Kryeministri, Edi Rama në fjalën e mbajtur në konferencën për shtyp me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pashmangshme.
“Të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm”. Kjo ishte deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, i cili theksoi se pavarësia e Kosovës është një realitet i pamohueshëm", deklaroi Rama.
“Të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, çdo perceptim i ri i Serbisë është më shumë se i mirëpritur, promovojmë dialogun mes Serbisë e Kosovës, si mishërim i një vetëdije evropiane”.
Pas kësaj deklarate, erdhi dhe reagimi i Vuçiçit i cili në mënyrë simbolike hoqi kufjet duke refuzuar të dëgjojë më tej fjalën e Ramës.
“Rastësia desh që një ditë pas kremtimit në mbarë Evropën e rrëzimit të murit të Berlinit të ngrihet këtu në Beograd flamuri kombëtar i Shqipërisë dhe të nderojmë himnet e vendeve të njëri-tjetrit. Sa shumë histori kemi ndarë së bashku pa qenë kurrë të afërt me njëri-tjetrin”, tha Rama. “Sa i takon Kosovës realiteti mbetet një dhe i pandryshueshëm pavarësisht perceptimeve të ndryshme.”
Kryeministri serb e cilësoi provokim deklaratën e Ramës lidhur me Kosovës. Ai nuk e priti aspak mirë faktin që kreu i qeverisë shqiptare foli për Kosovën dhe Preshevën. Vuçiç shprehu keqardhje pse Rama zgjodhi të fliste për gjëra, për të cilat kishin rënë dakord që nuk duhet të flisnin, dhe që Serbia mban një qëndrim shumë ndryshe:
“Më vjen keq që Rama ka shfrytëzuar këtë rast për gjera që kishim rënë dakord që nuk duhet të flasim. Ne nuk duhet të flasim për të kaluarën, por për të ardhmen. Nuk kam pritur provokime dhe nuk kam pritur që të flas për Kosovën, por duhet të përgjigjem se nuk do ta lejoj askënd ta nënçmojë Serbinë në Beograd".
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ramës, i cili me qetësi tha: "Për sa i takon Kosovës, unë besoj se realiteti mbetet një dhe i pandryshueshëm, pavarësisht perceptimeve të ndryshme dhe mosdakordësisë së plotë".