Tech-stories te vitit 2011

'Tech-stories' te vitit 2011
Industria teknologjike shpesh e gjen veten të pozicionuar drejt të ardhmes. Këtë vit, më shumë se kurrë. Por fatkeqësisht, po këtë vit ndërruan jetë edhe disa nga zërat më të fuqishëm dhe pionierët e vërtetë të shkencës, ndërkohë që siguria kibernetike u kushton kompanive të ndryshme të mëdha miliarda dollarë dhe tendencat e elektronikës dhe të internetit kanë sjellë në jetë mjete të reja dhe kanë krijuar sfida të reja. Sa për të ardhmen, janë ndërmarrë shumë studime dhe iniciativa që do t’i japin frytet e tyre në të ardhmen. Të tilla janë strategjitë e celularëve të ‘Helvett-Packard’, planet e ‘Google’ për ‘Motorolën’, transistorët 3D prej silikoni të ‘Intelit’ e të tjera si këto. Por të gjitha këto, në fakt, i përkasin sukseseve të viteve në vijim. Ja disa nga shpikjet dhe ngjarjet shkencore të këtij viti, që do të kenë një rezonancë edhe në vitet në vijim.

1. Vdekja e Steve Jobs

Nga një djalosh me rrënjë në shtresën e mesme, Steve u shndërrua në pronarin e kompanisë më me vlerë teknologjike në botë. Ai bashkëthemeloi ‘Apple’, kompaninë e fuqishme dhe të respektueshme. Vdekja e tij në 5 tetor, pas një beteje të gjatë me kancerin, shkaktoi reagime në të gjithë botën. Në ‘Apple’, Steve ndihmoi në krijimin e industrisë së kompjuterit personal dhe ngriti një skuadër që punoi me të për të krijuar mjete të tilla teknologjike si iMac, iPod, iPhone dhe iPad. Ai gjithashtu gjeti kohë që të drejtonte ‘Pixar Animation Studios‘, krijuesja e “Toy Story”, e cila u ble nga ‘Walt Disney’ për 7.4 miliardë dollarë në vitin 2006. Pas vdekjes së Jobs këtë vit, industria e fuqishme që ai krijoi pati një pauzë të shkurtër. Ndoshta ajo nuk do të jetë më e njëjta pa njeriun që e ideoi dhe realizoi.

2. Roli i medias sociale si mjet proteste

Është lëvduar shumë këtë vit ‘FaceBook’, ‘Twitter’ dhe ‘YouTube’ pas rolit të jashtëzakonshëm që luajtën në ngjarjet e “Pranverës Arabe”, protestave që përfshinë Lindjen e Mesme e që filluan që nga fundi i vitit 2010. Përdorimi i rrjeteve sociale për të përhapur fjalën në lidhje me demonstratat u bë shumë i madh këtë vit, veçanërisht në kryengritjet e Egjiptit, që rrëzuan edhe regjimin e Mubarakut. Në Londër, protestuesit përdorën ‘Messenger Black Berry’. Ndërsa ‘Ocupy Wall Street’ përdori shumë mesazhet në ‘Twitter’. Ndoshta, i nisur pikërisht nga këto ngjarje, shpikësi i ‘FaceBook’, Mark Zuckerberg deklaroi në një konferencë këtë vit: ”Ne ekzistojmë në pikëprerjen e teknologjisë dhe çështjeve sociale”.

3. Hakersat

Maska e famshme e Guy Fawkes, simboli i bardhë i kryengritjes politike, është parë me shumicë në protestat e “Ocupy Wall Street”, por maska që është huazuar nga filmi “V for Vendetta”, është përdorur edhe më parë nga grupi online i quajtur “Anonymous”. Anëtarët e këtij grupi të fshehtë kanë dalë nga “zgafellat” e internetit këtë vit me disa sulme të organizuara politike kibernetike ndaj kishave, tregtisë, bizneseve on line dhe bankave. Një grup tjetër “motër” me “Anonymous”, “Lulz Security”, nxori gjithashtu hakersat e vet në aktivitet para se të zhdukej. Pas sulmit që iu bë ‘Sony’ online, specialistët zbuluan në rrjet një këngë të “Anonymous”: “Ne jemi një legjion”.

4. Tregu i tabletave shtohet

Dhjetëvjeçari i tregut të tabletave PC mori një nxitje me një produkt të ri këtë vit, shkaktuar nga suksesi i madh i Apple iPad. Specialistët e elektronikës u përpoqën që të zbulonin nëse konsumatorët kishin nevojë më shumë për tableta apo vetëm për iPad. ‘Google’ me Androidin e tij dhe Research in Motion, Black Berry PlayBook nuk sollën përgjigjen e dëshiruar. Ndoshta formulën e përshtatshme e gjeti Amazon.com me Kindle Fire prej 199 dollarësh. Çdo javë që nga dalja në treg në nëntor, janë shitur rreth 1 milion aparate. ‘Helvett-Packard’ vetëm ia doli që të tërhiqte blerësit në masë të madhe me TouchPad 99 dollarësh.

5. Lufta e patentave

Emrat më të mëdhenj në telefoninë mobile përfshi ‘Apple’, ‘Google’, ‘HTC’, ‘Microsoft’, ‘RIM’ dhe ‘Samsung’, janë përfshirë në një lojë gjigante patentash. Këto kompani kanë hapur çështje gjyqësore dhe kundërpadi në vende të ndryshme të botës për të pasur marrëveshjet e licencave apo për të bllokuar shitjen e produkteve rivale.

6. “Google +”

Njerëzit, po del se po shpenzojnë më shumë kohë me rrjetet sociale, se sa me klikimet në motorët e kërkimit. Me fjalë të tjera, më shumë ‘FaceBook’ dhe më pak ‘Google’. Për këtë, arsye ‘Google’ krijoi ‘Google +’, një lloj ‘FaceBook’ përmes të cilit mund të ndahen foto dhe të merren mesazhe e informacione të ndryshme nga lista e miqve. ‘Google +’ nisi shumë premtuese, por ‘FaceBook’ kishte kohë që kryesonte dhe vazhdon ta bëjë edhe sot. ‘Google’ ndërkohë, vlerëson se rrjeti i saj social është një kyç për të ardhmen e kompanisë.

7. “Apple” bëhet kompania më me vlerë në botë

Kur Jobs u rikthye tek ‘Apple’, në vitin 1997, ai deklaroi se kompania ishte një hap larg falimentimit. Gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm ai arriti që të organizonte punën në mënyrë të tillë, që shumë shpejt ‘Apple’ u shndërrua në kompaninë me vlerë më të madhe në treg. ‘Exxon Mobil’ ka pasur thuajse ato vlera. Ndërsa sukseset e kompanisë renditen edhe iPad 2 ultra i hollë dhe iPhone 4S.

8. Muzika dixhitale

Me iTune dhe Ipod, ‘Apple’ pati një formulë jashtëzakonisht të fuqishme për të dominuar industrinë e muzikës dixhitale. ‘Amazon’ dhe ‘Google’ nuk kanë lënë ndonjë gjurmë. Por ‘Spotify’ doli një kundërshtar i fortë në Europë  dhe pas vitesh të tëra negociatash me kompanitë diskografike, më në fund hyri në SHBA këtë vit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama