Mesazhi i Nishanit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani permes nje mesazhi ngushellimi drejtuar familjes ka shprehur hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të artistit dhe aktorit të shquar Roland Trebicka.
“Sikur aktori Roland Trebicka të ishte njeri i zakonshëm fjalët e ngushëllimit për ndarjen e tij nga jeta do të ishin më të lehta për t’u zgjedhur e për t’u shprehur.
Është rrugëtimi i mundimshëm drejt artit, është jeta dhe vetë personaliteti i artistit të shquar që na bën të mendohemi shumë e të zgjedhim fjalën më të ngrohtë e të denjë për të shprehur dhimbjen dhe respektin e merituar që ia kemi borxh, sepse ajo çka la pas me artin e tij është një shërbim i madh që i bën vendit.
Jam i sigurt se familja e tij; bashkëshortja, fëmijët, të afërmit e ndjejnë shumë dhimbjen, por po aq jam i bindur se kjo dhimbje përkthehet në respekt dhe mirënjohje të madhe nga çdo shqiptar që ka pasur dhe do të ketë fatin të ndjekë Rolandin në rolet e tij të mrekullueshme. Jeta e tij e shkurtër është pragu i fillimit të një pavdekësie, të cilin ai e ka merituar dhe ne jemi krenarë për kontributin e tij ndaj artit dhe kulturës shqiptare”, përfundon mesazhi i ngushëllimit i Presidentit Nishani.
Aktorit të mirënjohur i ishte zbuluar një masë tumorale në mushkëri, për kurimin e së cilës fluturoi me urgjencë në Francë, i ndihmuar edhe nga shteti shqiptar.
Aktori Roland Trebicka do të kthehej në skenën e Teatrit Kombëtar, pas semundjes se rende me rolin e Seit Beut në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, fituese e konkursit për dramën shqipe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
40 vite karrierë
Roland Trebicka lindi në Korçë, në vitin 1947. Karriera e tij si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961-shin. Ndoshta që këtu e ardhmja e tij ishte vendosur. Humori spontan, i cili i buron dhe në momentet më të vështira u shqua qysh në në kohën e shërbimit ushtarak, ku shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), e njohur si “Estrada e Ushtarit”. Vitet në këtë trupë profesioniste ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971-shin dhe punoi aty deri në vitin 1999.
Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Shumë e identifikojnë me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”, por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Në 40 vite karrierë ka realizuar një mori rolesh si atë të Xhenarinos te “Magjia e madhe”, Zganarelit te “Don Zhuani”, Hlestakovit te “Inspektori” (“Revizori”), për të ardhur më afër në kohë me pjesë si “Si e mposhta Musolinin”, “Pleshti në vesh”, “Magjia e verës së kuqe”, “Berberi i Seviljes”, “Dadot”, etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për çmimin “Aktori më i mirë mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” dhe “Koncert në vitin 1936”. Është nderuar me titullin “Artist i merituar”