Teqenë historike, një nga më të vjetrat në vend, ku gjendet Gjyshata me të njëjtin emër, e kthyen dikur në depo për kooperativën. Në hapësirën e saj, ku kishte tyrbe kushtuar Baballarëve të ndjerë, u pushtua nga lëndët drusore. Sot, njerëzit që kërkojnë varret e t’afërmve të tyre, e kanë të vështirë të orientohen për shkak të paditurisë së njerëzve të teqesë dhe konfuzionit të banorëve përreth. Madje, një burrë rreth të pesëdhjetave, që mundohet të na rrëfejë zonën, ka kujtesë më të mirë se 70 e 80-vjeçarët! Sa për Babanë e Teqesë, harroje, pasi pothuaj s’di fare asgjë...
Burri e lidh kalin tek rrethimi trishtues i hapësirës pushtuar me barin e keq, e që ka mbirë kudo përreth varrit të Shote Galicës. Ikën... Kali shtyhet drejt një ‘memoriali’ tjetër. Një nga të vdekurit e fundit, mbase viktimë demokracie, i është vendosur si lapidar, mu në ‘kangjellat’ shkatarraqe, varrit monumental të heroinës.Shota, nga një imazh i përhumbur porcelani, shikon indiferente gjithçka. Një kërmill i vockël, po i ngjitet pak nga pak granilit të vet. Përbri, makina të tonazheve të mëdha që shkojnë e vijnë drejt Fabrikës së Çimentos në Fushë Krujë, uturijnë zhurmshëm në rrugën e prishur. Retë e tymi përreth i mbulojnë të gjitha. Shqipëri e viteve para ’90 mu në korrikun 2014. Pak metra më tutje, kthehemi dhe marrin drejt udhëzës së teqesë në kërkim të një varri...
...
“Erdhën dhe i futën Stalineskun. Lajmërun. Në vitin 1967, kur ndodhi lajmërun. S’duhet me gënjy! Ata që erdhën, erdhën. I morën. Të tjerët? Atyre që s’u erdhën njerëzit ua rrafshuan varret. Na! ia bën me dorë. Nuk lanë asgjë”. 55 vjeçari flet njëtrajtshëm dhe me një zë që vërtet të stërmundon. E ka parë varrin që kërkojmë, por s’mban mend asgjë. Ashtu si ne, pak kohë më parë, të tjerë banorë kanë ardhur për të kërkuar varret e njerëzve të tyre, vendosur në hapësirën e Teqesë së madhe të Gjyshatës së Fushë Krujës. “Po ju nuk mund të vinit më parë!, na e pret me ironi një burrë. “Ku keni qenë?” Gruas, që po i drejtohet, ka qenë për shumë vite në internim, ndërsa habitshëmrisht, nga të afërmit e saj nuk është kujdesur askush. Patrioti i dikurshëm, që shërbeu nën Perandorinë Osmane dhe pastaj me qeveritë shqiptare, mbase nga diku është duke e dëgjuar historinë e eshtrave t’veta, një histori e përsëritur kushedi sa herë në vend. Dhe, na qesëndis të gjithëve. Si ne ka shumë e shumë që kanë ardhur. Para nesh. Të tjerë do vinë më pas. Më kot. Bij që kërkojnë baballarët, nipër - gjyshërit, motra që kërkojnë vëllezër janë dukur shpesh e janë larguar gjithmonë të pafat. Një letërsi e tërë, mund t’i kushtohej kësaj tragjedie të shqiptarëve pa varr. Si për ironi, shqiptarëve iu pëlqen të prishin varre, por edhe t’i harrojnë të vdekurit. “T’u shoftë varri!”, më vjen shpesh në mëndje nëmia që i bëhet dikujt.
Babai i Teqesë shfaqet ngadalë. Një ndihmës i tij rrëfen pa e pyetur: Gjyshëria e Krujës, përmbledh prefekturat Kosovë, Shkodër, Durrës dhe Tiranë me qendër këtë Teqenë e Shenjtë të Shëmimiut në Fushë-Krujë. Nuk e kuptoj shqiptimin e burrit me trup mesatar, që qëndron kompetent para nesh. Pak minuta më parë, teksa e prisnim lexoj shkrimin e një vajze të re, që i drejtonte lutje që të kalojë në provim, me aksh profesor dhe kërkon fat dhe për kushërinjtë e saj. Një tjetër letër, që është lënë, si në një bllok ngushëllimesh, kërkon fat. Babai i koleksionon dhe u këndon! Të tillë qyqarë, si këta që drejtojnë lutjet, ka plot në faqet e libretit. Mu kështu më duket se po më shikon Babai që zhgënjehet e zhgënjehet, në atë që po i kërkojmë. Burri, që është aty te 70-tat, di fare pak. Përveç hierarkisë së baballarëve paraardhës nuk di pothuaj asgjë për historinë e Teqesë, që mund të jetë një nga më të vjetrat në vend. “Kam vetëm këtë indikacion, i thotë mbesa e njërit prej patriotëve shqiptarë, që gjendet e varrosur aty në teqe Është pranë një lisi shekullor. Im atë e ka lënë të shkruar”. A beson se ati juaj nuk ngatërrohej me vendet, pemët? Gruaja më shikon në sy. Si do të mundej vallë? Jo vetëm nga përvoja e jetës, por edhe shkollimi nuk e lejonte të bënte gjëra të tilla. E megjithatë ne besojmë në kujtesën e Babait, i cili i kërrusur duket në pritje që të na yshtë. Ajo që dëgjon nga ne është larg perceptimit të tij. Rrotullon tespihet. “Nuk di gjë. Nuk di gjë”, përsërit si në përhumbje.
Në Teqenë e Fushë Krujës dikur ishin varret e shumë e shumë njerëzve të njohur lokalë, që kishin pasur lidhje me vendin, por koha, fshesa më e madhe mbi njerëzimin, nuk i ka falur. Flasim. Babai vetëm pohon, por rrëfimin tonë nuk e ndjek dot. Ajo që dëgjon nga ne është njësoj sikur po i flasim për ngritjen e ndonjë impianti elektronik. “Nuk di gja. Kam vite këtu”. Na bën një listim të të gjithë baballarëve, që ai mban mend dhe të mënyrës sesi ka ardhur. “Këtë nuk e kam dëgjuar”. Tund kokën. Më trego ndonjë gjë nga historia e Teqesë? - e pyes. Është qendra e Gjyshatës, më thotë dervishi, i habitur, që nuk e ka dëgjuar si fakt. Më vjen ndërmend, nga literatura sesi dervishët megjithë njëfarë injorance që vesh kulturën përreth tyre, kanë qenë gjithnjë shumë të hapur ndaj përparimit. Tregojnë se njëri syresh, ka të ngjarë të ketë qenë në këtë vend, ku po qëndrojmë, bleu disa makineri bujqësore në Trieste dhe i solli këtu. Banorët ishin aq të frikësuar nga veprimi i Babait sa i prishën të gjitha si vepra të Djallit. Por, Babai para nesh është rehat. Është një njeri i thjeshtë që kryen punën. Dikur një pjesë e tyre vinin nga borgjezia e pazhvilluar vendase edhe bejlerët e vegjël, por ky përballë më duket se nuk i takon as me erë kësaj klase. Dhe mund të gajasesh me dela Roka që shkon dhe më tej kur citon një studim që vendos një lidhje të masonerisë perëndimore me bektashizmin...
Varret
Dalim jashtë. Babai sikur flet me vete. Na tregon tyrbet. Mes tyre, njëra syresh e vjetër është e rrethuar me një parmak druri, të mos shkelet. Është vetëm koncept tyrbe. Ajo është më e vjetra pjesë, bashkë me ngrehinat që janë rregulluar më pas. Për hir të së vërtetës, zona e Krujës është nga vendet e mbjella me teqe bektashinjsh dhe kjo lidhet me afërsinë e kësaj popullate me fenë që i shkoi shumë shqiptarëve. Ata u bënë strehë dhe për shumë patriotë. Mes tyre Shote Galica, që erdhi pas represionit serb ndaj kosovarëve në fillim të shekullit të shkuar, në një gjendje gati katastrofale bashkë me fëmijët e luftëtarëve të vrarë. Jeta e solli që nëna e tyre kujdestare të mos jetonte gjatë dhe të vdiste e të varrosej pranë këtu. Është pak më larg dhe e braktisur në vapën e padurueshme të korrikut... Të tjera varre, pak më tutje, kanë mbetur nën pushtetin e barishteve dhe vetëm disa syresh ruajnë shenjat tipike të fesë. “Ja dhe këtu ka varr. Edhe këtu, më tregon babai”, që tani thjesht na ndjek duke na treguar vendet. Lisi që kërkojmë për të identifikuar varrin nuk gjendet, por më në fund një burrë 50 vjeçar në rrëfimin e tij përmend lojën që bënin dikur tek lisi afër disa varreve. Ai tregon se Babai para këtij ka luftuar shumë, pas ndërrimit të regjimit, me ata që donin të zaptonin hapësirën e teqesë. Edhe i ati 80- vjeçar, një burrë bajagi i mbajtur, na e rrëfen i bindur! Vetëm se lisin na e përcjell tej rrethimit të teqesë, ku kalon një përrua mbushur me plehra. Të gjithë na drejtojnë te selvia, ajo përbën edhe simbolin e Teqes. Një dru i veçantë, që banorët e njohin ndryshe edhe si qiparisi i Teqesë. Është rreth 25 metra i lartë dhe besohet se mosha e saj të jetë mbi 500-vjeçare, bash aq sa mendohet edhe për teqenë. Kjo pemë e madhe qindra vjeçare është dëshmitarja e vetme, që mund të thotë diçka! Banorëve, që tani janë shtuar, kjo nuk i bën përshtypje. As edhe historia me sa duket. I vetëm një burrë, që shërben në teqe, do të na e tregojë ndryshe historinë. Ai rrëfen sesi dikur u bë një krim ndaj ish-nën prefektit të Krujës! Kush ka qenë dhe plot grimca historie. Mos ka qenë ai, na thotë befas. Papritur bie mik me gruan dhe si të persekutuarit e dikurshëm, i gjejnë shpejt edhe lidhjet. Një copëz historie përshkron mjedisin dhe përmes kujtimeve të njëri-tjetrit, të dy afrohen më shumë.
Intermexo
Historia e teqeve ka nisur në Shqipëri shumë herët, fillimisht në Krujë në malin Sarisalltik dhe në Berat në malin Tomorr. Ngritja e teqeve këtu lidhet me misionarët bektashinj që zunë vend në këto vise gjatë udhëtimeve të tyre misionare, madje shumë dekada para se të dukeshin ushtritë osmane në këto vise. Si për ironi, Kongresi i Bektashinjve më 1929, mbajtur në Teqenë e Turanit të Korçës mori vendimin që kryegjyshata të vendosej në Shqipëri, pas përzënies që i bëri Ataturku. Sali Njazi Dedei, që u caktua kryegjysh, erdhi më 1930 dhe më 1931 ngriti Kryegjyshatën në Tiranë në një vend të gjerë që e blenë Baballarët e Shqipërisë. Ai hapi Mejdanin, ku u dorëzuan shumë myhibë dhe qeveritë shqiptare dhanë 1000 Napoleona ar për të ndërtuar një ndërtesë madhështore që mbaroi në kohë të Italisë më 1941. Më 1942 i bënë atentat…
Histori-Shemim Qemaludin Babai
Burri, që na tregon historinë, flet shtruar. Ka gjetur dëgjues dhe e ndjen këtë. Mes tyre dhe vetë Babain, që e ka si mbrojtje, kur nuk jep dot vetë. Ai na sqaron për figurën e Shemimit, njeriun që e ngriti teqenë. Në fakt, figurën e tij e precizoj më shumë në një libër të vjetër të Baba Rexhepit. Qemaludin Shemim Baabai ishte një nga misionarët më të mëdhenj të Bektashizmit dhe një nga vjershëtorët e saj të shekullit të XVIII. Profesori turk Sadedin Nuzhet Ergun, në librin e tij “Bektasi Sairleri” thotë:”Në bibliotekën e Basri Babait në Stamboll është gjetur një letër e nënshkruar nga një muhib bektashi nga Kruja, i quajtur Mehmet Ali dhe i cili na jep këto shpjegime mbi Shemiminë: Shemim Babai emrin e kam Qemaludin. Më parë ka qenë myderriz. Pastaj hyri në udhën bektashiane dhe ka qenë në teqenë e Qoprilisë në Jugosllavi bashkë me një shokun e tij Hatemi Hajdar Baba. Shemim Babai është vrarë duke kënduar librin me bëmat e Qerbelasë (Hadikan e Fazliut) teksa këndonte kaptinën ku ra dëshmor Imam Hysejni. U qëllua nga jashtë me dy plumba në kraharor. Gjaku i ra mbi librin që po lexonte. Ky libër ka qenë deri vonë në teqenë e Asim Babait”. Shemiu e ka tyrben mu aty - na thotë burri. Hyn dhe Babai në muhabet. Ishte mistik i madh, thotë. Fryma e tij spirituale dhe kulturore e ngritën shumë atë. U takua dhe me Ali Pashain. Këtij të fundit, i bëri shumë përshtypje ky dervish, kur i tha: “Hiq dorë nga veprat e këqija. Përkrah njerëzinë dhe i shërbe popullit. Mos bën më mundime dhe sillu mirë Në qoftëse do të veprosh mirë atëherë Zoti t’i fal të gjitha të këqijat që ke bërë. Përkundrazi nëse do të punosh si ke vepruar më parë, do të humbasësh jo vetëm gjithë çke në dorë por edhe kokën dhe nuk do mbetet racë pas teje… Me ndihmën e Ali Pashait, Shemimiu ndërtoi Teqenë e Melçanit në Korçë, ku emëroi si dervish një njeriun e tij. Ai ndërtoi edhe teqenë e Xhefaji Babait në Elbasan dhe teqenë e Sadik Babit në Koshtan”.
Në librin për Bektashizimin, ku gjeta referencën, thuhet se Shemimiu kishte sarëkun e taxhit të gjelbër, që e kishin vetëm ata që vinin nga familja profetike, por merret me mënd se banorët nuk e kuptonin. Në një vjershë, që ka krijuar në atë kohë, Babai iu kundërvihet të gjithëve...
...
Përpjekja për varrin shkon e kotë ashtu si kalon e kotë gjithçka, që vjen më pas. Babai flet si pa lidhje, por kujdesohet edhe të mos mërzitemi. Është i paqëm dhe shumë i sjellshëm. Anipse,sorrollatja mes barërave dhe pyetjeve të njerëzve, vetëm na konfuzon. Varrin e patriotit të vjetër nuk e di askush. Plaku, që na tregon lisin, papritur tregon histori me një gjerman të vrarë, por edhe se gjermanët, që erdhën më vonë, e kishin me harta të sakta se ku e kishin varrosur. Për fat të keq, gruaja s’ka harta. Babai i teqesë nuk flet. Duket se jeton në një gjendje tjetër që për ne vdektarët është si habi. Largohemi me shpresë se do rikthehemi, mirënjohës ndaj njerëzve që përpiqen të na ndihin me çfarë të mundin. Është e këndshme stërhallja e shqiptarëve me vdekjen.
Burri, që ka lidhur kalin tek gardhi i Shotës, sapo po e zgjidh. E ndjek me kamera. E lidh te zgara e biçikletës së vjetër dhe ikën. Tutje. Në harresë. Verë.