Një vështrim mbi historinë e gjuhës, përmes regjistrimeve të dy studiuesve gjermanë, Walter Breu dhe Elvira Glaser, realizuar në trevat gjuhësore shqiptare në vitet 1907-1918
Tekstet e vjetra auditive të shqipes vazhdojnë të zbulohen në arkivat e huaja. Kjo trashëgimi e gjuhës sonë, për të cilën është folur shumë pak, ka qenë pjesë e studimit të dy profesorëve gjermanë, Walter Breu dhe Elvira Glaser. Regjistrime të realizuara në trevat gjuhësore shqiptare në vitet 1907-1918, kanë qenë pjesë e hulumtimit të dy studiuesve të huaj mbi shqipen, të cilët kanë referuar gjatë tubimit të pestë kulturor-shkencor shqiptaro-gjerman, që u mbajt disa ditë më parë në ambientet e Nehemiah Gateway University (Buçimas/Pogradec). Albanologë, gjuhëtarë dhe studiues nga 27 qendra të ndryshme universitare e shkencore të shpërndara në 10 vende të Europës dhe SHBA-së, prekën përmes kumtesave të tyre shtresa të ndryshme të kulturës e identitetit tonë. Studimi i Breu dhe Glaser, nxori në pah një fond të panjohur dhe jashtëzakonisht të çmueshëm të trashëgimisë sonë gjuhësore.
“Në ligjëratën tonë duam të kumtojmë mbi një trashëgimi të gjuhës shqipe, për të cilën pak kush ka dijeni, pikërisht mbi tekstet e vjetra auditive të shqipes, siç na i dëshmojnë ato pak regjistrime me fonograf dhe gramafon. Këto incizime më të hershme burojnë të gjitha nga një zonë gjeografike periferike, përkatësisht nga varietete relativisht të largëta prej shqipes së sotme standarde, siç është edhe rasti i dëshmive shkrimore më të vjetra në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë këtu për fonograme që ruhen në Vjenë, si edhe për pllaka gramafoni që ruhen në Berlin, në të cilat janë incizuar dokumente gojore në gjuhën shqipe në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit 20”, shprehen studiuesit. Incizimet më të hershme e kanë zanafillën te një ekspeditë e sllavistit Milan Rešetar në vitin 1907, në Italinë Jugore.
Këto incizime të bëra në fshatin Montecilfone (= arb. Munxhufuni, zona Molise në provincën Campobasso) u diskutuan gjatë në tubim, ku u fol dhe për incizime të mëvonshme. Pa marrë parasysh këtu tekstin gegë nga Vrapçishta, të incizuar prej Joklit më 1914-n dhe të hedhur në internet prej Robert Elsies, fokusi i vëmendjes së dy studiuesve gjermanë është përqendruar në incizimet italo-shqiptare, të cilat ndodhen në Arkivin e Regjistrimeve Auditive në Berlin e që janë marrë gjatë Luftës së Parë Botërore ndër robërit italianë të luftës. Pakicat sllave në Shqipëri, ishte një tjetër temë e cila u prek po nga një i huaj, profesori gjerman Klaus Steinke, e më pas nga akademiku prej Kosovës, Rexhep Ismajli. “Pjekjet midis shqiptarëve dhe sllavëve janë përftuar ndoshta menjëherë pas ngulimit të fiseve sllave në Europën Juglindore. Gjithsesi për këtë nuk kemi dëshmi të drejtpërdrejta.
Janë vetëm burimet bizantine, të cilat përcjellin kumtet përkatëse në fillim të shekullit të 6, për një depërtim aspak paqësor të sllavëve në Perandorinë Romake të Lindjes deri në Peloponez dhe Kretë. Këto kronika vijnë dukshëm në kundërshtim me atë tablo euforike e të dyshimta të sllavëve paqësorë të përhapur dikur nga Herder-I”, shprehet Steinke. Ndoshta, takimet e para mes shqiptarëve dhe sllavëve, natyrisht jo të dëshmuara direkt, janë përftuar në vendet e sotme fqinje me Shqipërinë, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni”, shprehet Steinke. Informacion të drejtpërdrejtë mbi kohën dhe intensitetin e kontakteve na ofrojnë së pari toponimet e shumta sllave në Shqipërinë e sotme (Ylli, 2000). Në Mesjetë, mbretëritë sllave përfshinin madje pjesë të mëdha të Shqipërisë, çka dëshmojnë edhe gjurmët arkeologjike, më mbresëlënëse, bash ato në Liqenin e Prespës. Edhe në territorin e sotëm shtetëror shqiptar ka pakica sllave, prejardhja e të cilave ngre ende disa çështje për diskutim.
Për herë të parë i ka përshkruar ata në bashkëlidhje me këtë problem A. M. Seliščev (1931). Profesor Xhevat Lloshi foli mbi dorëshkrimet e Konstandin Kristoforidhit mbi huazimet e shqipes nga turqishtja. Ndër shqiptarët duket se K.Kristoforidhi ka qenë i pari që ka tërhequr vëmendjen për huazimet turke të shqipes. Ai ka pasur një program të gjerë kushtuar lëvrimit të shqipes së shkruar. Pjesë e këtij programi ishte edhe projekti për leksikun e shqipes. “Projekti leksikor i Kristoforidhit synonte të përcaktohej prejardhja e fjalëve dhe, duke u mbështetur te prejardhja, të vlerësohej se cilat fjalë ishin të përshtatshme për shqipen e shkruar dhe cilat duheshin mënjanuar ose zëvendësuar. Këtu përfshiheshin disa fusha: prejardhja krahinore për të ndjekur ndarjen e madhe të fjalëve sipas dy dialekteve kryesore, që pastaj ta ndiqte këtë me qartësi në dy variantet, në të cilat i shkroi ose i përktheu tekstet e veta: gegërisht dhe toskërisht.
Përdorimi nga shkrimtarët e vjetër të shqipes për mendimin e tij e bënte vetvetiu të pranueshme fjalën, pavarësisht madje edhe nga natyra e saj si huazim. Prejardhja sipas fjalëformimit ka qenë gjithashtu një lëmë, në të cilin kishte hartuar një varg dorëshkrimesh. Por prejardhja prej gjuhëve të huaja gjithsesi ka qenë në qendër të vëmendjes së tij, që nga punët e para rreth vitit 1860”, shprehet Lloshi. Kërkesën për një shqipe të shkruar me leksikun e vet dhe jo të përzier me fjalë të huaja ai e ka zbatuar me vijimësi në të gjithë punimet e përkthimet e veta dhe në Fjalorin e gjuhës shqipe. Kjo ka qenë shtysa kryesore, përse ai ka bërë shumë krahasime të fjalëve shqipe me fjalë të gjuhëve të tjera. Në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH) ruhen dorëshkrime me tituj të ndryshëm: rrënjë latine dhe greke (rreth 50 faqe), fjalë prej greqishtes që i kanë të dy dialektet, rrënjë sanskrite indoeuropiane, krahasime me disa gjuhë europiane. Ndërmjet këtyre gjenden edhe dy dorëshkrime, i pari prej katër fletësh dhe i dyti prej 20 fletësh, që kanë të njëjtin titull greqisht: Fjalë turke që përdoren në shqipen që u përkasin viteve 1883-1884, bashkë me punimet e tjera të kësaj natyre. Përfshijnë rreth 700 njësi, që autori i mendonte si turqizma të shqipes.
Temat e trajtuara në këtë tubim, ishin të ndryshme, por që kishin në thelb kërkimin shkencor në çështje të ndjeshme të kulturës sonë shpirtërore. “Ky tubim synon të shestojë në debatin shkencor albanologjik perspektiva të reja në studimin e faktorëve themelorë, qofshin këta historikë apo bashkëkohorë, të cilët formëzojnë së bashku matriksin e kulturës etnike të popullit shqiptar. Larg vatrave të debatit të sotëm publik mbi standardin, i cili ka kapluar ndërkohë me vulgaritetet e rastit deri instancat më të larta të jetës intelektuale në trojet shqiptare, në këtë tubim debati albanologjik përvijon ballafaqimin e koncepteve tradicionale me ato moderne mbi gjuhën, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”, shkruan publicisti dhe gjuhëtari Ardian Vehbiu në faqen e tij në internet, i cili ishte dhe pjesëmarrës në këtë takim.