Terhiqet Basha zhbllokohet keshilli bashkiak

Terhiqet Basha, zhbllokohet keshilli bashkiak

Pas një bllokimi disamujor, Këshilli Bashkiak i rikthehet normalitetit. Partia Demokratike dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, “dorëzohen” për kryetarin duke zgjidhur kështu edhe ngërçin në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Për të njëjtën mbledhje kanë qenë dy thirrje për mbledhje në të njëjtin orar, një nga nga Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak, Zamir Ndroqi dhe një nga kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi.  Mbledhja u zhvillua në sallën e mbledhjes me këshilltarët e majtë dhe të djathtë, për të parën herë pas shumë muajve bllokimi. Këshilltarët e majtë dhanë konsensusin që mbledhja të drejtohej nga zoti Ndroqi, i cili përshëndeti dhe rikthimin në normalitet të këshillit, si domosdoshmëri për t’u shërbyer qytetarëve. Kryetari i ri i Këshillit Bashkiak të Tiranë, Aldrin Dalipi u kërkoi ndjesë qytetarëve të Tiranës për bllokimin e punës së këtij këshilli.



Ai i garantoi këshilltarët dhe qytetarët e Tiranës se primare në funksionimin e këtij këshilli do të jetë zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës. “U kërkoj ndjesë qytetarëve të Tiranës, në emër të kujtdo që e mbajti peng këtë këshill. Kemi humbur shumë kohë. Dua të filloj menjëherë nga rendi i ditës, kam një propozim mbi tavolinë të ardhur nga kryetari i Bashkisë për një shtesë fondi në buxhetin e Njësisë Bashkiake Numër 11 për dhënien e një ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga përmbytja e datës 16.10.2013”, tha Dalipi. Ndërsa, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, uroi menjëherë pas zgjedhjes për detyrën, Aldrin Dalipin. Basha përshëndeti të gjithë këshilltarët për maturinë dhe mençurinë që arritën të tejkalojnë këtë ngërç, që, sipas tij, nuk i shërbeu për asnjë ditë Tiranës.


“Secili prej jush është këtu si rezultat i paraqitjes së listave nga subjektet politike, por besoj se me kalimin e ngërçit, gjetjen e konsensusit, jo për t’i shërbyer një pale apo një pale tjetër dhe as duke sakrifikuar parimet e shtetit ligjor, kemi dhënë shembullin më të mirë sot. Jemi të gatshëm të fillojmë punën për t’i shërbyer një axhende. Të bashkojmë zërin për çështje që preokupojnë qytetarët e Tiranës, për çështje që kërkojnë zgjidhje. Qoftë ky një shembull i mirë për të gjithë të zgjedhurit dhe shërbëtorët e shtetasve shqiptarë. Uroj që rifillimi i punës të udhëhiqet dhe nga zbatimi strikt i ligjeve dhe vendimeve të këtij këshilli. Uroj që sa më shpejt bashkë me kënaqësinë e justifikuar për gjetjen e konsensusit të triumfojë edhe sensi i shërbimit dhe të nisë puna për vendimet që e presin,” u shpreh Basha.

 

Në mbledhjen e djeshme, me consensus u ra dakord që të miratohej një rend dite i shkurtuar që parashikonte konfirmimin e mandatit të zotit Gazmend Dibra si këshilltar i Bashkisë së Tiranës. Pas zgjedhjes së tij në krye të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, Dalipi kërkoi miratimin e një akti për fond shtesë në ndihmë të familjeve të përmbytura në njësinë nr. 11, ku u kërkua të alokohet gjysma e fondit të emergjencave, një shumë prej 1 milionë lekësh të reja. Me votimin pro të të gjithë anëtarëve, ky fond u miratua. Lidhur me këtë Dalipi kërkoi që këshilltarët të japin dhe një kontribut personal në ndihmë të këtyre familjeve. Falë konsensusit të arritur, Këshilli Bashkiak vendosi që mbledhjen e radhës ta zhvillojnë të hënën e ardhshme, në datë 11 nëntor. Ngërçi në Këshillin Bashkiak të Tiranës, daton që në muajin prill kur LSI vendosi që të shkëputet nga bashkëpunimi me PD-në për të krijuar aleancë me PS-në.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama