Teatri Migjeni ne gjendje emergjente

Teatri 'Migjeni' ne gjendje emergjente

Teatri “Migjeni”, më i  vjetri teatër në Shqipëri rrezikon të mbyllet për shkak të gjendjes së amortizuar. Nga momenti në moment rrezikon për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik rrezikon të bjerë zjarr. Alarmi është dhënë nga drejtuesit e këtij institucioni, të cilët pohojnë se prej një viti i kanë dërguar letër kryetarit të Bashkisë Shkodër dhe Ministrisë së Kulturës, por askush nuk ka ndërhyrë. Që në datë 4 shkurt të vitit 2014, artistët e Teatrit ‘’Migjeni’’në Shkodër i kanë dërguar një letër ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, por deri më tani asgjë nuk është rregulluar. Letrën për gjendjen e vështirë të teatrit e ka marrë edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, ku të dy informohen se teatri është krejtësisht jashtë funksionit.

Letra e firmosur nga drejtori i teatrit Edmond Angoni, përgjegjësi teknik Arben Meshnuni dhe inspektori i skenës Sabah Baxha, tregon se si teatri mund të bëhet burim aksidentesh, për shkak të amortizimit të lidhjeve elektrike. “Ndihet erë kauçuku i përcëlluar, i tejnxehur. Ju vëmë në dijeni se në gjithë raportimet verbale gjatë këtyre viteve dhe si pasojë e mungesës së investimeve për infrastrukturën e Teatrit “Migjeni”, gjendja ka arritur në pikën e saj më kritike”, i shkruan në raportimin e tij, ministres Kumbaro, drejtori Edmond Angoni.

Më tej, Angoni flet për sistemin elektrik, që është amortizuar në të gjitha ambientet e teatrit, që sipas tij, “nga çasti në çast mund të sjellë rënie zjarri”. “Auto-transformatorët, mikseri dhe automatët e ndriçimit të skenës janë jashtë çdo përdorimi. Punohet jashtë çdo kushti teknik, gjë kjo e konfirmuar nga ekspertizat e inxhinierëve austriakë, para 2 vitesh me rastin e bërjes së fizibilitetit të teatrit’’, thuhet në letër, duke u sjellë në vëmendje edhe rrezikun e korrentit, që mund të kapë në çdo kohë punonjësit. Ankesa ka edhe në drejtim të vjetërsimit të ndenjësve për spektatorët dhe për ngrohjen me kaldaja. Po kështu problem shqetësues mbetet edhe ajrimi i sallës.

“Për këto arsye, ju vëmë në dijeni se situata nuk përballon më asnjë shfaqje të vetme dhe ndërhyrja duhet bërë urgjent pasi dëmet mund të jenë të pariparueshme dhe me pasoja”, përfundon letra e drejtorit të Teatrit “Migjeni”, drejtuar ministres Kumbaro. I ndërtuar në vitin 1958, ky teatër është tempulli i kulturës në Shkodër dhe ka shërbyer si fidanishte për nxjerrjen e talenteve të mëdhenj, figurave të njohura të skenës në mbarë vendin e më tej. Shfaqjet në këtë teatër edhe pse nuk kanë munguar kanë qenë të pakta, ndërsa në fillim të viteve 2000 ai iu nënshtrua një rikonstruksioni të mundësuar nga programi “Passap i Unopps”, financuar nga qeveria italiane. Por megjithatë, amortizimi ka vazhduar të jetë evident dhe ka ardhur duke u shtuar.

 Edmond Angoni, drejtori Teatrit “Migjeni”

I kontaktuar nga “Shekulli” drejtori i Teatrit “Migjeni”, Edmond Angoni u shpreh se: “I jam drejtuar Bashkisë së Shkodrës dhe kam vënë në dijeni edhe ministren e Kulturës, sepse problemi është që situata në Teatrin “Migjeni” është jashtë çdo norme të Komunitetit Evropian. Këtë e kam thënë gjatë këtyre dy viteve, por sidoqoftë është konsumuar edhe gjatë një shfaqje të fundit, kur teatri ishte në potencialin e vetë. Aty vjen erë e telave, që unë nuk mund të them se nga vjen. Që të mos bëhemi gazi i botës për ndonjë burim zjarri, problemi është se duhet parë gjendja. Unë nuk i referohem godinës si strukturë, godinës së Teatrit “Migjeni”, sepse është në rregull, por sistemit elektrik që është akoma kabina e vitit 1957. Kjo duhet parë seriozisht”.

Pyetjes nëse do të vazhdojnë shfaqjet në Teatrin “Migjeni”, ai i përgjigjet se: “Unë po them se po punojmë jashtë çdo norme të Komunitetit Evropian. Shfaqje me përmasa edhe me kapacitet të plotë, pa energji elektrike ne nuk mund të bëjmë. Bashkia e ka bërë punën e saj. Para dy vjetësh ka sjellë grupin e punës austriak, dhe ata janë skandalizuar për kushtet e teatrit, jo të strukturës, por ato të sistemit elektrik. Unë duhet të them se jemi në një situatë emergjente”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama