Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikola Gruevski ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama, për situatën e krijuar në Maqedoni. Kjo parti në reagimin e saj thekson se protestat e fundit nuk kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por i ka konsideruar ato si produkt i elementeve radikale islamikë.
“Protestat radikale që po ndodhin gjatë këtyre ditëve në Maqedoni nuk kanë lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, apo me marrëdhëniet ndëretnike. Përkundrazi organizatorët e këtyre protestave fshehin axhendën e tyre radikale, duke krijuar konfuzion dhe duke mobilizuar më shumë përkrahës, duke gënjyer se i bëhen padrejtësi dhe po rrezikohen të drejtat e shqiptarëve. Këto protesta janë të motivuara dhe produkt i elementeve radikale islamike, që kundërshtojnë vendimin e gjykatës së pavarur për kryerjen e një vrasje makabre të pesë personave, prej të cilëve katër të rinj”, thuhet në deklaratë.
Duke komentuar deklaratën e Ramës, VMRO-DPMNE shprehet se kryeministri shqiptar ka pak kohë në këtë pozicion dhe e fton atë të bëj një vizitë në mjediset ku jeton popullata etnike maqedonase në Shqipëri dhe të shoh kushtet në të cilat jetojnë ata dhe të bëj një paralele me kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në republikën e Maqedonisë.
“Në kontekstin e deklaratës së kryeministrit Rama, lidhur me kushtet e jetesës së shqiptarëve në Maqedoni dhe duke marrë parasysh faktin se ai ka pak kohë si kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i bëjmë thirrje që të bëj një vizitë në mjediset ku jeton popullata etnike maqedonase në Shqipëri dhe të shoh kushtet në të cilat jetojnë ata, dhe të bëj një paralele me kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në republikën e Maqedonisë”.
Deklarata e VMRO-DPMNE pritet të tensionoj më tej marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe mes komunitetit shqiptar dhe maqedonas në këtë shtet pasi kjo parti mundohet ti paraqes protestat e shqiptarëve me karakter fetar radikal, gjë që është kundërshtuar nga vetë shqiptarët që jetojnë në pjesën perëndimore të Maqedonisë.
Gjithashtu, partia e kryeministrit Gruevski kërkon të vendosi një paralele jo të drejtë duke barazuar minoritetin maqedonas në Shqipëri që numëron rreth 400 banorë në total me komunitetin shtetformues shqiptar në Maqedoni, i cili përbën rreth 35% të popullisë së vendit.
Rama: Ndërkombëtarët ti dalin garant Maqedonisë
Gjatë iftarit të shtruar me rastin e ramazanit, kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe për situatën e tensionuar që është krijuar këto ditë në Maqedoni. Rama është shprehur se ajo që po ndodhë në Maqedoni meriton vëmendje, maturi pa dyshim, por edhe reflektim. Ai ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dal garant i Marrëveshjes së Ohrit si palë e drejtpërdrejt në bisedimet e vitit 2001.
Rama ka kritikuar gjithashtu edhe radikalizmin fetar në protestat organizuara nga shqiptarët në këtë shtet.
Deklarata e Ramës:
Çka po ndodh këto ditë në Maqedoni meriton vëmendje, maturi pa dyshim, po reflektim dhe madje të thellë po ashtu. Marrëveshjes së Ohrit nuk i kanë dalë për zot vetëm dy palët që e përbejnë Maqedoninë, maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe garantët e asaj marrëveshjeje, miqtë dhe partnerët e besuar ndërkombëtarë. E nëse maturia u duhet shumë dy palëve tona, reflektimi i thellë nevojitet të jetë trepalësh, pasi as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen.
Por këto janë pasoja të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një humbjeje besimi ndër shqiptarët, për të cilat garantët nuk duhet ti kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së përgjegjësive të tyre. Ashtu sikundër besoj unë edhe flamujt e radikalizmit fetar nuk ngrihen mbi shkopinj, por mbi plagë sociale gërryese, varfërim, papunësi, keqarsimim dhe izolim, të cilat shkaktojnë reaksione nga më agresivet në organizmin shoqëror të një bashkësie. E për këto duhet menduar me tre palë për Maqedoninë. Për këto duhet menduar me shumë palë për Ballkanin.
Kodheli: Të qetësohet situata në Maqedoni, po ndjekim nga afër zhvillimet
Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, gjatë takimit me komandantin Suprem të Forcave Aleate për Europën, gjeneralin Philip Breedlove, ka folur edhe për situatën e krijuar në Maqedoni. Kodheli ka thënë se qëndrimi i qeverisë shqiptare është i qartë dhe se situatë duhet të qetësohet. Ajo ka theksuar se Shqipëria vazhdon të ndjekë nga afër ato çfarë ndodhin në vendin fqinj, por edhe më shumë se kaq.
“Qeveria shqiptare ka qenë e qartë në deklarimet e saj publike, kryeministri i vendit, ministri i Jashtëm po ashtu. Ne jemi kundër çdo fryme dhune. Dhuna nuk të çon asgjëkundi dhe nuk zgjidh asnjë problem, ne jemi për qetësi, për uljen në diskutime, jemi për stabilitet dhe vazhdimësi. Është shumë e rëndësishme që Maqedonia, si pjesë e rajonit ku dhe ne bëjmë pjesë, të mund të ketë atë përqasje përkundrejt situatave jo të kënaqshme politike si një vend që ka tashmë një rrugë të mirëpërcaktuar e të pranuar prej saj dhe prej gjithë nesh, rrugën euroatlantike. Shqipëria do të vazhdojë të mbetet faktor stabiliteti dhe padyshim do të vazhdojë të ndjekë nga afër ato çfarë ndodhin në vendin fqinj, por edhe më shumë se kaq”, ka thënë Kodheli.