Pas 131 ditësh, Tërbuni i Pukës merr fitore, madje në fushën më të vështirë, pikërisht në Korçë kundër kampionëve në fuqi. Për herë të fundit pukjanët kishin marrë tri pikë në kampionat më 6 dhjetor të vitit të kaluar ndaj Flamurtarit, me rezultatin minimal 1-0.Pas më shumë se katër muajsh pa fitore, vjen një sukses i jashtëzakonshëm i të besuarve të Gjonit ndaj Skënderbeut. Sulmuesi kroat, Ivan Jovanoviç, në një bisedë për "Panorama Sport", tregon se Tërbuni i meritoi tri pikët.
"Për mua ishte kënaqësi që i shënova golin e dytë Skënderbeut. Kjo fitore ishte shumë e nevojshme për ekipin në këtë situatë të vështirë. Mendoj se kemi marrë një triumf të merituar ndaj kampionëve në fuqi, pasi jemi paraqitur mirë. Janë tri pikë që na japin moral dhe na bëjnë më të fortë për ndeshjet e radhës.
Situata ndryshon disi gjatë këtyre ditëve ku të gjithë do të punojmë të përqendruar dhe të motivuar për ndeshjen e radhës në fushën tonë për sfidën ndaj Teutës. Po i vjen fundi kampionatit, por ne gradualisht jemi futur në ingranazhet e lojës që kërkon dhe vetë trajneri, sepse ne ishim ndërtuar si ekip pothuajse i gjithi në merkaton e janarit dhe prandaj jemi ambientuar pak me vonesë me njëri-tjetrin.
Do të tentojmë deri në fund të kampionatit të realizojmë objektivin tonë. Ne duhet të kishim fituar që në ndeshjen me Bylisin në fushën tonë, e cila do na kishte dhënë shpresa më të mëdha që ne të mbijetojmë, por gjithsesi edhe ndaj Skënderbeut erdhi një fitore në kohën e duhur ku ne të shpresojmë që të kemi të tjera rezultate pozitive në vazhdim", ka thënë sulmuesi, që si për koincidencë ka shënuar dy gola ndaj Skënderbeut.
Në humbjen 3-1 në fazën e tretë në "Qemal Stafa", sulmuesi realizoi golin e nderit ndaj korçarëve. Ai beson se do të vazhdojë me këtë ritëm. "Të shtunën luajmë sfidën e radhës ndaj Teutës, duhet të përqendrohemi edhe më shumë se në ndeshjen me Skënderbeun që të marrim trepikëshin në fushën tonë përpara sportdashësve. Nëse ne do të arrijmë të marrim diçka të tillë, morali do jetë edhe më i lartë për ne si skuadër ku po respektojmë kampionatin si të gjitha skuadrat e kreut. Do bëj të pamundurën që të shënoj më shumë deri në fund".