Teknologjia 4G AKEP cel tenderin

Teknologjia 4G, AKEP cel tenderin

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka shpallur tenderin për dhënien në përdorim të frekuencave që do të përdoren për teknologjinë 4G. Autorizimet do të jenë katër, çka teorikisht do t’ju mundësojë këtë teknologji për të gjithë operatorët celularë në vend, por gjithsesi rregullorja lejon që pjesëmarrësit të mund të ofertojnë edhe për dy nga brezat në garë. Për tre brezat e parë të frekuencave, çmimi dysheme do të jetë 1 milion e 485 mijë euro, ndërsa për brezin e fundit që tenderohet dhe që do të ketë sasi më të kufizuar të spektrit, çmimi minimal i pranuar do të jetë 110 mijë euro. Çmimi i ofruar nga pjesëmarrësit në garë do të jetë kriteri i vetëm për shpërndarjen e të drejtave të përdorimit. Duke parë çmimet minimale të përcaktuara dhe dhënien e njëkohshme e katër licencave, nuk pritet që shumat e arkëtuara nga buxheti i shtetit të jenë të krahasueshme me ato të 3G, ku për tre licenca u siguruan afro 52 milionë euro. Autorizimet do të kenë afat 15 vjeçar, me të drejtë rinovimi dhe kusht për pjesëmarrësit në tender është zotërimi i kapaciteteve teknike dhe financiare për të mund të ofruar shërbimin.

 Kriteret teknike konsistojnë kryesisht në eksperiencën në ngritjen e rrjeteve dhe ofrimin e shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm, ndërsa kriteri financiar bazë është një garanci bankare në vlerën e të paktën dy milionë eurove. Afati për dorëzimin e ofertave do të jetë data 15 Shtator e këtij viti, ndërsa Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të ketë një muaj kohë për të shpallur renditjen. Pas marrjes së autorizimit, secili operator do të ketë dy muaj kohë për të nisur ofrimin e shërbimit. Nëse procesi i vlerësimit të ofertave nuk do të ketë ankimime, ofrimi i shërbimeve në brezat e rinj pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm. Plani kombëtar i radiofrekuencave parashikon që brezat e tenderuara nga AKEP të përdoren për shërbime të gjeneratës 4G dhe që garantojnë shpejtësi të internetit dhe transmetimit të të dhënave që, teorikisht, mund të arrijë deri në 100 Mbps për përdoruesit e pajisjeve të lëvizshme.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama