Telenovelat turke - Shshsht filloi Meneksheja dhe Halilit

Telenovelat turke - Shshsht, filloi Meneksheja dhe Halilit
“Gymysh”.
“Mehmet”
“Xhanan”
“Menekshe”
“Halil”
“Ezel”
“Pasion”
“Zemra rreh vetëm për Lolën…

Sa shumë ndjesi, klithma, emocione, rrëmujë, pasiguri, “eksitime” ka sot në ekranet shqiptare. Sindroma të papërshkrueshme janë ngërthyer në shpirtrat e shqiptarëve këto kohë të turbullta për xhepat e për jetët e tyre BOSH…, nga rrëfimet prekëse të elementeve TELENOVELA. I madh e i vogël, janë rrëmbyer nga historitë prekëse, që të lënë në ankth çdo 24 orë të ditës. Burra, me apo pa kollare, me gotën e rakisë së kumbullës, apo të rrushit përpara në kioskat e qebaptoret anës rrugëve në çdo cep të Shqipërisë rënkojnë për vuajtjet e Menekshesë së butë, apo të Gymyshit trime. Një tjetër panoramë nuk mund të rrëfehet as me fjalë, as me shkrim e as me ndonjë kronikë speciale lajmesh. Në ambientet e shtëpive ku çdo çast pas orës 16.00 të pasdites çdo lloj karakteri gruaje dorëzohet përpara bukurisë së Mehmetit, idhullit të çdo femre në redaksi gazetash, televizionesh, zyrash, biznesesh, dyqanesh, shtëpiash me qera, vilash luksoze, parukierish, baresh, restorantesh, zyrave të drejtorive në shkolla, dhomave të lagështa të konvikteve, madje edhe në dhomat e ftohta të hoteleve që kundërmojnë, e gjithfarë ambientesh të tjera.

A thua se sindroma telenovelë është kthyer në ushqim shpirtëror për të gjithë ne, e në veçanti për gratë shqiptare. Askush mos të mburret më kot nëse njëherë të vetme është treguar indiferent dhe nëpër mjegull edhe pse nuk e ka pasur mendjen ka dëgjuar komentet e femrave duke i dedikuar komente nga më të pabesueshmet, ikonave dhe heronjve të tyre në telenovelat që shohin, ndaj ndodhive të pa emërta që depërtojnë e penetrojnë çdo mëndje femërore. Por aq më keq kur ky vend është kthyer në një gropë pamundësish, ku edhe adoleshentët një djalosh rreth të 20-tave në barin e lagjes time, gërthet e më pyet,

-Çfarë i ndodhi Menekshesë dje, më thuaj të lutem…!!!unë qesha, dhe shokët e tij si për të mbuluar vetveten se kurrë nuk e kanë parë të brishtëzën e telenovelës që ka pushtuar zemrat mashkullore qeshën në kor.

-Hhaahhhaha shiko xhananin mor burrë se ai është më i dhimbshëm…tha një prej tyre shkujdesur. A thua se adoleshentët e sotshëm kanë vuajtur aq shumë ne jetën e tyre sa duhet të shfryjnë ndjenjat përpara rrëfimeve turke, spanjolle, braziliane e gjithfarë produksionesh të tjera që duket se kanë gjetur treg të mirë në Shqipërinë e pamundur financiarisht. Rrëfimi i djaloshit që shkaktoi të qeshura vuri pikën e madhe mbi I, kur ai ja pati me zë të lartë.

-Menekshenë e dua se më shkakton dhimbje, atë do shoh…!Por ka edhe më keq, burrat ankohen se gratë po bëhen të varura nga kjo sindromë që dy prej ekraneve më të fuqishme në vend ju kanë bërë peshqesh këtu e disa muaj më parë, ndërsa gratë shqiptare ankohen se Halili sindrom i Mehmetit është burri ideal që do të donin të kishin në krah. Madje në ëndrrat e tyre luten që shkenca të klonojë aktorin dhe ta hedhë në treg, se ato janë të gatshme të paguajnë me çfarë do çmimi për ta pasur qoftë edhe një minutë përpara syve, në krah, në shtrat, në tavolinën e ngrënies, në dhomën e gjumit në jetën e tyre kaq të vakët e të pavërtetë. Më tej telenovelat kanë pushtuar edhe çdo rrjet social, ku gërmëzat e para dhe komentet janë të pashmangshme dhe si për ironi nuk shkruhen e nuk thuhen nga njerëz do si do, por nga persona publike.

Në një vit gratë shqiptare “japin 2 muaj jetën” për telenovelat

Kjo “sëmundje” që nisi një dekadë më parë, ka pushtua ekranet botërore disa vite më parë. Vazhdon të mbajë peng, në ditët e sotme, jo vetëm amvisat, por adoleshentë dhe të moshuar. Mes fansave edhe shumë burra. Çdo ditë shqiptarët i kushtojnë 6 orë telenovelave. Ose e thënë ndryshe rreth gjashtë ditë në muaj, nga dy muaj në vit, që llogaritet dy vjet jetë në një dekadë. Gjithçka si për ironi të fatit nis pas orës katër të pasdites kur femrat që

punojnë në zyra vrapojnë mes rutinës së përditshme dhe stresit të punës, drejt shtëpisë së tyre e sa hap e mbyll sytë ndezin rrëmbimthi televizorin për telenovelat. E para nis me historinë e një femre të fortë që nuk qan kurrë e që ka një titull “Zemra rreh vetëm për Lolën”. Ajo i gozhdon amvisat duke i hutuar në rrjedhën e ngjarjeve që përshkon duke harruar se në familjen e tyre ka edhe disa njerëz të tjerë që kërkojnë kujdesin e tyre. A mos vallë gratë shqiptare i kanë kthyer telenovelat si një ushqim shpirtëor, në pamundësi për të kaluar kohën e tyre të lirë dhe aq të pakët më ndonjë libër, bisedë shoqërore pa përgojuar askënd, apo ndonjë drekë të këndshme diku në një vend të qetë me të dashurit e tyre. Duket se i vetmi moment i kenaqshëm për amvisat shqiptare tani për tani mbetet pa dyshim “ mashtrimi telenovela” “zhgënjimi i ëmbël, drithërues” për gratë e vetmuara, me personazhet mbresëlënëse si burra te fortë e të bukur deri në dhembje si MEHMETI, që bëhen copë për gratë tyre, e që nuk u mungojnë në asnjë rast paratë, ku jetojnë diku në Stambollin e largët në buzë të detit në një vilë përrallore.

Pse i shohim telenovelat??! “Mashtrimin e ëmbël që drithëron çdo zemër”

Disa prej amvisave në rrëfimin e tyre tregojnë se telenovelat i shohin pa ndonjë qëllim të caktuar, por në njëfarë mënyre ato u dhurojnë qetësi dhe se në atë orë televizionet nuk kanë asgjë tjetër për të parë. Por ka edhe raste flagrante kur gra të cilat kanë qenë përherë të mbyllura në zonat e largëta të vendit me një jetë të varfër shpirtërisht janë ndikuar nga të vërtetat e gënjeshtërta që mbartin në vetvete telenovelat. Ka raste kur gratë shqiptare të ndikuara nga ngjarjet e telefilmave turke, apo braziliane qofshin, kanë influencuar në sherret familjare duke u shprehur se do të donin vërtet të jetonin në telenovela dhe se janë zhgënjyer nga jeta e tyre e do të dëshironin më gjithë shpirt një jetë si në telenovelë. E pikërisht këtu ka nisur  gjullurdia në shtëpi. Kur shtëpiaket tona, kanë filluar me ato pak mundësi që kanë, ti ngjasojnë femrave në telenovela duke kërkuar ndoshta lumturinë e vërtetë. Imitimet janë nga më të pabesueshmet, femrat shqiptare, jo vetëm që në shumë raste vishen e sillen si personazhet në telenovela por arrijnë të gatuajnë, të flasin, të mësojnë, të krihen, e të sillen në jetën e përditshme si to.

A thua se personazhet e pavërtetë të këtyre stimujve kaq të largët e kaq të gënjeshtërt janë e vetmja mundësi e mirë për to. Në gjykatën e Tiranës fatkeqësisht ka disa raste flagrante  disa precedentë që kanë të bëjnë me divorcet që në një farë mënyrë që janë të ndikuara nga ndryshimi i papritur i personalitetit të femrave duke kërkuar divorc, pasi kanë mospërputhje karakteri me bashkëshortët e tyre edhe pse kanë një jetë të tërë që jetojnë me ta. Në një prej ekraneve më të fuqishme në vend stima e telenovelave është kthyer më shumë se një fiksim, telenovelat turke sa vijnë e shtohen në këtë ekran, ndoshta edhe për faktin se me turqit kemi jetuar gati 500 vjet dhe sixhadetë shumë ngjyrëshe e mobiliet e ngarkuara me motive të lashta i ngjasojnë shtëpive tona.

