Tek ne deputetet e korruptuar jane burgosur

'Tek ne deputetet e korruptuar jane burgosur'
Ambasadorja britanike Fiona McIlwham po largohet nga Shqipëria. Pas një periudhe shërbimi trevjeçar, ajo do t’ja lerë vendin një ambasadori të ri që pritet të vijë në javët e ardhshme. McIlwham ka qenë një ndër diplomatet më aktive në vitet e fundit. Mandati i saj mbuloi një periudhë të turbullt për Shqipërinë, me dy palë zgjedhje, një krizë të thellë politike dhe një situatë ekonomike të trazuar. McIlwham shprehet se ndjehet krenare që gjatë kohës që shërbeu në vendin tonë, Britania e Madhe ofroi ndihmë e asistencë në fushën e të drejtave dhe të sundimit të ligjit. Ajo thotë se askush në demokraci s’mund të jetë spektator, duke shtuar se do të dëshironte një president të “bashkimit kombëtar”.

Ju keni qëndruar në Shqiperi si Ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar për tre vjet. Cila është arritja për të cilën jeni më krenare?

Jam jashtëzakonisht krenare për punën tonë për Sundimin Ligjor dhe Të Drejtat. Fakti që ne kemi arritur të sjellim në Shqipëri disa nga ekspertët më të mirë nga Mbretëria e Bashkuar - gjyqtarë, prokurorë, ministra, policë - dhe kemi angazhuar një gamë të jashtëzakonshme të shqiptarëve, nga prokurorët tek aktivistëve të OJQ-ve, nga politikanët tek gazetarët, në disa diskutime jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne (Mbretëria e Bashkuar) nuk mund të japim drejtësi apo të bejmë reforma demokratike në Shqipëri. Por mund të ofrojmë këshilla të ekspertëve dhe të ndihmojmë të gjenerojmë një debat në lidhje me kuptimin dhe rëndësinë e sundimit të ligjit.
 
Situata politike dhe sociale mbetet e paqartë në Shqipëri. Kjo ka pasur një ndikim serioz në progres. Cila është analiza juaj për ritmin dhe cilësinë e integrimit të Shqipërisë në BE deri tani?

Çdo vizitor në Shqipëri, mbetet i impresionuar nga dinamizmi i këtij vendi dhe krijimtaria e shqiptarëve të zakonshëm. Transformimi gjatë 20 viteve të fundit është i shquar, aq më tepër nëse keni parasysh se çfarë ka ndodhur në vitin 1997. Nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria dhe shqiptarët janë më afër Evropës sot se sa pak vite më parë, më të integruar përmes biznesit, udhëtimit, medias dhe familjeve. Por nuk jam e sigurt nëse politika ka mbajtur po këtë ritëm, nese ka përmbushur vullnetin e shqiptarëve të zakonshëm apo të Bashkimit Europian.

Ka një shans tani - në muajt e ardhshëm - për t’i dhënë një shtytje përpara udhëtimit të Shqipërisë drejt BE-së: për të prodhuar reforma të besueshme, të qëndrueshme, që do të forcojnë demokracinë në Shqipëri, ndërtojnë besimin në institucionet tuaja dhe për të rritur perspektivat tuaja për në BE. Por kjo do të kërkojë vizion, angazhim dhe veprim, jo vetëm fjalë. Dështimi për të marrë masa do të thotë rënie edhe më tej prapa.
 
Zyrtarët e SHBA dhe BE kanë një kritikë në rritje se si konflikti politik është duke shkaktuar humbje kohe. Cilat janë pasojat direkte te kësaj sjellje të politikanëve shqiptarë?

Debati është i rëndësishëm. Tensioni mes palëve dhe pergjate gjithë institucioneve është i shëndetshëm, por konflikti i pafund dhe sulmet personale nuk janë. Ata dëmtojne besimin e publikut në zyrat kushtetuese dhe spostojne debatin e rëndësishëm mbi politikat dhe problemet. Dhe,siç tregojnë Raportet e Opinionit dhe të Progresit, kjo pengon përparimin drejt BE-së. Projekti i Integrimit është një projekt kombëtar. Ai nuk mund të jetë një fushatë politike.

