Teatri ne krize financiare dhe krijuese

Teatri, ne krize financiare dhe krijuese

Konkursi i shpallur nga Ministria e Kulturës për drejtorin e ri të Teatrit Kombëtar ka rindezur edhe njëherë debatin mbi atë çfarë ka ndodhur me teatrin shqip këto vite, dhe si duhet të jetë e ardhmja. Skena e Pavarur Kulturore, një organizatë e cila shprehet në gjuhën e një grupi shoqatash arti, përmes një deklarate i kërkon Ministrisë së Kulturës të shohë në 360 gradë çështjen e teatrit dhe të përmirësojë politikat kulturore në këtë drejtim, pasi, sipas tyre, teatri është në një krizë të thellë, si në aspektin financiar dhe atë krijues. “Teatri, sipas një doktrine, konsiderohet një formë high art, që është në kontrast me kulturën popullore. Si i tillë, sektori karakterizohet nga një situatë çekuilibri ekonomik dhe ligjet e tregut nuk garantojnë mbijetesën dhe pavarësinë e sektorit bazuar në faktin që kërkesa për teatër është relativisht e kufizuar kundrejt formave të tjera zbavitëse (televizioni, klubet).

Për këtë arsye, sektori teatror financohet nga buxheti i shtetit, nisur nga funksioni artistik shoqëror dhe ekonomik i këtij institucioni”, thuhet në deklaratë. Ky grupim artistësh propozon kritere financiare që do të përballonin ndryshimet politike sociale në vend dhe do të mundësonin përmbushjen e qëllimeve institucionale të teatrit shqiptar edhe në kushtet e burimeve materiale dhe financiare të kufizuara. Këto kritere janë: të mbështesë cilësinë, novacionin, kërkimin dhe eksperimentimin e teknikave të reja dhe stileve të reja artistike; të financojë vepra të reja dhe të promovojë repertorin bashkëkohor shqiptar dhe europian, të ruajë e të promovojë repertorin e vjetër nëpërmjet rivënies në skenë të shfaqjeve së Teatrit Kombëtar dhe teatrove në rrethe.

 

SPK i kërkon Ministrisë së Kulturës të hartojë një memorandum kontratë bashkëpunimi me Radio-Televizionin Publik Shqiptar, ku të përcaktonin qartë pronësinë mbi çdo gjë që RTSH-ja ka regjistruar në TK. Ky memorandum, të shoqërohet me amendimin ose pasurimin e ligjit për të drejtën e autorit dhe kështu TK do të kishte një të ardhur shumë herë më të madhe në buxhet se ai që ka aktualisht. Një tjetër kërkesë është edhe mbështetja e formave të reja të krijimit artistik ndërdisiplinor, që priren ndaj shartimit të gjuhëve artistike.

 

Nëse në vende të ndryshme të botës kompanitë private teatrore janë diçka më se e zakonshme, në Shqipëri ende mungojnë iniciativa të tilla. SPK-ja kërkon nga ministria që të inkurajohen artistët e rinj, të krijojnë kompani private, të krijojnë një riekuilibër territorial që favorizon nismat teatrore dhe qarkullimin e kompanive teatrore në zona jashtë qendrave të mëdha urbane, si dhe të ketë një projektim ndërkombëtar për teatrot shqiptare në veçanti në hapësirën europiane. Kritere financiare duhet të ketë dhe për ndërtesat ku do të vihen në skenë shfaqjet e ndryshme teatrore. Nëse lexojmë kriteret që Ministria e Kulturës ka vendosur për kandidaturën që duhet të plotësojë drejtori i ardhshëm i Teatrit Kombëtar, ajo përfshin pothuajse të gjitha kërkesat që kërkon SPK. Teatri dhe reforma në të, ka qenë një përparësi në punën e ministres së re të Kulturës, gjë që shihet dhe në mosngutjen për të zgjedhur menjëherë kandidaturën që do të zëvendësojë drejtorin aktual, Kristaq Skrami. Këto 23 vite, teatri ka qenë gjithnjë një temë që ka ngjallur debat dhe nuk ka gjeneruar paqe mes artistëve mbi funksionimin e tij.

Kriteret për ndërtesat që do të financohen nga buxheti i shtetit

- Kompanitë teatrore që kanë një ndërtesë fikse ku zhvillojnë aktivitetin e tyre të plotë dhe që ftojnë vetëm rrallëherë shfaqje të prodhuara nga kompani teatrore të tjera;
- Kompanitë teatrore që kanë një ndërtesë fikse, në të cilën zhvillojnë aktivitetin e tyre prodhues, por që i dedikojnë aktivitetit mikëpritës një vëmendje të veçantë;
- Kompanitë teatrore që ftojnë ekskluzivisht shfaqje të prodhuara nga kompani teatrore të tjera;
- Kompanitë teatrore private që nuk posedojnë një ndërtesë fikse, por që e zhvillojnë aktivitetin e tyre nëpërmjet pjesëmarrjes në struktura të tjera teatrore, pra teatri shëtitës


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama