Ka nisur si një aktivitet i thjeshtë rutinor për monumentet, por ka pasur sensibilizim masiv. Për Forumin e Trashëgimisë ka qenë një befasi e bukur, që qytetarët e Tepelenës jo vetëm nuk ishin indiferentë, por ishin të dëshiruar për ta parë qytetin e tyre sa më interesant. Ndaj, nisur nga “Tepelena e rrezikuar”, nisma ka shkuar drejt idesë së “Tepelenës së rijetëzuar”. Kjo, me sa duket, nuk do jetë as e para dhe as e fundit e llojit të vet për Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Kësaj radhe, takimit që mblodhi në një tryezë pjesëmarrësit nga Tirana, Artan Lame, Artan Shkreli, Anila Basha, Auron Tare, Arben Biçoku, dhe Afrim Karagjozi, do t’i bashkoheshin edhe plot të tjerë. Jo vetëm drejtues e personalitete të qytetit, por gati-gati i gjithë qyteti.
Gjithçka nisi nga kalaja dhe mori formën e nostalgjisë, të kujdesit e iniciativës edhe në të gjitha hallkat e tjera që lidhen me të.
Si u zhvilluan takimet?
Arkitekti Artan Shkreli ka përmendur disa momente të rëndësishme në shërbim të realizimit të projektit si: Hartimi i një plani në nivel topografik për sa i përket kalasë, ndalimi i ndërtimit të shtëpive pranë kalasë, pastrimi saj dhe bërja e kalasë e vizitueshme për turistët duke shtuar aksesorët e nevojshëm informues me ndriçimin, tabelat dhe doracakë ku të përfshihet gjithashtu edhe një hartë e saj. Një tjetër propozim për bashkinë e Tepelenës ishte edhe shkëmbimi i eksperiencave nëpërmjet ëorkshop-eve me bashkitë qytetet e të cilave kanë kala.
Një moment i veçantë ishte edhe prezantimi i dy gurëve të gdhendur në gjuhën e lashtë osmane, zbuluar dhe prezantuar nga Auron Tare, në bashkëpunim me myftiun e qytetit. Gurët edhe pse të dëmtuar, ishin arritur të përktheheshin në shqip. Ato do të jenë tashmë pjesë e kalasë.
Pjesëmarrësit në tryezë mirëpritën propozimet e dhëna nga anëtarët, të cilët dhanë idetë e tyre për realizimin e projektit, duke evidentuar vlerat e mëdha të Kalasë dhe nevojshmërinë për t’i bërë ato të shfrytëzueshme për turizmin. Një tjetër ide që u hodh në tryezë ishte edhe realizimi i një muzeu në të cilin të përfshihen dokumente dhe pjesë historike dedikuar Ali Pashës dhe Lord Bajronit, si edhe hapja e një qendre artizanale, duke marrë shembull Butrintin.
Propozimet e Anila Bashës ishin që Tepelena të lobohet tek universitetet në Tiranë, duke përcjellë gjërat e duhura. Ajo u shpreh se ndihej e kënaqur që pa një Tepelenë të pastruar, në krahasim me herët e tjera dhe se ishte e gatshme të jepte mbështetjen e saj për realizimin e projektit.
Tryeza shërbeu gjithashtu për të propozuar dhe diskutuar mendimet, së bashku me qytetarët, pjesëmarrja e të cilëve ishte e madhe. “Sot pashë një njeri që e do këtë qytet, ndaj edhe ndodhem këtu, sepse shoh një njeri që kërkon ndryshim, dhe një nga shpresat e Tepelenës për ndryshim është pikërisht kalaja. Nëse do ta shihni këtë si një mundësi për të rijetëzuar qytetin, të gjithë bashkë mund ta realizojmë, por pa ndërgjegjësimin dhe dashurinë e banorëve, kjo është e vështirë.”. Kjo ishte thirrja që u bëri Auron Tare në emër të Trashëgimisë Kulturore qytetarëve, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre për t’i dhënë jetë këtij projekti.
Arben Biçoku vlerësoi pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në këtë tryezë, duke përfituar që t’i informojë drejtpërdrejtë ata për rëndësinë e realizimit të këtij projekti, i cili do të influencojë në përmirësimin e jetesës së tyre. “Tavolina ka dy fokuse: nxitja e vizitës për realizimin e projektit dhe mirëqenia që rritet, nëse ky projekt realizohet duke krijuar një reaksion zinxhir. Duhet reklamuar trashëgimia për të tërhequr vëmendjen në mënyrë që turistët të shpenzojnë kohën dhe paratë e tyre. Duhen gjetje origjinale për ta bërë atë atraktive”. Gjithashtu, ai vlerësoi të rëndësishme bërjen të shikueshme të mureve natën, një projekt për hidrantin e fikjes së zjarrit si edhe një projekt për shtrimin e kalldrëmeve, duke marre si shembull Beratin.
I ftuar në tryezë ka qenë edhe delegati i OSBE-së në Gjirokastër, z. Milan Bito, i cili përkrahu këtë nismë, duke shprehur se do të dëshironte një histori më të prekshme për brezat e ardhshëm dhe jo tregimi i saj të mjaftohej vetëm nëpërmjet disa pamjeve të ruajtura ndër vite. “Miqtë e mi, udhëtonin nëpër Shqipëri disa ditë më parë dhe jam habitur se sa mirë ata e dinin historinë e këtij vendi, e veçanërisht të Tepelenës”.
Gjatë aktivitetit, anëtarët e forumit evidentuan problematikat prej të cilave vuan aktualisht kalaja, si edhe propozuan disa nga zgjidhjet më të frytshme për sa i përket restaurimit dhe rijetëzimit të saj. “Është e vështirë të ngulësh një koncept në mendjen e njerëzve, por Tepelena, me kalanë e saj, e ka arritur këtë. Ajo ndodhet jo vetëm në kujtesën e Shqiptarëve, por edhe të të huajve” - ka shprehur Artan Lame, duke propozuar më tej se duhet përfituar nga fakti që rruga e re kalon pikërisht në Tepelenë dhe ky është momenti për t’i dhënë vlerën e duhur qytetit dhe për ta bërë atë atraktiv për turistët me ato çfarë ofron.
Për Tepelenën
Tepelena është qyteti që ka qenë pjesë e një prej 3-4 emrave më të famshëm të Shqipërisë. Edhe si emër qyteti (bashke me Krujën, Shkodrën, Durrësin e Beratin), por edhe si emër personi (bashkë me Skënderbenë, me Zogun a me Enver Hoxhën)
“Kur po përgatisnim posterin e kësaj Tryeze, anëtarëve të Forumit iu desh të gërmojmë shumë midis fotografive për të përzgjedhur, pasi të gjitha ishin me rrënoja. Aty kuptuam që ky qytet ka mbi 100 vjet që po bjerret, dhe jo vetëm këta 20 vjetët e fundit.
Problemet e Tepelenës janë ato të shumë qyteteve të tjera shqiptare, por edhe të shtuara me shumë të tjera. Probleme të bjerrjes së trashëgimisë kulturore, të ndërtimeve pa leje, të punësimit, të emigracionit, të krizës globale, të rikthimit të emigrantëve, e plot të tjera.
Ky është vetëm fillimi i kësaj nisme, pasi së shpejti parashikohet të organizohet një ekspozitë me fotografi të vjetra të qytetit, ku dokumentohet një pjesë e rëndësishme e historisë”, - ka thënë në fund Lame, duke mos harruar të përshëndesë bashkëpunimin me bashkinë e Tepelenës, si edhe të përgëzojë iniciativën e kryetarit Tërmet Peçi për pastrimin e mbeturinave në muret e jashtme të kalasë.
Shkatërrimi dhe shpresa
Në fund të tryezës, pjesëmarrësit bënë një shëtitje panoramike nëpër kala, duke vërejtur me keqardhje ndërtimet të cilat e kanë dëmtuar tepër strukturën e kalasë, si p.sh.: një shkallë në formën e spirales në një nga muret e jashtëm të kalasë dhe vendosja e një stalle bagëtish përpara një prej tuneleve të kalasë. Këto ishin vetëm dy momente të përmendura, por gjatë vizitës u vunë re gjithashtu se si muret rrezikoheshin në mënyrë të vazhdueshme nga bimësia e rrënjosur aty aksidentalisht, e cila duhet pastruar.
Burimet e fundit na informojnë se kryetari i bashkisë, Tërmet Peçi, ka filluar përpjekjet për krijimin e një zyre projektesh, ndërkohë që do të ketë edhe një audiencë të veçantë me studentët e arkitekturës dhe të ndërtimit, në mënyrë që ata të japin idetë e tyre për projekte të ndryshme. E veçantë ka qenë mikpritja e kryetarit të bashkisë, si edhe gatishmëria e tij për të mirëpritur propozimet e ndryshme që u dhanë gjatë tryezës dhe takimeve me të.
Ai u shpreh se “vlerësonte propozimet e anëtarëve të forumit, por komuniteti ishte gjithashtu një shtysë e madhe për t’i realizuar ato nëpërmjet vlerësimit të kësaj pasurie kulturore që aktualisht jeton. Jeta e qytetarëve që banojnë pranë kalasë do të përmirësohet me rijetëzimin e saj, prandaj kërkoj mbështetjen e tyre. Nëse shkatërrohet një mur, bashkë me të shkatërrohet edhe historia. Jemi të gatshëm që këtij projekti t’i japim jetë.”.