Në 236-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së dhe në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar
Majori amerikan, dr. , ka shkruar libra për Shqipërinë, shumë artikuj, ka mbajtur një sërë fjalimesh, ka hartuar thirrje në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe ua ka shpërndarë në anglisht e frëngjisht delegatëve të Konferencës së Paqes në Paris më 1919-n.
Ai është hartuesi i traktat-programit prej gjashtë pikash “Pse duhet ta marrë Amerika në mbrojtje Shqipërinë”, një dokument me vlera të jashtëzakonshme jo vetëm për kohën, por siç thotë populli për sot dhe për mot.
“Për dy mijë vjet të gjata, raca shqiptare është përpjekur (përplasur) në leqet e një nyjë gordiane, por sa është çliruar një nga ato leqe me përpjekje heroike të kësaj race të pavdekshme, një tjetër ka zënë vendin e tij shtrënguar, kështu pra, deri kësaj minute, Shqipëria nuk ka pasur rastin që të marrë frymë lirisht, as të shikojë pemët e ëmbla të lirisë kombëtare. Toka e saj është plehëruar me shumë të vdekur dhe të kalbur prej çdo kombi të Europës dhe gjithashtu prej shumë kombesh të Azisë dhe Afrikës.
Lufta “Lodra e Mbretërve” ka ngjarë më tepër në këtë pjesë të Ballkanit se në çdo pjesë tjetër të botës.
23 gusht 1919 Erickson
Janë këto pak fjalë nga shkrimi që miku i madh i Shqipërisë, dr. Carl Telefor Erickson, i ka shkruar në valët e nxehta që zhvillonte punimet Konferenca e Paqes në Paris.
Lindi në një fermë afër fshatit Galesburg, Ilinois më 15 korrik 1867. Është një rast i bukur që 145-vjetorin e lindjes së tij ta kujtojmë dhe ta festojmë me të gjitha nderet që u takojnë miqve të veçantë.
Pasi mbaroi shkollën teologjike dhe diplomohet në Universitetin De Pawol, merr diplomën tjetër me nderime në Universitetin e Bostonit dhe i përkushtohet misionit të tij të shenjtë në fushën teologjike.
Për herë të parë në Shqipëri erdhi në gusht të vitit 1908. Është amerikani i dytë që mbërrin në Shqipëri pas familjes Kenedy që kishin ardhur në marsin e po atij viti.
Misioni i tij ishte për të hapur një shkollë në qytetin e Korçës. Ai mbërriti në Korçë më 5 shtator 1908, pas shumë peripecive dhe persekutimesh që i sollën si atij dhe familjes qeveritarët turkoshakë, si dhe shovinistët serbë e grekë. Me gjithë peripecitë dhe persekutimet nga më të ndryshmet, ai gjeti në Korçë një mjedis të ngrohtë dhe njerëzor për të punuar, aq sa në ditarin e tij shkruan plot entuziazëm: “Sa u befasuam me Korçën! Shtëpitë dukeshin si ato që kishim parë në rrugët më të mira të qyteteve amerikane, ndërsa banorët e saj, me të arritur ne, na uruan mirëseardhjen dhe na folën në gjuhën amerikane. Korça i ngjante së tepërmi disa qyteteve gjermane apo skandinave të Amerikës”.
Erickson-i punoi në Korçë, Elbasan, Tiranë, hapi shkollën teknike bujqësore të Kavajës dhe për një kohë të gjatë punoi në radhët e Kryqit të Kuq Amerikan, ku për punën e tij humane e me përkushtim arriti që të meritojë edhe gradën e tij të Majorit. Ai u lidh aq shumë me jetën dhe historinë e popullit shqiptar, sa në një intervistë që ka dhënë në ato vite, ka deklaruar se, nëse do ta pyesin se në cilin vend do të kishte pasur dëshirë që të kishte lindur e jetonte, ai ishte përgjigjur pa hezitim vetëm me dy fjalë: “Në Shqipëri!”
Kapitull të veçantë në jetën e tij zë pjesëmarrja në Konferencën e Paqes në Paris, ku ai mori pjesë në përbërjen e delegacionit shqiptar të shoqërisë “Vatra” në SHBA. Në këtë delegacion ishte edhe koloneli anglez Abrey Herbert. Arbëreshi Alselmo Lorenccio. Të tri këto personalitete, njëri amerikan, tjetri anglez dhe i treti arbëresh, që e kishin njohur nga afër Shqipërinë dhe problemet e saja, si ekspertë të çështjes shqiptare do të luanin një rol të veçantë në konferencë gjatë bisedimeve me delegacionet e çdo shteti.
Ishte puna e delegacionit shqiptar, veçanërisht të atij të shoqërisë “Vatra” që u bë e mundur që Presidenti Willson problemin shqiptar ta kishte mjaft të qartë dhe fjala e vota e tij ishte vendimtare dhe përfundimtare për shpëtimin e Shqipërisë nga moscopëtimi i saj; gjë për të cilën populli shqiptar do t’i mbetet përherë mirënjohës si vetë Presidentit Willson dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Po në atë konferencë, Erickson-i shpërndau një thirrje në gjuhën angleze dhe në frëngjisht, drejtuar gjithë delegatëve. Kjo thirrje ishte një apel për të gjithë pjesëmarrësit e konferencës, që çështja shqiptare të shikohej me vëmendjen e duhur. Bashkangjitur me apelin, ai ka hartuar edhe një traktat apo memorandum; përmbajtja që ka ai është nga më aktualet, jo për vitet kur u publikua, por edhe për sot dhe për të ardhmen e fatit të Shqipërisë. Traktati mban titullin: “Gjashtë arsye përse Amerika duhet të kujdeset për Shqipërinë”.
1. Mbi parimin moral:
Amerika hyri dhe luftoi në këtë luftë për parime morale. Një nga këto ishte të përligjte të drejtat e kombeve të vegjël, të mbronte të dobëtit kundër të fortëve. Ky parim nuk do të zbatohet në Shqipëri. Përndryshe Pakti i Londrës do të zbatohet. Vlora me zonat e saj do t’i jepen Italisë, territore të tjera do t’i jepen Serbisë e Greqisë, duke lënë vetëm një zonë të vogël neutrale në Shqipërinë qendrore me më pak së 1/3 e territorit dhe të popullsisë për të shërbyer si një amortizator midis këtyre shteteve, diçka pa kuptim dhe pa vlerë; as provincë, as shtet, as komb. Një viktimë do të injorohet, ndaj së cilës do të ketë përherë intriga dhe luftë nga çdo anë. Kështu, raca shqiptare, e cila për më shumë së dy mijë vite ka ruajtur integritetin e saj nacional kundër fuqive të mëdha, të cilat kanë vërshuar në Ballkan nga çdo pjesë e globit, thyhet e shkatërrohet.
2. Me interes të një paqeje të drejtë dhe të gjatë:
Konferenca e Paqes me Lidhjen e Kombeve ka fuqi të plotë për të çliruar kombet nga kontrolli i huaj dhe për të vendosur kufijtë etnikë, për të rregulluar grindjet ndërkombëtare të paktën për kufijtë e territoreve të pushtuara nga lufta, duke përfshirë edhe Ballkanin. Kjo është një detyrë e qartë dhe supreme, detyrë në interesin e një paqeje të qëndrueshme për të përligjur të drejtat dhe për të vendosur drejtësinë mbi gabimin e të tjerëve. Italia, Greqia e Serbia kanë pushtuar 90 deri 100% të territoreve dhe popullsisë shqiptare, të cilat flasin kundër pushtimit të huaj, që nuk pajtohen me këtë pushtim. Kjo do të ishte e mjaftueshme për t’i bërë asaj (konferencë) gjyqin moral para botës. Amerika nuk do të jetë ajo që është n.q.s. do të nënshkruajë një traktat paqeje të tillë.
3.SOSAmerikës nga një komb në rrezik:
I gjithë kombi shqiptar ka shtrirë duart nga Amerika për ta shpëtuar. Të refuzosh t’i përgjigjesh një thirrjeje të tillë është një lloj të mos i përgjigjesh një anijeje që po mbytet. Amerika mbasi investoi 20 bilionë USD dhe sakrifikoi më shumë se njëqind mijë bij të saj për çështjen e drejtësisë dhe lirisë së njerëzimit, nuk mund të qëndrojë si dëshmitare e qetë e një “Katastrofe Susitoneze” (Lusitiva Disoti); (si kjo në të cilën një komb e kanë futur në një anije të prishur dhe po e çojnë drejt vdekjes).
4. Përgjigje e idealeve amerikane:
Europa nuk është akoma plotësisht e bindur se ne nuk jemi një popull materialist, i dashuruar pas parasë, i cili do të përdorë avantazhin tonë të deritanishëm për të arritur supremacinë tregtare në botë. Mësimi ynë i vogël në Kubë dhe në Filipine humbi në Europë dhe n.q.s. ne tërhiqemi nga përgjegjësia jonë e mëtejshme për rindërtimin e botës, ato ideale që fituam nga lufta do t’i humbasim tmerrësisht, nga ana tjetër, të bëhesh fuqi kujdestare në Ballkan, kur Europa ka luftuar (shkatërruar) dhe është qorrollepsur, ku ka shkaktuar disharmoni e hidhërim, nga e cila ka marrë të korrura të hidhura gjakderdhjeje dhe varfëri.
Të çlirosh kombin shqiptar, ta ngresh atë nga fatkeqësia dhe injoranca, t’i japësh mirëqenien dhe prosperitetin e merituar dhe ta kurorëzosh atë me bekimin e jetës, të vendosësh harmoni, mirëbesimin dhe fqinjësinë e mirë midis trevave, t’i ndihmosh të çlirohen nga frika dhe urrejtja, t’i bësh të vëllazërohen dhe të nderohen bashkë me kombet, do të thotë të qetësosh Ballkanin (si zona më e madhe e rrezikut për paqen në tërë botën), këto do t’i japin Amerikës autoritetin dhe të drejtën e përjetshme për t’u shpallur kombeve të botës idealet e saja.
5. Një shpëtim investimesh
Pa ushtri pushtuese, pa fonde të mëdha shpenzimesh, pa rrezik komplikimesh me jashtë ose kundërshtimin nga brenda, një forcë e vogël vullnetare, me detyrë policie, disa oficerë për të përgatitur një milici kombëtare, disa ekspertë civilë për të organizuar degët e ndryshme të administratës, një qeveri e aftë, energjike dhe e pëlqyeshme, një korpus vullnetarësh si edukatorë, inxhinierë, një borxh i përkohshëm prej disa milionë USD dhe kapitali amerikan investuar privatisht, do të zhvillojë burime shumë të pasura natyrore, do të sjellë me siguri përfitim. Këto janë kërkesat për një kujdestari amerikane dhe harxhimet e përgjithshme mund të përballohen lehtë nga shteti dhe menjëherë burimet e saj zhvillohen dhe organizohen siç duhen. Greqia dhe Serbia, duke besuar në ndjenjën e mirë dhe drejtësinë e lartë të Amerikës, do t’i lënë grindjet e tyre territoriale në duart e saja për t’i zgjidhur, si dhe n.q.s. Italia tërheq synimet e saja nga Vlora. Shqipëria me kufijtë e saj etnikë është afërsish sa New Yers dhe popullsia e saj sa gjysma e New York City, pak e vështirë për t’u qeverisur. Kështu që detyra që i propozohet Amerikës me njëqind milionë njerëz nuk është aq e vështirë po të mendosh pozicionin që ajo mban sot përpara botës.
6. Detyra e caktuar Amerikës për rindërtimin e botës
Belgjika ka pushuar së qenë një problem i tillë. Franca është akoma më fisnike dhe e madhe, kështu do të mbajë barrën e saj dhe do të marrë edhe të reja, por këtu është një fëmijë i varfër jetim midis kombeve për të cilën askush nuk tregon keqardhje dhe kujdes e që për këtë arsye nuk mund të braktiset, të keqtrajtohet dhe ndoshta të shkatërrohet.
Duke pasur me vete zemrën e popullit të madh amerikan, do të ketë gjithë përkrahjen prindërore, duke parë forcimin e vet, dashurinë e përmbushjen e detyrës dhe më në fund inkuadrimin e plotë midis popujve vëllezër. Çdo gjë është e favorshme për këtë; një racë e formuar qartë e fort e bashkuar, e vullnetshme, e përgjegjshme dhe absolutisht e besueshme; një territor i përcaktuar me një pasuri të madhe burimesh dhe i vendosur strategjikisht në udhët e mëdha detare dhe tokësore të botës. Me një fjalë, ATA (shqiptarët) janë popull sipas zemrës sonë dhe detyra për rezultate të mëdha dhe dashamirëse do t’i shërbejë për mirë njerëzimit, prandaj jo vetëm ta bëjmë këtë përpjekje të shenjtëruar; thirrja bëhet për ne si amerikanë, e fortë dhe e qartë si një thirrje borie: A dyshon kush për përgjigjen që duhet dhënë?!…
A ka program më të qartë, më të bukur dhe më aktual për sot dhe për nesër, besoj se jo!
Por një urim dhe një dëshirë në këtë ditë feste si për popullin amerikan dhe për miqtë e mëdhenj të Shqipërisë.
Në gushtin e vitit 1931, mbreti Zog e dekoroi major Telefor Erickson me urdhrin “Kumandar i urdhrit të Skënderbeut”.
Në 145-vjetorin e lindjes, a nuk e meriton që një nga rrugët më të njohura në Shqipëri të mbante emrin e tij dhe njëherësh, a nuk do të ishte mirë që t’i jepej një nga urdhrat më të lartë të shtetit shqiptar. Besoj së po!