Nëse ka një çeshtje madhore, që e ka shoqëruar demokracinë e re shqiptare përgjatë gjithë rrugës së saj njëzetvjeçare, krahas morisë së problemeve të panumërta, kjo ka qenë sfida e afrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prej kohësh që s’mbahen mend tashmë, konsumojmë retorikën e integrimit, pa i parë ende të gjitha frytet e tij. Edhe pas më shumë se dy dekadash, Shqipëria vijon të mbetet në një pozicion aspak preferencial, në raport me Bashkimin Europian dhe dosja e saj shëtit nga njëra administratë tek tjetra në zyrat e Brukselit. “Na keni ardhur në majë të hundës”, deklaroi para pak ditësh europarlamentari Kukan, si për t’u bërë zëdhënësi i alergjisë kolektive që ka pushtuar Brukselin, sa herë që përmendet kriza shqiptare. Ashtu si Kukan, e gjithë burokracia e Komisionit Europian, pa harruar instancat politike të vendeve anëtare, shohin sot tek vendi ynë, një rast sui generis, një fenomen unik, të papërsëritshëm dhe të paprecedent në dy dhjetëvjeçarët e fundit
Pak retrospektivë
Një vështrim prapa, mbi rrugën e përshkuar drejt anëtarësimit në BE, të ndihmon të nxjerrësh një konkluzion dëshpërues, i cili është evident dhe sfidues: në të gjitha momentet kyçe të procesit, në të gjitha etapat e tij kontraktuale, në të gjitha kontratat e marrëveshjet që kemi bërë apo përpiqemi të bëjmë me europianët, ne shqiptarët kemi vendosur rekorde të “pathyeshme” negative, në krahasim me fqinjët tanë zullumqarë, por edhe me popujt e tjerë të ish-Lindjes komuniste.
Teksa hidhte hapat e para drejt Europës, në dhjetor 1992 (Marrëveshja e Tregëtisë dhe Bashkëpunimit me BE), Tirana zyrtare kuptonte se procesi do të ishte i gjatë dhe tejet e koklavitur për këllqet e një administrate të re dhe pa përvojë. Reformat ekonomike, aprovimi i një numri të madh ligjes që u stivuan në paketën e dispozitave kushtetuese, nuk dhanë megjithatë një perspektivë të qartë europiane. Referendumi i Kushtetutës në vitin 1994, ishte një simptomë e lexueshme e vështirësive që po haste vendi ynë, për të qenë një nxënës i mirë shkolle për europianët. Dhe kur në vitin 1996 u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, thellësisht të kontestuara, Shqipëria humbi, duke qenë fare pranë marrjes së statusit të vendit të asociuar në BE. Kriza e piramidave që qëndronte në sfond dhe që shpërtheu në fund të atij viti, veçse e sigruoi edhe më tepër Brukselin, Bonin, Parisin dhe Londrën, se vendi më i varfër i Europës nuk meritonte diçka më të mirë sesa të qëndronte për një kohë të pacaktuar në listë pritjeje.
Normalizimi gradual, Stabilizim-Asociimi
Në vitin 1999 BE miratoi një nismë të re. Ajo quhej procesi i Stabilizim-Asociimit dhe prekte pesë vende ballkanike: Shqipërinë, RFJ, Kroacinë, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën. Këto shtete duhej të nënshkruanin marrëveshjen e stabilizim-asociimit, para se të vijonin me pjesën tjetër të rrugës: marrjen e statusit të vendit kandidat dhe atë të vendit anëtar.
Në këtë kuadër, Komisioni Europian inicioi hartimin e një studimi fizibiliteti – një lloj radiografie që mundësonte të shihej nëse Shqipëria e meritonte statusin e stabilizim-asociimit. Brenda pak muajve përgjigja erdhi dhe ishte negative. Vendit tonë ju vunë disa kushte, për të arritur deri tek nënshkrimi i MSA, siç ishin përmirësimi i qeverisjes, rendi publik dhe siguria, stabilizimi makroekonomik dhe reformat strukturore. Samiti i Zagrebit, i organizuar nga presidenca franceze, nënvizoi një qasje pozitive të BE ndaj Ballkanit. Aty u vendos edhe krijimi i zonave të tregëtisë së lirë në Ballkan.
Drita jeshile për hyrjen e këtyre vendeve në BE ishte çelur. Por sërish rruga e Shqipërisë drejt Europës mbetej e vështirë. Brenda vendit, klima politike, e dominuar nga “toksinat” e lëna pas nga kriza e viteve 97-98, ishte tejet e nxehtë. Situata në rajon, me krizën kosovare dhe pasojat e saj, ishte gjithashtu një faktor shtesë në komplikimin e procesit të integrimit europian të vendit.
Bëni zgjedhje, të integroheni!
Afrimi i zgjedhjeve të vitit 2001 solli një stanjacion të ri në rrugën tonë drejt afrimit në BE. Qeverisja e majtë, mjaft aktive gjatë luftës së Kosovës, e cila solli në Tiranë liderët kryesorë të Perëndimit, kishte filluar të shfaqte problemet e saj të brendshme. Korrupsioni, konfliktet brenda PS, lufta e ashpër me opozitën e djathtë, të gjitha këto krijuan një situatë paqëndrueshmërie e cila bëri që edhe vendimi për hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asociimit të kushtëzohej me mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme dhe instalimin e dialogut politik në vend. Sëmundjet e vjetra të demokracisë shqiptare riktheheshin për të dëmtuar imazhin e vendit dhe aspiratat e tij drejt Bashkimit Europian. Në janar 2002, Këshilli Europian (ministrat e jashtëm të BE), nënvizon se “është larguar disi vëmendja nga reformat”. Një frazë e cila, e lexuar ndryshe, donte të thoshte se europianët ishin të pakënaqur me zgjedhjet. Afrimi i Nanos me Berishën, i cili pasoi gjatë atij viti, e që u materializua me zgjedhjen konsensuale të kreut të shtetit dhe të prokurorit të përgjithshëm, shënoi rënien e përkohshme të pengesave për hapjen e negociatave për MSA.
MSA, tre gërma për tre vjet
Këto negociata u hapën në 31 janar 2003. Pakkujt asokohe do t’i shkonte ndërmend se ato do të zgjasnin plot tre vjet e gjysëm; nga janari i vitit 2003 deri në qershor 2006. Një rekord negativ që ka mbetur i pathyer në një dekadë negociatash të vendeve të rajonit. Sa për krahasim, Maqedonia, një vend në luftë civile, i mbylli bisedimet për MSA në 18 muaj, kurse Kroacia, një vend i shkatërruar nga lufta, në vetëm 6 muaj! Ndërkohë që qeveria socialiste e kishte përmbyllur deri në vitin 2005 fazën teknike të bisedimeve me Brukselin, pritej zhvillimi normal i votimeve dhe ajo që do të ndodhte me pas, për të vendosur firmën në një marrëveshje që i kushtoi Shqipërisë një humbje të madhe kohe dhe energjish.
Ratifikimi, një tjetër vonesë trevjeçare
Megjithatë kalvari i MSA nuk u mbyll me firmosjen e saj. Sepse, si për të mos na “larguar” dëshirën për rekorde të reja, europianët e zgjatën edhe me tre vjet të tjera ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nga parlamentet e vendeve anëtare. Një telenovelë nga ato “meksikanet” me qindra seri, ku qershia mbi tortë ishte votimi në fund fare i Greqisë. Një vendi që ironikisht ka deklaruar gjatë njëzet vjetëve, se është “avokati i Shqipërisë në BE”!
Duket sikur ka një dorë të padukshme, e cila e shtyn procesin integrues të Shqipërisë, sipas parimit të shifrës “tre”. Dhe gjatë tre vjetëve që u harxhuan për ratifikimin e MSA, qeveria shqiptare bëri një tjetër gabim trashanik, i cili po kushton mjaft shtrenjtë sot. Në vend që të përkujdesej për përgatitjen e kapaciteteve institucionale, për zgjerimin e stafeve që do menaxhonin dispozitat e marrëveshjes për aspekte të tilla si prokurimet, pronësia intelektuale, zhvillimi ekonomik, apo për përfitimin nga avantazhet që ajo ofronte në fusha të tilla si bujqësia, qeveria numëronte parlamentet që e kishin ratifikuar MSA, duke e shitur çdo votim formal, si një sukses politik të rradhës. Një miopi tipike shqiptare, e cila fokusohet ekskluzivisht tek objektet që ka afër e mund t’i rrokë më lehtë, e jo tek perspektiva.
Më në fund, aplikimi...
Në 28 qershor 2009 vendi ynë paraqiti pranë presidencës çeke aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Një kryeministër i dorëhequr çek, pranoi në Pragë kërkesën zyrtare nga homologu i tij shqiptar, por ky do të ishte starti i një tjetër ngërçi europian për Shqipërinë, ku sërish shifra “tre” do të shfaqej fatale. Aplikimi i Shqipërisë u hap vetëm në nëntor të atij viti, ndërkohë që pyetësori nuk u dorëzua nga kreu i Komisionit Europian Barrozo, por nga ambasadori i BE në Tiranë Lohan.
Në dy vite rresht, në vjeshtën e vitit 2010 dhe 2011, Shqipëria u rrëzua dy herë në kërkesën e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat. Reagimi europian ndaj ngjarjeve politike në vend, pas zgjedhjeve të vitit 2009, linin të kuptohej se spiralja e krizës shqiptare do të prekte rëndë perspektivën integruesëe të vendit. Kontestimi i zgjatur i zgjedhjeve nga opozita, bojkoti prej saj i parlamentit, tensioni ekstrem politik që solli trazira sociale, si ajo e janarit 2011 – të gjitha së bashku treguan se kazani shqiptar po ziente dhe se në vend të karrotës duhej përdorur shkopi.
Zbutja graduale e klimës politike, që u materializua në marrëveshjen e nëntorit të vitit të shkuar, solli kthimin e opozitës në Kuvend dhe miratimin e disa ligjeve me shumicë të kualifikuar. Megjithatë, ky avancim i ndrojtur përpara nuk ka sesi të jetë i mjaftueshëm për një vend që ka humbur jashtëzakonisht kohë në rrugën e tij drejt integrimit. Serbia dhe Mali i Zi, që të dyja, aplikuan pas nesh për statusin e kandidatit dhe tashmë e kanë marrë atë. Për të mos folur për Maqedoninë dhe Kroacinë, të cilat janë edhe më përpara në proces. Ajo që po ndodh së fundi në Tiranë, ku paqja e armatosur mes PD e PS nuk po sjell përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Brukseli, është pasqyra më e qartë e mbijetesës së një kulture vetëshkatërruese tek klasa politike shqiptare. Paralajmërimet tashmë direkte e disa herë të pasjellshme të europianëve për mosdhënien e statusit edhe në tetor, mund të prodhojnë një situatë unikale, ku një vendi i mohohet statusi për herë të tretë rresht. Mallkimi i shifrës tre vijon të na ndjekë, duke na kthyer në delen e zezë të Ballkanit dhe të Europës.