Por jo vetëm kaq, zakonet edhe ato më prapanike na afrojnë më shumë me ta. Menekshe duket se ka rrënuar çdo zemër mashkulli, me përulësine brishtësinë e ëmbëlsinë e saj, është idhulli i femrës që për dashurinë e saj Halilin sakrifikon të ikë prej babait të saj xhelat e burrit shelemen, me të cilin e ka martuar i ati, për ti zhvatur mbi 25 mijë euro. Kjo telenovelë fillon rreth orës 17.20 të pasdites dhe ngujon në ekran nëna me fëmijët përkrah, të moshuar që mezi qëndrojnë ulur, burra që nuk kanë me çfarë të mbajnë frymën e familjes se janë pa punë e zyrtarë që fshihen nën petkun e profesionit. Ngjarjet e kësaj telenovele i mbajnë gratë aq ngërthyer përpara televizionit sa harrojnë që kanë vënë në sobë gjellën që është djegur e është sosur, apo zyrtarë që harrojnë se duhet të raportojnë tek shefi i tyre për punën e bërë. Përpara Menekshesë, atë çast asgjë tjetër nuk ka vlerë, madje ndodh që në ndonjë prej urgjencave të kryeqytetit me njëmijë e një rrokaqiej, mjeket e infermieret femra, e harrojnë të sëmurin në barelë duke u fiksuar me ankth përpara Menekshesë magjistare që ka iluzionuar pa përjashtim një pjesë dërrmuese të femrave shqiptare.

Një orë para kësaj heroinë të paskrupullt që i lë gratë tona pa bërë asnjë punë, është një tjetër telenovelë me një titull provokues “PASION”. Skenat e prapaskenat e një vajze që në fillim ishte ordinere, por pastaj vetëm prej dashurisë me një burrë të pasur e shumë më të madh se ajo në moshë arrin të tjetërsohej, shikohet me epsh të madh e interes të pazakontë. Dhe si për ti vënë vulën si ëmbëlsira mbi tortë në televizionin e Menekshese një tjetër telenovelë më një histori të dhimbshme që ka në qendër Ezel një personazh mashkull aq fatlum sa nuk ka femër në Shqipëri që mos të jetë e marrosur pas tij,i cili kërkon të hakmerret me vajzën që ka dashur në rininë e tij të hershme. Edhe kjo telenovelë është po turke, dhe madje ka fituar një sërë çmimesh për aktorët, e regjinë me të mirë. Edhe kjo po turke…! A thua se regjimi turk tani po na zapton me filma e ngjarje të paqena e shiten në mendjet e dobëta të femrave shqiptare si e vetmja jetë e lumtur që ëndërrojnë ta përjetojnë qoftë edhe për një herë te vetme edhe sikur të vdesin në jetët e tyre .

Është koha për ti thënë STOP sindromave Telenovela?!

Është koha për ti thënë “STOP” varësisë prej këtyre gënjeshtrave të ëmbla. Gra, vajza, nëna të dashura mblidhni mendjen dhe bëni diçka më të hajrit. Ju burra luftoni për familjet tuaja e punoni e merruni me diçka tjetër të shëndetshme duke lumturuar gratë shqiptare, në të kundërt turku erdh e na pushtoi sërish…me EZELËRA, Meneshkshera, Gymyshëra, e s’do na mbetet tjetër që kur të mos i gjejmë në shtëpi nënat e motrat tona ndoshta edhe vetë ne, do të nisemi për në Turqi duke i kërkuar në qytetet ku janë xhiruar këto telenovela…DUKE KËRKUAR KUTURU PERSONAZHET E TYRE TË DASHURA, se vetëm atje ndoshta mund ta gjejnë LUMTURINË E KËRKUAR NGA NE…

Sondazhi/ 70 për qind e grave shtëpiake, të varura nga telenovelat

Një sondazh i thjeshtë tregon se më shumë se 70% e njerëzve që nuk punojnë po i “konsumojnë” me kërshëri të madhe telenovelat Turke. Njëri prej personazheve të telenovelave që pas Kosovës po e pushton seriozisht Shqipërinë është aktori Kenan Imirzalioglu me rolin e Ezel në serialin e titulluar me të njejtin emër. Imirzalioglu në Kosovë është bërë i njohur me rolin e Mehmet Kosovës në miniserinë “Jetë e Hidhur” ku si rezultat i gjithë kësaj,v Imirzalioglu viziton Kosovën në javën e filmit turk në Kosovë. Në të njëjtën kohë me “Ezel”-in, për “konsumuesit” e telenovelave rikthehet sërish heroi i serialit “Gymysh”, aktori i famshëm Turk, Kivanc Tatlitug i cili ka thyer e ka dëshpëruar mijëra zemra femrash në Shqipërinë tonë tek kur u njoh më tepër me emrin Mehmet. Tatlitug kësaj radhe shfaqet në ekranet televizive Shqiptare me rolin e Halili-t.”Menekshe dhe Halili” bën fjalë për një dashuri të pamundur dhe rrugëtimi i tyre i jetës për të qenë më në fund të lumtur.

Telenovelat, “pushteti i butë” i Turqisë mbi botën

Agjencitë turistike thonë se destinacioni kryesor për vitin 2011 ka qenë Stambolli, raporton Balkan Insight. Arsyeja duket shumë e çuditshme. Shumë nga maqedonasit vërshojnë aty për të parë vendin ku janë realizuar disa nga telenovelat e tyre të preferuara. Në një artikull të publikuar së fundmi nga portali turk Hurryiet, thuhet se telenovelat turke po rrisin ndjeshëm ndikimin e Turqisë jashtë vendit, veçanërisht në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme, duke mbështetur kështu të ashtuquajturën ‘pushtet i butë’ i diplomacisë turke. Sipas “Hurriyet” më shumë se 100 telenovela turke janë parë në mbi 20 vende këtë vit, duke fituar më shumë se 60 milion euro. Revista Time së fundmi e përshkroi eksportin e telenovelave turke si një ‘sekret të kryeministrit turk, “Rexhep Taip Erdogan”. Telenovelat turke kanë nisur të transmetohen vetëm së fundmi në Shqipëri, pasi më parë transmetoheshin kryesisht telenovela të Amerikës Latine. TV Klan e nisi i pari me telenovelën Gymysh. Kanali televiziv pagoi mijëra euro që protagonistja e saj të shfaqej në një festival këngësh. Pas tij serinë e vijoi Vizion Plus me një tjetër telenovelë. Së fundmi edhe Albanian Screen ka nisur të transmetojë një telenovelë të quajtur ‘Sulejmani i madhërishëm’ me sponsorë bizneset turke që operojnë në Shqipëri.

Këshilla për telenovelat nga Psikologja Enxhi Millona:

Psikologja: Telenovelat, kjo jetë ëndrrash që po tjetërson gratë shqiptare

Fenomeni “telenovele”, prej disa vitesh dhe sidomos këto vitet e fundit, është kthyer në një “kalim kohe” perfekt për shumë nëna dhe gra shqiptare. Por sa e mirë apo e keqe është diçka e tillë? Sipas një studimi që është bërë në Brazil, telenovelat kanë ndihmuar shumë gra të ndryshojnë pikëpamjet e tyre rreth divorcit apo lindjes së fëmijëve. Dhe nga përgjigjet ka rezultuar se është rritur numri i divorceve dhe është ulur numri i lindjeve. Jo rrallë herë kemi parë dhe dëgjuar që shumë prindër i kanë quajtur fëmijët e tyre me emrat e personazheve të ndryshëm të telenovelave. Ku shkoi fantazia? Gratë ëndërrojnë burrat e telenovelave, qajnë bashkë me personazhet, ndjejnë dhimbjet me to, i lënë të gjitha punët e tyre, madje harrojnë edhe fëmijët kur vjen ora e serisë së ardhshme. Të gjitha këto gjëra ndikojnë në perceptimet e tyre për realitetin dhe rrisin stresin e ditës. Ato shohin familje ose shume të pasura ose shumë të varfra, bashkime klasash të ndryshme ekonomike (gjë që vihet re në çdo telenovelë), jetë ëndrrash ose jetë makthi. A nuk ka jetë normale, mesatare? Por një gjë e mirë mund të jetë që më në fund, prej këtyre telenovelave, gratë kanë mësuar se mund të jenë të forta dhe të pavarura, meqenëse në shumë qytete të Shqipërisë ekziston akoma mentaliteti i egër. Pavarësisht çdo gjëje, shihni po edhe kontrolloni veten para se t’iu kthehet në një varësi të vërtetë psikologjike apo në shtrembërim të realitetit të kësaj bote.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama