Teatri per ku?

Teatri, per ku?
Goethe Institut përfundoi së fundi një program takimi midis autorëve të rinj të teatrit që jetojnë në Europën Lindore dhe profesionistëve të kësaj fushe në qytetet e Mynihut, Shtutgartit dhe Berlinit. Përpara se të nisesha, kisha disa hipoteza por nuk kisha imagjinuar që do kisha një javë të ngjeshur me individët më të rëndësishëm të teatrit shtetëror gjerman.

Aeroporti Nënë Tereza. 19 Nëntor. Salla e nisjeve është e qetë. S’ndodh asgjë përveç vonesës së avionëve. Nisem për Mynih dhe në aeroport kur mbërrij, takohem me dy kolegë nga Kroacia dhe Rumania. Pastaj fill për hotel ku takohemi me pjesën tjetër të grupit. Darka tek “Three penny opera” me ideatoren e programit, drejtoresha e Goethe Institut Athinë, Juliane Stegner. Pas darkës, në Spielart Theater Festival (www.spielart.org) për të parë “Before your very eyes” nga Gob Squad (www.gobsquad.com), një kolektiv artistësh të cilët punojnë me video performancë, instalacione. Shfaqja ishte me fëmijë të moshës 11-15 vjeç, një mësim mbi teatrin, rolet, shoqërinë, të ardhmen, konceptin.

Diskutoj me kolegun kroat dhe mësoj mbi buxhetin e teatrit kombëtar kroat (15 milionë euro për sezon). Kjo gjë doli se unë po pyesja: A e di sa gjëra interesante mund të bëhen me 1 milionë euro? (Shifër hipotetike mbi buxhetin e teatrit tonë).

20 Nëntor. Bayerische Theaterakademie. Ora 11.00. Eksperti dhe estetika krizës nga Armin Nassehi. Diskutim mbi fenomenin e të ashtuquajturit ekspert, kush në të vërtetë mund të quhet ekspert, ku bazohet njohja e tij mbi fushën, a janë titujt përfaqësim i dijes, po dijes kush i bën ekspertizë?

Në një sallë tjetër vjen Sidigullah Fadai i intervistuar nga Stefan Kaegi (Rimini Protokoll). Fadai tregon për jetën e tij në Afganistan, nga ku shpërngulet pasi i vrasin babanë, dhe kur lufta me pushtimin sovjetik bëhet më agresive, ai shkon në Gjermani ku aktivizohet në një lëvizje për vendin e tij. Aty përfshihet në teatër, film, bëhet imam pasi traditën shpirtërore e kishte të trashëguar nga i ati, predikon në islam për një kohë, por jo shumë, sepse natyra e tij liberale nuk përkon me bindjet radikale të shumicës së afganëve. Është thirrur në diskutim si Ex expert. Kaegi e pyet sesi ka shpëtuar pa u vrarë në ndonjë atentat. Ai thotë që shkon rrugëve si gjithë të tjerët, pa roje, pa makinë të blinduar, dhe kjo mbase ja ka shpëtuar jetën. Takimi mbyllet me një moment domethënës. Fadai i fton pjesëmarrësit të luten për paqen dhe për të gjithë njerëzit. Ai drejton lutjen sipas besimit islam, dhe gati 100 të pranishëm në një akt solemn i bashkohen Fadait me përulësi.

Ora 14.00. Pinakothek der Modern: Polke, Fischer, Picasso, Ernst, Bacon, Beckmann, Matisse, Magritte, Judd, Beuys, Baselitz, Warhol, etj.. Ky muze i artit modern ka një koleksion të mirë të disa prej punëve dhe artistëve të artit bashkëkohor. Përreth ndërtesës janë edhe dy muze arti. Vazhdon seria e pyetjeve por këtë herë në mendjen time.

Ora 18.00. Bayerische Theaterakademie. Takim me Vera Gertz dhe Judith Altman, dramaturge dhe studente e dramaturgjisë. Të dyja ato kanë realizuar dramaturgjinë e operës së Moxartit “La finta gardiniera” me studentë këngëtarë të operës në bashkëpunim me studentë të make-up-it dhe set design-it. Gjatë bisedës u trajtuan temat e realizimit të spektaklit, rishkrimi i pjesëve muzikore ku kishte pasur ndërhyrje në vepër nga ana e dramaturgeve, puna e përbashkët me regjisoren, dirigjentin, orkestrën, studentët, teknikët e sallës. Duhet t’ju them se unë nuk jam fort adhurues i operës, por në ndryshim nga stereotipi operistik ndoqëm një shfaqje shumë të mirë, e konceptuar, e gjallë, me studentë këngëtarë që ishin edhe aktorë të mirë, që lëviznin dhe këndonin dhe gjithçka dukej aq e natyrshme saqë nuk e besoje se ndiqje një produksion shkolle apo provim studentësh si e quajmë ne. Pyetje përsëri.

E hënë. 21 Nëntor. Ora 9.30. Goethe Institut, Mynih. Takim me Martin Berg, drejtues i departamentit të teatrit dhe dancit në Goethe Institut Mynih. Tema e diskutimit lidhet me natyrën e dramaturgut, prezantim i disa qasjeve drejt kësaj fushe, karakteri tradicional si i kundërt me atë të kuratorit modern të shfaqjes. Berg ishte në dijeni të gjithçkaje që ndodh në teatër. Diskutimi me të nuk ishte vetëm një pasqyrë e teatrit gjerman por edhe një vlerësim i situatës mbi atë që ndodh sot në art dhe shoqëri, të rinjtë dhe puna me ta, kombinimi i formave të njohura me ato të reja, audienca. Marrin pjesë nga Bosnja, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Shqipëria, Turqia, Rumania, Qipro. Ndjehemi si në shtëpi.

Ora 15.00. Münchener Kammerspiele. Takim me Julia Lochte, dramaturge. Znj. Lochte na priti në një studio në katin e fundit të ndërtesës ku nga aty dukej një pjesë e mirë e Mynihut. Zakonisht këtu bëjmë takimet dhe diskutimet, thotë ajo. Puna e znj. Lochte është e lidhur ngushtë me autorë bashkëkohorë gjermanë. Ajo ka realizuar disa vepra nga Jelinek dhe tregon për eksperiencat me veprën e saj dhe me regjisorin Johan Simons që është drejtues artistik në Kammerspiele. Me gati 27 milionë euro buxhet për sezon, 30 aktorë, tre regjisorë të brendshëm, dy të tjerë të ftuar, katër dramaturgë, dhe rreth 400 të punësuar që plotësojnë të gjitha nevojat e teatrit, 3 salla, më shumë se 20 premiera në sezon dhe çdo ditë e vitit pothuajse është e zënë me shfaqje. (www.muenchner-kammerspiele.de). Pyetjes sa teatro shtetërorë ka në Mynih, Lochte i përgjigjet: shumë janë, d.m.th përfshirë edhe kompanitë indipendente që financohen nga shteti, nuk mundem t’ju them një shifër të saktë.

Good weather, bad luck. Kjo ishte moto e udhëtimit. Pati diell në Mynih atë ditë por në darkë s’mundemi të ndjekim “Kasimir und Karoline” nga Horváth me regji të Frank Castorf.

Ora 19.30. Der Sturm. Kammerspiele. Shtrëngata e kësaj nate ishte një punë e jashtëzakonshme teatrale, Hildegard Schmahl në rolin e Prosperës, aktore 72-vjeçare e cila e mbylli lojën si një 16-vjeçare plot hijeshi. Perceptimi mbi veprën ishte një realizim i çliruar nga konvencionet tradicionale, skena dhe kostumet, muzika, videot, interpretimi. Pjesa e bukur është në fund kur audienca përshëndet aktorët me duartrokitje të gjata dhe mbi skenë gjenden njerëz të emocionuar nga kjo, ngatërrohen, i humbin ato veti me të cilat ushtrojnë zanatin e tyre dhe s’ka sesi të jetë më mirë. Publik i kënaqur, aktorët po ashtu, drejtuesit e teatrit, zyrat shtetërore nga ku burojnë fondet për kulturën e kështu me radhë.

A ka pyetje? Ishte një nga momentet që na vinin në pozitë gjatë takimit.

22 Nëntor. Bayerische Theaterakademie, institucion prestigjioz. Në këtë Akademi studiojnë rreth 40 studentë në vit për degët, opera, regji, aktrim, dramaturgji, skenografi, kostumografi, grim, dhe kritikë. Pagesa për semestër është 500 euro dhe gjithsej janë 4 semestra. Çdo student që mbaron shkollën punësohet, ose të paktën rreth 90 % e tyre.

Ora 12.00. Residenz Theater. Takim me Sebastian Huber dhe Laura Olivi. Drejtues i departamentit të dramaturgjisë, Huber tregon: kanë 55 aktorë, 10 regjisorë, 460 të punësuar, 28 produksione në vit me buxhet 21 milionë euro. Në përgjithësi ky teatër por edhe teatrot e tjerë shtetërorë, kanë në repertor autorë gjermanë. Na bëri përshtypje dhe kësaj pyetje të gjithë i janë përgjigjur me buzëqeshje dhe me argumentin se autorët përzgjidhen nga tematika, bashkëkohësia, lidhja e tyre me realitetin e përditshëm.. Olivi tregon për bashkëpunimet e saj me teatrot në Europë, konceptin teatral, stilin dramaturgjik.

Ora 15.00. I kthehemi të njëjtës sallë, këtë radhë me Susanne Traub. Ajo ka një profil profesional më tepër në danc teatër, filozofi, studime, muzikë dhe pozicioni i saj ka karakter freelance, shkruan kritikë për revista të ndryshme, jep mësim në universitet, organizon ngjarje kulturore. Ajo tregon për punën e disa prej kompanive më të mira të dancit bashkëkohor, si i subvencionon shteti këto kompani të cilat nuk zhvillojnë atë që njihet si kulturë e mainstream-it apo komerciale. Diskutim bëhet edhe për rolin e një dramaturgu në një kompani danci, përzgjedhja e materialeve, puna me tekstet, koreografia, roli i performuesit, autonomia e trupës, festivalet.

Në orën 18.00 kemi takim me Tilmann Broszat, drejtor i festivalit Spielart. Takimi zhvillohet në një restorant përballë Residenz Theater. Deri tani, personat që kemi takuar kanë qenë të përpiktë në takim, nuk i pashë ndonjëherë me telefonin mobil në dorë, nuk kishin pamje të shpërqendruar, tepër të përkushtuar dhe treguan respekt për të gjithë ne duke u përgjigjur pyetjeve sinqerisht dhe miqësisht. Z. Broszat tregon për festivalin, si i zgjedhin produksionet, puna me qytetin e Mynihut, tendencat e festivalit për çdo dy vjeçar, të ftuarit, audienca.

23 Nëntor. Ora 11.00. Opera Shtetërore e Shtutgartit, është një nga më të mirat në Europë, inauguruar me premierën botërore të “Ariadne auf Naxos” nga Richard Strauss më 1912. Institucioni i bashkohej Teatrit Shtetëror të Shtutgartit. Më vonë kjo ndërtesë do bëhet shtëpia e Baletit të Shtutgartit për ta kthyer në një kompleks të jashtëzakonshëm. Kemi takim me Sergio Morabiton, shefi i departamentit të dramaturgjisë dhe këtij takimi i bashkohet Jossi Wieler, regjisor dhe bashkëpunëtor me Morabito-n prej mëse një dekade. Wieler tregon për eksperiencën e mëparshme në teatër, arsyet pse i është dedikuar operës. Morabito flet për punën e tij me muzikën, dramaturgjinë në opera, klasikët dhe bashkëkohorët. Bëjmë një shëtitje për të parë këtë pallat të madh artistik. Edhe vizitat nëpër teatër kanë qenë një eksperiencë e veçantë, p.sh. në Kammerspiele teknikët po bënin një workshop (iniciativë personale) për forma të reja të realizimit skenik. Në Bayerische Theaterakademie, në një sallë studentët punonin mbi realizimin skenografik të një përralle e cila do të shfaqej për fëmijë.

Ora 15.00. Fluturojmë nga Shtutgarti për Berlin. Programi i mbasdites e ndan grupin në dy pjesë, një në Schaubühne dhe një në HAU. Unë bëj pjesë tek grupi që ndjek performancën e Monchichi në HAU. Zakonisht, kur jam spektator, më pëlqen të shikoj audiencën dhe nga ky lloj observimi kuptohet edhe lloji i shfaqjes që do ndjekësh. Në HAU ishte kënaqësi më vete publiku. Po ashtu edhe shfaqja. Performonin dy balerinë, ishte thjesht bukur teknikisht e artistikisht, sinkronizimi me muzikën dhe lëvizjet ishin perfekt dhe puna e tyre si performues ishte si ajër në skenë.

24 Nëntor. Ora 10.00 takim në Deutsches Theater Berlin me drejtorin Ulrich Khuon. Takimi zhvillohet në parazyrën e drejtuesit, një dhomë që do t’i rrinte mirë edhe emri bibliotekë. Pyetjet janë si përherë, buxheti (26 milionë), aktorët (44 + të ftuar), të punësuarit (300) etj. 16 milionë janë rroga, 5 milionë euro fitohen nga biletat. Deutsches Theater Berlin zhvillon një koncept klasik të teatrit si institucion, disiplina është kusht për mbarëvajtjen, audienca është për ta vlerësuesi më i mirë, pjesët përzgjidhen nga një bord prej 6 vetash, kryesisht dramaturgë. Punojnë me autorë gjermanë si Brecht, Jelinek, Dea Loher por gjithsesi kohët e fundit ata kanë punuar edhe me autorë të tjerë jashtë natyrës së përhershme. Z. Khuon tregon se stafi i teknikëve ftohet herë pas here të shkëmbejë eksperienca në vende të tjera. Tani afër ftojnë artistë japonezë për një performancë që do të kujtojë Fukushimën. Deutsches Theater është shpallur teatri më i mirë dy herë vitet e fundit nga revista teatrore gjermane Theater Heute. Mundeni të vizitoni këtë faqe: www.deutschestheater.de.

Ora 14.30. Hebbel am Ufer ose HAU. Një nga ikonat e artit bashkëkohor gjerman në artet performative, por puna e tij shtrihet edhe në arte vizuale, koncerte muzikore, festivale, konferenca. Realizojnë gati 120 produksione në vit, kanë 3 salla. HAU nuk ka aktorë të punësuar, zakonisht i ftojnë të bashkëpunojnë me projekte. Çdo produksion kalon në dorën e Guru-t të këtij vendi Matthias Lilienthal. Ai na pret në takim me fjalët: ç’dreqin kërkoni këtu? Pastaj flet për të kaluarën e tij, mënyrën si funksionon HAU, sesi i vë në punë 1 milion eurot që i jep qyteti, si përzgjedh artistët, si është mbyllur viti 2012 me projekte dhe sesi ai do ta lërë këtë punë pas 8 vjetësh. Përse? Ai përgjigjet: është rutinë tashmë dhe kam nevojë të bëj diçka ndryshe. Tregon edhe për punën e re në Beirut ku do japë mësim dhe duket entuziast për këtë. Po vazhdoj traditën e adresave: www.hebbel-am-ufer.de.

Ora 20.00 Schaubühne, Mass für Mass. Schaubühne është një ikonë tjetër e teatrit berlinez. I vendosur në Kurfürstendamm, një bulevard i famshëm për dyqanet, baret dhe biznese të tjera, Schaubühne e meriton vendin e tij në këtë zonë. Dikur ka qenë kinema. U projektua nga Erich Mendelsohn në vitet ‘20 dhe u rikonstruktua në vitet ‘80 nga Jürgen Sawade i cili ndërtoi një nga teatrot me pajisjet teknike më të avancuara. Qyteti i Berlinit financoi projektin i cili u zhvillua në bashkëpunim me arkitektin, teknikët, regjisorin Peter Stein, dramaturgët, aktorët. Ky teatër mund  t’i përshtatet çdo forme arkitekturore teatrale, arena, alla italiana, black box, amfiteatër, kabuki teatër etj. Të tre sallat e tij mund të bëhen një apo në çdo lloj hapësire tjetër që imagjinata e regjisorëve mund ta kërkojë. Artistët që kanë punuar këtu janë disa nga më të njohurit në botë, si p.sh. Bruno Ganz, Luc Bondy, Robert Wilson, Peter Stein. Teatri u themelua në vitet ‘60 dhe që atëherë është përfshirë në lëvizjet më interesante teatrore europiane.

Mass für Mass ishte një shfaqje e ekzekutuar mjaft mirë, të gjithë elementët teatralë kishin një ndërthurje interesante, puna e regjisorit Ostermayer me një vepër të Shekspirit ishte një sfidë e fituar.

25 Nëntor. Paraditen e kemi të lirë. Përfitoj nga rasti për të ecur në rrugët e Berlinit, ka diell dhe plot gjëra për të parë.

Ora 17.00 Goethe Institut Berlin. Takim me Gob Squad me temën “Trendi i Reality dhe impakti me skenën alternative teatrore”. Gob Squad janë një grup prej disa artistësh por ne u njohëm vetëm me dy prej tyre, Sean Patten dhe Sharon Smith. Ata tregojnë si e realizuan shfaqjen “Before your very eyes” me fëmijët belgë, si i realizojnë projektet e tyre, stilin e veçantë, punën me videot, radio pjesët apo formate të tjera të “happening” me të cilat shprehin pikëpamjet mbi realitetin e përditshëm.

26 Nëntor. Kthehem në Tiranë me disa përshtypje personale. S’dua të diskutoj mbi teatrin apo shtetin gjerman. Do më pëlqente të vinim në diskutim vizionet e këtyre individëve, konceptet, si e perceptojnë realitetin, individin, shoqërinë, kulturën. Do më pëlqente të vinim në diskutim edhe mënyrën si administrohet kultura e shoqërisë shqiptare, si e perceptojnë realitetin administruesit tanë shtetërorë, vizionet, konceptet, mënyrën e punës, nuk dua as të diskutoj mbi fondet apo buxhetin që jepet nga shteti për kulturën e popullit. As për shkëlqimin ekonomik e as për sukseset shtetërore. Dua vetëm të jemi me këmbë në tokë.

Enton Kaca, regjisor i teatrit, drejton “New Theatre”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama