tolerance fetare shekullore shembullore, që mund të quhet legjendare; historikisht bashkësi të vogla jo homogjenësh, jo shqiptarësh, në radhë të parë hebrenjtë, u pritën e u mirëpritën në Shqipëri, duke filluar të paktën prej kohës kur një komunitet i rëndësishëm hebrenjsh qe përjashtuar nga Spanja në periudhën e persekutimeve inkuizicioniste nën kurorën e Izabelës katolike - 1492 - (më pas dhe nga Portugalia).

Është për t‘u vënë në dukje në kuptimin e fjalëpërfjaltë se nderimi më i bukur i shqiptarëve ndaj traditës së tyre të Besës është shprehur ndaj pjesës më të madhe të komuniteteve hebraike, shpesh të dala e të formuara nga familje refugjatësh. Libri që u ofrohet lexuesve ka rëndësi për t‘u kujtuar opinioneve se hebrenjtë e shpëtuar në Shqipëri u mbrojtën njësoj nga myslimanët, ortodoksët, katolikët dhe, natyrisht, edhe nga një numër i konsiderueshëm skeptikësh ndaj fesë, ateistësh po ashtu. Ky heterogjenitet fetar ekziston edhe sot ashtu siç ekzistonte në atë kohë rreziku, dhe është po aq dytësor dhe jo i rëndësishëm si faktor dallimi në sytë e pjesës më të madhe të shqiptarëve, sepse, mbi të gjitha, sipas shprehjes së një shkrimtari romantik vendës, feja e shqiptarit është të qenit shqiptar.

Sipas botimeve statistikore perëndimore të dy dekadave të fundme, sot vetëm një e treta e popullsisë deklaron se i përket njërës prej tri feve, ndërsa pjesa tjetër e shqiptarëve, që është dyfishi, nuk shpreh asnjë lloj përkatësie apo preference fetare. Kjo karakteristikë tjetër e kulturës tradicionale shqiptare ka qenë pa dyshim një ndihmesë për mikpritjen e hebrenjve në epoka të ndryshme të historisë së tyre. Për sa i përket numrit të hebrenjve që gjetën shpëtim në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, kërkimet e autorit të librit saktësojnë se 2265 persona kanë qenë të shënjuar zyrtarisht në regjistrat dhe shkresat e autoriteteve të shtetit shqiptar në periudhën 1930-1944.

Kopje të dokumenteve të arkivave të shtetit shqiptar u janë dorëzuar nga studiuesi Shaban Sinani autoriteteve të "Memorial Museum of Holocaust" në SHBA. Të dhënat janë autentifikuar nga dr. Vadim Altskan në gusht të vitit 2005. Me të drejtë autori mendon se është e mundshme që hebrenj të tjerë, përveç atyre të regjistruar, gjetën shpëtim në Shqipëri duke u pajisur me dokumente identiteti false apo nëpërmjet hyrjeve të fshehta në vend, pa dijeninë e autoriteteve shqiptare dhe ushtrive pushtuese. Kërkime plotësuese për këtë argument, sigurisht të drejtuara nga vetë autori i veprës, janë ende në proces e sipër. Një prej kapitujve më thelbësorë dhe më edukativë të studiuar nga prof. Shaban Sinani është ai që u kushtohet "krimeve të kryera nga Divizioni SS Skanderbeg", angazhimi pronazist i të cilit solli në studimet për Holokaustin vlerësime të diskutueshme dhe shpesh konkluzione paksa të nxituara.

Në fakt, sikurse e provon autori përmes dokumenteve të publikuara, duke përfshirë një urdhër shoqërimi të të burgosurve lëshuar nga komanda eprore për këtë divizion në gusht të vitit 1944, në listën nominale të të burgosurve që duhej të zhvendoseshin nga Kosova për në Bergen Belsen (fillimisht në një kamp më të vogël afër Beogradit), pra, në atë që quhet "transport liste" (saktësisht në burim: "Transport der Kommunisten und Partisanen et "Gefangenentransport ins Reich"), rezulton se nga 801 persona që gjenden në të katër listat së bashku, duke përfshirë dhe shtojcat, të gjithë të shënjuar emër për emër në listat në fjalë, bashkë me datat dhe motivet e arrestimit, në të vërtetë vetëm 35 janë hebrenj. Të tjerët janë shqiptarë, malazezë, serbë, maqedonas, të arrestuar si komunistë, partizanë, "banditë, kundërshtarë të Reich-ut" etj.

Ka shumë rëndësi saktësimi që autori i bën së vërtetës historike, që Divizioni SS "Skanderbeg", i përbërë kryesisht nga njerëz të cilëve u ishte premtuar bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ("Shqipëria e Madhe") dhe besonin në këtë premtim, megjithëse nuk mund t‘i mungonte vullneti për të zbatuar urdhrat për përndjekjen e hebrenjve (sikurse nuk u mungonte ky vullnet edhe në zbatimin e urdhrave ndaj bashkatdhetarëve të vet), pati më pak se tetë muaj jetë, u shpërbë shumë shpejt, për shkak të dezertimeve të shumta, demobilizimit, inefikasitetit dhe qëndrimeve të tjera që nuk u jepnin kënaqësi autoriteteve naziste.

Për fat të keq, dimë se për disa divizione të tjera të ngjashme, të krijuara në të njëjtën kohë nga nazistët pushtues në një numër vendesh europiane, duke motivuar simpatinë e "autoktonëve" për Reich-un e tretë, madje në gjirin e kombeve, kanë gjetur një përligjje të njëzëshme në disa rrethe ndërkombëtare historiografike. Sido që të jetë, fakti i thjeshtë që numri i hebrenjve të pranishëm në Shqipëri në periudhën e rrezikut, në vitet 1930-1944, gati është 15-fishuar deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, duket që dëshmon e përcakton mungesën e vullnetit dhe të vendosmërisë së shumicës së shqiptarëve për t‘u bashkuar me qëndrimet naziste për ta persekutuar këtë komunitet.

Studimi i dëshmive të vëna nga autori në shërbim dhe në vëmendje të dijetarëve në lidhje me numrin e saktë të hebrenjve të zhvendosur nga Kosova drejt kampeve të përqendrimit duhet t‘i lejojë dhe i lejon secilit prej nesh të vërë pikëpyetjet e veta mbi vlefshmërinë e shifrave të shërbyera deri më tani, shifra të cilat pa dyshim janë ende të pranishme për shkak të mosnjohjes apo mospërfilljes së pamerituar të ekzistencës së dokumenteve të nxjerra në dritë nga prof. Shaban Sinani. Nga ana tjetër, duhet pranuar edhe ana objektive e problemit: është e sigurt që izolimi i vendit për rreth 50 vjet nuk ka favorizuar apo inkurajuar aspak kërkimin në këtë fushë, duke filluar këto kufizime së pari me kërkimin e historianëve të huaj.

 Jashtë çdo lloj polemike, në parim larg disa ideve çmendurake apo disa legjendave që janë ende në fuqi, thelbësisht të formësueshme sipas vullnetit vetjak; nga mosnjohja, nga mungesa e informacionit apo nga mungesa e shpirtit të kërkimit në lidhje me burimet e vëna në dispozicion; autori mbi të gjitha ka bashkangjitur një kapitull rreth historisë se si Shqipëria arriti të fitonte një vëmendje ndërkombëtare për të mbajtur gjallë shpresat e hebrenjve si një territor i mundshëm i mikpritjes së tyre. Kjo vëmendje erdhi në një proces shumëvjeçar bashkëbisedimi me përfaqësues të mëdhenj të shoqatave ndërkombëtare të hebrenjve, të qeverive amerikane e britanike dhe të faktorëve të tjerë diplomatikë, të shqetësuar për atë që mund të ndodhte qysh në fillim të viteve 1930, në funksion të realizimit të ekzilit masiv të hebrenjve prej vendeve ku rrezikoheshin. Në fakt Shqipëria u bë në ato vite një atdhe i rezervuar i hebrenjve të Europës dhe kjo pjesë e historisë së Shqipërisë nuk njihet aspak mirë.

