Telefonatat ndermjet celulareve nga 1 prilli pergjysmohen cmimet

Telefonatat ndermjet celulareve, nga 1 prilli pergjysmohen cmimet

Nga 1 prilli shqiptarët do të paguajnë deri në 42 për qind më pak për thirrjet ndërmjet operatorëve celularë. Nga 4.5 lekë për minutë që kushton një thirrje nga AMC-ja, tek kompania Vodafone aktualisht, kjo tarifë do të jetë pas një prillit 2.6 lekë për minutë. Vendimin për tarifat e reja të terminimit e ka marrë Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, pas një konsultimi publik dhe me kompanitë për këtë çështje. Sipas vendimit, tarifa më të larta të terminimit do të mbajnë operatorët Eagle Mobile dhe Plus, për shkak se janë më të rinj në treg.

Tre fazat e uljes

Reduktimi i tarifave të terminimit do të shtrihet në tre faza deri në 2016. Reduktimi në fazën e parë që nis nga data 1 prill e këtij viti varion nga 12 deri në 42%. Më 1 prill 2015, reduktimet do të jenë janë 42-55% krahasuar me nivelin aktual dhe më 1janar të vitit 2016, reduktimi është 68-83% në raport me nivelet përkatëse aktuale të tarifave të terminimit. AKEP vëren se tregu celular në Shqipëri ka pasur zhvillime pozitive në vitet e fundit në drejtim të rritjes së konkurrencës dhe përfitimeve të përdoruesve, në terma të tarifave më të ulëta dhe rritje të ndjeshme të përdorimit mesatar. Megjithatë, nga monitorimi i tregut dhe ankesat e operatorëve, AKEP ka vënë re se konkurrenca dhe përfitimet e përdoruesve kanë qenë të fokusuara në drejtim të thirrjeve brenda rrjeteve,  tarifat e të cilave në shumë raste kanë skonto të mëdha për thirrjet brenda grupeve të mbyllura. Kjo praktikë vihet re se aplikohet nga të katër operatorët dhe në programet tarifore me parapagim dhe me kontratë. Efektet e këtyre politikave tarifore kanë çuar në rritje të madhe të proporcionit që zënë thirrjet brenda rrjetit në totalin e thirrjeve dalëse celulare (mesatarisht 95%).

Efektet

AKEP pret që nivelet e propozuara të tarifave të terminimit në seksionin e mëparshëm, janë përcaktuar me objektivin e rritjes së konkurrencës në tregun celular, duke pasur parasysh rritjen e aftësisë konkurruese të operatorëve më të vegjël dhe reduktimin e stimujve për diferenca të pajustifikuara midis tarifave brenda rrjetit dhe jashtë tij. Tarifat e terminimit celular në Shqipëri kanë qenë afër nivelit mesatar të BE në 2012, dhe më pas për shkak të reduktimeve të mëdha në vendet e BE dhe rajonit, në 2013 ato qëndrojnë shumë më lart se niveli mesatar i këtyre vendeve. Në prill 2014 dhe prill 2015, tarifat e terminimit të Vodafone dhe AMC barazohen me tarifat mesatare në 34 vendet europiane. AKEP pret që në janar 2016, tarifat e të katër operatorëve celularë barazohen me tarifën mesatare në vendet e BE dhe rajonit. AKEP vlerëson se tarifat e reja të terminimit pritet të kenë efekt pozitiv në treg dhe zgjedhja e përdoruesve e këtyre paketave do të zvogëlojë stimujt për paketat me tarifa shumë të ulëta brenda grupeve. Kjo mund të çojë edhe në reduktim të kartave SIM aktive në treg, pasi një pjesë e madhe e përdoruesve celularë kanë më shumë se një kartë SIM për të shfrytëzuar oferta me tarifa shumë të ulëta brenda grupeve.

Tre fazat e uljes së tarifave të terminimit

Aktualisht       1.04.2014        1.04.2015        1.01.2016

Vodafone dhe AMC   4.57                 2.66                2.04                1.48

Albtelekom (EM)      4.57                 4.00                2.66                 1.48

Plus                          8.85                6.52                 4.00                 1.48


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama