Ukraina është kthyer në një vatër të nxehtë konflikti në mes të Evropës por dhe në një moment të vështirë për të provuar influencat e fuqive të mëdha, SHBA, BE dhe Rusia. Tashmë SHBA është vënë në një pozitë të vështirë për shkak të publikimit të një bisede telefonike mes një zyrtareje të lartë të Washingtonit dhe ambasadorit amerikan në Kiev. Gjatë bisedës ajo përdor fjalor fyes duke përçmuar rolin e Bashkimit Evropian në krizën ukrainase. Zyrtarja është ndihmëssekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, që në telefonatën me ambasadorin amerikan në Kiev, thotë ndër të tjera perdor shprehjen fyese “F*ck EU” duke u ankuar për mungesën e ndikimit evropian në këtë krizë.
Nuland ka kërkuar ndjesë për komentet e raportuara në shtyp. Por ndërkaq Shtëpia e Bardhë ka një tjetër problem, kush e ka regjistruar dhe publikuar këtë bisedë. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki akuzoi Moskën se ka regjistruar dhe shpërndarë telefonaten, duke e cilësuar këtë një levizje shumë të ulët të spiunazhit rus. Në bisedën e hedhur në You Tube dhe të titruar në gjuhën ruse, Nuland shpreh gjithashtu rezerva për një nga liderët e opozitës Vitali Klitchko. Ajo thotë se nuk mendon se ai duhet të jetë pjesë e një qeverie të re. Ndërkohë Nuland zhvilloi një vizitë dy ditore në Kiev dhe u takua me presidentin Viktor Janukoviç dhe liderë të opozitës.