Duke u mbështetur te një dokumentacion shumë i detajuar, shpesh i pabotuar ndonjëherë, prof. Shaban Sinani ka dashur dhe tentuar t‘u përgjigjet pyetjeve të gjithsecilit dhe e arrin këtë me ndershmëri, me pasion dhe me bindjet shkencore që e karakterizojnë dhe e nderojnë. Në fund të leximit të kësaj vepre, subjekti i së cilës evokon një qëndrim të papërsëritur në llojin e vet, karakteristikë e dukshme dhe e veçantë e Shqipërisë, një fakt shumë i rëndësishëm të vë në mendime: Autoritetet vendore të një shteti të vogël të pushtuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore refuzuan kategorikisht t‘u dorëzonin autoriteteve pushtuese listat e emrave të popullsisë së tyre hebreje, po ashtu dhe listat e hebrenjve të ardhur që gjetën shpëtim në Shqipëri, dhe kjo bëri që këta të fundit të shpëtonin, ndoshta jo absolutisht të gjithë (duke iu referuar faktit se gjatë luftës nën kontrollin e qeverisë së Shqipërisë ishte dhe Kosova e një pjesë e Maqedonisë së sotme), por shumica dërrmuese e tyre jashtë çdo dyshimi.

Çfarë do të kishte ndodhur nëse të gjithë përfaqësuesit e shteteve europiane do të kishin pasur të njëjtin qëndrim, do të kishin arritur në të njëjtat zgjidhje dhe do të kishin vepruar me të njëjtën vendosmëri? Nëse është e vështirë t‘i përgjigjesh kësaj pyetjeje apo t‘i shkosh deri në fund kësaj hipoteze, shembulli i dhënë nga autoritete të ndryshme e të njëpasnjëshme shqiptare provon se, sido që të ketë qenë ndalimi formal i pranuar prej gjermanëve nazistë për të (mos) ndërhyrë në punët e brendshme të vendit, merita për çështjen hebreje u takonte vetëm shqiptarëve dhe vendimeve të tyre dinjitoze, që kontribuuan për shpëtimin e ndriçuar tashmë të hebrenjve në Shqipëri.

Për të përfunduar po i lejoj vetes të evokoj disa radhë të cituara në gjuhën e origjinalit nga reflektimet e prof. Henry Morgenstein, fjali të marra prej gjykimeve të tij personale të ekspozuara në website-in e këtij dijetari, të shkruara përpara përditësimit shkencor zyrtar të kësaj historie, që sot është e njohur dhe e pranuar edhe nga instancat më të larta të Institutit Yad Vashem të Jeruzalemit: Një histori kam dëgjuar - por në këtë moment nuk e mbaj mend se kush ma ka thënë apo se si mund ta vërtetoj. Ka vetëm një vend i cili zyrtarisht i ka pranuar hebrenjtë emigrantë, dhe ky vend është Shqipëria. Kur ua tregoja këtë "histori shpëtimi" nxënësve të mi në Traverse City Michigan, unë gjithmonë kam theksuar faktin që ka shumë vende të tjera në botë - Amerika midis tyre - të cilët kanë qenë të përgjegjshëm për "zgjidhjen përfundimtare" të Hitlerit, që përfaqëson vendimin për t‘i vrarë të gjithë hebrenjtë. Në fillim Hitleri u tha hebrenjve vetëm të largoheshin duke lënë pasuritë e tyre, pa sendet e tyre, pra, ata duhej vetëm të largoheshin.

 Hebrenjtë u lejuan të largoheshin nga Gjermania dhe gjermanët okupuan pasuritë e tyre. Në atë kohë pjesa tjetër e botës kishte "kuota" për numrin e hebrenjve që mund të lejonte në territorin e vet dhe "kuotat" e tyre të emigrimit gjithnjë ishin të mbushura, të realizuara, kështu që Hitleri iu rikthye "zgjidhjes së tij përfundimtare". Shqiptarët dhe Shqipëria nuk caktuan kurrë "kuota" për numrin e hebrenjve që do të pranonin. Kushdo që arriti të hyjë në tokën e tyre gjeti strehë, fshehje dhe shpëtim.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama