Megjithatë nga ana tjetër qëndron këngëtarja e madhe: një figurë e dashur, e adhuruar, e vlerësuar gjerësisht. Tefta Tashko Koço thënë thjesht, gëzon respektin dhe dashurinë e të gjithëve sepse bashkon këngëtaren e përmasave elitare, me artisten “popullore” dhe këtu e kam fjalën për afrimitetin e saj jo vetëm mes një rrethi të ngushtë muzikantësh, por mes gjithë publikut shqiptar.
Për të është folur dhe është shkruar gjatë. Të sjellësh një monografi të kësaj artisteje kërkon jo vetëm një pozicionim të caktuar, por edhe një reflektim për atë çfarë është shkruar më parë. Autori, i ndërgjegjshëm për këtë, e paraqet reflektimin e tij që në titull: Tefta Tashko Koço – Miti i sopranos, duke na lënë të kuptojmë që libri do të përqendrohet sa në anën biografike të artistes, aq edhe në përgjithësimin estetik për personalitetin shumëplanësh të saj. Studiuesit e miteve e dinë shumë mirë që shpeshherë këto të fundit i largohen realitetit dhe të vërtetave të tij e të mjegullohen aq shumë sa edhe të krijojnë kontradikta me të vërtetat reale.
Ndonëse kjo nuk ka ndodhur në rastin e Tefta Tashko Koços, megjithatë, edhe kësaj here disa të vërteta janë “mjegulluar” me kalimin e kohës, ose deformuar në kuadër të një ideologjie të caktuar. Fjala vjen, janë të njohura detaje nga shkollimi i saj në Francë, por asnjëherë nuk është parë në tërësi përvoja e saj formuese si një soprano lirike, por edhe si këngëtarja e parë shqiptare që paraprin traditën e muzikës së lehtë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, është e njohur Tefta Tashko e koncerteve, po nuk është parë me vështrim kritik, sesi e ushtroi ajo karrierën e saj në kuadër të një realiteti artistik që i ofroi vetëm kushtet minimale. Mbi të gjitha, trajtimi i figurës së Tefta Tashko Koços pas vdekjes ka qenë gjithmonë i shoqëruar me një lloj letargjie, që thyhej vetëm në bisedat e muzikantëve të afërt me të. Pandi Bello përqendrohet në të gjitha këto aspekte dhe i trajton në detaj, duke nxjerrë në pah në disa raste të vërteta që ndoshta edhe nuk do na pëlqente t’i dëgjonim. Kontributi i artistes në historinë e kulturës shqiptare është për autorin polivalent, ndaj dhe ai i mëshon fort studimit të saj në mënyrë serioze dhe të gjithanshme.
Monografia për Tefta Tashko Koçon zbërthen detajet reale që çuan në krijimin e këtij miti; atë realitet që krijoi vajzën, gruan, artisten, nënën dhe më në fund, mitin vetë. Ai e fillon në mënyrë kronologjike, nga streha familjare e familjes Tashko (kontributi i së cilës në historinë dhe kulturën shqiptare mbetet ende i pazbuluar) dhe gjithashtu qyteti që e rriti, atmosfera e veçantë korçare në gjysmën e parë të shekullit XX. Më pas përqendrohet në formimin dhe karrierën e këngëtares në Francë, Itali dhe kthimin e saj në Shqipëri. Paralel me këto, libri flet edhe për jetën personale të këngëtares dhe lidhjen e saj me Kristo Koçon.
Në katër kapitujt e fundit, libri trajton një periudhë pak të njohur të këngëtares: momentet e fundit, vdekja e saj dhe pas kësaj qëndrimet e tipit “shpërfill-përfill” gjatë periudhës totalitare. I veçantë gjithashtu në këtë pjesë është edhe kapitulli që flet për kontaktin e Tefta Tashkos me këngët shqiptare, përzgjedhjet që ajo iu bëri këtyre këngëve për t’i futur në repertorin e saj dhe bashkëpunimi që pati me disa prej kompozitorëve të asaj periudhe si Kristo Kono, Eftim Kovaçi, Baki Kongoli, etj. Të gjitha këto këngë, që përfshinë stile dhe krahina të ndryshme të vendit u bënë familjare me njerëzit dhe hodhën bazat e këngës së kultivuar shqiptare.
Ky libër është një kontribut në studimet muzikologjike shqiptare, sepse e sjell këtë artiste në një kontekst bashkëkohor studimi dhe leximi, në një kohë kur mënyra e vlerësimit të figurave të kulturës shqiptare ka shumë nevoje për trajtime të thelluara, jashtë formateve gazetareske apo artikujve përkujtimorë.
Për nga stili i shkrimit ai mund t’u rekomandohet të gjithë lexuesve muzikdashës, por në mënyrë të veçantë shpresoj që më të interesuarit të jenë këngëtarët shqiptarë. Në kuadrin “as mish as peshk” të muzikës shqiptare, artisteve lirike iu duhet të trokasin në dyert e teatrove europiane për të realizuar ëndrrat e tyre. Por edhe ato të këngës së lehtë, nuk janë në gjendje më të mirë kur sheh që pjesa më e madhe nuk e gjejnë dot vetveten jashtë studiove që “prodhojnë” këngë dhe jashtë imitimit të zërave të njohur të botës pop. Leximi i këtij libri në mos një formë reagimi, besoj se do të ishte një reflektim për vetveten; një respekt dhe një dashuri më e madhe për zërin që kanë dhe për atë çfarë ai përfaqëson realisht përballë mikrofonit dhe publikut.
“Kanë kaluar 65 vjet që kur Tefta iu largua kësaj bote, shprehet Pandi Belloja, por ajo rikthehet sa herë flitet për të nga ata që e njohin dhe vlerësojnë”, sepse është dhe do të mbetet “një vlerë e patjetërsueshme e kulturës shqiptare”.
/Shekulli/Mikaela Minga - muzikologe/