Teatri i Operas dhe Baletit 60 vjet histori operistike

Teatri i Operas dhe Baletit 60 vjet histori operistike
“Gala Operistike” ishte koncerti që u prezantua para publikut në Teatrin e Operës dhe Baletit. Solistët, kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB interpretuan në skenë disa nga operat më të njohura botërore dhe shqiptare në kuadër të çeljes së sezonit dhe në përkujtim të 60-vjetorit të krijimit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Dirigjent i Orkestrës ishte Edmond Dako dhe kormaestër Dritan Lumshi.

Veprat që u prezantuan përpara publikut ishin shqiptare dhe të huaja: tre vepra nga kompozitori Xhuzepe Verdi  si “ La forza del destino”, nga pjesa “Pace, pace mio dio” ku roli i Leonorës u interpretua nga sopranoja Eva Golemi, “Ballo in maschera” ku rolin e Renatos në arien “Alzati la tuo figlio” e interpretoi baritoni Ylber Gjini. Nga  “Aida” rolin e Aidës në arien“Ritorna Vincitor” e interpretoi sopranoja Shpresa Beka. Kuarteti “Bella figlia dell amore” i Rigoletos u interpretua nga Armando Kollgjeri, Eva Golemi, Vikena Kamenica dheYlber Gjini.

Pjesët shqiptare si “Rapsodi Shqiptare Nr. 2” e kompozitorit Fehim Ibrahimi, “Mrika”, aria e Marës “Zemrën Mrikë unë s’po ta prishi” nga Prenk Jakova u interpretuan nga mezosporanoja Ivana Hoxha etj. Përveç kësaj mbrëmje gala, në çfarë gjendje e gjen Operën ky 60- vjetor? Si i kujtojnë solistët, koristët dhe instrumentistët e TOB-së herën e parë që kanë interpretuar në skenën e madhe.

Aleksandër Rrapi është këngëtar në korin e TOB-së prej 20 vitesh. Momentet e para i kujton me shumë emocion. Sidomos kur ka interpretuar në krah të Mariana Lekës, Josuf Gjipalit, Gaqo Çakos etj.Koha ka rrjedhur, por për koristin Rrapi artistët e parë të TOB mbeten të pazëvendësueshëm. E vetmja vështirësi për të janë mbingarkesat në punë. “Të bësh opera çdo muaj kur më parë këndonim një herë në tre muaj është paksa e vështirë”, thotë Rrapi. Kushtet ku përgatiten, për të janë shumë të mira sepse çdo punonjës i administratës punon për një ambient të pastër dhe të ngrohtë.

Tradita e ansambleve korale në Shqipëri është zhvilluar që në vitet e para të shpalljes së pavarësisë. Kori i përgjithshëm i shtetit, i cili u formua në Priskën e Madhe të rrethit të Tiranës në vitin 1944, kishte drejtues artistik Kostandin Trako, dirigjenti i parë koral në vendin tonë. Në vitin 1950,  kjo trupë inkuadrohet në Filarmoninë e Shtetit dhe në vitin 1953 në TOB.  Pas 60 vitesh në skenën e TOB mund të takosh dhe pasardhësit e artistëve që kanë shkelur të parët në skenë e TOB-së. Koristi Maksim Xhemali është djali i këngëtarit klasik Mentor Xhemalit. Ai është anëtar i TOB-së që prej vitit 1970.

Opera e parë me të cilën ka debutuar është “La Traviata” e Verdit. Xhemali kujton me shumë nostalgji rastet ku ka interpretuar në skenë me Nina Mulën apo të atin, Mentor Xhemalin.  Operat si “Skënderbeu” apo “Mrika”  për të janë të papërsëritshme. “E kujtoj me shumë nostalgji atë brez, pavarësisht se i përkiste sistemit komunist ata kanë qenë bilbilat e TOB-së” thotë ai. Ai këtë periudhë e konsideron më të lehtë për sa i përket angazhimit vokal. Sipas tij, kushtet që ofron opera për një artist janë shumë të mira.

Sopranoja Shpresa Beka ka 14 vjet që punon në TOB. Në skenë për herë të parë ka interpretuar kur ka qenë studente. Roli i parë i saj është  nga vepra “Cosi Fan Tutte” e Mozarit. Sot ajo numëron 12 role. Për të çdo rol ka rëndësinë e vet që nuk mund të krahasohet me të tjerët. Skena e TOB-it i ka shërbyer të rritet artistikisht. Pavarësisht se thotë që ka ende shumë për të mësuar. Dorina Selimaj është soprano në TOB prej10 vitesh. Debutimin e parë Dorina e ka pasur në operën “L'elisir d'amore” të Donizetti-të. Kurse për kushtet e Operës në këtë 60-vjetor nuk ka asnjë rezervë. Ajo mendon se është përgjegjësi e madhe kur interpreton përkrah artistëve me eksperiencë si Mariana Lekaj, Ermonela Jaho, Sajmir Pirgu etj. Në këtë 60-vjetor ka dhe artistë të cilët janë të pakënaqur. Baritoni Ylber Gjini ka 20 vite që punon në TOB. Për herë të parë është ngjitur në skenë me rolin e babait tek “La traviata” e Verdit, përkrah Edit Mihalit.

Një nga pishmanet e Gjinit është që nuk e vazhdoi karrierën profesionale jashtë shtetit, por punoi vetëm në TOB. Gjini shprehet i pakënaqur për vlerësimet që bëhen për artistët që vijnë nga jashtë shtetit. Këto vlerësime i ironizon me një shprehje të urtë popullore se “tani nuk dihet se kush pulë duhet të mbahet më mirë, pula që ta bën vezën në shtëpi, apo ajo që e bën tek komshiu. Të këndosh 4 orë live, me apo pa ngrohje nuk është e thjeshtë”, thotë Gjini. Kondicioneri në studio nuk mungon, por gjatë provave regjisoriale në skenën e madhe i ftohti ndihet. “Kështu gjysmën e pagës e shpenzoj me medikamente apo kondicioner për të kuruar zërin. Prandaj u pa puna do iki në pleqëri jashtë shtetit, nuk kam se çfarë të bëj tjetër”, thotë Gjini.

Në  vitin 1950 u formua Orkestra simfonike e TKOB së bashku me Filarmoninë e Shtetit. Në të bënin pjesë orkestrantë të përgatitur fillimisht në gjimnazet dhe shkollat e mesme të përgjithshme, Orkestra Frymore e Ushtrisë dhe më pas në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Aktiviteti i saj artistik fillon me koncertet dhe shfaqjet që jep Filarmonia e Shtetit  dhe në vitin 1953, inkuadrohet në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Violiçenlisti, Kujtim Vorbësi pjesë e TOB-së prej 33 vitesh, kujton me nostalgji herën e parë në TOB. Ai tregon se për 20 vite ka punuar për muzikë dhome dhe më pas me orkestrën. “Fillimisht kemi qenë një kuartet shumë i mirë me instrumentistët Klodiana Skënderin dhe Piro Gjezin, por më vonë kuarteti u shpërnda”, thotë Vorbësi. Veprat e vëna në skenë para viteve ’90-të kanë qenë nga repertori operistikë shqiptar si “Mrika”; “Lulja e Kujtimit”, “Karnavalet e Korçës” etj.

“Çdo pjesë e huaj që ekzekutohej asokohe duhet me patjetër të shkurtohej sidomos kur brenda në të gjeje fjalën “Zot”, thotë Vorbësi. Kjo ka qenë sipas tij periudha më e errët në opera. Vorbësi është dhe drejtor artistik i TOB-së. Në fund ai na citon shprehjen e Çajkovskit se “Asnjë gjini e artit skenik nuk e ka forcën e operës, sepse në të shkrihen në një të tërë të vetme drama dhe muzika, një kolektiv i madh ekzekutues: solistë, orkestrinë, kor, balet e figurantë, dekore, kostume me kolorit të gjallë, ndriçimi, që së bashku me ngjarjet dramatike që zhvillohen në skenë të krijojnë një mbesë të paharrueshme”.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (1953)

Teatri Operistik filloi punën në godinën që sot mban emrin Teatri Kombëtar, aso kohe Teatri “Kosova”. Shfaqja e parë është opera “Rusalka” e kompozitorit rus A.S. Dargomizhskij 28 Nëntor 1953. Teatri i Operës u shpërngul në godinën që sot mban emrin Universiteti i Arteve, më 1958 dhe pak vite më vonë1962 ftoi në gjirin e saj dhe Konservatorin Shtetëror.

Në këtë godinë u realizuan vepra të plota operistike e të baletit si “Mrika”, “Halili dhe Hajria”, “Delina”, etj. Pati edhe vite krejt të ndryshme si vitet: 1971-1973, kur përpjekjet e artistëve dhe të drejtuesve, shkonin në kah të kundërt me atë që inspironte sistemi dhe që u konsideruan si dekadente dhe tepër të rrezikshme ideologjikisht derisa çuan në ndëshkime të rënda për drejtuesit,  artistët, dhe familjet që ata mbanin mbi supe. Në vitet 1991-2003, pas rënies së sistemit, TOB shkoi drejt rritjes së bashkëpunimit botëror.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama