Telefonata e fundit e Sokol Olldashit... Jam keq...!

Telefonata e fundit e Sokol Olldashit:... Jam keq...!

“Kam bërë aksident, jam keq!” Këto janë fjalët e fundit që ka thënë Sokol Olldashi, teksa automjeti i tij kishte përfunduar në greminën e Krrabës. Sinjali i fundit i jetës së tij ka shkuar në celularin e shoferit të tij, i cili në momentin e marrjes së lajmit të keq ka lajmëruar sallën operative dhe bashkë me deputetin e PD-së, Igli Cara, janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes me idenë për t’i dhënë ndihmën mikut të tyre. Mirëpo, kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, automjeti nuk është parë në rrugë, ndërsa kalimtarë të rastit kanë shquar dritat e bllokazhit të një makinë në humnerë. Derisa ka mbërritur policia, ambulancat, prokuroria, ka qenë shumë vonë. Shumë vonë për të mbajtur në jetë Olldashin! Trupi i tij është nxjerrë rreth 1 orë e 15 minuta pas mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes, më pas është transportuar në drejtim të morgut. Në vendin e aksidentit kanë mbërritur krerët e PD-së, ministri i Brendshëm, Tahiri, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe deputetë të opozitës. Bashkëshorten e Sokol Olldashit, Enkeledën, e ka shoqëruar deputetja e PD-së, Mesila Doda. Ishte e trishtuar. Gruaja ka përjetuar mjaft rëndë ngjarjen, ndërsa policia dhe personat e tjerë janë munduar ta qetësojnë gruan për gjendjen e tij duke i thënë se është gjallë.

Aksidenti

Referuar të dhënave të ardhura nga Policia e Shtetit, informacion që u lëshua në 00.35 minuta të ditës së sotme bëhet me dije se në makinën me të cilën udhëtonte deputeti i Partisë Demokratike nuk ka patur person tjetër përveç Sokol Olldashit. Policia nuk ka dhënë asnjë lloj informacioni tjetër në lidhje me ngjarjen e rëndë në të cilën ka humbur jetën i vetëm në greminë 41 vjeçari. Policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes me në krye një prokuror dhe ekspertë të policisë rrugore të cilët dyshojnë se makina ka hyrë me shpejtësi në kthesë ç`ka ka shkaktuar zhvendosjen e saj dhe rënien në humnerë. Nga informacionet e dhëna që dha shoferi i tij dhe kolegu Igli Cara, kanë mundur të fiksojnë se telefonata që është kryer nga Sokol Olldashi ka qenë pikërisht në orën 21.18 minuta. Vendi në të cilin, mjeti personal i Sokol Olldashit, një Audi Q7, ka dalë nga rruga, është kthesa e lapidarit të Krrabës, një pjesë rruge tërësisht pa sinjalistikë dhe pa asnjë barrierë anësore. Mjeti është gjendur në një pozicion 180 gradë në humnerë, ndërsa trupi i tij është mundësuar të nxirret vetëm pas më shumë se një ore. Pas konfirmimit se Sokol Olldashi kishte ndërruar jetë, vëmendja është postuar nga vendi i ngjarjes, Krraba, në ambientet e jashtme të morgut të Tiranës. Thuajse gjithë funksionarët e lartë të PD-së, ministra, krerë të Policisë së Shtetit, miq të afërt të të ndjerit kanë qëndruar për orë të tëra në morg për të pritur daljen e trupit të njeriut dhe mikut të tyre.

Hetimet

Një prokuror, krerë të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të policisë rrugore kanë nisur hetimet në vend e ngjarjes ndërsa automjeti është nxjerr rreth mesnatës nga gremina. Makina që i mori jetën deputetit të PD-së do t’i nënshtrohet një ekspertimi tekniko shkencor për të mësuar nëse ka qenë mjeti që ka pësuar ndonjë defekt, ka qenë ndonjë pakujdesi e vetë viktimës apo mos ka patur ndonjë përplasje me ndonjë automjet tjetër që mund të jetë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu ekspertët rrugorë do të ekspertojnë ditën e sotme edhe kushtet e rrugës, pasi dyshohet se mjeti ka dalë nga rruga, edhe pse kjo lloj makine mund të konsiderohet si një prej mjeteve më të sigurta për çfarëdolloj kushtesh në rrugë. Policia ndoshta do të dalë në konkluzion përfundimtar për sa i përket këtij aksidenti të rëndë ditën e sotme.

Dita e fundit e Olldashit në Kuvend

Tymoste papushim dhe bisedonte me Finon në pushim të mbledhjes. U largua para se të mbaronte seanca e Komisionit të Ligjeve, për të mos u kthyer më

Këtë të enjte do të duhet që të kishte mbajtur fjalimin tij në parlament, por që për fat të keq nuk mundi. Si çdo mëngjes, edhe dje, Koli, siç e thërrasin miqtë e tij, u tregua korrekt me respektimin e orarit të fillimit të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve. Me llullën në buzë me të cilën pinte edhe cigaret e tij, i veshur si zakonisht shumë shik, rreth orës 10:45 ngjiti shkallët e selisë së Kryesisë së Kuvendit për t’u futur te mbledhja e Komisionit të Ligjeve. Ndonëse kishte një karrierë tepër të pasur në qeveri, duke qenë një nga ministrat më jetëgjatë të qeverisjes 8-vjeçare të demokratëve, nuk harronte kurrë të kaluarën e tij si gazetar. Para se të futej brenda në komision, përshëndeti gazetarët dhe kameramanët. Politikani i ashpër, i njohur si pjesëmarrës i të gjitha protestave të PD-së në kohë e vështira të saj, ulej gjithmonë në krah të Edi Palokës, politikan që ashtu sikurse Olldashi ka qenë gazetar. Për shkak të seancës dëgjimore maratonë me Avokatin e Popullit, por edhe për shkak të vesit të tij për duhanin, doli disa herë nga mbledhja për të qëndruar disa minuta në korridor. Pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, deputeti Olldashi nuk hezitoi që të pinte cigare me kolegun e tij socialit Bashkim Fino, të cilët kishin të përbashkët dashurinë e tyre për purot. Nuk do të priste deri në përfundim të mbledhjes, por do të largohej më shpejt për të mos u rikthyer kurrë në Kryesinë e Kuvendit, shkallët e të cilit filloi që t’i ngjiste si gazetar i thjeshtë në fillim të viteve ’90 e për të zbritur për herë të fundit si deputet i PD-së në mandatin e tij të tretë.

Kush është Sokol Olldashi

Sokol Olldashi ka lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës. ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe ish Ministër i Punëve Publike dhe Transportit në qeverinë shqiptare. Shkollimin e mesëm e ka kryer në vendlindje ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995 dhe në vitin 2004 në Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave. Që nga koha e studimeve fillon të punojë si gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe bëhet kryeredaktor i televizionit ATN pastaj zgjidhet në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dhe në vitin 2001, zgjidhet deputet në Parlament. Në vitin 2007, merr postin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Shqipërisë.  I martuar dhe ka dy fëmijë.

Veprimtaria profesionale

Nëntor 1999 - Qershor 2001 Kryeredaktor në televizionin ATN1

Tetor 1995 - Nëntor 1999 Zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën “Albania”

Tetor 1994 - Janar 1996 Reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH)

Veprimtaria politike

Anëtar i Partisë Demokratike, dega Durrës, që në dhjetor 1990

Anëtar i mbledhjes themeluese të FRPD-së

Maj 2002 - Shtator 2007, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) 

Maj 2005 - Maj 2009 Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës

Anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002

Qershor 2001 - Maj 2005, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, (lista shumëemërore)

2005 - 2007 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhur në zonën elektorale 26, Durrës

2009 – 2013 Deputet i Qarkut Fier

Peza: Takimi i fundit me të

Deputeti socialist Alfred Peza shprehet se për herë të fundit kolegun e tij ka e takuar në një nga baret në qendër të Tiranës. “E takova mikun dhe kolegun tim Sokol Olldashi sot në 18.30 në bar-in e H.R …”, shkruan Peza i cili e ka njohur deputetin Olldashi edhe si gazetar. Në atë kohë, Peza ka qenë gazetar te Koha Jonë, ndërsa Olldashi reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) .

Basha dhe Berisha në vendngjarje

Ngjarja tragjike ka bërë së bashku të gjithë klasën politike të cilët i janë drejtuar vendit të ngjarjes. Në orën 23: 32, kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe deputeti Sali Berisha shkuan në vendin e ngjarjes. Për atje janë nisur direkt edhe deputetë e tjerë të PD-së si dhe djali i Berishës, Shkëlzeni, ndërsa nuk kanë hezituar që të shkojnë edhe deputetët e së majtës. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa nuk kanë munguar edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deputeti Balla dhe zv/ ministra të tjerë të qeverisë së majtë. Të gjithë më pas zhvendosen tek Spitali Ushtarak, ku kanë qenë me dhjetëra qytetarë dhe anëtarë të Forumit Rinor Demokrat, forum të ciline drejtoi për disa vite.

Egla Bardhi /Gazetare

Historia e patreguar

“Kurrë nuk e kam takuar zotin Olldashi, por ishte i vetmi politikan i cili pasi kishte lexuar një artikull timin te gazeta "Shekulli" për një pacient të vogël në pediatrik, të cilit i rrezikohej jeta për shkak se nuk kishte një aparat frymëmarrje, më mori në telefon dhe më pyeti se sa kushtonte. Zoti Olldashi i bleu aparatin foshnjës dhe m’u lut që të mos e bëja publik faktin që aparaturën ia dhuroi pikërisht ai. Para 2 vitesh i kisha premtuar se nuk do e bëja publik gjestin e tij shumë human dhe njerëzor sepse e kërkoi me shumë këmbëngulje në telefon. Nuk e di, por sapo mora vesh lajmin, nuk munda të mos e shkruaj”.

Lamtumirë Koli!

Arben Rrozhani

-Sokol Olldashi mbrëmë kaloi matanë. Më 17 dhjetor do të festonte 41 vjetorin. U shua në një rrëpirë, në një aksident tragjik, në rrugën që vetë kishte “ndërtuar” gjatë kohës kur ishte ministër i Transporteve. Siç mund t’i ndodhë gjithkujt nga ne, siç u ka ndodhur rreth 20 mijë shqiptarëve në këto dy dekadat e fundit. Kryefamiljari do t’i mungojë bashkëshortes dhe dy djemve ende të parritur, nënës Kozeta do t’i mungojë djali me të cilin kishte lidhur jetën në Shqipëri, një vend bosh do të jetë në anën e djathtë të Kuvendit, ku qëndron e ulur opozita dhe një zë i pakompromis do t’i mungojë PD-së. Ne do të na mungojë ish-kolegu. E njoha në korrik 1996, kur u bëra pjesë e stafit të gazetës “Albania”. I qeshur dhe i “shkolluar” në ATSH, Sokoli ishte njëra nga ata djem që kishin vuajtur nga rregjimi komunist. Pinjoll i një familjeje të nomenklaturës komuniste, që u përndoq nga regjimi në emër të luftës brenda llojit, Koli e kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë në internim. Atje te bitumi i Selenicës ku familjarisht ishte internuar, shumë larg nga Durrësi ku kishte lindur dhe nga Tirana, ku nëna e tij Kozeta do të ringrinte jetën pas rënies së sistemit komunist. Koli ishte një gazetar që besonte verbërisht te e djathta, pa asnjë mëdyshje, ndaj dhe nuk ishte çudi të të shikonte me dyshim pse vije të punoje në një gazetë ngushtësisht të lidhur me ish-presidentin Berisha, kur më parë kishe qenë pjesë e stafit të “Koha Jonë”, gazetës që ishte dhëmb për dhmëb me qeverisjen e demokratëve në atë kohë. Kështu mbeti deri në fund.

Me këtë motiv do të largohej nga gazeta asokohe, e cila mbante anën e fraksionit të drejtuar nga Genc Pollo, për të mos e tradhëtuar Sali Berishën. Koli ishte një shok i mirë. Kemi ndarë çapën e bukës bashkë. Atë “bukë me shumë vaj”-siç e thumbonte asokohe botuesi Ylli Rakipi. Vite kaluam te tavolinat e bilardos, te pallatet e “Moskateve”, loja që ai e kishte aq për Lamtumirë Koli! zemër. Në klubet e Tiranës së re, ku i pëlqente të pinte pak si tepër konjakun dhe cigaren që se hiqte asnjëherë nga buza. Ishte një djalë që kërkonte dhe arrinte atë që donte, edhe partneren e jetës. Ishte njëri prej nesh që besoi te bindjet e veta politike dhe u shpërblye. Mori përsipër përgjegjësi të mëdha mbi supe pas ardhjes së Berishës sërish në pushtet. Ishte ministër i Brendshëm në momentet e vështira, kur qeverisja e djathtë nisi të bëjë arrestojë eksponentët kryesorë të krimit të organizuar, që akuzoheshin për vepra të rënda penale. Më pas në Ministrinë e Transporteve, post që do ta mbante për shumë vite, duke qenë njeriu i besuar i ish-kryeministrit Berisha në financimet kolosale që u bënë për rrjetin rrugor në Shqipëri. Kërkoi të marrë më shumë përgjegjësi pas humbjes së PDsë në zgjedhjet e 23 qershorit. Ngulmoi për një garë të drejtë në konkurimin e hapur nga Berisha, pas dorëheqjes së tij publike në 29 qershor. Besoi dhe luftoi për të qenë ai lideri i ardhshëm i demokratëve të demoralizuar nga humbja shokuese në zgjedhje. Nuk u tërhoq edhe pse e nuhati se fituesi ishte paracaktuar dhe luftoi deri ditën e fundit për të patur një garë të ndershme dhe të drejtë në partinë ku ai kishte besuar verbërisht prej mëse dy dekadash. Humbi, por ishte fituesi moral i asaj gare, duke patur në krah edhe ish-kolegët e tij të medias. Sepse ishte njëri prej nesh, edhe pse prej 8 vitesh me kostumin e zyrtarit të lartë. Muajt më pas treguan se kishte patur të drejtë, se beteja e tij për të patur një parti të fortë opozitare kishte qenë një kauzë politike për ringritjen e opozitës, që ende nuk e ka marrë veten, që ende s’ka bërë analizën e humbjes dhe që ende nuk e ka një kryetar real zyrtar. Humbja e tij fizike është e rëndë për familjen dhe miqtë e tij. Është edhe humbja jonë. E një brezi që kërkonte të jetë protagonist në bindjet e tij. Një humbje shumë e parakohshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama