Më 20 gusht u mbushën nëntë vjet pa Teodor Kekon. Kanë qenë vite të komplikuara për njerëzit e tij të afërt, kanë qenë dhe një kohë e madhe bosh, për ne, miqtë e tij të shumtë, të mësuar me mustaqet e tij të qeshura, që sillnin humor në tryeza, një humor të zgjuar e kurrë banal. Autori i këtyre rreshtave bën pjesë tek ai grup njerëzish që do të donin të kishin kaluar shumë më tepër kohë me këtë koleg më të madh në moshë, praktikisht të një brezi tjetër. Mund ta kishim dashur më shumë Dorin, mund të kishim harxhuar shumë më tepër kohë me të, mund të kishim ku e ku më shumë kujtime të përbashkëta. Por në thelb ky është fataliteti i jetës njerëzore, që le pas shumatoren e rasteve të humbura, të brengave të vogla të përditshme dhe të pamundësisë së kthimit mbrapsht të kohës.
Teodor Keko jetoi pak më shumë se gjysmën e tranzicionit të rrëmujshëm shqiptar. Një kohë e mjaftueshme për të, që të zbërthente në filtrin e tij unik të poetit, shkrimtarit, gazetarit e politikanit liberal, gjithë atë absurd të madh që akumuluan vitet ’90, të mbarsura me aq shumë ngjarje, sa do të mjaftonin për nja tre a katër dekada. Qe një fat historik që e bëmë atë copë rrugë me Dorin. Qe gjithashtu një përvojë e papërsëritshme njerëzore, që e shtymë vuajtjen tonë kolektive në atë pazar të madh ballkanik, nën batutat, humorin dhe optimizmin patologjik të një njeriu që dinte ta merrte gjithçka me qetësinë dhe filozofinë e dikujt që e ka parë dhe e ka njohur tashmë botën. Dhe që nuk habitet më prej saj.
Dori i vogël, siç pëlqente ta përkëdhelte shpesh veten, qe një prezencë e vyer në atë kohë të vështirë, një nga ato prani që ke përherë dëshirë t’i kesh pranë. Në redaksinë ku punuam për më shumë se një vit, një ambjent i thjeshtë e stoik, ardhja e tij shkaktonte gjithherë një shkundje të vogël nga apatia e rutina e punës, një elektrizim pozitiv nga ato që krijojnë vetvetiu ilaritet, humor dhe gjallëri. Me lehtësinë e të parit të gjërave, me përvojën e gjatë në shtyp dhe aftësinë për të selektuar “në ajër” çfarë vlente dhe çfarë ishte për në koshin e plehrave, Dori e kishte jashtë mase të thjeshtë të notonte në ujin e një redaksie gazete. Ishte një kohë kur mediat vijonin të ishin po aq të thjeshta sa ato të dikurshmet dhe kur trokitja e makinave të shkrimit e aroma prej kallai të shkrirë e linotipit të shtypshkronjës, ishin dominuese.
Aleanca, një gazetë partie që pretendonte të bënte gazetari profesionale (një alkimi që një Zot e di sesi e kërkonim nga vetja), ishte si të gjitha gazetat e asaj kohe. E varfër në para, relativisht e pasur në ide, shumë e pasur në dëshira. Duke qenë drejtues i gazetës në momentin kur kolegët e Koha Jonë po i jepnin gazetës së tyre formatin e një medie kombëtare, Dori dhe të tjerët pas tij ndjeheshin jo pak ngushtë nga kostumi partiak që impononte emri i gazetës. Për më tepër që ai detyrohej ta ndante kohën mes shtypit dhe angazhimit politik (parlamentar ose partiak) – një marrëdhënie që asokohe sillte një dyzim që përjetohej gjithsesi natyrshëm. Shtypi nuk ishte strukturuar ende dhe botuesit, gazetarët e politikanët ishin shpesh zgjatime të njëri-tjetrit.
Megjithatë ky ka qenë një imazh që personalisht e kujtoj si periferik, në marrëdhëniet me Teodor Kekon. Pasi Dori ishte një njeri që s’i pëlqente skemat e thata. Karakteri i tij i hapur, qëndrimi i tij liberal e shpërfillës ndaj gjithçkaje që futej mes katër mureve të një zyre, e shtynte të ishte më së pari një njeri i lirë, pavarësisht asaj që bënte në një moment të caktuar. Një njeri i lirë, ja si do e përcaktoja këtë personazh unik, që dilte dukshëm nga hullia e periudhës kur jetoi. Një njeri që sot, nënte vjet pas ikjes, na shkakton të gjithëve një nostalgji e një dëshpërim të ëmbël, kur e kujtojmë. Pa asnjë përjashtim të gjithëve. Të miqve të shumtë dhe të armiqve të pakët. Në çdo përvjetor të vdekjes së tij, jemi të gjithë në një mendje për Teodor Kekon. Është nga të paktat gjëra që më vijnë ndërmend, për të cilën jam mëse i sigurtë.
Nga Mitro Çela
I “BURGOSURI” I GAZETËS
Mes anëtarëve të këshillit botues të gazetës “RD” në janar 1991, zuri “vend” edhe Teodor Keko. Në muajt e parë Dori punonte me rendiment të lartë. Më vonë firma e tij nisi të rrallohet. Pikërisht në këtë kohë unë u emërova kryeredaktor dhe Filip Çakuli zëvendëskryeredaktor. Një ditë bëmë një bisedë me nota abstrakte:
Unë: - Na duhet firma e Dorit!
Filipi: - Me lutje është vështirë të bëhet “zap” Teodori. Ai është edhe deputet, edhe këshilltar ekonomik i zëvendëskryeministrit Pashko në Qeverinë e Stabilitetit (e bukura është se Pashkos i duhet më shumë kohë të sqarojë këshilltarin e tij për reformat ekonomike, sesa FMN-në?!)… Aftësia jonë është si ta bëjmë “rob” të gazetës me mjete demokratike. Unë kam këtë skenar. Thërrasim Teodorin. E mbyllim me çelës në një zyrë pa telefon. Mbi tavolinën e punës i lëmë letër, bojë dhe një dopio raki. Me dorëzimin e artikullit, jepet honorari... Me idetë e Filipit hartova një kontratë. Thirra Teodorin në zyrë. Duke firmosur mbi kontratë, tha:
-Me këtë firmë unë bëhem i “burgosuri” i gazetës! Bukuri! Kam vetëm një vërejte: Honorarët le t’i marrë Xhuli (gruaja)! Ajo i përdor për shtëpinë. Ti e di: Unë i lë “peng” te “Gota”, siç thoshte djesë pastë Shvejku...
DORI DHE UNË: VOTË-KUNDRA
PRESIDENTIT BERISHA
Pranverë 1992. Cili ishte skenari i jetës politike? PD-ja kishte larguar nga skena e pushtetit Partinë e Punës. Ende nuk ishte zgjedhur Presidenti. Pa President nuk kishte as qeveri. Kjo do të thotë se të gjithë “ëndërronin” për një të shkretë karrige.
Ndërkohë në PD-ë ishte kristalizuar një grup fraksionist. Nga ky grupim lindën moconistët. ( Sa për kureshtarët, nuk është më sekret, sepse e kam botuar në një nga kronikat e mia: Unë kam qënë një çikë mocionist -si puna e asaj virgjëreshës që kish qënë një çikë me barrë!) Pastaj ndodhi metamorfoza: Mocionistët krijuan Partinë Aleanca Demokratike e të tjera e të tjera!
Mbrëmjen që do të zgjidhej Presidenti i Republikës, unë përfundova në klub me Teodor Kekon. Të dy kishim bindjen se ishim të paaftë për pushtet, prandaj diskutonim për shtatë palë qejfe. Idenë e parë e hodhi Dori:
-Sikur të pijmë nga një të vockël! Paguaj unë, me honoraret që do të më japësh ti, si kryeredaktori i RD-së!
