Biografi i Fan Stilian Nolit, autor i shumë librave dhe monografive, prof. dr. Nasho Jorgaqi flet për meshën e parë në gjuhën shqipe. Noli në vitin 1913 erdhi në Shqipëri, në Vlorë, në Kishën e Shën Vlashit ku mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe, por kjo sipas profesor Jorgaqit nuk bëri shumë bujë. Pas një viti (1914) Noli rikthehet në qytetit e Durrësit dhe në ambientet e jashtme të Pallatit Mbretëror në prani të Princ Vidit mban një meshë në shqip, për ta vijuar më pas me atë që mbajti në Kishën e Shën Spiridonit. Ditët e fundit, pas vendosjes së bustit të kryepeshkopit Fan Noli në altarin e Kishës Shën Maria në Elbasan, At Nikolla Marku deklaroi se, vendosja e tij në kishën e Elbasanit ishte një amanet i Nolit, drejtuar Lef Nosit, në një nga letërkëmbimet e tij. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, prof. Jorgaqi thotë se, ky fakt nuk është i vërtetë. Ai shprehet se, çdo vend i Shqipërisë ku Noli ka shkelur dhe ka bërë një aktivitet mund ta kujtonte me një bust. “Busti në Durrës i takon Nolit, jo vetëm se atje mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe, por ai u zgjodh si peshkop i Tiranës dhe i Durrësit”.
Profesor Jorgaqi, ku e ka mbajtur meshën e parë Fan Noli në Shqipëri? Duke pasur parasysh përplasjet që kanë ndodhur ditët e fundit me figurën e Nolit, ju si biograf i tij, çfarë mund të në thoni?
Çështja e meshës së parë të Nolit në Shqipëri ka vijuar kohët e fundit me rastin e 100-vjetorit të këtij akti. Noli për herë të parë në Shqipëri ka ardhur në korrik të vitit 1913 dhe ka zbritur në Vlorë. Atje ka mbajtur meshën e parë në gjuhën shqipe, në Kishën e Shën Vlashit. Ky ishte një akt që kaloi pa jehonë për shkak të situatës që ishte krijuar asokohe, ndërsa një vit më vonë, për të tretën herë, Noli erdhi përsëri në Shqipëri, kësaj radhe në Durrës. U kthye me rastin e festimit për ardhjen në pushtet të Princ Vidit. Ashtu sikurse erdhën edhe të tjerë nga diaspora, erdhi edhe Noli, por ai kishte një peshë të veçantë, ishte i pari klerik shqiptar që bëri meshën e parë në gjuhën shqipe. Noli erdhi në datë 7 mars të vitit 1914 dhe pas tre ditësh bëri meshën e parë. Noli meshën e parë e bëri në Durrës, por jo në ambientet e Kishës së Shën Spiridonit, por në ambientet e Pallatit Mbretëror. Aty u organizua një tribunë e ngritur posaçërisht në qiellin e hapur, ku u mblodhën qindra njerëz nga të gjitha besimet. Megjithëse mitropoliti grek Jakovi u kishte bërë thirrje qytetarëve ortodoksë që ta bojkotonin, kështu që më shumë se një Te Deum dhe një tubim madhështor ishte një manifestim patriotik i dyfishtë sepse; së pari meshohej për herë të parë në gjuhën shqipe, së dyti Noli me fjalën e tij që i kishte peshë krijoi mbështetje për Princ Vidin, ai donte që të njihej shteti shqiptar. Kështu që, fjala e Nolit në prani të çiftit princëror arriti kulmin jo vetëm në ceremoni, por për fjalimin e tij shprehës, shtypi e cilësoi si një fjalim të zjarrtë, të bukur dhe të nevojshëm. Ashtu sikurse e citon edhe shtypi, njerëzit e pritën me më të madhin entuziazëm, sepse Noli dha këshilla për popullin. Ai u kërkoi që ta mbështesnin shtetin e ri që kishte ardhur me në krye Princ Vidin dhe që të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre si qytetarë të devotshëm. Noli e mbylli fjalën e tij me: Rroftë Shqipëria e lirë. Kjo ceremoni la përshtypje të jashtëzakonshme dhe u kthye në ngjarje në jetën e qytetarëve.
Pra në Kishën e Shën Spiridonit në Durrës u mbajt mesha e dytë?
Po, për hir të së vërtetës, përveç meshës që dha në qiellin e hapur megjithë pengesën që sillte peshkopi grek Jakovi, ai dha meshën e dytë në Kishën e Shën Spiridonit. Ashtu siç tregojnë dokumentet dhe kujtimet e bashkëkombësve, veprimtaritë e para të Nolit ishin bërë me një pritje të jashtëzakonshme dhe përmbanin një thirrje të thellë patriotike, për atë moment që po kalonte vendi dhe shteti shqiptar i asaj kohe.
A arriti ta bënte Noli këtë tur?
Noli nuk arriti që ta bënte këtë tur, pavarësisht dëshirës së madhe që kishte nuk mundi që ta realizonte. Arsyeja e parë ishin shpenzimet, e dyta ishte se Noli sapo ishte bërë prift në Boston dhe nuk kishte kush ta zëvendësonte, prandaj e la në një kohë të mëtejshme. Preokupimi tjetër ishte se, Noli donte që të ngrinte një shtypshkronjë që të botonte libra në shqip, të botonte edhe librin e meshës të përkthyer në shqip. Kështu që Noli e nxiste këtë projekt, sepse donte që një ditë ta blinin shtypshkronjën dhe ta vendosnin në Elbasan. Por për fat të keq, edhe kjo nuk u realizua jo vetëm për shkak të anës materiale, por edhe nga pengesat e gjuhëtarëve. Pushtuesit turq, administrata turke nuk e lejonte që të ngrihej një shtypshkronjë, që të botonte libra në gjuhën shqipe, me alfabet latin, pasi ata ishin për një alfabet turko-arab. Prandaj mendoj se, të gjitha këto tregojnë se, Elbasani ka qenë një nga vatrat ku Noli u lidh me të qysh në fillimet e veta si prift për aktivitetin fetar.
Ju personalisht ku mendoni se duhet të vendoset busti i Nolit?
Do të thosha se, çdo vend i Shqipërisë ku Noli ka shkelur dhe ka bërë një aktivitet mund ta kujtonte me një bust. Busti në Durrës i takon Nolit, jo vetëm se atje mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe, por kur u zgjodh si peshkop, ishte i Tiranës dhe i Durrësit. Gjatë viteve ‘20 Noli një pjesë të jetës e kaloi në Durrës, pavarësisht se rezidenca e tij ishte në Tiranë. Prandaj unë personalisht do të isha që të ngrihet një bust për Nolin, por nuk ka përse të ngrihet brenda oborrit të një kishe, qoftë edhe Kisha e Shën Spiridonit ku Noli ka qenë klerik, apo aty ku ka qenë vendi ku banonte. Por një figurë si e Nolit që, për fat të këtij qyteti dhe të tij jetoi dhe punoi në Durrës, mendoj se ai bust do ta kishte vendin në një nga sheshet e qytetit të Durrësit.
Profesor ndalim pak edhe në fjalën e At Nikolla Markut se: Noli në letërkëmbimet që ka shkëmbyer me Lef Nosin ka lënë amanet që, busti i tij të vendosej në Kishën e Shën Marisë në Elbasan, apo edhe në kala... Nga hulumtimet tuaja sa e vërtetë është kjo?
Kjo nuk është e vërtetë. Është një sajim që nuk e di se përse e ka bërë At Marku, sepse unë kam mbledhur dhe botuar letërkëmbimet e Nolit, ku përfshihen edhe ato që i janë dërguar Lef Nosit. Nuk ka asnjë letërkëmbim ku Noli ka shprehur dëshirën se, një ditë do donte të prehej në Elbasan, apo edhe në kala. Ky duket si një sajim që është krijuar kohët e fundit në Kishën Ortodokse. Një gjë është e vërtetë se, kur u bë prift Noli në vitin 1908 krijoi një korrespodencë me atdhetarin Lef Nosi. Ai ishte i vetmi atdhetar i shquar dhe i nderuar dhe një prodhimtar shumë aktiv, që Noli në korrespodencën e tij i shkruan se: Kur të vij në Shqipëri do të bëj një tur në të gjithë Shqipërinë për të përhapur fjalën e shenjtë në gjuhën shqipe. Këtë tur do ta bëj në Shqipëri dhe si qendër do të kem Elbasanin.