Nëse Shqipëria dëshiron statusin kandidat këtë vit - dhe unë mendoj se është e arritshme - Qeveria duhet të drejtojë një diskutim të vërtetë konstruktiv, gjithëpërfshirës për reforma, që jep rezultate dhe i përmbush 12 prioritetet kryesore.
 
Sa e vërtetë është sindroma e lodhjes së zgjerimit në BE dhe sa ndikon kjo në Shqipëri? A ka rritje të anti-Shqiptarizmit në BE?

Oferta e BE-së qëndron - për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për të gjitha komunitetet e këtij rajoni: Kroacia zyrtarisht do të antaresohet ne BE verën e ardhshme (2013), dhe vendimi për të dhënë statusin e kandidatit Serbisë, për të filluar një dialog të vizave me Kosovën dhe per të nisur një studimi fizibiliteti, janë dëshmi e prekshme se procesi nuk ndalet atje. BE-ja është e angazhuar në mënyrë aktive dhe të përkushtuar strategjikisht në këtë rajon. Nëse aspirantët, si Shqipëria, bëjnë pjesën e tyre, nëse ju zbatoni reformat, dera është e hapur.
 
Kur pyeten në lidhje me zgjedhjen e Presidentit,  ndërkombëtarët përgjigjen se kjo është një çështje shqiptare. Megjithatë pritet që ata të kenë një rol thelbësor në mes të këtij viti kur do të vendoset presidenti i ri. A jeni për një “President” të Kushtetutës që do të thotë një kandidat nga qeveria apo një “President të negociuar”, siç opozita kërkon?

Presidenti është mbrojtës i disa prej institucioneve më të rëndësishme demokracise dhe të sigurisë të Shqipërisë, të cilat janë edhe institucionet partnere për aleatët e NATO-s. Ai ose ajo është një nga shtyllat e demokracisë tuaj dhe, në përputhje me Kushtetutën tuaj, një figurë e “bashkimit kombëtar”. Pra, unë jam “për” një figurë uniteti, dikush që mund të ndërtojë një urë mbi ndarjet politike, të përfaqësojë gjithë shqiptarët dhe i cili do të mbështesë dhe të forcojë pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve kyçe.

Me tepër se votat, marrëveshjet apo emrat, mendoj se është e rëndësishme që shqiptarët - si dhe deputetët që jane mandatuar për të marrë këtë vendim të rëndësishëm – të mendojnë në lidhje me llojin e demokracisë që ju dëshironi, llojin e Presidentit që ju duhet dhe imazhin që doni të projektoni në botë.
 
Kultura e mosndëshkimit është përmendur shpesh si një çështje serioze e shqetësuese në Shqipëri. Si mund ta zgjidhim këtë problem?

Aplikoni sundimin e ligjit. Kjo është një formulë shumë e thjeshtë, por efektive demokratike. Askush nuk mund ose duhet të jetë mbi ligjin, as politikanët, as gjyqtarët, apo dikush tjetër, pavarësisht sesa të pasur janë, apo sa miq kanë. Pra, çdo imunitet duhet të jetë i kufizuar, dhe aty ku ka prova për shkelje apo korrupsion, duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht, pavarësisht nga pozita apo influence e atij personi.

Kur Kryeprokurori Britanik erdhi per vizitë në Janar, ai dha disa shembuj shumë konkrete të rasteve që kishte hetuar, në lidhje me keqpërdorimin e fondeve publike nga disa deputetë britanikë. Disa deputetë britanikë janë tani në burg. Njerëzve që u është besuar posti publik dhe pushteti, duhet t’u kerkohet llogari. Kjo vlen edhe për gjyqtarët: Si interpretues të rregullave, ata mbajnë përgjegjësi të veçantë - jo para politikanëve, por para popullit - të veprojnë me integritet dhe profesionalizëm. Kur nuk e bëjnë këtë, njerëzit,apo koleget e tyre gjyqtare duhet t’u kerkojne llogari.
 
Ndërkombëtarët shpesh thonë “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. A do të marrin, sipas jush, drejtësi familjet e viktimave të Gërdecit dhe 21 janarit të vitit të shkuar?
Po, është jetike që atyre t’u jepet drejtesi. Ata meritojnë jo më pak sesa drejtesia. Shpejtësia nuk duhet të jete një zëvendësim për cilësinë e drejtësisë, por vonesa të panevojshme ose kapja pas detajeve procedurale, thyejne besimin e shqiptareve dhe ndërkombëtareve tek Sistemi i Drejtësisë Penale shqiptare.
 
Rezultati i Shqipërisë në treguesit kryesore te demokracisë ka rënë gjatë vitit të kaluar. Përveç reformës zgjedhore, çfarë mund të bëjë Shqipëria për të forcuar demokracinë?

Marrëveshja, në muajt e ardhshëm, për një paketë gjithëpërfshirëse, të bekuar nga ODIHR, për reformën zgjedhore, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara. Kjo do të plotësonte një prioritetet kyç të BE-se. Është e arritshme, dhe thelbësore perpara zgjedhjeve 2013. Por votat dhe zgjedhjet janë një pjesë e vogël e të gjithë “figurës” demokratike. “Demokracia e Thellë”, siç e quan Baronesha Cathy Ashton, ka të bëjë me  respektimin e sundimit të ligjit, median e lirë, një gjyqësor të pavarur dhe një administrim të paanshëm; ka të bëjë me qëndrimet dhe institucionet, e jo me individët. Shoqëritë krijojnë një kulturë demokratike të të drejtave të njeriut. Njerëzit janë po aq të rëndësishem sa kodet e reja apo institucionet, për të zbatuar të drejtat. Unë do të doja të shihja më shumë shqiptarë të zakonshëm - dhe veçanërisht mediat – që t’i japin formë debatit, që t’i kërkojnë llogari politikanëve dhe institucioneve. Në demokraci nuk mund të jesh spektator.

“Referendumi per importin e mbetjeve” është një shembull i gjallë dhe pozitiv i veprimit popullor, demokratik. Pavarësisht nëse ju mendoni se ata kanë të drejtë apo jo - parimi i mbajtjes së një referendumi për një çështje të rëndësishme sociale-mjedisore është i rëndësishem, është evropian dhe eshte demokratik.
 
Ambasada ka bërë shumë punë për të drejtat e aftësise së kufizuar. Pse është kjo kaq e rëndësishme?

Kjo është ajo çka shoqëritë demokratike, gjithëpërfshirëse dhe moderne janë: mbledhja e talentit të të gjithëve i bën shoqëritë tona më të begata, shoqërisht dhe ekonomikisht. Diversiteti përcakton dhe drejton Britaninë moderne. Puna që kemi bërë për të drejtat e aftësisë së kufizuar në Shqipëri, nëpërmjet Këshillit Britanik, ka të bëjë me ngritjen e vetëdijes, duke ndarë përvojën tonë dhe duke ndryshuar  qëndrimet. Ka një brez të ri mbresëlënës aktivistësh me aftësi të kufizuara këtu në Shqipëri. Ju duhet t’i takoni.
 
Cila është shpresa juaj për Shqipërinë? A jeni optimiste apo pesimiste për të ardhmen e saj?

Unë jam optimiste. Unë jam shumë e sigurtë për potencialin e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj ne BE. Mbi 80% e shqiptarëve janë pro-anëtarësimit në BE. Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja duan ta shohin Shqipërinë në BE. Kështu që unë shpresoj se ju shqiptarët do të nxitni Qeverinë tuaj dhe politikanët për të marrë hapat e nevojshëm, për të përshpejtuar, progresin tuaj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama