Tentojne te hyjne ilegalisht ne Britani 2 shqiptare hidhen ne det

Tentojne te hyjne ilegalisht ne Britani, 2 shqiptare hidhen ne det

Rreth 11 persona ndodhen në paraburgim në Holandë, pasi ishin pjesë e një grupi të trafikimit njerëzor, por ende nuk dihet asgjë për fatin e dy shqiptarëve, të cilët u hodhën në det dy ditë më parë nga një traget i linjës Angli-Hollande. I gjithë grupi i shqiptarëve dhe vietnamezëve po tentonin të hynin ilegalisht në Britani. Mësohet se nga të arrestuarit, 9 janë shqiptarë, ndërsa 2 të tjerë vietnamezë.

BBC bën të ditur se i gjithë grupi i emigrantëve, bashkë me dy personat e tjerë, që u hodhën në det, mbërritën në portin Harëich në Anglinë juglindore, në një maune, e cila drejtohej nga një shofer lituanes, i cili është arrestuar dhe më pas është liruar pa u akuzuar.

Mësohet se shqiptarët po përpiqeshin të hynin ilegalisht në Britaninë e Madhe, por për dy prej tyre ky udhëtim ka rezultuar fatal. Policia është duke kërkuar dy shqiptarët që u hodhën në ujërat e Detit të Veriut, i cili në këtë periudhë është mjaft i vështirë për t’i mbijetuar, për shkak të temperaturave të ulëta.

Sipas policisë Essex, deri tani nuk ka asnjë gjurmë për gjetjen e shqiptarëve, por është gjetur vetëm një xhup lëkure i njërit prej tyre. Ndërkohë që ka filluar një hetim për trafikim të qenieve njerëzore.

Policia po merr në pyetje shqiptarët dhe vietnamezët për të zbuluar se si kanë mundur të hipin në maune dhe kë kanë paguar dhe sa. Emigrantët shqiptarë në shumicë tentojnë të hyjnë në Britani përmes mauneve dhe kamionëve që vijnë nga kontinentit. Vetëm muajin e kaluar mbi 40 persona u gjetën të fshehur në një kamion frigorifer, që po nisej nga porti francez i Calais drejt brigjeve britanike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama