Telefonatat a jane te rrezikshme?

Telefonatat, a jane te rrezikshme?
Ndërsa alarmi është rritur sërish nga një studim i ri i publikuar, ekspertët sigurojnë: nuk ka prova bindëse se  celularët dhe aparatet wireless mund të shkaktojnë tumore në tru apo vesh.

Shpesh kemi dëgjuar të thuhet se telefonat mund të shkaktojnë tumore në tru. Nuk është e vërtetë, janë absolutisht të sigurt. Prej vitesh diskutohet mbi këtë çështje dhe ata që nuk kanë dashur ta marrin parasysh këtë shqetësim kanë pasur të drejtë. Alarmi është shkaktuar sërish nga publikimi në “Journal of Computer Assisted Tomography” i një studimi të ri që rihap sërish debatin dhe vendos nën akuzë jo vetëm telefonat, por edhe aparatet e tjera wireless në shtëpi.

Historia përsëritet

Në vitet e fundit, protagonistët kryesorë të kësaj beteje janë rreshtuar në dy kampe: në të parin janë ndjekësit e suedezit Lennart Hardell, i Universitetit të Orebro në Zvicrën qendrore dhe nga na tjetër, mbështetësit e kërkimit më të madh të publikuar deri më tani për këtë argument, studimi i “Interphone”, i bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe e financuar pjesërisht nga kompanitë e mëdha të telefonisë celulare të pranishme në tregun botëror.

Suedezi është një mbështetës i thekur i ekzistencës së një rreziku real, sidomos për zhvillimin e gliomave, tumore të rralla cerebrale dhe të neurinomave akustike, tumoret beninje që zhvillohen në vesh dhe që mund të çojnë drejt shurdhimit të plotë. Sipas rezultateve të studimit të “Interphone”, nuk ekziston asnjë lidhje, por vetëm një rritje e vogël e rrezikut më zhvillimin e gliomës te personat që kalojnë nga 5 deri në 12 orë në ditë duke folur në telefon: një rritje thuajse e papërfillshme duke parë se sa e rrallë është kjo sëmundje. Pjesa më e madhe e institucioneve shkencore, mes të cilave edhe agjencia ndërkombëtare për kërkimet mbi kancerin, janë bashkërenduar për shpërndarjen e sinjaleve pozitive, duke arritur në përfundimin se për momentin telefonat nuk duhet të jenë në bankën e të akuzuarve për shkak të mungesës së provave.

Studimi

Ai që ka dashur të thotë argumentin e tij për këtë problem është Rash Bihari Dubey, kërkues i Apeejay College of Engineering, në Indi: studiuesi deri tani i njohur në fushën e kërkimeve mbi efektet shëndetësore të valëve elektromagnetike ka marrë rolin e një “gjyqtari” që ka analizuar rezultatet e të gjitha studimeve shkencore dhe ka ekzaminuar pasojat e një përdorimi të paktën dhjetëvjeçar të aparaturave wireless. Mes 11 publikimeve të marra në konsideratë nga kërkuesit indianë, është edhe studimi Interphone dhe punët e firmosura nga studiuesi suedez. Në pritje për ta parë studimin me detaje kur do të publikohet, zërat e parë të bazuar në komunikatat për shtyp të shtëpisë botuese të bëjnë të mendosh se kësaj here peshorja anon drejt hipotezës që askush nuk donte t’i besonte. Dubey arrin në përfundimin se mbi bazën e të dhënave që janë sot në dispozicion, përdorimi për një kohë të gjatë i telefonave celularë mund të dyfishojë rrezikun e zhvillimit të një gliome apo neurinome akustike në hemisferën e djathtë cerebrale, hemisfera cerebrale më në kontakt me aparatin telefonik

Eksperti

Në një mospërputhje totale me përfundimet e nxjerra shprehet edhe Paolo Vecchia, drejtues i kërkimeve në Institutin superior shëndetësor dhe president i Komisionit ndërkombëtar për mbrojtjen nga rrezatimet jo të jonizuara. “Analiza e bërë nga Dubey rrezikon të provokojë sërish alarme të kota. Besueshmëria  e pakët e kësaj pune tregohet edhe nga tipi i revistës ku publikohet. Para se të publikohej nuk u mor gjykimi i ekspertëve për vlerën e tij shkencore”. Organizmat ndërkombëtarë që merren me shëndetin publik, para së gjithash OBSH, në vitet e fundit kanë arritur në përfundime të ndryshme dhe pjesa më e madhe e ekspertëve janë unanimë në shpërndarjen e një mesazhi sigurues. “Nga komunikata për shtyp e dalë nga Lippincott Williams Wilkins, shtëpia botuese e revistës që ka publikuar analizën, të krijohet përshtypja se studimi i “Interphone” do të gjykohet si i pavlerë për faktin se ka marrë një pjesë të financimeve nga kompanitë prodhuese të teknologjive wireless. Vetëm për këtë mendohet se rezultatet duhet të kenë qenë të falsifikuar në një farë mënyre, pa marrë parasysh se është ndjekur nga ekspertë përkatës dhe se të dhënat e arritura janë certifikuar nga organizata botërore e shëndetësisë”.

Mes të tashmes e të ardhmes

Shpresa për të gjetur përgjigje të qarta nga rreziqet e pranishme me të cilat ndeshemi çdo ditë duke kaluar orë të tëra në celular  i besohet tani një studimi të ri të quajtur Cosmos, për të cilin ka nisur rekrutimi në pesë vende europiane (ku përfshihet: Britania e madhe, Finlanda, Holanda, Suedia dhe Danimarka) i rreth 250 mijë të rriturve kushtet fizike të së cilëve do të monitorohen në kohë reale për të paktën 20 vjet në lidhje me përdorimin që do t’u bëjnë teknologjive të reja wireless.

Por ndërkohë çfarë duhet të bëjmë? Kërkuesi indian u drejtohet atyre që janë të interesuarit direkt për këtë çështje duke këshilluar që të reduktojnë ekspozimin me katër lëvizje të thjeshta: të limitosh sa më shumë të jetë e mundur numrin dhe kohëzgjatjen e telefonatave, t’u japësh përparësi përdorimit të sms-ve dhe t’u vendosësh rregulla të ashpra fëmijëve për përdorimin e kufjeve sidomos të atyre pa fije. Por Deby u drejtohet edhe kompanive prodhuese të telefonave dhe institucioneve përgjegjëse sipas studiuesit që qëndrojnë pa vepruar përpara një rreziku të tillë: nga njëra anë i fton prodhuesit e aparateve wireless të nxjerrin teknologji më të sigurta për të reduktuar emetimet, nga ana tjetër u kërkon qeverive të kenë nën vëzhgim më të madh qytetarët e tyre duke marrë në konsideratë kohën e ekspozimit që dikton ligji.

“Për sa i përket kësaj pikës së fundit dua të shtoj se kompanitë e mëdha celulare prej kohësh po bëjnë hapa përpara në këtë drejtim, sepse reduktimi i emetimeve ofron avantazhe të mëdha për sa i përket autonomisë së baterive dhe reduktimit të interferencave. Nga ana tjetër, për sa i përket kërkesës për të ulur kohën e ekspozimit mendoj se deri kur nuk do të kemi të dhëna të sakta të vendosësh limite nuk do të shërbejë për asgjë veçse do frikësojë popullsinë kot më së koti”, përfundojnë ekspertët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama