Për këtë arsye, mjekët këshillojnë që të bëhet kujdes me temperaturën e lartë gjatë periudhës së shtatzënisë. Edhe pse gjendja e temperaturës konsiderohet nga pikëpamja mjekësore si një mënyrë për të treguar se sistemi imunitar është plotësisht funksional dhe po reagon ndaj rritjes së temperaturës së trupit, të njëjtën gjë nuk mund të themi kur kjo gjendje shfaqet gjatë periudhës kur një grua është duke sjellë në jetë një fëmijë.
Sipas një studimi të botuar në ‘Journal of Autism and Developmental Disorders’, temperatura gjatë periudhës së shtatzënisë e dyfishon mundësinë që fëmija të lindë me probleme të zhvillimit të trurit dhe të vuajë nga autizmi. Për këtë arsye, rekomandohet që gjatë kësaj periudhe, nëse janë nën efektin etheve, gratë shtatzëna duhet të marrin menjëherë mjekimin e duhur për të mundësuar uljen e temperaturës, pasi kështu mund të luftohen edhe efektet negative të saj në fetusin që është duke u zhvilluar.
“Studimi ynë konsiston në faktin se, mbajtja në kontroll e temperaturës gjatë shtatzënisë ëshët një mënyrë shumë efikase për të reduktuar rrezikun që fëmija të lindë me probleme të prapambetjes mendore ose autizëm, pasi rezulton se ethet janë nga shkaktarët kryesorë të këtyre çrregullimeve, të cilat janë bërë edhe më të shpeshta ditët e sotme”, thonë studiuesit.
Me fjalën ethe, studiuesit nënkuptojnë një rritje të temperaturës së trupit që mund të vijë si rezultat i një shkaku çfarëdo, si gjendja gripale apo shqetësime të tjera në organizëm. Në këtë mënyrë, mbajtja nënë kontroll e temperaturës është e vetmja mënyrë për të larguar rrezikun e problemeve te fëmija që do të vijë në jetë, nënvizojnë autorët e këtij studimi, i pari që bën edhe lidhjen mes etheve dhe problemeve në zhvillimin e trurit të fëmijës
Kërkimi është mbështetur mbi të dhënat e një studimi të kryer mbi 538 fëmijë me autizëm,163 fëmijë që vuajnë nga prapambetja mendore si dhe 421 fëmijë që gëzojnë zhvillim normal mendor.
Studiuesit nënvizojnë se në një gjendje të caktuar të trupit te gratë që janë të infektuar me një virus ose bakter, në përgjithësi trupi reagon me një aktivizim të sistemit imunitar, por në disa raste ndodh që bakteret të depërtojnë placentën dhe të arrijnë sistemin nervor të fetusit, duke sjellë dëmtime serioze në të.
Megjithatë, sipas studiuesve, është e nevojshme që të bëhen kërkime më të thelluara për të përcaktuar se si inflamacioni ndikon në ndryshimin e zhvillimit të trurit të fëmijës.
Gjithsesi, studimi përfundon se, mundësia që një fëmijë të lindë autik ose me prapambetje mendore në rastin e nënave të cilat gjatë periudhës 9-mujore kalojnë një gjendje jo të mirë të organizmit, është më tepër se 2 herë më e madhe në krahasim me nënat që kanë pasur një periudhë normale shëndetësore gjatë shtatzënisë.