Si e kujtoni fëmijërinë tuaj?
E kujtoj gjithnjë me nostalgji. Edhe pse jetesa nuk kishte standardin e sotëm, mendoj se kam kaluar bukur fëmijërinë time. Mendoj se kam kaluar gjithë stadet që duhet të kalojë një fëmijë. Kam qenë një fëmijë e hedhur, e shkathët. Mezi prisja që të vinin pushimet. Prindërit kanë qenë të ngarkuar në punë dhe sa vinte vera me pushimet e shkollës na çonin pranë gjyshërve. Gjysmën e kohës e kalonim në një fshat të Korçës, në Biranj, fshat që unë e kujtoj me nostalgji: përroin ku laheshim, ku ndihmonim gjyshet, ndërsa gjysmën e kohës e kaloja në Leskovik, te prindërit e babait.
Nëna ime ishte korçare, kurse babai nga Leskoviku, të dy nga jugu. ...Kujtoj gjyshet tona me të cilat jemi rritur me shumë dashuri. Ato nuk përtonin të na gatuanin më të mirën që dinin të bënin: lakrorët, për shembull Korça i ka zanat. S’përtonte gjyshja ime, nuk përtonte as dajica, siç i thonë në atë anë nuses së dajës, edhe pse ne mblidheshim shumë, pasi ishim shumë nipër e mbesa nga qyteti. Më ka mbetur ne mendje lakrori me kumbulla të egra, i pjekur me saç.
Ne, fëmijët, shkonim nëpër ato kodrat, përreth përroit, mblidhnim shkarpa, ndihmonim dajicën, në kooperativë tek shkonim duhanin. Kemi bërë çdo lloj pune. Kemi bredhur dhe zbathur, dhe jemi gjakosur, dhe kemi hipur nëpër pemë, po edhe kemi vjedhur ndonjë kokërr mollë. Mblidhnim qershitë ndihmonim të bëhej likoja. Gjyshet tona kishin sëndukët që vinin një erë shumë të mirë. Përpiqeshin të ruanin ndonjë liko, ndonjë pekmez.
Dhe ne bënim, ç’bënim, do t’i vidhnim gjyshes nga një lugë pekmez. Harronim që ishim fëmijë dhe lëpiheshim duke pikuar përdhe. Gjyshja i shihte pikat e pekmezit. “Po prapë ma keni vjedhur”,- thoshte... I kemi provuar të tëra, kemi parë atë buzëmbrëmje, kur ktheheshin bagëtitë, atje në sokak. Mësuam nga gjyshet si të gatuajmë, të bëjmë një gjë të veçantë, unë kam gatuar që në klasë të tretë, të katërt, mamanë e kam pasur tërë jetën në shëndetësi. Pra ishte një fëmijëri që na ka lënë të tëra hapësirat. Unë jam marrë me basketboll, megjithatë nuk u zgjata kurrë. Njerëzit kur më kanë parë nga ekrani më kanë përfytyruar më të bëshme seç jam në të vërtetë.
Ç’mendim keni për fëmijët e sotëm?
Kam një mbesë pesë vjeç, Vanesën, të cilën e shkëputa këtë vit nga e ëma që jeton në Gjermani dhe e mora të rrijë pranë meje. E para për të mësuar lirshëm shqipen, për ta folur atë bukur, për të komunikuar, sepse nëse nuk di gjuhën, nuk ka si të komunikojë dhe si të na dojë. Ne, gjithashtu do të ndjehemi të huaj mes njëri- tjetrit. Vitet ikin shpejt, por mbi të gjitha për ta jetuar fëmijërinë edhe ashtu e pavarur nga prindërit. Kur kujtoj veten time fëmijë, mbaj mend që mezi prisnim të vinin pushimet.
Ishim mësuar të shkëputeshim nga prindërit që të vegjël, ishim mësuar që luanim çfarë do lloj loje që ofronte koha, larg këtyre lojërave elektronike, që ka sot, të cilat për mua janë të lodhshme. Ia zënë gjithë kohën fëmijëve para një kompjuteri, për t’i dhënë dhe për të nxënë më shumë se sa duhet, edhe pse nuk e ka moshën, për ta larguar nga ajo liri e fëmijërisë, për ta bërë atë për të mos i kaluar këndshëm etapat fëminore. Të bredhë, të rrëzohet, të vritet, të hipë në një pemë, të lahet në një lumë. Jam për një lloj edukate spartane, në kuptimin e asaj që fëmija duhet të krijojë pavarësi, të bëhet i zoti i vetes, të dijë të çajë në jetë edhe kur gjendet përballë vështirësisë të dijë të dalë prej saj, të bëhet i përgjegjshëm për jetën dhe për atë që e pret. Në këtë aspekt do të kujtoj prindit e mi.
Them se ishin të fortë, ne sot jemi nostalgjik më shumë se sa duhet ndaj fëmijëve tanë në këtë aspekt jemi me të dobët, përpiqemi t’u plotësojmë çdo dëshirë duke mos i lënë ata të mendojnë që vërtet ka liri dhe të drejta në këtë botë, por ka dhe përgjegjësi, përballë të cilave duhet të jemi të gjithë njësoj, detyrim dhe përgjegjësi në familje dhe në shoqëri, në komunitet e kudo. Në këtë aspekt do t’i referohem, për shembull fëmijëve të Ledi Dianës.
Nëse në jemi nostalgjik dhe përpiqemi t’ua vëmë bukën me tabaka përpara, do të kujtoj se çfarë edukate marrin ata, kur i shikojmë ne ata, prindër nëpër fermat e tyre, stallat e derrave, duke u shërbyer kafshëve. I kemi parë të venë në fronte lufte të bëjnë ushtri, të venë në Afganistan të shkojnë në Afrikë, atje ku është vuajtja, ku është mjerimi, të kontribuojnë dhe këtë e shikoj vërtet si një hap shumë cilësor. Çfarë u mungon? Pse e bëjnë? Për ta njohur realitetin në të gjithë hapësirën. Dhe unë jam për këtë gjë. Dëshiroj që fëmija të ketë pavarësi, të njohë botën të dijë të bëj gjithçka, jeta nuk është vetëm një shkollë, më një shkollë nesër mund të jesh pa asgjë. Në këtë shoqëri të globalizuar, në këtë shoqëri ku dalin me mijra të arsimuar në universitetet, mendoj se nuk është mjaftueshëm. Njeriu duhet të përpiqet t’i bëjë ballë jetës, të ketë një zana, të dijë të bëjë diçka ndryshe nga ajo që ka marrë në shkollë.
Cilat kanë qenë ëndrrat dhe dëshirat e fëmijërisë? E kishit menduar se një ditë do të bëheshit gazetare?
Hamendësime se mund të bëhesha gazetare nuk e kam kaluar nëpër mend. Kam mbaruar gjuhë letërsi. Babai im kishte shumë dëshirë që unë të bëhesha mjeke, kam qenë një nxënëse dhe një studente shumë e mirë, dua të them këtë, se aq sa kam qenë e prapë kam qenë dhe me vullnet ndaj librit. Kam qenë shumë frikacake, por e ndjeshme, më ziente gjaku. Sa isha trime e fortë në lojëra, në shoqëri, dy pika gjak edhe sot më zënë po t’i shikoj. Imagjino që fëmijëve të mi nuk i kam shkuar kurrë për t’u bërë një vaksinë. Kjo ishte dhe arsyeja pse nuk u bëra doktoreshë.
Si u gjendët në gazetari dhe konkretisht në RTSH?
Në gazetari unë u gjenda fare rastësisht. U diplomova në fushën e letërsisë, në mësuesi. U emërova në Pukë, në Fushë-Arrëz. Në shkollën e mesme një pasion i veçantë ishte dhe mësuesia. Për Fushë-Arrzin ruaj nostalgji, për ata njerëz të cilët ishin të varfër po kishin një zemër të madhe. Akoma vazhdoj të ruaj kontakte me ish nxënësit e mi. Ishte rastësia, një kolegu im që mbulonte emisionet e rinisë vjen në shkollë të mesme për të bërë një emision, i pëlqeu zëri im dhe më ftoi në një konkurs që organizoi “Radio Tirana” të cilin e fitova. Domethënë kam hyrë në fushën e gazetarisë fare rastësisht. Më vonë u kthye në një pasion, të cilin e kam dhe sot. Duke mos e ndarë kurrë gazetarinë e terrenit nga gazetarinë e të qenit folëse në studio.
Ndonjë kujtim të veçantë nga këto 30-vjet punë?
Unë kujtime kam shumë të bukura dhe të hidhura. Gazetaria ashtu është, do ndeshesh me shumë tipe, me shumë karaktere, të jesh e pranishme në shumë ngjarje tragjike, të hidhura e të gëzuara. Do të kujtoja ngjarjet e ‘97-ës të cilat do t’i quaja një nga vitet më të errëta që pas ‘90-ës, do të kujtoja ‘98-ën shumë pak do t’i ndaja këto dy vite nga njëri- tjetri për nga përmasat e tragjedisë. Kur e mendoj ndonjëherë, më duket si një tragjedi-komedi me pasoja për këtë vend.
Ku qëndron sekreti i të lexuarit në mënyrë të rrjedhshme dhe pa gabime?
Nuk mund ta quaj ndonjë sekret, në fakt dhe në shkollë jam vlerësuar në këtë drejtim, jam vlerësuar për hartimet e bukura, deri në gjimnaz hartimet e mija lexoheshin para klasës, shumëkujt i pëlqente dhe diksioni im, mënyra e të lexuarit, por asnjë herë nuk e kisha çuar nëpër mend se do të përfundoja në ekranin e TVSH-së.
Ju i keni provuar të dy sistemet që ka kaluar vendi ynë. Si ndryshon gazetaria nga njëri sistem politik në tjetrin ?
Shyqyr që erdhi ky sistem për hapësirën, për lirinë, për mundësitë e shumta që ofron. Atëherë kishe një media ku ne rezervoheshim shumë në atë që bënim, në zgjedhjen e të intervistuarit i cili duhet të ishte i qethur i rruar, të mos kishte elementë të shfaqjeve të huaja, siç quhej atëherë. Vitet ‘90 –‘91 për mua kanë qenë vitet e një gazetarie të ndërsjelltë. Sot edhe gazetaria është shumë e politizuar. Ekranet janë shumë të rënduar nga politika. Mund ta quajmë gazetari të njëanshme djathtas ose majtas. Sot lajmet në përqindjen më të madhe të tyre bëhen brenda unazës. President, qeveri, Parlament dhe forcat politike. Nëse ka 10 ngjarje politike, nuk ka pse të pasqyrohen të 10-ta. Gazetarët sot nuk lodhen fare, vijnë kasetat gati të filmuara, vijnë sinkronet, vijnë tekstet e shtypura. Ende nuk e kuptoj mire se çfarë lloj gazetarie është kjo.
Si e kujtoni momentin tuaj të parë kur keni dalë në TV?
Emocionet janë të pranishme, por unë nga natyra jam tip i qetë, jam njeri që i marr me shumë gjakftohtësi gjërat, nuk kam reflektuar kurrë para publikut emocion pasiguri. Në drejtimin e veshjes kam qenë shumë fanatike, kam pasur rreth 20 xhaketa edhe pse ishte koha që nuk kishte, të cilat edhe sot i mbaj në dollap. Nuk i kam përdorur kurrë në jetën e përditshme. Ekranin e kam konsideruar si të shenjtë. Dhe para ekranit unë duhej të isha kreko, si i thonë, të mos më lëvizte qimja. E kam respektuar ekranin, se nëse nuk e respekton ekranin mos prit të të respektojë publiku.
Si vendosët të shkëputeshit nga bota e ekranit?
Nga bota e ekranit pjesërisht u shkëputa vetë, pjesërisht më shkëputën, e kam nostalgji, pasi mund të kisha dhënë akoma, sepse dhe në botë folësit kanë një moshë për të qenë më të besueshëm, për të qenë më të pranishëm te spektatori, sjellin një përvojë dhe një logjikë të lajmit të fituar në kohë, por Shqipëria kjo është. Ku mendohet për çdo gjë, se kur vjen në pushtet gjithçka duhet të fillojë nga e para, ose mendon se çdo gjë nis atje, ku vijnë ata. Kjo i ka bërë që në shumë media të ketë njerëz, që vërtetë janë shumë të mirë për të bërë këtë punë, por ka dhe nga ata që janë fare të pa vlefshëm. Nuk mund të mohoj vlera, nuk mund të mohoj një rini të sotme që ka informacion të shumtë. Por nuk mund të japë atje ku do. Duhen drejtuar atje ku të japin më mirë dhe ku të jenë më të vlefshëm për ekranin, sepse ekrani është një gjë gjigante që të ngre ose të përplas përdhe. Prandaj mendoj dhe të rinjtë duhet të jenë më kërkues ndaj vetes. Është kollaj të dalësh në ekran, po sa i zoti je që ta mbash atë, sa i zoti je të bësh teleshikuesin për vete.
Si është jeta juaj jashtë kamerave?
Jam një njeri që e dua jetën shumë, e kam dashur dhe vazhdoj ta dua, nuk jam nga ata që them: “e mo, kur të më vij le të më vijë”. Dua të jetoj gjatë, jam gjithë kohës në lëvizje e përkushtuar ndaj punës, por dhe ndaj lirisë time. Është një kohë ku unë po gjej hapësirë për ta shijuar jetën më shumë sepse duke qenë nënë më dy fëmijë dhe duke dalë njëherësh në ekran, ka qenë një privim i madh ndaj lirisë, sidomos në informacion kur nuk kemi njohur festa dhe mendoj se u kam hyrë në hak fëmijëve, familjes, në përgjithësi. Megjithëse unë jam një njeri më shumë vullnet, që nuk iu kam lenë gjë mangët, që nga gatimet, pastërtia dhe çdo detyrimi tjetër familjar apo shoqëror, po gjithsesi liria ime ka qenë shumë e kufizuar. Tani më pëlqen të shijoj jetën në gjithë hapësirën që ajo më krijon, më pëlqen të shikoj një film, më pëlqen të dal fundjavave jashtë Tiranës, të shijoj gjelbërimin. Unë nuk kam lënë vend të Shqipërisë dhe të diasporës pa shkelur, por jeta familjare është tjetër, kur del me bashkëshortin, me fëmijët, me shoqërinë, kur je e lirë për të bërë atë që do.
Meqë po flasim për familjen, si është Tefta si nënë dhe si bashkëshorte?
Raportet prindër-fëmijë, janë raporte prindër-fëmijë, kur në mes është dashuria pa kufi, por jo pa këshilla. Këshillat e prindit janë gjithmonë të vyera. Unë sot po shkoj 60 vjeçe dhe i kujtoj dhe në biseda me shoqërinë, edhe kudo këshillat që na jepnin prindërit tanë. Natyrisht unë nuk mund të vendos në vullnetet dhe dëshirat e tyre, por këshilloj dhe jam pak e rreptë. Franko është më ,pak i rreptë se unë, është më liberal. Nga natyra unë jam më kërkuese e kam njohur më thellë realitetin dhe jam më e ndjeshme ndaj problemeve.
Jeni e vetmja gazetare që i qëndroni besnike pamjes tuaj. Pse?
Më ka pëlqyer të kem një imazh në ekran dhe jam për atë që njeriu të këtë gjithmonë një portret sidomos në informacion se emisionet artistike janë tjetër gjë. Të punuarit në informacion, më ka bërë që të kem një imazh, ndoshta dhe ky imazh më ka bërë që njerëzit edhe pse jam shkëputur nga ekrani të mos më kenë harruar. Më pëlqen të jem shumë e natyrshme në marrëdhënie me njerëzit me shoqërinë, më pëlqen të jem shumë sportive, që të mos rri e ndrydhur se po më prishet fustani apo këpuca. Ashtu sikur jam shumë shik në vendet që e kërkojnë një gjë të tillë.
A jeni përpjekur të dilni jashtë studios së lajmeve dhe të drejtoni një spektakël?
Po kam drejtuar dhe spektakle, madje dhe spektakle artistike në Neë York një koncert të bukur të Aurela Gaçes, kushtuar të mëdhave të këngës; Vaçe Zelës dhe Nexhmije Pagarushës. Kam drejtuar një koncert për te famshmin Luk Kaçaj, kam qenë e suksesshme, kam drejtuar, kam provuar të gjitha zhanret televizive, kam tentuar dhe ia kam arritur. Jam njeri që i vë qëllime vetes dhe i realizoj. Kur kërkoj ta bëj një gjë e arrij.
Si reagoni ndaj shikimeve të njerëzve kur ju kaloni në rrugë?
Në përgjithësi jam e qeshur, i mirëpres pse jo, ndoshta afrohem jap dhe muhabet, më pëlqen gjithmonë të njoh njerëz të rinj, nuk ka qenë fudullëku në natyrën time ose qenia vip dhe mbajtja e distancës ndaj njerëzve.
Të jesh bashkëshortja e një artisti. A ka ndikuar kjo në jetën tuaj?
Ka ndikuar që e kemi pasur kohën të kufizuar dhe jemi përpjekur që ta mbështesim shumë njëri- tjetrin, në veçanti me fëmijët. Kemi pasur të dy biçikleta, kemi vrapuar njëri në çerdhe tjetri në kopsht me fëmijët mbrapa. Frankos i ka takuar më shumë të merret me fëmijët sidomos në periudhën e shkollës, në fillimet e tyre, të jetë më pranë fëmijëve, për shkak të punës kam qenë më e zënë në orët e pasdites dhe të mbrëmjes. Them se Franko ka kaluar pjesën më të vështirë me fëmijët.