Ana e errët e kësaj jave në Kategorinë e Parë ka të bëj me tolerimet. Ato kanë qenë masive, madje me skena të denja për humor sportiv. Në Lezhë ndeshja mes Besëlidhjes dhe Mamurrasit u kthye në stërvitore. Ajo përfundoi 6-7 për mamurrsakët, të cilëve u duhej fitorja patjetër për të shmangur rënien nga kategoria. Sulmuesi i Besëlidhjes, Kosta Bajiç, ka shënuar gjashtë gola, sepse skuadra e tij kishte vendosur që duhet të dilte ai golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, duke parakaluar Jasmin Raboshtën e Kastriotit me 21 gola. Festival golash ka pasur edhe në ndeshjen Erzeni-Ada 4-5, ku velipojakët duke përfituar nga mungesa e motivit të shijakasve, kanë fituar 5-4.
Edhe në këtë takim në skenë ka dalë një sulmues që pretendon "Këpucën e Artë", pikërisht Ermir Rezi, i cili shënoi tri herë. Ajo që parashikohej ndodhi edhe në Fier, ku Apolonia "mëshiroi" Elbasanin, që fitoi 2-3 në "Loni Papuçiu". E njëjta gjë edhe në Lushnjë, ku Turbinës që i duhej fitorja ia arriti një gjë të tillë në "Roza Haxhiu". Ndërkohë, në "Elbasan Arena" Sopoti fitoi 4-0 ndaj Butrintit, duke e zbritur këtë të fundit në Kategorinë e Dytë. Sarandjotët kanë vuajtur këtë sezon përplasjet mes tyre dhe gjykime e njëanshme në disa ndeshje.