Unë:- Dakort! Por kam një mendim: Berisha e ka të sigurtë fronë e Presidentit. Po nuk fitoi me dy të tretat e votave, kurorëzohet me 50 për qind! Po votuam ne të dy kundra, Berisha fiton me variantin e dytë. Ky “dështim” i vogël, ndoshta do të jetë një mësim i madh për të ardhmen politike të Berishës!
Teodori:- Më pëlqen ideja, por më parë le të bëjmë llogaritë…Kemi pro partitë e Gjinushit me Godon. Fraksionistët kundra. Por kemi pro Dritëronë dhe…Po të fusim edhe dy votat tona, Saliu nuk fiton me raundin e parë! Do të jetë kryevepër!
Pasi përsëritëm ca mbledhje e ca zbritje, hodhëm me eks edhe nga një dopjo konjak dhe u futëm në sallë…
Filloi votimi i fshehtë dhe nominal. Teodori hiqte viza…Nisi numërimi i votave…U dëgjua një zë nga podjumi: Sali Berisha shpallet President me dy të treta e votave!…Mbi kokat tona, një femër që qëndronte në lozhë, “tundte” një shishe shampanjë!
Unë:- Dori! Na vajtën llogaritë për dhjamë qeni!
Todori:- Vizat e mia tregojnë se votë-pro kanë futur në kuti të gjithë fraksionistët…Mendojnë se mund të rrëmbejnë ndonjë “kockë” nga Berisha! Harram!
FATI I MEKSIT TEK MJEKRA E DORIT…
Mes shkurti ’97-të. Todor Keko duke qenë esell nga mungesa e honorareve, shkruante në gazetën e Nikollë Lesit “Koha Jonë”: “Leka ( e kishte fjalën për kryeministrin) nuk mund te shkojë më shumë se muaji mars i vitit në vazhdim.”
Pasi mori paradhënie honoraret, u bë esell duke pirë dhe tha: “Aleksandër Meksi është kryeministri më i mirë që ka pare trualli shqiptar. Unë kam lënë disa herë mjekër. Kam thënë se do ta mbaj sa kohë të jetë Meksi kryeminister. Pastaj jam rruar. Kam lëmë përsëri mjekër. Përsëri jam rruar. Historia po zgjat shumë. Kjo tregon se ai duhet të qëndrojë kryeministër sa kohë që unë të jem i pirë. Kur të bëhem esëll unë, Meksi do të bjerë nga fiku! Por duke qënë se unë vetëm disa minuta në ditë jam esëll, zoti Meksi le ta gëzojë karrigen edhe për katër vjet. Këtë e them me kompetencë! Jo nga rakia. Por sepse une jam i depolitizuar”.
Për fatin e keq të Meksit, Teodori nuk piu raki për një javë rrjesht. Jo për faj te tij. I filloi punë zonja në INSIG. Teodori duhet të mbante Martinin në shtëpi. Kaq u desh dhe Meksit ju ngritën këmbët përpjetë. Dha dorëheqje me dëshirë, domethënë me urdhër nga lart e nga poshtë. Sebep u bë puna e gruas dhe mungesa e kohës për të pirë raki e Todor Kekos!
ZONJUSHA ME KONE
Fund tetori ’98. Gazetarët në sallë. Militantët demokratë në shesh. Unë me Dorin pinim kafe. Pranë nesh një zonjushë me kone. Të bukura: si qeni dhe e zonja. Kuptohet ne parapëlqenim të zonjën. Një grua më foli me emër. Jam mamaja e kësaj zonjushës…Si e ke Netin? Po Xhuli mbahet Teodor? Zgurdullova sytë?…Ç’pate? Kam punuar me gruan tënde. Jam edhe mike me Xhulin…Më harruat mua, sepse u pëlqeu prodhimi im?… Kam një problem. Jam ngushtë nga ana ekonomike. Ti si mendon: Do ta këputi qafën Nano këtë muaj? Po fituam, do ta gjej ndonjë punë të mirë...Eshtë bërë e shtrenjtë jeta... Unë shihja vetëm konen... e rëndë për një mashkull në moshë, më ngushëllon Dori!